ilmihali

Kanalet dhe rrugët bazë të trupit të njeriut që shërbejnë për hyrjen (marrjen) e lëndëve të jashtme janë dy llojesh:

a) Kanalet natyrore dhe origjinale si hundët, veshët dhe rrugët e përparme e të prapme. Me marrëveshje, lëndët që hyjnë në brendësi të trupit nëpërmjet këtyre rrugëve, e prishin agjërimin. Kurse lëndët që nuk hyjnë në brendësi të trupit, nuk e prishin agjërimin.

b) Lloji i dytë janë kanalet dhe rrugët (hyrjet) e formuara aksidentalisht, si prerjet, plagët, etj. Gjithashtu, me marrëveshje, agjërimi prishet nëse kalimi i lëndëve të jashtme brenda trupit nëpërmjet këtyre rrugëve bëhet i qartë në mënyrë të sigurtë. Kurse në rastet kur kalimi është i dyshimtë, sipas Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, agjërimi nuk prishet, sipas imam Ebu Hanifes, prishet.

Siç shihet, kontradikta mes imam Ebu Hanifes dhe dy nxënësve të tij nuk është në thelb, por në cilësi. Pra, në qoftë se hyrja e lëndës në brendësi të trupit bëhet e sigurt, edhe sipas tyre, agjërimi prishet.

Po qe se në trup hyjnë plotësisht trupa të tillë si gjilpëra, plumbi (predha), shigjeta, etj., agjërimi prishet. Por po qe se një pjesë e këtyre gjërave të ngulura në trup mbetet jashtë trupit, agjërimi s’prishet.

Kur çështjen e shqyrtojmë nën dritën e këtyre rregullave të përgjithshme, në lidhje me vaksinat dhe injeksionet na del para një tablo e tillë: Vaksinat dhe lyerjet mbi lëkurë nuk e prishin agjërimin, sepse lëkura përfaqëson pjesën e jashtme të trupit. Vaksinat e tjera dhe injeksionet përgjithësisht bëhen nën lëkurë, në muskul ose në venë. Në të tre rastet, po qe se vetëm ngulet pjesërisht gjilpëra pa futur ilaç nëpërmjet saj, agjërimi nuk prishet. Por po të futen nëpërmjet saj ujë ose ilaçe, agjërimi prishet, sepse produktet e futura nëpërmjet injeksionit qoftë ky nën lëkurë, në muskul ose në venë, përvetësohen nga trupi. Ndërkaq, kjo prishje agjërimi nuk kërkon kundërshpërblim, por vetëm zëvendësim (kaza).

Lexo  Ndikimi pozitiv i agjërimit në luftën kundër kancerit

Të sëmurët me sëmundje të rëndësishme mund ta prishin agjërimin. Të sëmurëve që, megjithatë agjërojnë, po të bëjnë injeksion, u prishet agjërimi. Prandaj këta mund ta shtyjnë injeksionin pas iftarit. Të sëmurët që nuk agjërojnë për shkak të sëmundjes, pas shërimit i bëjnë kaza ditët e paagjëruara.

* Marrja e gjakut nga jashtë është si injeksioni, prandaj e prish agjërimin. Por dhënia e gjakut nuk e prish agjërimin.

* Në abdest, pasi të shpëlahet goja e të nxirret uji jashtë, gëlltitja e lagështirës së mbetur në gojë bashkë me pështymën nuk e prish agjërimin.

* Po qe se gjaku i pakët i dalë nga dhëmbët përzihet me pështymën duke humbur në të dhe pastaj gëlltitet, nuk e prish agjërimin. Por po qe se gjaku mbisundon në sasi ndaj pështymës dhe gëlltitet, agjërimi prishet.

Ndajeni me miqtë tuaj...