Agjërim do të thotë të largohesh nga ngrënia, pirja, kryerja e marrëdhënieve seksuale me qëllimin e adhurimit që nga agimi deri në perëndimin e diellit.Agjërimi është shprehje e shmangies nga dëshirat seksuale, të ngrënit, të pirit, largimi nga lidhjet e kësaj bote dhe afrimi me Allahun (xh.sh).
Agjëruesi duhet të jetë mysliman, në moshë madhore, i shëndoshë mendërisht dhe fizikisht, nuk duhet të jetë i sëmurë apo udhëtar. Ata që nuk mund të agjërojnë nga mungesa e fuqisë, ata që janë udhëtarë apo të sëmurë nuk e kanë detyrim agjërimin. Por nëse munden, agjërimi i mbajtur i vlerësohet.
FARZET E AGJËRIMIT
- Qëllimi (të bësh nijetin).
- Largimi nga gjërat të cilat e prishin agjërimin nga agimi deri në perëndimin e diellit. Fillimi i kohës së agjërimit quhet ‘imsak’ dhe mbarimi i saj ‘iftar’.
LLOJET E AGJËRIMIT
Agjërimi ndahet në:
- Farz
- Vaxhib
- Sunet
- Mendub
- Nafile
- Mekruh
Agjërimi ndahet në dy lloje nga natyra e nijetit:
- Agjërimet për të cilat nijeti bëhet natën. Në agjërimet kaza të Ramazanit, të nafileve, në agjërimin e kefaretit dhe të betimit nijeti duhet të bëhet që natën.
- Agjërimet të cilat nuk e kanë të domosdoshëm nijetin natën: agjërimi i mbajtur në Ramazan si dhe agjërimet nafile. Tek këto agjërime nuk është kusht bërja e nijetit që natën. Nijeti mund të bëhet duke filluar natën e deri në drekën e ditës së nesërme. Në muajin e Ramazanit le të bëhet nijet për nafile apo për vaxhibe, agjërimi mbetet agjërimi i muajit Ramazan.
RASTET QË PRISHIN AGJËRIMIN
Rastet që prishin agjërimin i ndajmë në dy grupe: në rastet të cilat kërkojnë vetëm kazanë dhe në rastet të cilat kërkojnë kefaretin.
RASTET TË CILAT PRISHIN AGJËRIMIN DHE KËRKOJNË VETËM KAZANË
- Ngrënia e diçkaje pa dashur duke e ditur se është agjërueshëm.
- Kalimi në fyt i ujit të marrë nga goja apo hunda.
- Bërja e nijetit pas dreke dhe jo në kohën e duhur.
- Ngrënia e diçkaje me qëllim pasi më parë ka ngrënë diçka pa e ditur se ka qenë agjërueshëm, gjë e cila nuk prish agjërimin.
- Të kalosh ujin e shiut apo të borës që hyn nga goja.
- Bërja e gjilpërës.
- Marrja e ilaçit nga hunda.
- Marrja e ilaçit nga vesh.
- Ngrënia e syfyrit duke menduar se ende nuk ka dalë koha.
- Të bësh iftar duke menduar se ka perënduar dielli.
- Kalimi poshtë i të vjellës që vjen deri në gojë.
- Nxjerrja e pështymës pastaj kalimi i saj poshtë.
- Nëse nga dhëmbi na rrjedh gjak më shumë se masa e pështymës dhe kalimi i tij poshtë.
- Të ndezësh temjan dhe të kalosh në fyt tymin.
RASTET TË CILAT PRISHIN AGJËRIMIN DHE KËRKOJNË KAZA DHE KEFFARET
- Ngrënia dhe pirja me qëllim.
- Kryerja e marrëdhënieve seksuale me qëllim.
- Pirja me qëllim e cigares.
Nëse ndonjëri bën një nga rastet e mësipërme duhet të bëjë kaza agjërimin si dhe të zbatojë kefaretin, të agjërojë dy muaj pa ndërprerje.
GJËRAT MEKRUH PËR AGJËRUESIN
- Të shijosh diçka pa pasur nevojë.
- Të përtypësh diçka kot.
- Të përtypësh një çamçakëz të cilit nuk i ka mbetur shije.
- Të puthurit.
- Përqafimi me bashkëshortin/en.
- Të mbledhësh pështymën në gojë dhe ta kalosh poshtë.
- Të dhurosh gjak.
RASTET TË CILAT NUK PRISHIN AGJËRIMIN
- Të ngrënit, të pirit, kryerja e marrëdhënieve seksuale në harresë.
- Ejakulimi i spermës thjesht nga shikimi apo fantazia.
- Ejakulimi i spermës gjatë gjumit.
- Të puthurit pa ardhjen e ejakulimit.
- Të zgjohesh nga gjumi me probleme mendore.
- Të kalosh këlbazën që të vjen deri në gojë.
- Të thithurit e sekrecioneve që vijnë nga hunda.
- Kalimi i ujit në vesh.
- Të kalosh poshtë thërrime të mbetura mes dhëmbëve që janë më të vogla se një kokërr misër.
- Të vjellësh pa dëshirë me gojë të plotë.
- Të bësh makijazh.
- Të bësh thashetheme.
- Të hedhësh ilaç në sy.
FITRI
Sadakaja e fitrit është një adhurim material i cili realizohet në muajin e Ramazanit nga myslimanët të cilët përveç plotësimit të nevojave të tyre zotërojnë një sasi të caktuar të hollash dhe të cilin e japin për veten dhe për personat që kanë nën përgjegjësi. Dhënia e sadakasë së fitrit është vaxhib. Sadakaja e fitrit mund të jepet dhe në vendin ku jepet zekati.
Sadakaja e fitrit është një shprehje e falënderimit ndaj Allahut përballë mirësive dhe begative që na ka dhuruar neve dhe të afërmve tanë. Për të dhënë sadakanë e fitrit nuk është e detyrueshme (vaxhib) të agjërosh. Dhënia e saj është vaxhib për agjëruesit dhe për ata të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë.
Sadakaja e fitrit mund të jepet që në fillim të muajit të Ramazanit. Por dhënia e saj dy ose tre ditë para Bajramit është diçka më e bukur sepse plotëson nevojat e të varfërve.
Nuk duhet të lihet të jepet pas ditës së parë të Bajramit. Nëse nuk keni pasur mundësi ta jepni para Bajramit atëherë duhet ta jepni menjëherë pas tij.
Kriteri më i saktë i përllogaritjes së fitrit është sigurimi i ushqimit të nevojshëm njëditor normal për një person. Kjo është sasia limit. Gjithsesi, këtu vlen të shtojmë se çdokush duhet të japë fitër aq sa të jetë edhe shpenzimi i tij ditor në ushqime.
Sadakaja e fitrit është një adhurim. Dhe në adhurime qëllimi është kusht kryesor. Prandaj duhet të bëjmë nijetin kur japim fitrat. Nijeti mund të bëhet kur japim fitren ose kur e ndajmë, e bëjmë gati për t’ia dhënë. Qëllimi bazohet në dhënien me zemër për hir të Allahut. Kur japim fitren nuk është e nevojshme të thuhet se ‘kjo është sadakataja e fitrit’.
KEFARETET
Kefaretet i ndajmë në katër grupe: kefareti i agjërimit të muajit të Ramazanit, kefareti dhihar, kefareti i betimit dhe kefareti i mbytjes së një personi.
1. KEFARETI DHIHAR
Dhihar do të thotë përngjasimi i trupit të gruas apo të ndonjë pjese të trupit që tregon gjithë trupin, me një pjesë trupi të personave të cilët i ka të ndaluar (e ka të ndaluar martesën) si nëna apo motra, apo me një organ shikimin e të cilit e ka të ndaluar. P.sh., nëse një njeri i thotë gruas së tij: “Ti je si nëna ime, qafa jote është si të mbrapmet e nënës sime”. Nëse një person flet në këtë mënyrë atëherë kërkohet kefaret. Nuk e ka të lejuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale me gruan e tij derisa të plotësojë kefaretin. Sepse duke folur në atë mënyrë ka gënjyer dhe ka treguar si të ndaluar diçka të lejuar. Kefareti në këtë rast është agjërimi i dy muajve rresht. Nëse nuk ka mundësi të agjërojë dy muaj, atëherë duhet të ushqejë 60 të varfër.
2. KEFARETI I BETIMIT
Kefareti i betimit kërkohet në rastin kur një person nuk i përmbahet betimit apo premtimit të dhënë dhe e prish atë. Një person i tillë nëse ka mundësi duhet të ushqejë dhjetë të varfër, për mëngjes dhe darkë si dhe t’i veshë ata. Nuk mjafton vetëm një palë pantollona. Nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë duhet të agjërojë tri ditë rresht. Nëse agjërimi prishet nga ardhja e menstruacioneve apo diçkaje tjetër, duhet të mbahet përsëri.
3. KEFARETI I TË QETHURIT
Kefareti i të qethurit kërkohet atëherë nëse personi i qeth flokët e tij para se të hyjë në ihram për shkak të ndonjë arsyeje. Ky kefaret është agjërimi i tri ditëve. Ky agjërim nuk është i detyrueshëm të mbahet tri ditë rresht; mund të mbahet edhe në ditë të veçuara.
4. KEFARETI I VRASJES SË NJË PERSONI
Ky është një lloj kefareti që i kërkohet atij personi i cili vret pa qëllim, gabimisht një mysliman apo një jomysliman që jeton nën mbrojtjen e shtetit islam. Nëse ky person ka mundësi financiare, duhet të lirojë një rob. Nëse nuk mundet, atëherë duhet të agjërojë dy muaj pa ndërprerje.
ITIKAFI
Qëndrimi në xhami apo në një pjesë brenda xhamisë për arsye adhurimi për një kohë të caktuar quhet itikaf.
Itikafi ndahet në tre pjesë: vaxhib, sunet dhe mustehab. Nëse premton me gojë bërjen e itikafit atëherë realizimi i tij është vaxhib. Ndërsa itikafi i mbajtur dhjetë ditët e fundit të Ramazanit është sunet. Përveç dy rasteve të mësipërme, itikafi i bërë në xhami për arsye adhurimi është mustehab.
KUSHTET E ITIKAFIT
Itikafi ka katër kushte:
- Personi i cili do të bëjë itikafin duhet të jetë mysliman, mendërisht i shëndoshë dhe i pastër. Itikafi i personit jomysliman, të çmendurit, të papastrit, gruas me menstruacione nuk është i pranueshëm. Për bërjen e itikafit nuk është kusht mosha e pjekurisë, gjinia apo liria.
- Duhet të bëhet nijeti për itikaf. Nuk është i pranueshëm një itikaf i cili realizohet pa nijet.
- Itikafi duhet të bëhet në xhami apo në një pjesë tjetër të njohur si mesxhid. Më e virtytshme është të realizohet në xhami të mëdha. Ndërsa për gratë është më e përshtatshme ta realizojnë në shtëpi.
- Personi i cili bën itikafin vaxhib duhet të jetë agjërueshëm. Personi i cili hyn në itikaf nuk del jashtë nga xhamia vetëm në rast të nevojave personale dhe të domosdoshme. Gjatë itikafit përpiqet të flasë vetëm rreth temave morale. Nuk bën asnjë gjë e cila të jetë e ndaluar.
Itikafi më i mirë është itikafi i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Sepse edhe vetë Profeti (s.a.s) ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së tij.
Itikafi është edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie. Në këtë mënyrë zemrat qoftë edhe për pak kohë qëndrojnë larg punëve të kësaj bote, i drejtohen Allahut dhe strehohen në derën e mëshirës dhe të ndihmës, besimtari i cili lutet brenda xhamisë, shtëpisë së Allahut është i mbrojtur nga të gjitha të këqijat porsi të ishte brenda një kalaje të fortë. Njeriu i cili hyn në itikaf i përkushtohet adhurimit dhe fjalëve të mira. Mbron gjuhën nga gënjeshtra, shpifjet dhe thashethemet dhe nuk dëmton askënd. Qëllimi dhe mendimi i tij janë të drejtuar drejt së mirës. Duke qenë gjatë gjithë kohës brenda xhamisë, edhe pritja jashtë kohëve të namazit i llogaritet njësoj si një namaz. Gjatë itikafit qëndron larg punëve të botës dhe i drejtohet vetëm Allahut (xh.sh). Kjo gjendje ia ndriçon zemrën, ia pastron mendimet dhe e lartëson nga ana shpirtërore.
ETIKA E ITIKAFIT
Etikën e itikafit mund ta ndajmë kështu:
- Itikafi duhet të bëhet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit në një nga xhamitë më të mira.
- Gjatë itikafit nuk duhet të flasim gjë tjetër përveç fjalëve të mira. Nuk përbën mëkat të flasësh rreth gjërave të cilat nuk janë të ndaluara. Ndërsa mbrojtja e gjuhës nga gjërat e ndaluara është një nga adhurimet më të mëdha.
- Kohën e itikafit duhet ta kalojmë duke lexuar Kuran, mësuar hadithe dhe çështje të tjera fetare.
- Personi i cili hyn në itikaf duhet të vishet bukur dhe të përdorë erë të mirë.
- Personi i cili do të realizojë itikafin vaxhib duhet të bëjë nijet jo vetëm me zemër por edhe me gojë.
GJËRAT QË E PRISHIN DHE NUK E PRISHIN ITIKAFIN
Dalja nga xhamia e personit i cili është në itikaf për arsye personale (për të falur namazin e xhumasë, për kryerjen e nevojave personale, për të marrë abdes, gusul) nuk e prish itikafin.
Itikafi prishet nëse personi del nga itikafi pa asnjë arsye.
Itikafi gjithashtu prishet nëse dilet për një orë për të vizituar një të sëmurë, për të larë një xhenaze, për të falur namazin e xhenazes, për të dëshmuar apo për arsye shëndetësore. Në rastin e itikafit vaxhib, nëse personi ka vënë kusht vizitimin e të sëmurëve, faljen e namazit të xhenazes gjatë itikafit, atëherë nuk prishet.
Edhe dalja jashtë për shkak të një shqetësimi të rrallë e prish itikafin. Dalja jashtë për të shpëtuar njerëzit kur bie zjarr apo është duke u mbytur dikush, apo edhe dalja jashtë me xhematin e prish itikafin.
Nëse personi i cili është në itikaf qëndron disa ditë pa ndjenja, atëherë itikafi prishet. Ai mund ta fillojë përsëri atë kur të shërohet.
Në rastin kur prishet itikafi vaxhib atëherë duhet kryer kazaja e tij.
Ndërsa në rastin kur lëmë një itikaf nafile nuk është e nevojshme të bëhet kaza më vonë.
Për personin i cili hyn në itikaf është e ndaluar kryerja e marrëdhënieve seksuale ose ndonjë veprim i cili bëhet shkak për të gjatë natës apo ditës.
Personi i cili gjendet në itikaf mund të blejë në xhami gjërat të cilat i duhen. Gjithashtu ai mund të sjellë në xhami gjërat e nevojshme pa dëmtuar xhaminë. Ai ha dhe pi në xhami. Nëse ka një vend të përshtatshëm brenda xhamisë aty mund të marrë abdes apo gusul. Nëse nuk ka, atëherë del jashtë dhe merr abdes në vendin më të afërt dhe pa humbur kohë kthehet menjëherë në xhami.
Personi i cili bën itikaf mund të dalë në minare për të kënduar ezanin. Nuk ka problem edhe nëse dera e minares është jashtë xhamisë.
DISA ÇËSHTJE NË LIDHJE ME AGJËRIMIN
A ndalohet agjërimi i ditëve kaza në ditë më të shkurtra?
Agjërimi i mbetur kaza mund të kompensohet më vonë në ditë të shkurtra apo të gjata; e rëndësishme është realizimi i obligimit. Por nëse agjërimi lihet qëllimisht për t’u kompensuar më vonë në ditë më të shkurtra, do të thotë se personi kërkon të shpëtojë nga obligimi. Megjithatë më e rëndësishmja e adhurimeve është qëllimi i pastër, i sinqertë dhe vendosmëria.
A lejohet përdorimi i misvakut kur je agjërueshëm?
Dijetarët myslimanë kanë folur shumë rreth qëndrimit larg rasteve të cilat mund të prishin agjërimin. Misvaku nga struktura e tij nuk është i ndaluar, por për shkak të pështymës e cila mund të kalojë poshtë gjatë përdorimit, është më mirë të mos përdoret. Disa kanë thënë të përdoret në periudha të caktuara para ose pas drekës, misvak i thatë apo i lagësht, e kanë lejuar të përdoret para drekës ndërsa pas drekës e kanë ndaluar, kanë lejuar përdorimin e misvakut të thatë e jo atij të lagësht. Edhe pse elementët të cilët mund të prishin agjërimin janë të njëjtë në të katër rastet.
A e prish agjërimin heqja e dhëmbit?
Heqja e dhëmbit nuk e prish agjërimin. Nëse bëhet gjilpërë gjatë heqjes së dhëmbit atëherë agjërimi prishet. Agjërimi gjithashtu prishet edhe nëse kalohet poshtë gjaku i dalë nga heqja e dhëmbit. Person që gjatë agjërimit të Ramazanit heq një dhëmb dhe për shkaka të gjilpërës apo të gjakut prish agjërimin, e kompenson atë më vonë dhe nuk ka nevojë për kefaret.
A e prishin agjërimin gënjeshtra, thashethemet apo shikimi i të ndaluarës?
Edhe pse në një hadith të Profetit (s.a.s) thuhet: “Agjërimi prishet nga gënjeshtra, thashethemet, premtimi i rrejshëm dhe nga shikimi me epsh i të ndaluarës”, Ebu Hanife e shpjegon këtë hadith kështu: “Këto mëkate prishin sevapin e agjërimit, nuk prishin korrektësinë, gjithsesi agjërimi bëhet mekruh.” Kjo do të thotë se ai person mund të kryejë agjërimin si obligim, por nuk mund të arrijë sevapin e madh të tij. Nuk duhet të harrojmë se çfarë thotë Profeti (s.a.s) në një hadith: “Ka aq shumë agjërues të cilët nuk përfitojnë asgjë nga agjërimi përveç urisë dhe etjes.”
Mënjanimi i shikimit të harameve është një parim që duhet ta shoqërojë gjithnjë besimtarin. Sepse Profeti (s.a.s) thotë: “Shikimi i të ndaluarës është një shigjetë e helmuar e shejtanit. Ai i cili nuk e bën këtë nga frika për Allahun, Allahu i jep një besim, ëmbëlsinë e të cilit e ndjen brenda në zemër.”
Përveç kësaj, agjëruesi duhet të ruajë dhe gjuhën. “Agjërimi e shuan zjarrin, është mburojë ndaj tij. E ruan nga thashethemet. Agjëruesi mos të gabojë duke thënë fjalë të shëmtuara. Nëse ndonjëri e ngacmon, le t’i thotë jam agjërueshëm”, thotë Profeti duke na tërhequr vëmendjen në këtë çështje. Fjala nuk e prish agjërimin.
Ashtu siç ruajmë syrin dhe gjuhën nga mëkatet, ashtu duhet të ruajmë dhe veshin. Është i ndaluar dëgjimi i fjalëve apo bisedave të ndaluara. Edhe duart, këmbët e pjesë të tjera të trupit duhet t’i ruajmë nga e ndaluara. Ata që bëjnë mëkate gjatë agjërimit është njësoj si të pijnë helm në vend të ilaçit. Sepse mëkati është helm. Zhduk të gjitha sevapet e adhurimeve. Prandaj le të mos ia heqim sevapet veprave tona duke vepruar në mënyrë të gabuar.
A prishet agjërimi nga përdorimi i produkteve kozmetike dhe nga përtypja e çamçakëzit?
Një ilaç i ngurtë i vendosur në hundë nuk e prish agjërimin, ndërsa ilaçi i lëngshëm e prish atë. Edhe kremrat, deodorantët nuk e prishin agjërimin. Gjaku i cili mund të rrjedhë për shkak të rruajtjes nuk e prish agjërimin.
Edhe buzëkuqi nuk e prish agjërimin por nëse hahet, atëherë prishet. Duhet të kompensohet më vonë.
Përdorimi i ndonjë kremi për trupin nuk e prish agjërimin. Nxjerrja e gazit të tabletës së azmës e prish agjërimin ashtu si tymi i duhanit.
Për agjëruesin nuk është e lejuar ngrënia e sheqerkave të vogla. Edhe pse ka prej atyre që e konsiderojnë mekruh, nuk duhet ta mbajmë në gojë. Është e lejuar marrja e hapave për të vonuar ardhjen e menstruacioneve për të mos lënë agjërimin, por nuk është e nevojshme.
Nuk është mekruh marrja erë e aromave të mira apo trëndafilit. Agjërimi nuk prishet as nga marrja erë deodorantëve apo esencave të tjera, madje nuk është as mekruh.
A e prish agjërimin pasta e dhëmbëve?
Përdorimi i furçës së dhëmbëve gjatë kohës së agjërimit është mekruh. Nuk ka ndonjë pengesë në fërkimin e dhëmbëve pa pastë dhëmbësh. Megjithatë duhet patur kujdes në moskalimin e ujit poshtë. Edhe nëse përdorim pastën e dhëmbëve agjërimi nuk prishet, por është mekruh. Por nëse kalohet poshtë pasta e dhëmbëve apo uji, atëherë agjërimin quhet i prishur dhe duhet të kompensohet më vonë.