ilmihali

Në Kuran është deklaruar se Vullneti i Përgjithshëm i përket vetëm Zotit. Gjithashtu dihet edhe se njeriut i është dhënë një vullnet i pjesshëm. Në këto kushte, në rastin e njeriut që kryen mëkat, a është vetë njeriu që bën mëkat duke iu nënshtruar vullnetit të vet, apo është Vullneti i Përgjithshëm i Zotit që e detyron njeriun për ta kryer atë mëkat?

Pohimi i shkurtër i kësaj çështjeje është ky: në dorën e njeriut gjendet një sasi e caktuar vullneti. Ne le t’i themi këtij vullneti, po të duam, vullnet i pjesshëm, po të duam, dëshirë njerëzore, ose po të duam, edhe aftësi njerëzore për të futur diçka në dorë. Kurse aktit krijues të Zotit, t’i themi vullnet i përgjithshëm, gjithëpërfshirës, fuqi krijuese, me fjalë të tjera, përmbledhja e fuqisë, vullnetit dhe aftësisë krijuese. Zaten, këto janë cilësi të Zotit. Kur çështja merret në aspektin që i përket Zotit, kuptohet sikur Zoti detyron. Pra, gjërat të bëhen në atë mënyrë siç je i detyruar të veprosh. Pra kemi të bëjmë me detyrim dhe me kurrfarë mundësie vetëpërzgjedhjeje. Por kur çështja merret në aspektin që i përket njeriut, kuptohet sikur njeriu i bën vetë punët e tij, kështu që, del në pah mendimi se “çdokush është i zoti i punës ose i bëmave të veta”, që është një ide dhe parim mu’tezil.
Çdo gjë që ndodh në gjithësi, e krijon Allahu. Ky është edhe “Vullneti i Përgjithshëm”, për të cilin bëhet fjalë në këtë pyetje. Madje, “Edhe ju, edhe bëmat tuaja Allahu i krijoi!”. Me fjalë të tjera, Zoti ose Krijuesi edhe i juaji, edhe i punëve, bëmave, veprave tuaja është vetëm Allahu!
Për shembull, nëse bëni një veturë ose ndërtoni një shtëpi, është Zoti, Ai që i ka bërë, që e ka bërë veturën, që e ka ndërtuar shtëpinë. Ju dhe aktet tuaja i përkisni Zotit. Por në të gjitha këto akte që kryhen, ka diçka që është specifike për ju, që ju takon vetëm juve: nisma dhe përftimi, ose përfitimi. Ndërkaq, këto janë një kusht i nivelit të ulët dhe një shkak i thjeshtë. Krejt sikur të shtypnit butonin e një rrjeti elektrik gjigand dhe të ndriçonit me këtë gjithë botën. Në këtë rast, ashtu siç nuk do të mund t’ju thonim se ju s’bëtë asgjë, se s’dhatë asnjë kontribut, nuk do të mund të thonim as se kjo është një vepër plotësisht e juaja. Vepra i takon plotësisht Zotit! Por, duke i krijuar këto vepra për ju, Zoti ka pranuar ndërhyrjen tuaj të pjesshme si një kusht të nivelit të ulët dhe mbi këtë kusht i ka ngritur aktet apo veprat për të cilat po bëjmë fjalë, pra, në të cilat ka marrë pjesë ndërhyrja e vetë njeriut.
Për shembull, mekanizmin elektrik të kësaj xhamie e ka ngritur Zoti dhe e ka sjellë në gjendje pune. Edhe akti për ta vënë rishtas në punë, për ta bërë që të ndriçojë, i përket Zotit. Prodhimi i dritës nga rryma elektrike dhe ndriçimi i xhamisë janë nga një akt më vete. Dhe këto i përkasin Allahut, Zotit që është Drita e Dritave dhe Portretizuesi i Dritave. Megjithatë, në ndriçimin e kësaj xhamie është edhe iniciativa juaj: vetëm shtypja e butonit të këtij mekanizmi të ngritur e të përgatitur prej Zotit.
Le të ofrojmë edhe një model tjetër. Le të mendojmë një makineri të ndërtuar e të bërë gati për punë, ndërkaq që akti i vetëm dhe i fundit për ta vënë në punë, shtypja e butonit, ju është lënë si detyrë juve. Pra, përveç këtij akti të fundit, të gjitha të tjerat lidhur me këtë makineri i përkasin Zotit. Prandaj edhe iniciativës së njeriut i themi përfitim ose vullnet i pjesshëm, kurse aktit të Zotit i themi krijim. Kështu, përpara na del një përpjesëtim i tillë vullnetesh:
A) Vullneti i përgjithshëm.
B) Vullneti i pjesshëm.
Vullnet do të thotë të duash, të kërkosh diçka, të kërkosh të bësh diçka dhe të kesh aftësinë, durimin, vendosmërinë për ta çuar atë deri në fund, ta çosh deri në fund atë çka dëshiron dhe kërkon. Dhe një gjë e tillë, në tërësinë dhe finalen e vet, i përket vetëm Allahut, Zotit: “Ju s’mund të dëshironi gjë tjetër nga ajo që dëshiron Allahu!” .
Kjo specifikë nuk duhet keqkuptuar. Duke menduar si më sipër, duke thënë se robi (njeriu) ka vullnet vetëm sa për të shtypur një buton, kemi qëndruar larg nga një determinizëm tërësisht i detyrueshëm (determinizëm ekstrem). Gjithashtu, duke thënë se Zoti është ai që e krijon aktin, që e nxjerr atë në shesh, tregojmë se nuk mendojmë si mutezilë apo si racionalistët. Dhe me këtë pozicion nuk i bëjmë shok apo ortak Zotit as në hyjnitetin, as edhe në cilësinë e Tij si Krijues. Siç është i vetëm në individualitetin e vet, Zoti është i vetëm edhe në aktin e vet; aktet, punët e veta nuk ua ngarkon të tjerëve për t’i kryer. Zoti e ka krijuar çdo gjë. Mirëpo, nisur nga një sërë të fshehtash dhe urtësish si propozimi dhe prova, ka pranuar edhe iniciativën njerëzore si një kusht të nivelit të ulët.
Për ta ndriçuar edhe më mirë çështjen, dëshiroj t’ju parashtroj edhe një shembull të dhënë nga një personalitet i lartë. Ai thotë:”Ta zëmë se ti merr një fëmijë me dëshirën e tij. Pastaj fëmija të kërkon ta çosh diku dhe ti ia plotëson dëshirën apo kërkesën. Mirëpo atje fëmija sëmuret. Në këto kushte, a ka të drejtë fëmija të të kërkojë llogari pse e çove atje? Natyrisht që jo. Sepse ai vetë deshi. Për më tepër, ti mund t’i japësh edhe një shpullë duke i thënë: “Vetë deshe, mirë të të bëhet!” Gjithashtu, në këto kushte, a mund të mohohet vullneti i fëmijës në këtë veprim? Sigurisht që jo. Sepse ai dëshiroi dhe kërkoi. Mirëpo, në këtë mes, je ti ai që e çove fëmijën atje. Tjetër, fëmija as nuk deshi të sëmurej, as nuk u sëmur vetë. Në këtë mënyrë, kemi ndarë nga njëri-tjetri tre faktorë: fëmijën që dëshiroi dhe kërkoi, atë që e çoi fëmijën, domethënë që ia plotësoi dëshirën dhe kërkesën, dhe më në fund, atë që shkaktoi sëmundjen.”
Me këtë sy i shohim ne kaderin/paracaktimin dhe vullnetin e njeriut.
Të drejtën e kësaj pune e di vetëm Ai që vendos për të!

Lexo  A mund të njihet Zoti, a mund të përkufizohet?
Ndajeni me miqtë tuaj...