Nga Anthony de Mello:
Dy motra binjake që ndodheshin në barkun e nënës, në fillim nuk dinin asgjë. Duke shikuar njëra-tjetrën me javë të tëra, kishin filluar të zhvilloheshin. Kishin filluar të merrnin formë, këmbët, duart dhe organet e brendshme. Dhe kështu filluan ta kuptonin se çfarë po ndodhte rreth tyre. Duke njohur vendin rreth tyre, kishin filluar të lumturoheshin. Vazhdimisht i pohonin njëra-tjetrës të njëjtën gjë: “Sa mirë që jemi këtu në barkun e nënës. Sa e bukur që është kjo jetë motër”.
Duke u rritur kishin filluar të investigonin botën reth tyre. Cili është burimi jetës? Duke investiguar, kishin vënë re kordonin që i lidhte ato me nënën. Kishin kuptuar se në sajë të këtij kordoni ushqeheshin pa u lodhur fare dhe rriteshin. “Sa e mëshirshme është nëna ynë, na e dërgon ne çdo gjë që kemi nevojë me anë të këtij kordoni”.
Kalojnë jave e muaj, binjaket rriten me shpejtësi dhe po i afroheshin “fundit të rrugës”. Me habi duke i vështruar këto ndryshime, duke iu afruar muajit të nëntë, filluan ta ndjenin më shumë që do ta braktisnin këtë botë të mrekullueshme.
Me tension të madh një nga binjaket pyet tjetrën: “Ç’po ndodh? Ç’kuptim kanë këto që po ndodhin?” Tjetra ishte më e qetë, për më tepër i dukej sikur kjo botë nuk i mjaftonte më, në brendësi të saj dëshironte një botë më të madhe. Dhe iu përgjigj:
“Të gjitha këto tregojnë se nuk do të qëndrojmë më në këtë botë. Po i afrohemi fundit të kësaj bote”.
“Por unë nuk dua të largohem nga kjo botë”, bërtiti me të madhe motra. “Dua të qëndroj gjithmonë këtu”. Tjetra i tha:
“Nuk kemi gjë në dorë, kushedi ndoshta pas lindjes do të ketë një jetë krejt tjetër”.
“Si mund të jetë e mundur kjo pasi të na pritet kordoni që na jep jetë?!”, u përgjigj tjetra. “Pa më thuaj, si mund të jetojmë pasi të na pritet kordoni? Këtu, kanë ardhur edhe të tjerë para nesh dhe kanë ikur. Askush nuk është kthyer mbrapa që të na tregojë se ka jetë pas lindjes. Jo, kjo do të jetë fundi i gjithçkaje”. Dhe shtoi me pesimizëm: “Ndoshta nuk ekziston as diçka që quhet nënë”.
“Duhet të ekzistojë”, kundërshtoi tjetra. “Po të mos ekzistonte, si do të vinim këtu, si do të qëndronim në jetë?”
“A e ke parë ndonjëherë nënën ti?”, pyeti tjetra. “Ajo ndoshta ekziston vetëm në mendjen tonë. Ndoshta atë, e kemi shpikur ne, për të qënë më të qetë”. Dhe kështu ditët e fundit në barkun e nënës kaluan me diskutime të ashpra.
Së fundmi erdhi dita e lindjes. Binjaket, pasi lindën i hapën sytë në një botë tjetër dhe filluan të qanin nga gëzimi. Sepse ajo që po shikonin ishte shumë herë më mahnitëse se ato që kishin imagjinuar.

Lexo  Disa Argumente mbi Monoteizmin (Teuhidin)
Ndajeni me miqtë tuaj...