ilmihali

Lajmërimi i ardhjes së Profetit Muhamed në librat hyjnorë

Në librat hyjnorë të kaluar ka shprehje që parashikojnë Profetësinë e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) dhe lajmërojnë se ai do të dërgohet si Profet te njerëzit. Megjithëse Teurati dhe Ungjilli kanë pësuar shumë ndryshime, në ekzemplarët e tyre që kemi në dorë ka shumë shenja mbi këtë çështje.

Nga Teurati do të mjaftohemi me përmendjen e vetëm katër prej këtyre shenjave.

“… Moisiu ka thënë: “Zoti do të nxjerrë për ju nga vëllezërit tuaj një të dërguar si unë dhe ju duhet t’ia dëgjoni fjalën. Dhe të gjithë Profetët, Samueli (Ismaili) dhe ata që kanë ardhur me radhë pas tij, që të gjithë shpallën këto ditë për të cilat po flitet!”[1]

“… dhe Zoti yt nuk nxori më në Izrael një Profet si Moisiu!”[2]

 “Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t`u thotë atyre të gjitha ato që unë do t`i urdhëroj.[3]

“Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tyre dilte për ta një ligj i zjarrtë!”[4]

Duke u nisur nga citimet e bëra nga vende të ndryshme të Teuratit, mund të bëjmë këto përcaktime:

Me fjalën “vëllezërit tuaj, me të cilën Profeti Musa u drejtohet të bijve të Izraelit me prejardhje nga Is’haku, i biri i Ibrahimit, shënohen të bijtë e Ismailit, vëllait të Is’hakut. Kurse Profeti që ka për të ardhur nga të bijtë e Ismailit, mund të jetë vetëm Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam), sepse vetëm ky ka rrjedhur nga soji i Ismailit. Këtu, mund të mendohen Jusha dhe Isai si Profetë të ardhur më pas, vetëm se që të dy e kanë prejardhjen jo nga Ismaili, por nga të bijtë e Izraelit. Kështu, në sentencën e dytë, Hz. Musai e shpreh hapur se një Profet si ai vetë nuk ka për të dalë më nga të bijtë e Izraelit.

Me fjalën “si unë”, Profeti Musa e ka fjalën për Profetin e ardhshëm Muhamed, sepse në shumë veçori të detyrës Profetike e të legjislacionit që solli, ku futen xhihadi ose lufta fetare, ligjet dhe ndëshkimet, autoriteti i fjalës mes bashkësisë, etj., është Muhamedi që i përngjet Musait, jo Jusha dhe Isai.

Shprehja “do t’i vë në gojë fjalët e mia” aludon për faktin se, megjithëse Profeti i ardhshëm (Muhamedi) s’do të dijë shkrim e këndim, do ta këndojë Kuranin përmendësh. Allahu i Lartë ia zbriti vahjin të dërguarit të vet dhe ai ua përcolli të tjerëve gojarisht, gjë që do të thotë se në këtë çështje ai është vetëm në pozitën e një ndërmjetësi. Ky ajet i Kuranit tërheq vëmendjen mbi këtë specifikë: Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve. Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit), që atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Izraelit?” (Shuara, 26/192-197)

Shprehja “ardhja nga Sinai do të thotë se Musait iu dhanë ligjet e Zotit në malin Sina. Shprehja “lindja nga ana tjetër do të thotë se Profetit Isa iu dha ungjilli. Kurse “shkëlqimi në malet Paran” do të thotë “i dalë në vendin e maleve Paran, gjë që do të thotë se Profeti Muhamed do të dalë në Mekë. Paran që në arabishte është në trajtën Faran, është jo vetëm emri i vjetër i Mekës; në pjesën “Gjeneza” të Dhiatës së Vjetër[5] thuhet se Ismaili jetonte në shkretëtirën Paran. Me “të bekuarit”, nga mesi i të cilëve do të dilte Profeti i ardhshëm, shënohen familja dhe sahabet, shokët e Profetit. Me “vendimin prej zjarri nga e djathta” aludohet për xhihadin në Islam.

Këto shenja mund të shihen edhe në tekstet e Ungjillit që kemi në duar.

“Guri u bë kreu i këndit… dhe ajo qe në sytë tanë një punë për t’u çuditur… Sundimi i Zotit do të merret prej jush dhe do t’i jepet një populli që do t’i mbarështojë frytet e Tij dhe kush të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; dhe mbi kë të bjerë ky gur, do ta thërrmojë atë si pluhur…”[6]

 “Zoti do t’ju japë juve një Faraklit tjetër që të jetë bashkë me ju!”[7]

“… Ai do t’jua mësojë juve çdo gjë dhe do t’jua kujtojë çdo gjë që ju kam thënë…”[8]

 “… po të mos shkoj unë, Farakliti s’vjen… dhe, kur të vijë ai, do ta bindë botën për falje dhe veprim!”[9]

“Guri i këndit që përmendet në sentencën e parë, nuk mund të jetë Profeti Isa, sepse s’ka ndodhur ndonjë copëtim nën Isain dhe gjërat që solli ai, apo thërrmim si pluhur, por nën Profetin Muhamed, si dhe, sepse Isai nuk solli ligj, nuk sundoi, por solli ligj dhe sundoi Profeti Muhamed; vetë Isai thotë se nuk ka ardhur për të vënë ligje e për të sunduar.[10] Nga ana tjetër, në hadithet Profetike, Profeti Muhamed pohon vetë se është guri i këndit i ndërtesës Profetike, për rrjedhojë, me Profetin tonë plotësohet misioni Profetik.[11]

Origjinali i fjalës “Faraklit” që përmendet më sipër, është greqisht në trajtën “Piriklitos” që ka për përgjegjëse fjalën arabishte “Ahmed”. Ahmed është emri i Profetit Muhamed dhe në Kuran pohohet hapur se emri i tij në ungjill është Ahmed. Ndërkaq, ne sot nuk kemi ndër duar shumë nga ungjijtë që flasin hapur për të ardhmen dhe vetitë e Profetit Muhamed.

 

Morali i tij i lartë e i pashoq

Është një e vërtetë e fiksuar nga të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me historinë, se në të gjitha periudhat e jetës si para Profetësisë, ashtu dhe pas Profetësisë, Profeti Muhamed (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ka qenë njeri i përsosur “me moral të lartë” që i bënte të mira çdo njeriu, që ua plotësonte nevojat nevojtarëve, që bënte një jetë të thjeshtë, që kurrë s’gënjente, që mundej t’i falte ata që i bënin keq dhe të cilit mund t’i besohej për çdo gjë. Moralin e tij të pashoq, Kurani e shpreh kështu:

“Me të vërtetë, ti qëndron mbi moralin më të lartë (i cili, meqë është me dimensione Kuranore dhe bosht hyjnor, është e pamundur të përfshihet dhe të njihet)!” (Kalem, 68/4)

Përballë çdolloj gjendjeje, situate dhe pengesash, të mund t’i jetosh të gjitha vlerat morale dhe të japësh një shembull të gjallë të këtyre vlerave në çdo etapë të jetës, mund të jetë e mundur vetëm për një Profet të edukuar drejtpërdrejt me edukatën hyjnore.

Profeti Muhamed i mblidhte në vetvete të gjitha tiparet e bukura në atë mënyrë që të formonin personalitetin më të lartë. Ai ishte tejet i guximshëm dhe trim, por, në të njëjtën kohë, tejet modest, i butë dhe paqësor. Më e rëndësishmja është se jo vetëm guximi dhe trimëria e tij nuk patën arritur gjer atje sa të thyenin dhe rrënonin zemrat, por as modestia dhe prirja e tij për t’i falur të tjerët nuk patën rënë kurrë gjer në nivelin e mjerimit dhe frikacakërisë. Profeti ynë ishte sa serioz dhe guximtar, aq dhe njeri i qeshur dhe që të jepte qetësi. Ai ishte sa i fortë dhe i rreptë, aq dhe njeri që i donte shumë njerëzit dhe tregonte mëshirë për ta. Megjithëse ndodhej në një pozitë moralo-shpirtërore që ata që e donin i drejtoheshin me ndjenjat më të thella, ai ishte aq i thjeshtë dhe modest sa të shtrohej dhe bisedonte edhe me një fëmijë! Gjithashtu, ai ishte tejet bujar por edhe aq ekonomiqar sa të mos e kthente bujarinë gjer në shpenzim të tepërt dhe shpërdorim. Gjendja e një njeriu që mbledh dhe i jeton edhe shumë cilësi të tjera morale të bukura si këto si dhe që është model në këtë drejtim, mund të shpjegohet vetëm me faktin që ai njeri është i posaçëm dhe i ngarkuar me një detyrë të lartë, pra, që është Profet!

Profeti ynë (alejhissalatu uesselam), i cili gjatë gjithë jetës pati parapëlqyer të bënte një jetë të thjeshtë, i pati refuzuar çdo radhë premtimet materiale si pozita dhe pasuria që i qenë bërë për shumë herë me radhë. Ai pati siguruar që edhe familja dhe fëmijët t’u qëndronin larg këtyre gjërave. Kjo ndjeshmëri e tij kuptohet më mirë si po të shihen pjesëtarët e familjes për të cilët marrja e zekatit dhe sadakasë qenë të ndaluara, ashtu dhe e bija Fatime së cilës nuk i qe dhënë leje as për të vënë një varëse qafe.[12] Fakti që Profeti nuk ndërroi fare as në periudhën e Medinës pasi arriti suksese të ndryshme, fitore dhe mundësi ekonomike, tregon për gradën e drejtësisë dhe ndershmërisë së moralit të tij të lartë. Fakti që edhe pas fitoreve dhe ngadhënjimeve të mëdha madje, atij nuk iu turbullua vështrimi, nuk iu morën mendtë dhe që e përfundoi detyrën siç e nisi, është një nga argumentet dhe provat më të shkëlqyera të Profetësisë së tij!

Lexo  Namazi i Teravisë

Shkurt, po të supozojmë se në fjalët dhe sjelljet e tij do të kishte gënjeshtër dhe mungesë sinqeriteti, patjetër që do të tregonte ndonjë të çarë qoftë para Profetësisë, qoftë në periudhën e Profetësisë dhe, atëherë, armiqtë që prisnin rastin, do të përfitonin nga kjo dhe, pa i prekur armët, do t’ia arrinin qëllimit.

Prandaj, mund të themi me lehtësi se, edhe sikur Profeti të mos kishte asnjë mrekulli, vetë personi i tij është një argument, provë dhe dëshmi e drejtësisë, ndershmërisë dhe Profetësisë së tij!

 

Transformimet që bëri në historinë e njerëzimit

Është e pamundur që në historinë e njerëzimit të gjendet një njeri i dytë që ta ketë njohur, gatuar dhe përgatitur më mirë se Profeti ynë elementin njeri që është një qenie komplekse, që ta ketë bërë atë model për t’ia lënë historisë dhe që njerëzit që përgatiti, t’i ketë shndërruar në mësues dhe udhërrëfyes për popujt e qytetëruar.

Profeti Muhamed (sal’lallahu alejhi uesel’lem) është një Profet i vërtetë i ardhur nga i Vërteti (Zoti) me mesazhe të vërteta. Jeta e pastër që vuri në shesh dhe transformimi i pashoq që realizoi, janë prova dhe argumente të pakundërshtueshme të faktit se ai ka folur në emër të Allahut.

Nisur nga kjo, e shohim me vend të kujtojmë disa specifika.

Si mund të dyshohet për Profetësinë e Personit i cili vendosi një rregull universal që e përfshinte jetën me të gjitha aspektet e saj dhe s’kishte të bënte me të meta të tilla si vjetrimi nga koha, pamjaftueshmëria dhe nevoja për rishikim dhe korrigjim, duke e filluar punën me një burrë, me një fëmijë, me një skllav dhe me një grua si dhe brenda një kohe 23-vjeçare që mund të quhet shumë e shkurtër? Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që ai Person i cili nuk kishte marrë asnjë arsimim pedagogjik, nuk kishte mbaruar asnjë shkollë ushtarake, nuk kishte marrë dëftesë nga asnjë shkollë ekonomike, pa le që nuk dinte shkrim e këndim, thoshte në çdo fushë fjalë që e kapërcenin kompetencën e specialistëve përkatës, fjalë që nuk gabonin e nuk vjetroheshin?

Nga një mjedis ku të varfrit dhe të pafuqishmit shtypeshin me të gjitha mënyrat dhe mundësitë, ku njerëzit vlerësoheshin sipas fisit dhe sojit, ku tregun e kishte marrë në dorë kamata dhe spekulimi dhe ku forca ishte bërë ligj, e shprehur ndryshe, nga njerëzit të shkretëtirës inatçinj, tiranë dhe që u pëlqente vetja, nxori udhërrëfyesit më me rëndësi të njerëzimit. Me ç’mund të shpjegohet kjo përveç se me Profetësinë e tij?

Është sheshit se gjer në ç’gradë është e vështirë të ndryshohen dhe ndërrohen besimet dhe bindjet e shtresuara në kokë dhe zemër, sidomos shprehitë e gradës së ideve fikse dhe manive, veçanërisht, është më e vështirë t’i bësh njerëzit që kanë kaluar një moshë të caktuar, t’i braktisin bindjet e gabuara dhe bestyte. Sot konsiderohet sukses shumë i madh jo më t’i bësh njerëzit të braktisin vese të tilla si pijen, bixhozin, prostitucionin, mitën (ryshfetin), mashtrimin, por, madje, duhanin. Megjithëse shkencëtarët nuk pushojnë së shpjeguari dëmet e tyre, nuk po braktisen as duhani, as pija, as bixhozi.

Tani le të zgjatemi në shekullin të cilit Profeti ynë (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ia ndërroi fytyrën dhe le të bëhemi dëshmitarë të faktit se, megjithëse vetë nuk ishte sundimtar, pra, nuk e bëri punën me asnjë lloj urdhri dhe shtrëngimi – fundja, as që kishte mundësi të përdorte urdhrin dhe shtrëngimin – ai Person hoqi me pak mundësi dhe brenda një kohe mjaft të shkurtër nga fiset dhe popullatat e ndryshme kryeneçe, fanatike dhe të lidhura gjer në fund pas traditës, që zakonet dhe veset u ishin ngulitur gjer në damarë, jo një, por dhjetëra, mbase qindra vese, shprehi dhe zakone. Dhe, për më tepër, shohim se nuk u mjaftua me heqjen e veseve dhe zakoneve, por, në vend të tyre, shtresoi cilësi dhe veti që e bëjnë njeriun njeri! Atëherë, a nuk i duhet thënë njeriut që i ka ditur dhe bërë këto, “Ti je i Dërguari i Allahut”?

Duke i bërë të gjitha këto punë, Ai (alejhissalatu uesselam) hyri në zemra jo duke përdorur frikësimin dhe shtrëngimin, por me rrugën e bindjes mbështetur në parimin për ta bërë të dashur qëllimin dhe synimin. Fundja, po qe se do të kishte përdorur kërcënimin, detyrimin dhe shtrëngimin, do të ishte e pamundur që feja që solli të kapërcente shekujt e të vinte gjer në ditët tona! Me afërsinë, lejueshmërinë, mirëkuptimin, mëshirën, dhembshurinë dhe ndjenjën e faljes, Ai pati ngadhënjyer jo vetëm zemrat e miqve, por një e nga një edhe zemrat e armiqve, madje, që patën zhveshur shpatën kundër tij, si Halidi, Vahshiu, Ebu Sufjani, Hindi, Ikrime dhe Safvani.

Po qe se s’është e mundur të tregohet një njeri i dytë i cili, me Kuranin që e kumtoi dhe Sunetin, traditën e tij, që është komenti i gjallë i Kuranit, përbën model për jetën individuale e shoqërore të një të katërtës së popullsisë së botës dhe emri i të cilit përmendet me zë të lartë në të katër anët e botës të paktën pesë herë në ditë – dhe që s’është e mundur – atëherë, a nuk duhet menduar se “një njeri i tillë mund të jetë vetëm një Profet që e ka marrë forcën nga Allahu”?

 

Njoftimet mbi të kaluarën dhe të ardhmen

Njohja e të fshehtës i përket plotësisht Allahut. Kurani tërheq vëmendjen mbi këtë të vërtetë në shumë ajete të tij.[13] Prandaj, si njeri që ishte, Profeti nuk e njihte të fshehtën, por njihte vetëm aq sa ia bënte të ditur Allahu. Me të vërtetë, kjo specifikë shprehet kështu në një ajet:

“Është Ai që e njeh të fshehtën dhe nuk e bën askënd të informuar mbi të fshehtën me përjashtim të të dërguarve që dëshiron…” (Xhin, 72/26-27)

Profeti Muhamed nuk thoshte gjë nga vetja; ato që thoshte ishin vetëm ato për të cilat e informonte Allahu. Nisur nga kjo, njoftimet e Profetit mbi të panjohurën do t’i trajtojmë në dy grupe: a) mbi të kaluarën dhe b) mbi të ardhmen.

a) Asnjëri prej njoftimeve dhe informacioneve të dhëna prej tij me ndërmjetësimin e Kuranit si mbi individët, ashtu dhe mbi popujt e kaluar, si fiset Ad, Themud dhe Irem, nuk janë përgënjeshtruar nga kërkimet shkencore dhe gërmimet arkeologjike që vazhdojnë të kryhen qyshprej shumë shekujsh, përkundrazi, janë vërtetuar çdo ditë që ka kaluar me anë të gjetjeve dhe zhvillimeve të reja. Veçanërisht, ai i ka parashtruar thëniet dhe tregimet e tij jo vetëm si ngjarje të mbetura në histori, por si skena shembullore nga të cilat duhet nxjerrë mësim. Me se mund të shpjegohet, vallë, veçse me anë të Profetësisë së tij, fakti që Profeti ynë (alejhissalatu uesselam) që s’dinte shkrim e këndim, përballë dijetarëve edhe të kohës së tij, edhe të kohëve të ardhme, i kritikoi i sigurt në vetvete librat e shenjtë me burim hyjnor, si Teuratin dhe Ungjillin, duke ua vërtetuar gjërat e drejta dhe duke ua rregulluar aspektet e gabuara e të korrigjuara?

b) Me përjashtim të njoftimeve të Kuranit, këtu mund të përmendim disa prej njoftimeve të tij mbi të fshehtën që, sipas tij, do të ndodhnin në të ardhmen. Para se të ndodhte lufta e Bedrit, Profeti njoftoi edhe vdekjen e mohuesve të tillë, si Ebu Xhehli, Utbe, Shejbe dhe Velid, edhe vendin se ku do të binin të vrarë, gjë që u vërtetua.[14] Profeti njoftoi se nga familja e tij, e bija Fatime do të ishte ajo që do të takohej e para me të pas vdekjes së tij dhe Fatimja vdiq gjashtë muaj pas të atit.[15] I nipi Hasan ishte ende i vogël kur Profeti tha kështu për të: “Ky është biri im Hasan, ky është sejjid (zotëri), me të Allahu ka për të bërë pajtim mes dy grupeve të forta”;[16] pastaj, kur i erdhi koha, kjo ngjarje u vërtetua plotësisht. Profeti pati njoftuar se Ammar b. Jasiri do të vritej gjatë një konflikti,[17] se fisi i tij nga e ëma, Ummu Haram, do të merrte pjesë në një fushatë ushtarake,[18] gjë që ngjau në fushatën e Qipros…[19]

Lexo  Ç’LEXOJMË NË FIGURËN E PROFETËSISË

Profeti ka dhënë njoftime edhe për të ardhmen e largët, të cilat, meqë janë të tilla që kërkojnë interpretim, e kapërcejnë vëllimin e këtij punimi.

Shkurt, duke u përkulur edhe një herë tjetër para këtij Personi pa shkrim e këndim, i cili i ka përcjellë me një saktësi të plotë dhe me një stil të përsosur ngjarjet që patën ndodhur dhe do të ndodhnin shekuj para e pas tij, s’na mbetet gjë tjetër veçse të themi: “Ti je i Dërguari i Allahut!”

 

Mrekullitë

Mrekullitë janë gjendje dhe situata të jashtëzakonshme të treguara me anë të Profetëve nga Allahu qoftë për të mbështetur drejtësinë dhe saktësinë e vahjit, qoftë për të fuqizuar besimin e muslimanëve dhe për të thyer kryeneçësinë e mohuesve. Mrekullitë e Profetit Muhamed mund t’i shqyrtojmë në dy grupe: a) Kurani; b) mrekullitë e tjera kozmike.

 

Mrekullia e përjetshme: Kurani

Pa asnjë dyshim, mrekullia më e madhe e Profetit Muhamed është Kurani. Me veçorinë e tij të zotërimit të një realizmi mbiepokal, para së gjithash qëndron para nesh si një provë dhe argument që mbështet Profetësinë e Profetit tonë.

Me aspektet e tij mrekullore, si dalja në shesh në dorën e një njeriu pa shkrim e pa këndim, moskundërshtia midis të vërtetave që përmban, njoftimi për çështje të së kaluarës dhe të së ardhmes dhe prekja e njohurive kozmike shekuj më parë, Kurani është provë dhe argument krejt i hapur edhe i faktit që është fjalë e Allahut, edhe i Profetësisë së Muhamedit (alejhissalatu uesselam).

Çdo Profet ka treguar mrekulli lidhur me çështjet e rendit të ditës në periudhën e tij. Për shembull, meqë në periudhën e Musait (alejhissalatu uesselam), në Egjipt ishte në rend të ditës magjia, ai ka ardhur si Profet me mrekullinë e shkopit që i gëlltiti dhe i asgjësoi të gjitha magjitë dhe që i përgjunji të gjithë magjistarët. Meqë në kohën e Isait (alejhissalatu uesselam) ishte në rend të ditës mjekësia, ai erdhi me mrekullinë e përmirësimit të sëmundjeve të pashërueshme dhe të ringjalljes së të vdekurve. Kurse meqë në kohën e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) i jepej përparësi poezisë dhe artit të ligjërimit dhe oratorisë dhe ndoshta pse “arti i të folurit” do të bëhej në të ardhmen arma më e efektshme dhe e fuqishme, Profeti Muhamed erdhi me mrekullinë Kuran si mrekullia më e madhe që do t’i bënte të heshtnin të gjithë poetët, ligjëruesit dhe letrarët.[20]

 

Mrekullitë e tjera dhe specifikat që duhen theksuar lidhur me këto mrekulli

Natyrisht mrekullitë e Profetit tonë nuk përbëhen vetëm prej Kuranit. Meqë ai u dërgua si “mëshirë për të gjitha botët”[21], ka treguar mrekulli lidhur me çdo krijesë.[22] Ashtu siç ndodh që, kur një mbret i madh e dërgon adjutantin ose përfaqësuesin e vet në një zonë të mbretërisë ku jetojnë fise dhe popuj të ndryshëm, përfaqësuesit e atjeshëm të fiseve, popujve, klasave dhe shtresave shoqërore, në emër të atyre që përfaqësojnë, e presin të dërguarin me duartrokitje, i urojnë mirëseardhjen dhe duke ia parashtruar përgëzimet dhe falënderimet e tyre, po ashtu dhe kur Allahu, Zoti i gjithësisë, e dërgoi Profetin Muhamed, më të madhin përfaqësues të Tij në botë, jo vetëm si të ngarkuar me detyrë, por edhe si mëshirë për të gjitha qeniet e tjera, kështu, me mesazhin e teuhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun, Zotin e vetëm të gjithësisë, qeniet e tjera, duke shpëtuar nga dukja si gjë boshe e pa kuptim, morën kuptim dhe fituan vlerë. Dhe, me këtë rast, engjëjt, njerëzit dhe xhindët, dielli, hëna dhe yjet, uji dhe gjërat ushqimore, pemët, malet dhe gurët si dhe të gjitha llojet e kafshëve ia paraqitën atij falënderimet e llojit të vet dhe u bënë në dorën e tij mjete nga mund të nxirreshin mrekulli. Kështu, të gjitha qeniet, duke dëshmuar për drejtësinë e Përfaqësuesit të dërguar si mëshirë për to, e shpallën Profetësinë e tij në tërë gjithësinë.

Kjo specifikë që u përpoqëm ta theksojmë, mund të merret si shprehje të hiperbolizuara. Në këtë pikë do të mjaftohemi duke kujtuar këtë: Nuk duhet harruar se mesazhi i sjellë nga Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam), mëshira për të cilën ai u bë pretekst, ka të bëjë me të gjitha botët.[23] Sipas kësaj, është mjaft e arsyeshme që çdo botë e gjithësisë të jetë skenë e mrekullive që e vërtetojnë dërgesën dhe Profetësinë e tij!

Mohimi i mrekullisë përsa i përket mundësisë, është i pamundur. Sepse edhe pse mrekullitë janë parë në duar e Profetëve, ai që i ka nxjerrë ato në fushën e ekzistencës, ai për të cilin nuk ka gjëra të lehta e të vështira, me shprehjen e Kuranit, i cili bën atë që dëshiron,[24] është Allahu i Lartë. Si domosdoshmëri e zakonit hyjnor, Allahu (xh.xh.) vepron në kuadrin e shkaqeve dhe ligjeve.[25] Ndërkaq, ai s’është i detyruar të veprojë brenda shkaqeve. Nuk mund të flitet për ndonjë detyrim për Allahun. Prandaj, qoftë për të treguar se nuk është i detyruar për asgjë, qoftë për të parandaluar që mendjet të mos bien dhe ngecin në rrjetën e shkaqeve dhe ligjeve, kohë pas kohe vepron ndryshe, kështu, na kujton ne se vullneti dhe fuqia e tij janë të pakufizuara e të pafundme në mënyrë që i kapërcejnë shkaqet dhe ligjet.

Të gjitha mrekullitë nuk janë zhvilluar në çdo vend dhe në atë mënyrë që të gjithë t’i shohin hapur dhe qartë. Po të kishte ndodhur kështu, atëherë ekzistencës së mendjes dhe arsyes nuk do t’i mbetej kuptim. Sepse, në këto kushte, meqë njerëzve do t’u merrej vullneti duarsh, do të shtrëngoheshin të besonin në mënyrë të determinuar, gjë që nuk përputhet me të fshehtën e provës në të cilën ndodhen.

Shumicën e mrekullive e ka përcjellë një bashkësi dhe, pastaj, një masë njerëzish që e kanë pasur të pamundur të merren vesh për të gënjyer. Kurse disa mrekulli, edhe pse s’janë përcjellë nga ndonjë grup në këtë nivel, meqë nuk janë kundërshtuar nga dëshmitarët (sahabe) e tjerë, kanë fituar një fuqi përcjelljeje si të parat.



[1] Veprat e Apostujve, kapitulli. 3, sentenca 22-24

[2] Ligji i përtërirë, kap. 34, sent. 10.

[3] Ligji i përtërirë, kap. 18, sent. 18.

[4] Ligji i përtërirë, kap. 33, sent. 2.

[5] Gjeneza, kap. 21, sent. 21.

[6] Mateu, kap. 21, sent. 42.

[7] Gjoni, kap. 14, sent. 16.

[8] Gjoni, kap. 14, sent. 26.

[9] Gjoni, kap. 16, sent. 7-8.

[10] Shih. Gjoni, kap. 12, sent. 47.

[11] Shih. Buhari, Menakib, 18; Muslim, Fedail, 20.

[12] Shih. Nesai, Zinet, 39.

[13] Shih. En’am, 6/50, 59; A’raf, 7/188.

[14] Shih. Muslim, Xhenet, 76-77.

[15] Shih. Buhari, Menakib, 25; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 98, 99; Ibni Hanbel, Musned, I, 6.

[16] Buhari, Sulh, 9; Ibni Hanbel, Musned, V, 49.

[17] Tirmidhi, Menakib, 35.

[18] Shih. Buhari, Ta’bir, 12; Muslim, Imare, 160.

[19] Shih. Ibni Haxher, Isabe, IV, 441.

[20] Njohuritë e domosdoshme lidhur me Kur’anin trajtohen më gjerësisht në pjesën “Besimi te librat hyjnorë”.

[21] Shih. Enbija, 21/107.

[22] Mrekullitë e këtij lloji janë shndërrime të llojit mrekullor me anë të vullnetit dhe fuqisë së Allahut të gjërave të zakonshme me të cilat është mësuar njeriu, në gjëra mbi shkaqet dhe ligjet të cilat janë, gjithashtu, gjëra të zakonshme për njeriun.

[23] Kështu, në një ajet thuhet: “(O i Dërguar!) Ne të dërguam ty mëshirë për botët!” Enbija, 21/107.

[24] Buruxh, 86/16.

[25] Këtu do të ishte me vend ta preknim shkurt konceptin “ligj”. Ligjet janë pamja e reflektuar tek ne e mënyrës (zakonit) të Krijuesit të Lartë për ta krijuar materien dhe për t’i dhënë vazhdimësi ekzistence asaj në linjën shkak-pasojë (përfundim) brenda një vazhdimësie të rregullt. Allahu nuk është i detyruar ta krijojë qenien në linjën shkak-pasojë, por ne kemi nevojë për këtë lloj krijimi në mënyrë që të mund të kuptojmë se si krijon ai. Dijet dhe shkencat dalin në shesh nga zbulimi i ecurisë uniforme të kësaj veprimtarie hyjnore – në vartësi të dëshirës volitive hyjnore.

Ndajeni me miqtë tuaj...