ilmihali

A kanë kompetencë punëdhënësit mos t’u japin leje punonjësve për të falur namazin e xhumasë?

Në të drejtën islame, punëtorët ndahen në dy kategori: punëtorë me pagë bazë dhe punëtorë me porosi. Punëtorët e kategorisë së parë janë ata që kanë një punë të përhershme, me një orar dhe pagë të caktuar në një vend pune të caktuar, të cilët mund të jenë edhe punëtorë, edhe personel administrativ, kurse punëtorët e kategorisë së dytë, janë mjeshtrat e profesioneve të ndryshme që punojnë privatisht në bazë të porosive që u vijnë nga klientët.

Sipas kësaj ndarjeje, problemi nuk qëndron tek të dytët të cilët punojnë privatisht dhe e përdorin kohën si të duan vetë, por për kategorinë e parë të punonjësve, të cilët, gjatë orarit të punës sipas kontratës së punës, nuk kanë të drejtë të largohen nga vendi i punës pa lejen e punëdhënësit. Ndërkaq, sipas të drejtës islame, meqë namazi farz është “e drejtë e Allahut”, asnjë punëdhënës nuk ka të drejtë ta pengojë punonjësin e vet për t’i falur namazet farze që rastisin brenda orarit të punës. Këtu nuk futen namazet nafile të çfarëdo lloji që të jenë.[1]

A është haram tregtia në kohën e namazit të xhumasë?

Allahu (xh.xh.) urdhëron: “Ditën e xhuma, kur të thirreni për namaz (kur të këndohet ezan), lëreni shitblerjen dhe vraponi për ta përmendur Allahun!” (Xhuma, 62/9) Duke u nisur nga ky ajet, medhhebi hanefi e ka quajtur shitblerjen në këtë kohë mekruh tahrimen (pranë haramit), kurse tri medhhebet e tjera, kanë dhënë konkluzion për haram. Vlerësimi si mekruh tahrimen i shitblerjes gjatë intervalit prej këndimit të ezanit të brendshëm gjer në përfundim të faljes së namazit të xhumasë, nuk rrjedh prej aktit tregtar në vetvete, por prej pengesës që i krijon ky akt kryerjes së namazit të xhumasë, ose prej afërsisë kohore, ose prej përputhjes kohore të tij me namazin e xhumasë.

Lexo  XHUMAJA

Ndërkaq, personi që e ka për detyrim faljen e namazit të xhumasë, duke mos e respektuar urdhrin e mësipërm, bën tregti, me këtë qëndrim dhe veprim kryen një akt mekruh tahrimen ose haram, por tregtia e bërë është e vlefshme dhe fitimi i siguruar nuk është haram. Vetëm se komentuesit kanë thënë se, për shkak të kryerjes së një pune të ndaluar nga Allahu, fitimi i arritur me këtë rrugë nuk do të ketë begati, se në jetën shpirtërore të personave përkatës mund të lindin përfundime negative dhe se jeta e tyre ndjesore mund të shuhet.


[1] Ndërkaq, duhet mbajtur parasysh se po flasim për të drejtën juridike-fetare islame e cila është në fuqi vetëm në shtetet islame. Zbatimi i disa prerogativave të kësaj të drejte të cilat kanë të bëjnë kryesisht me detyrimet besimore-fetare të individit, duke mos qenë detyrim në vendet ku është në fuqi e drejta civile laike, rregullohet me marrëveshje.

Ndajeni me miqtë tuaj...