A mund të përkufizohet Zoti?

0

Mbi Zotin ne nuk mund të dimë gjë tjetër nga ato ç’na kanë mësuar. Në këtë fushë mendja nuk mund të thotë asgjë. Çka mund të bëjë mendja, është të pranojë udhëzimin e revelacionit, zbulesës hyjnore. Këtë mund ta sjellim në një formë të kuptueshme me një shembull të tillë si më poshtë.

Jemi disa vetë që po rrimë e po bisedojmë në nënçati. Një çast dhe dëgjojmë se troket dera e jashtme. Po, me të vërtetë po troket! Disa prej nesh, duke mos u mjaftuar me kaq, fillojnë të shfaqin opinionin e tyre mbi personin që po troket, edhe pa e parë, edhe pa e ditur se kush është: Ai që po troket, është i tillë, i atillë… Kësaj i themi imagjinatë, përfytyrim. Kurse disa të tjerë nuk thonë asgjë, se nuk e kanë një aftësi të tillë. Po mendjes, ç’i takon të bëjë? Me trokitjen e derës, mendja duhet të vërtetojë se pas derës është dikush, ndërkaq, çështjen se kush është ai, duhet t’ia lejë vetë atij i cili kërkon të na tregojë se kush është duke i rënë derës si dhe me mënyrën se si i bie. Në këtë rast ndodh procesi që e quajmë të vrarët e mendjes, gjykim.

Këtë shembull mund ta zbatojmë kështu në çështjen tonë: Ne përpiqemi ta njohim Zotin duke e vrarë mendjen, duke gjykuar shkallë-shkallë, nga veprat në emrat e Tij, nga emrat në atributet, nga atributet në shfaqjet e individualitetit të Tij. E thënë ndryshe, e shëtisim gjithësinë duke kaluar nga shfaqja e Tij në veprat në shfaqjen me anë të emrave dhe afrohemi te horizonti i shfaqjes së atributeve; nga e panjohura lartësohemi te bota e shenjave specifike paralajmëruese të Tij dhe, me shtimin e kënaqësisë së soditjes, vërtitemi të mahnitur duke parë shfaqjen e individualitetit të Tij. Pastaj, herë na zgjerohet frymëmarrja dhe na pushton hareja me anë të frymërave të bukurisë dhe dhembshurisë së Tij, herë drithërohemi e rrëqethemi mes frikës dhe impresionit.

Shihet se, për Individualitetin Krijues, brenda dimensioneve tona të dijes dhe informacionit, ne nuk mund të themi asgjë. Njohjen e Tij ia lemë, brenda gjuhës dhe simbolikës së Tij specifike, ndërgjegjes, e cila është pika ku bashkohen gjithësia e të panjohurave dhe gjithësia jonë e dëshmisë. Allahu njihet me anë të emrave, konceptohet me anë të atributeve dhe ekziston me anë të individualitetit të Tij. Sipas shprehjes së Hz. Ebu Bekrit, njohja e Tij është brenda një shprehjeje, pohimi, të mangët nga njohja. Ose Ai njihet dhe dihet brenda dimensioneve të pohimit që i dedikohet një teoricieni të madh, i cili thotë: Nuk të njohëm dot ashtu siç je në të vërtetë, o i Ditur!

Në përkufizimet e dhëna nga Kur’ani mbi aktet dhe veprimtarinë e Tij, e njohim si një Zot absolut, lartësohemi shpirtërisht me sa mundemi ta njohim me anë të atributeve të përsosmërisë dhe ia shohim përsosmërinë (qenien absolutisht pa të meta e mangësi) në bukurinë (burimi i bukurive të pafundme) e Tij.

Atëherë, duke e rinuar sërish betimin tonë, mund të themi kështu: O Krijues Absolut! Eshtë jashtë çdo diskutimi se nuk mundëm të Të njohim me të vërtetë dhe ashtu siç duhet! Por, duke pranuar se je për ne më afër se damari i qafës që na rreh,(1) duke pranuar, brenda kësaj afërsie që i përket botës normative, si një rrugë të ndritshme për shpirtin tonë madhështinë Tënde të konstatuar në njohjen e qiejve si shfletosja e fletëve të një libri dhe harmoninë poetike të ekzekutuar në diapazonin mes syrit të një mize dhe poetikës diellore, ta njohim individualitetin me anë të veprave të Tua në mijra e qindramijra etapa, bëhemi një me shfaqjet e Tua dhe shkrihemi në sigurinë që na jep!

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply