Ata që thonë se s’ka magji, se nuk besojnë në magjinë, ose janë mohuesit që, duke e parë çështjen me bazë fetare, mohojnë se ashtu ua kërkon karakteri i tyre mohues, ose janë tipa indiferentë që s’kanë lexuar e dëgjuar fare, që s’është e qartë nëse jetojnë apo s’jetojnë në këtë botë. Dikush mbi të pesëdhjetat që e pata takuar personalisht në xhami dikur, më pati thënë kështu:
“Gjer një vit më parë, unë nuk i besoja magjisë. Ndërkaq, njëri prej të afërmve të mi u çmend. Kur e kapte kriza, shtangej dhe i ngulte sytë në një pikë. S’mbeti mjek e s’mbeti magjistar xhindesh që s’shkuam. Atje ku shkuam për herë të fundit, personi që merrej me këtë punë, e këndoi dhe i bëri edhe gjëra të tjera. Në kthim, hipëm në makinë dhe i sëmuri ynë, me një zë, me të cilin ishim çmësuar tashmë, na pyeti: “Ku jam unë? Ç’ndodhi me mua?” Mbeta i habitur! Dhe atëherë besova se kishte magji!”
Së pari, Kurani bën fjalë për magjinë që ndan burrin me gruan (Bekare, 102) dhe trajton hollësisht ngjarjet e magjive në kohët e profetëve Sulejman dhe Musa. E dyta, një çifut i pati bërë magji Profetit dhe, pasi Profeti pati filluar të ndjente shqetësim, materiali i magjisë, me ndihmën e shenjës së Engjëllit, qe nxjerrë nga pusi ku qe hedhur dhe, pas këndimit të dy sureve të fundit të Kuranit, Allahu ia pati larguar shqetësimin Profetit. E treta, në jetë kanë ndodhur dhe ndodhin ngjarje të tilla si dhe ka shembuj të tillë, që, edhe sikur të ngrihem e të tregoj vetëm të miat, mbushen 20-30 faqe. Por unë desha të mjaftohem vetëm me ato që i përmenda më sipër, sepse shërbejnë si argument për rastet analoge.
Ndikimi dhe veprimi i magjisë janë të vërtetë e të vërtetuar në praktikë. Por, ndërkaq, t’i bësh magji dhe të keqe tjetrit, t’i ndash burrin me gruan nga njëri-tjetri, t’i vësh dhe t’i armiqësosh njerëzit ndaj njëri-tjetrit, të bësh përpjekje për magji pavarësisht nëse zë apo jo, të bësh magji vetë apo të porosisësh magji, t’i ndihmosh ata që bëjnë vetë dhe që porosisin magji, të gjitha këto janë kategorikisht haram, domethënë, të pamiratuara, të pabekuara, të ndaluara, si dhe mëkat, domethënë, faj! Kurse të bësh ose të porosisësh magji me bindjen e një akti të lejuar, të miratuar e të bekuar (hallall), është mohim (kufr). Por ta shpëtosh dikë që me të vërtetë është sulmuar nga xhindet ose ka rënë viktimë e magjisë dhe vuan, duke e kënduar për ta shpëtuar nga vuajtja, gjithsesi është mirësi! Vetëm se kjo çështje s’duhet kthyer në profesion dhe fushë preokupimi. Sepse nga Kurani dhe Suneti (tradita profetike), në lidhje me këtë çështje, s’dimë gjë. Profeti është takuar me xhindet, por kjo ka ndodhur në kuadrin e detyrës së tij profetike dhe si profet edhe i tyre. Ai u ka kumtuar xhindeve fenë, ka marrë besën e tyre dhe ua ka bërë të ditura përgjegjësitë që kanë. Jashtë këtij kuadri, Profeti jo vetëm nuk është marrë me gjëra të tilla si mënyra e krijimit të lidhjeve me ta, mënyra e thirrjes së tyre, mënyrat e bërjes dhe prishjes së magjisë, mënyra se si vihen në punë ata, por as në thëniet dhe deklaratat e tij të bekuara nuk shohim ndonjë gjë lidhur me këtë çështje. Por Profeti ka treguar pikat e afrimit me xhindet, dëmet e tyre dhe rrugët e shpëtimit prej tyre. Ndërkaq, edhe pse, në kuptim të përgjithshëm, preokupimi i bashkësisë me këto çështje nuk miratohet, gjithsesi, përdorimi nga persona të veçantë me besim dhe përgatitje të caktuar i xhindeve me qëllim dhe synim të mirë duhet të jetë i justifikuar, pasi, në këtë drejtim, në Kuran ndodhet një pikë horizonti e treguar me dorën e disa profetëve.