Komentimi i Ajetit Kurrsij

                                                                   بِسمِ اللَّهِ الرَّحمٰنِ الرَّحيمِ 

اللَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ ۚ لَا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ ۚ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ ۗ مَنْ ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلَّا بِإِذْنِهِ ۚ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ ۖ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِنْ عِلْمِهِ إِلَّا بِمَا شَاءَ ۚ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ ۖ وَلَا يَئُودُهُ حِفْظُهُمَا ۚ وَهُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ

Kuptimi: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

“Allahu është Zoti, veç të cilit nuk ka zot tjetër.
Ai është Hajj (Përherë i gjallë dhe që zotëron jetë të përhershme e të përjetshme).
Është Kajjum (Vetekzistent, i Përjetshëm dhe që mban në jetë e administron tërë universin).
Atë nuk e kaplon as dremitja e as gjumi.
Atij i përket gjithçka gjendet në qiej e në Tokë.
Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij?
Ai di gjithçka që ndodhet para e pas njerëzve.
Qeniet e krijuara prej Tij nuk mund të përvetësojnë nga Dija e Tij veç asaj që dëshiron Ai.
Sundimi i Tij i përfshin tërësisht qiejt e tokën.
Ai nuk e ka të vështirë t’i mbrojë e të kujdeset për to.
Ai është i Larti, Madhështori!” (Bekare, 2/255)

 

Tefsir (komentimi)

Allahu është Hajj (i gjallë)

Allahu, veç të cilit nuk ka zot tjetër, ka një formë jete të posaçme për individualitetin e Tij të lartë. Ai ka një formë jete të tillë që të gjitha gjallesat e marrin jetën prej Tij. Ai s’ka të bëjë me humbjen dhe asgjësimin. Duke qenë zotëruesi i një jete absolute e të pasosur nga pafillimi në pafundësi, për Të nuk ka vdekje.

Allahu është Kajjum (vetekzistent)

Allahu, ekzistenca e të cilit është e vetvetishme, e administron vetë tërë gjithësinë e krijuar prej Tij. Çdo gjë është nevojtare ndaj Tij për qenien, ekzistencën dhe për vazhdimin e ekzistencës së vet. Allahu, veç të cilit nuk ka zot tjetër, “Çdo (çast të çdo) ditë, me shfaqje të reja (të ekzistencës së vet), ndodhet në krye të punës”. (Rrahman, 55/29)

Allahu e drejton këtë gjithësi me anë të ligjeve. Ndërkaq, ligjet nuk janë gjëra të veçanta vetekzistuese, por të cilave Allahu u ka lënë drejtimin dhe administrimin e qenieve dhe ekzistencës. Ligjet janë vetë veprimtaria dhe akti ekzekutues hyjnor. Gjëja që ne i themi regjimi i rregullt dhe harmonik i gjithësisë ose ligjet e natyrës është pamja që na reflektohet ne e trajtës me të cilën është krijuar dhe merr vazhdimësi materia, jo përcaktuesi i asaj trajte. Pra, ligjet ekzistojnë pse materia është krijuar në një trajtë të caktuar, jo materia ekziston në një trajtë të caktuar pse ekzistojnë ligjet. E shprehur ndryshe, çdo veprimtari e rregullt dhe harmonike që shohim në funksionimin e gjithësisë nga mikrobota në makrobotë, është shfaqje e zakonit të Allahut[1]. Këtë veprimtari të rregullt dhe harmonike të zhvilluar në mënyrë të pandërprerë nga Krijuesi në linjën shkak-përfundim, ne e kuptojmë si “ligje” apo “ligjshmëri”. Në këto kushte, themi se ligjet s’janë gjë tjetër veç pamjes të reflektuar tek ne të nxjerrjes së materies në gjendje zinxhirore në fushën e ekzistencës.

Shkencat ia detyrojnë ekzistencën e vet rregullsisë dhe harmonisë së ligjeve të vëna nga Allahu, rregullsi dhe harmoni e cila quhet zakon i Allahut. Po qe se Krijuesi i Lartë nuk do ta kishte krijuar qenien (ekzistencën) dhe nuk do t’i jepte asaj vazhdimësi në linjën shkak-përfundim dhe brenda një vazhdimësie të rregullt e harmonike, kurrë nuk do të bëhej fjalë për shkencat.

Do të jetë me dobi sikur të qëndrojmë pak mbi këtë specifikë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me besimin monoteist (tevhid). Në këtë çështje, si në të kaluarën, ashtu dhe në ditët tona, kanë dalë në shesh kuptime dhe qëndrime të gabuara në kundërshtim me besimin monoteist. Megjithë shprehjet mjaft të qarta të Kuranit dhe haditheve, edhe në botën islame të mendimit, madje, nuk kanë munguar ata që, me dashje a pa dashje, kanë parë tek materia dhe shkaqet aftësi ndikuese të vërtetë. Mirëpo lidhja midis shkaqeve dhe përfundimeve nuk është lidhje shkak-pasojë. Kjo lidhje nuk është horizontale, por vertikale. Në univers ka një rregullsi, por kjo rregullsi nuk mund të reduktohet në lidhjet shkakësore të detyrueshme mes vetë materies.

Si të pretendojmë se mund ta gjejmë me mendjen tonë përfundimin duke parë shkaqet, si të pretendojmë se përfundimi është bërë nga ana e shkakut duke vëzhguar me anë të provave se lidhjet shkak-përfundim ndodhen brenda një rregullsie, në themel, të dyja këto pretendime mbështeten po në të njëjtin vetëmashtrim.

Po ta vështrojmë çështjen nga këndvështrimi i Kuranit, shohim se ne nuk zotërojmë ndonjë argument dhe arsye serioze që të na vlejë për të menduar ndryshe. Të katër forcat (tërheqëse-shtytëse, elektromagnetike, të dobëta e të fuqishme, janë identitet i shfaqjes së vetekzistencës hyjnore të reflektuar tek ne në një vazhdueshmëri të rregullt në linjën shkak-përfundim.

Emërtimi i pandehmës se shkaku dhe përfundimi janë të lidhur me njëri-tjetrin ose varen nga njëri-tjetri me anë të ligjeve racionale ose ligjeve natyrore të domosdoshme (të detyrueshme, të pamënjanueshme), është determinizëm. Edhe shkaqet, edhe përfundimet janë të krijuara. Shkaqet nuk zotërojnë asnjë cilësi individuale që do t’u jepte mundësi për t’i dhënë vazhdimësi rregullsinë dhe harmoninë në gjithësi. Në krijim vepron zakoni i Allahut. Po qe se ligjet e vendosura në gjithësi nga Allahu do të ndryshonin vazhdimisht, nuk do të kishte stabilitet, për pasojë, as shkencat s’do të formoheshin, as jeta s’do të bëhej e mundur. Krijimi është monoton se kështu e ka dashur Vullneti i Allahu; për më tepër, në krijim, s’ka asgjë që ta bëjë të detyrueshëm krijimin e Allahut jo në tjetër formë/mënyrë, por pikërisht në këtë formë/mënyrë. Allahu mund ta ndryshojë kur të dojë çdo gjë që të dojë. Për shembull, nga kati i sipërm i një apartamenti dhjetëkatësh bie një fëmijë e nuk vdes. Në fatkeqësi të tilla si tërmetet, shihni se shumë fëmijë krejt të paaftë për t’u vetëmbrojtur, pas shumë ditësh dalin shëndoshë e mirë nga poshtë gërmadhave!

Krijuesi i Lartë ka dëshiruar me Vullnetin e Tij krijimin brenda linjës shkak-përfundim me qëllim që ne të kemi mundësi ta kuptojmë gjithësinë, për rrjedhojë, ta njohim Atë. Krijuesi nuk ka nevojë për shkaqet për të krijuar përfundimet, por ne kemi nevojë për një formë (mënyrë) krijimi të vazhdueshme të varur nga shkaqet me qëllim për ta kuptuar se si ka krijuar Ai. Është për këtë arsye që Krijuesi i Lartë, për të treguar emrat e Tij, ka ngritur në gjithësi mes gjërave dhe dukurive një lidhje dhe reciprocitet me kuptim që shihet me sy. E gjithë materia dhe shkaqet janë si nga një pasqyrë më vete që na i pasqyrojnë ne emrat dhe atributet e Tij. Çdo krijesë, e madhe dhe e vogël, e tërë dhe pjesë, me gjuhën e qenies së vet janë argumente që njoftojnë lartësinë e Tij sublime, pra, kurrë nuk mund të mendohen si ortakë/partnerë në veprimtarinë e Tij.

Funksionimi i ekzistencës që vazhdon brenda rregullsisë mund të shpjegohet vetëm e vetëm me drejtimin dhe administrimin e drejtpërdrejtë të një Krijuesi që zotëron atribute të tilla, si vullneti, dituria, fuqia, urtësia dhe mëshira, sepse të gjitha aktet e përgjithshme që evidentohen në ekzistencë, tregojnë se janë shfaqje të një fuqie që përfshin gjithçka.

Ekzistenca dhe qëndrueshmëria e të gjithë trupave që ndodhen qoftë në kozmos (qiell), qoftë në tokë, varet nga ky ligj i vetekzistencës hyjnore. Po qe se Allahu që është Kajjum (vetekzistent) do të hiqte për një çast urdhrin (për krijim dhe ekzistencë), miliona trupa qiellorë dhe, në të vërtetë, gjithçka, do të “binin” në asgjësim, sepse gjërat e krijuara nuk zotërojnë asgjë që do t’i ndihmonte ta vazhdonin ekzistencën e tyre më vete. Le t’ia vëmë pikën kësaj specifike me këto ajete të Kuranit:

Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë!” (Jasin, 36/83)

“Dhe një prej argumenteve të Tij është se qielli dhe Toka qëndrojnë me urdhrin e Tij!” (Rum, 30/25)

“E vërteta është se Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe Tokës që të mos shkatërrohen nga asgjësim. Po qe se ata do të shkatërroheshin, nuk do të mundej t’i mbante dot askush veç Allahut!” (Fatir, 35/41)

Shkurt, as qenia është bërë e qenë dhe ekzistente në vetvete, as dhe pasi është krijuar, i është thënë, “eja, tani, shih punën”, duke e lënë në rrjedhën e saj. Vullneti hyjnor dhe fuqia hyjnore e ekzekutojnë urdhrin e vet në gjithësi për çdo çast. Çdo gjë është në dorën e Tij dhe nën administrimin e Tij. Asgjë s’është jashtë fuqisë së Tij. Vetëm Ai është zotëruesi dhe drejtuesi i çdo gjëje.

Lexo  Përfitimet e Besimit mbi Kaderin.

 Allahu nuk dremit e nuk fle

Allahu është vetekzistent në atë nivel që ekzistenca e çdo gjëje, po ashtu dhe vazhdimi i ekzistencës së vet prej çdo gjëje varen prej Tij. Çdo gjë është në çdo çast nevojtare për Allahun. Kurse ekzistenca e Allahut është e vetvetishme dhe në vetvete. Në këtë çështje, nuk mund të bëhet fjalë që, qoftë edhe për një çast, një dremitje ose indiferentizëm të krijojë një të çarë ose të hedhë hije mbi sundimin e Tij. Ai e njeh çdo gjë dhe ka njohuri për çdo gjë të pronës së Tij.

 Çdo gjë në qiej e në Tokë është e Tij

Qenia dhe ekzistenca me dimensionet e saj fizike dhe metafizike është tërësisht e Tij. Çdo gjë ekzistente pothuaj kryen detyrën e një pasqyre që, me dobësitë e saj, tregon fuqinë e Tij, me natyrën e saj të pavetëdijshme, tregon diturinë e Tij, me nevojat e saj, pasurinë dhe mirësinë e Tij, me përkohshmërinë e saj, përhershmërinë e Tij, etj.

Çdo gjë që duket apo s’duket, lartë e poshtë, është vepër e vullnetit dhe fuqisë së Tij. Në ekzistencë nuk ka gjë për të cilën të thuhet dhe është e pamundur të thuhet se “është e dikujt tjetër”. Sepse gjithësia është një e tërë e pandashme. Çdo gjë, brenda së cilës çdo pjesë e saj nuk është më prioritare ndaj të tjerave, varet prej secilës gjë që së bashku formojnë të tërën. Pra, nëse nuk ka çdo gjë, nuk ka as asgjë. Kushdo apo cilido qoftë që është përgjegjës për diçka, duhet të jetë përgjegjës edhe për të gjitha gjërat. E thënë ndryshe, në realitet, të gjitha gjërat që përbëjnë materien janë të lidhura e të varura me njëra-tjetrën në atë mënyrë që një gjë nuk mund të ekzistojë në mënyrë të pavarur nga çdo gjë tjetër në gjithësi; një gjë mund të ekzistojë vetëm brenda tërësisë së gjithësisë. Atëherë, themi se për të bërë diçka, duhet zotërimi i një dijeje dhe fuqie që do ta mbante çdo gjë në gjithësi nën kontroll dhe zotëruesi i kësaj dijeje dhe fuqie është Allahu!

 Kush mund të ndërmjetësojë për falje pranë Tij pa lejen e Tij?

Nuk ka asnjë forcë që mund të ndërhyjë verbalisht ose praktikisht në administrimin dhe zotërimin e Tij. Ky ajet, tregon para së gjithash sundimin, administrimin dhe zotërimin e Allahut në gjithësi. Atëherë, shefaati i Tij, këtu do të ishte më e përshtatshme të trajtohej në mënyrë përparësore në pikën e funksionimit të ekzistencës (nga këndvështrimi kozmologjik). Folja she-fe-a ka këto kuptime leksikore: ndërmjetësim, ndërhyrje, etj. Nisur nga kjo, këtë ajet, krahas kuptimit tjetër të njohur, mund ta komentojmë kështu: Pranë Tij – pavarësisht nga Ai – kush mund të ndërhyjë në pronën dhe funksionin e Tij? Nuk mund të ketë ndonjë ortak (partner) dhe kujdestar që mund të përzihet në punën e Tij, që mund të ndërhyjë pa lejen e Tij në urdhërimin dhe administrimin e qenies. Kjo pronë është tërësisht e Tij dhe nën urdhrin e Tij. Çdo ndërhyrje që bën njeriu mbi qenien, realizohet vetëm me lejen e Tij. Një sërë suksesesh të arritura sot në fushën shkencore, nuk kanë ndodhur pavarësisht nga Ai, por me lejimin e Tij. Për shembull, le të qëndrojmë mbi dukurinë e klonimit që i lë të mahnitur njerëzit. Thelbi i kësaj dukurie të emërtuar edhe kopjim, është kështu: Për të kryer procesin e kopjimit, përdoret ADN-ja e kafshës që do të kopjohet. ADN-ja që ndodhet në qelizën e kafshës, merret nën mikroskop dhe vendoset në qelizën vezore të një kafshe tjetër të po atij lloji. Menjëherë pas kësaj zbatohet një goditje dhe sigurohet fillimi i ndarjes së qelizës vezore. Embrioni që vazhdon të ndahet, vendoset në mitrën e një kafshe tjetër të të njëjtit lloj dhe pritet të zhvillohet e të lindë. Po të ndiqet me vëmendje, të gjitha materialet biologjike të përdorura gjatë këtij procesi, të gjitha pjesët jetësore të gjallesës, si qelizat, bërthama qelizore, membrana qelizore, mitokondria, ADN-ja, janë marrë të gatshme nga një kafshë për t’u transplantuar te kafsha tjetër. Kjo nuk është shfaqje e gjallesës nga materiale jo të gjalla, por bartja e një qenie të gjallë në një tjetër qenie të gjallë duke përdorur mundësitë teknologjike. Rezultati i marrë pas bartjes krijohet përsëri me anë të aktit krijues të Krijuesit të Lartë. Ajo çka bëjnë këtu shkencëtarët, është kryerja e bartjes dhe pritje e rezultatit. Rezultati nuk krijohet me anë të aftësive të tyre, rezultati krijohet përsëri nga ana e Allahut.

Në këto kushte, kjo dukuri e të ngjashme me këtë, krijohen me anë të lejimit nga Allahu të përpjekjeve të robve të Tij në këtë botë, të cilët i përdorin shkaqet në mënyrë metodike, si dhe të dhënies atyre të shpërblimit të punës së tyre. Sepse Allahu e ka dërguar njeriun si përfaqësues e mëkëmbës të Tij mbi tokë.[2] Veprimtaria përfaqësuese e njeriut të nderuar me pozitën për të qenë mëkëmbës i Zotit mbi të gjithë qenien, zhvillohet në një kuadër jashtëzakonisht të gjerë, nga besimi te Allahu dhe adhurimi i Tij, te njohja e të fshehtës së materies dhe dukurive, gjer te ndërhyrja dhe veprimi mbi natyrën.

Ndërkaq, fakti që Allahu jep leje për një gjë dhe krijon rezultatin e saj, nuk do të thotë gjithmonë se Ai e miraton atë gjë. Sepse Ai i ka lënë robtë e Tij në këtë botë të lirë të zgjedhin atë që duan vetë me vullnetin e tyre të lirë. Ai e krijon çdo akt të zgjedhur si të mirë apo të keq nga robtë e Tij, të cilët mbajnë përgjegjësi për zgjedhjen që bëjnë me vullnetin e tyre të lirë. Sepse kjo botë është vend prove!

 Ai di gjithçka që ndodhet para e pas njerëzve

Pasi tërheq vëmendjen se gjithësia dhe ekzistenca me gjithçka janë nën urdhrin dhe administrimin e Tij, Krijuesi i Lartë, duke e sjellë fjalën te njerëzit, na kujton se edhe ata ndodhen krejtësisht nën vëzhgimin dhe kujdesin e Tij. Allahu di çdo gjë për robtë e Tij: ç’dinë e nuk dinë, të kaluarën dhe të ardhmen e tyre si dhe çdo gjë të hapur a të fshehtë të tyre. Fundja, kjo është domosdoshmëri e ekskluzivitetit hyjnor[3].

Për Të nuk ka të shkuar e të ardhshme. Këto koncepte janë për njeriun, mendja e të cilit është gatuar me konceptin e kohës dhe vartësisë ndaj saj. Ai i sheh e i di të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen si të shihte e të dinte një pikë, një çast.

 Qeniet e krijuara prej Allahut nuk mund të përvetësojnë nga Dija e Tij veç asaj që dëshiron Ai

Njerëzit e kanë të pamundur ta përfshijnë e ta njohin diturinë e pafundme të Allahut si dhe informacionin e emetuar nga dituria e Tij absolute dhe e pakushtëzuar. Por mund të rrokin dhe kuptojnë aq sa dëshiron Ai.

Në fakt, ato që dinë njerëzit, janë ato që i di dhe i bën të ditura Ai. Diturinë që Allahu ua jep ose bën të ditur njerëzve, mund ta vlerësojmë në dy grupe:

E para, është dituria që u ka dhënë Allahu robve të tij të zgjedhur mes njerëzve, zbulesa hyjnore që u ka ardhur Profetëve. Zbulesa hyjnore (vahji) është një komunikim i posaçëm i Zotit për Profetët, njerëz te pajisur në mënyrë të posaçme. Dhe është i lartë sa nuk mund të krahasohet me asnjë kapacitet në botë. Kësaj mund t’i shtojmë njohuritë dhe të fshehtat që ua zbulon Allahu me anë të frymëzimit disa robve të Tij në raport me kapacitetin e tyre si dhe afërsinë e tyre ndaj Tij, por, ndërsa zbulesa hyjnore është transparente, e regjistruar me dëshmitar (Xhebrailin), objektive dhe kushtëzuese, frymëzimi (ilham) është vetjak, i hapur ndaj interpretimit, i padëshmuar dhe, prandaj, i pakushtëzuar. Ashtu si Profeti, edhe evlijatë e marrin frymëzimin nga Zoti, vetëm se evlijave nuk i zbret Xhebraili, për rrjedhojë, një mesazh i tillë nuk konsiderohet një komunikim kushtëzues. Frymëzimi është një ngjarje subjektive dhe ndërgjegjeje, prandaj dhe nuk është e detyrueshme për të tjerët. Frymëzimi shihet i denjë për pranim në raport me përshtatshmërinë ndaj shprehjeve me kuptim të drejtpërdrejtë të Kuranit dhe Sunetit autentik si dhe shpreh një vlerë të caktuar në kuadrin e përshtatshmërisë ndaj bazave të fesë.

Lexo  Medresisti i Beratit, shpallet piktori i ri më i mirë në botë

E dyta, është dituria lidhur me të fshehtat e materies që u zbulon dhe u jep Allahu robve të Tij si shpërblim për përdorimin metodik të shkaqeve nga ana e tyre. Ekzistenca e cila është fusha e shfaqjes së diturisë hyjnore, është pothuajse si një katalog shifrash. Ja, pra, është përsëri Allahu që u favorizon robve të vet, në vartësi të zellit dhe përpjekjeve të tyre, frymëzimin ose mbështetjen që do të ndihmonte për zgjidhjen e këtyre shifrave. Për shembull, në një çast kur një shkencëtar mbetet në gjendje të pashpresë për shkak se nuk di se ç’të bëjë në lidhje me një studim që kurrë nuk do ta përballonte dot me kapacitetin e vet, bëhet i merituar i një frymëzimi që ka të bëjë me zgjidhjen e asaj situate të bllokuar. Gjithashtu, një shkencëtar që bën përpjekje në një fushë të teknologjisë, duke zhvilluar kërkimin e vet, disa herë zbulon diçka krejt të kundërt me synimin e vet. Kjo është një favor i Allahut për njerëzimin në personin e atij shkencëtari, qoftë besimtar apo mohues, i cili i përdor shkaqet në mënyrë metodike. Jemi të mendimit se nuk do të kishte ndonjë pengesë sikur ta mendonim në një perspektivë të tillë të gjerë ajetin në vijim: Lexo! Se Zoti yt është më Bujari, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (Alak, 96/3-5)

 Sundimi i Tij i përfshin tërësisht qiejt e tokën

Fjala kursi (katedër) që përdoret në këtë fjali në origjinal, është një fjalë që shpreh sundimin e Allahut. Megjithëse Krijuesi i Lartë e ka parashtruar në krye të kësaj shprehjeje marrëdhënien e Tij me gjithësinë, na e paraqet edhe këtu me një shprehje koncize e përfshirëse administrimin e Tij mbi ekzistencën dhe na jep këtë mesazh: Dijeni mirë këtë se në këtë gjithësi ku ndodheni të rrethuar nga të gjitha anët, nuk ka asnjë pikë ku vullneti dhe fuqia e Zotit tuaj të mos ushtrojnë vendimin e Tij!

 Ai nuk e ka të vështirë t’i mbrojë e të kujdeset për qiejt dhe tokën

Kjo fjali ka cilësinë t’i shpërndajë të gjitha dyshimet që mund të fusë shejtani në mendjen e njeriut në lidhje me çështjen e fuqisë dhe forcës së Allahut. Këtu, Krijuesi i Lartë sikur na thotë: “Në asnjë mënyrë mos u kapni pas mendimeve të tilla, që ju shtyjnë të dyshoni se si mund të bëhen kaq punë nga ana e një personi të vetëm!” Sepse për Atë nuk ka gjë të lehtë apo të vështirë. Shprehje të tilla të përdorura herë pas here prej Tij në Librin e Tij, janë si rrjedhojë e kujdesit të Tij për nivelin e neve, robve të Tij.

Fakti që për vullnetin dhe fuqinë hyjnore nuk bëhet fjalë për asnjë pengesë, është një specifikë mbi të cilën Kurani është përqendruar duke e theksuar në mënyrë të veçantë. Pothuaj në çdo sure, si një përmbledhje në fund të shumë ajeteve, Allahu (xh.xh.) na e kujton këtë të vërtetë duke urdhëruar: “Pa dyshim, Ai ka mundësi për çdo gjë!”[4] Kurse ajeti “Po të dëshirojë për diçka që të bëhet, Ai i thotë vetëm “bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet!” (Jasin, 36/82), që parashtron si shprehje absoluditetin e fuqisë së Allahut (xh.xh.), është, në lidhje me këtë çështje, në nivelin kulmor të shprehjes!

Sipas fuqisë së Zotit, yjet krijohen me lehtësinë e krijimit të një grimce, pranvera, me lehtësinë e krijimit të një luleje, pema, me lehtësinë e krijimit të një fare!

 Ai është i Lartë, Madhështor

Madhështia e tij nuk është një madhështi abstrakte që mbetet në fjalë. Ai është i vetmi i Lartë, i vetmi Madhështor. Ai është një Qenie e lartë, i madh sa kurrsesi s’mund ta masin peshoret e mendjes dhe arsyes. Madhështor vetëm Allahu është! Fakti që gjithë universi, nga mikrokozmosi në makrokozmos, – larg çdo konfuzioni dhe kaosi – drejtohet brenda një rregullsie e harmonie marramendëse, ka cilësinë për të na dhënë ne në këtë pikë një ide të mjaftueshme!

 Mesazhet e shprehura nga Ajeti Kursi mbi qetësinë dhe lumturinë e një robi që beson

Më së pari, Allahu i Lartë kërkon që ne të kapemi fort pas ligjeve të vëna prej Tij dhe shkaqeve, dhe t’i respektojmë ato. Por kur të kapemi pas shkaqeve dhe të mos arrijmë një përfundim, me deklaratën e Tij, sipas të cilës, “Ai është Kajjum; gjithësia që e ka krijuar, është çdo çast nën administrimin dhe përdorimin e Tij”, na kujton ne këtë: drejtimi i kësaj prone është në dorën e Tij. Portat që i shihni mbyllur, Ai i hap në çastin kur dëshiron për ju; gjënë që e shihni të pamundur, mund ta sjellë në gjendje të mundshme për ju. Atëherë kur shkaqet të rrëzohen plotësisht e të heshtin, mos bini në pesimizëm duke thënë se, “tashmë çdo gjë ka mbaruar”! Mbështetuni te Zoti juaj sepse Atij i mjafton fuqia për të bërë ç’të dëshirojë!

Kurse me fjalinë “Atë s’e kaplon as dremitja e as gjumi”, Allahu i Lartë u jep robve të Tij këtë mesazh: Rrini të qetë e të sigurt, sepse Zoti juaj që e besuat dhe që iu nënshtruat, nuk është i painformuar qoftë edhe për një çast të vetëm për asnjërën nga gjërat e bëra që kanë lidhje me ju. Mos u frikësoni se mos “ndërsa jeni duke fjetur, armiku ju bën ndonjë të keqe”! Jam Unë që kurrë nuk fle, që ju kam nën vëzhgim e kujdes! Ju merrini masat e duhura si njerëz që jeni, tjetrën lërmani mua!

Ibrahim Hakiu e ka shprehur këtë në mënyrë koncize, kështu:

Aty ku i pashpresi mbetet në vend,
Hapet një perde papritmas, menjëherë
Dhe bëhet shpëtim për çdo mjerim;
Të shohim Zoti ç’bën; në bëftë, e bën si më mirë!

Me shprehjen “Ç’të ketë në qiej e në tokë, janë (të gjitha) të Tij”, siguria dhe qetësia të pranishme në zemrën që beson, forcohen edhe më shumë. Allahu i Lartë këtu sikur i thotë robit: Pse ke frikë? A mos për ushqimin që mendon se nuk do ta sigurosh dot nesër, apo për ndonjë punë që mendon se nuk do ta kryesh dot nesër? Mos e nxirr nga mendja këtë që, ç’të ketë në qiej e në tokë, të gjitha janë të miat; kujt të dua ia jap, kujt të dua, ia marr prapë! Ti bëje atë që të bie sipër, pastaj ki besim te Unë, sepse Unë u jap pjesë edhe atyre që s’më besojnë, madje, kurse ti më beson dhe më bindesh!

Me deklaratën se “kush mund të ndërhyjë pranë tij pa lejen e Tij”, Allahu i Lartë (xh.xh.), duke na kujtuar se pranë Tij askush nuk do të mund të ndërhyjë mbi dikë tjetër pa lejen e Tij, thotë kështu: Mos ki frikë nga askush në këtë botë, sado që të jetë i fuqishëm! Askush nuk mund të të bëjë ndonjë të keqe pa lejen time dhe në kundërshtim me dëshirën time! Po qe se je përballur me ndonjë dhimbje dhe vështirësi, dije se ky është vlerësimi im për ty, prandaj ti mendo vetëm detyrën tënde dhe mos dysho për më tej!

Shprehja “Zoti i di të gjitha ç’janë para dhe pas njerëzve”, u thotë robve besimtarë: Kurrë të mos pandehni se nuk e di se ç’ndodh dhe se ç’gjëra planifikohen për ju! Unë i di të gjitha gjërat e tyre të hapura ose të fshehura. Të mos frikësoheni se mund të ndodhë diçka që të mos e marr vesh unë! Atëherë, nga se ke frikë ti, o robi im?

[1] Në origjinal: âdetullah.
[2] Shih: Bekare, 2/30
[3] Në origjinal: she’n. Përkthyesi.
[4] Shih. Al-i Imran, 3/29, Maide, 5/40.

Ndajeni me miqtë tuaj...