Kuptimi i fjalës Kuran
Sipas pikëpamjes më të parapëlqyeshme, fjala Kur’an si infinitiv i foljes karae në diatezën (vezn) fu’lán, do të thotë lexim. Ky kuptim përdoret në ajetet e shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë të sures Kijame. Ka edhe kuptimin mbiemëror “i lexuar”, “që lexohet” si kundrinor (ismi mef’ul). Me daljen e Islamit, kjo fjalë është bërë emërtimi i përveçëm i librit të Allahut.
“Allahu (xh.xh.) e ka emërtuar edhe me emra të tjerë këtë libër që ia ka dërguar njerëzimit. Emërtimi më i njohur pas fjalës “Kuran” është “el-Kitab”. Mes emërtimeve të tjerë më të njohur, mund të përmendim fjalën “Furkan” (ndarësi dhe diferencuesi i të drejtës dhe të vërtetës nga e shtrembra dhe gënjeshtra) dhe “et-Tenzil” (vahj i zbritur pjesë-pjesë). Veç këtyre, janë edhe emërtimet, si “edh-Dhikr”, “en-Nur”, “esh-Shifa”, të marra nga Kurani, numri i të cilëve, sipas disa dijetarëve, është nxjerrë në pesëdhjetë, madje, në nëntëdhjetë, shumica e të cilëve nuk janë emra të Kuranit, por fjalë që shprehin cilësitë e posaçme të tij.
Përkufizimi i Kuranit nga këndvështrime të ndryshme
Kuranit i janë bërë përkufizime nga këndvështrime të ndryshme. Këtu mund të përmendim disa prej tyre.
Përkufizimet e Kuranit të parashtruara në veprat klasike janë kështu: “Kurani është fjalë hyjnore e zbritur Profetit Muhamed me rrugën e vahjit, e shkruar në libra, e përcjellë me miratim të gjerë, me këndimin e të cilës bëhet adhurim.” “Kurani është përmbledhje vahjesh që i janë dërguar nga ana e Allahut Profetit Muhamed me pretekste të ndryshme gjatë periudhës 23-vjeçare 610-632 të Profetësisë së tij dhe që këndohet.”
Kurse përkufizimet e tjera të Kuranit të bëra duke mbajtur parasysh nga kush është dërguar, nga ç’pozitë është dërguar, kujt dhe përse i është dërguar, na paraqiten me këto shprehje:
“Duke mbajtur parasysh së bashku anën shpirtërore dhe materiale të njeriut, Kurani është përmbledhje e mesazheve më të rëndësishme dhe e ligjeve hyjnore e lindur në horizontin e njerëzimit me anë të zbritjes nga pozita më e lartë.”
“Kurani është fjala dhe dekreti eternal i Allahut, zotëruesit të të gjithë ekzistencës.”
“Kurani është një konsideratë dhe mirësi e Allahut si Zoti i gjithë botëve, për robtë e Tij.”
“Me parimet e tij të përhershme e të pandryshueshme, Kurani është një komunikim hyjnor i pashoq e i pangjashëm si tregues i rrugës më të shkurtër e më të ndriçuar të lumturisë së tërë njerëzimit dhe që të çon në atë lumturi.”
“Kurani është interpretimi i ekzistencës, interpretuesi i dukurive dhe ngjarjeve, komentuesi i makro dhe mikrobotëve, gjuha në këtë botë e botës së fshehtë, dokumenti i konsideratave hyjnore për njeriun, thelbi, drita dhe bukuria e Islamit, harta e botëve sublime dhe preteksti i lumturisë së atyre që i besojnë atij; në të njëjtën kohë, është një përmbledhje lutjesh e hapur dhe e mbyllur, e drejtpërdrejtë dhe e anasjelltë.”
Allahu është ai që e ka ngritur gjithësinë mbi akordin dhe harmoninë, gjithashtu, ai që e ka bërë atë të flasë me anë të Kuranit. Sipas kësaj, ashtu siç është i gabuar konkluzioni i të tjerëve mbi gjithësinë, është i gabuar edhe mbi njeriun, sepse vetëm ai të cilit i përket ekzistenca dhe prona, mund të japë konkluzion të drejtë mbi ekzistencën dhe pronën!
Argumentet mbi Kuranin si fjala e Allahut
Si njeriu dhe gjithësia, edhe Kurani është vepër e Allahut. Kurani edhe ia bën të njohur njeriut njeriun, edhe komenton librin e ekzistencës. Kurani e lexon nga njëra anë njeriun bashkë me të gjitha dobësitë dhe virtytet, nga ana tjetër, gjithësinë me të gjitha të fshehtat dhe imtësitë; kështu, është e pamundur që Kurani të jetë fjalë e dikujt i cili nuk administron dhe vepron mbi tërë gjithësinë!
Pas kësaj hyrjeje, dëshmitë dhe argumentet mbi faktin se Kurani është fjala e Allahut, mund t’i paraqesim në mënyrë të përmbledhur e me pika, kështu:
1) Para së gjithash, në atë periudhën e parë kur Kurani e nderoi faqen e tokës me ardhjen e tij, ushtroi një ndikim aq të thellë e të papërfytyrueshëm edhe në shpirtrat, edhe në mendjet, edhe në zemrat, saqë përsosmëria e brezave të zgjuar përsëpari në jetë në atmosferën e tij prej drite, është një mrekulli në ato përmasa që të mos lërë nevojë për ndonjë provë apo mrekulli tjetër për të dhe është e pamundur të tregosh të ngjashmit e atyre njerëzve përsa i përket horizontit të mendimit, njohjes së të fshehtës së detyrës së robit ndaj Zotit dhe përjetimit intuitiv të kësaj detyre. Është një e vërtetë se në atë periudhë Kurani përgatiti një brez të quajtur “sahabe” që nuk teprohet po të thuhet se ishte i njëvlershëm me engjëjt!
2) A është shkruar, vallë, gjer tani, ndonjë libër të cilin ta ketë kuptuar dhe nga i cili të ketë përfituar çdo njeri i çdo shtrese dhe niveli sipas kapacitetit të vet, i kënduari e i pakënduari, njeriu me fillore dhe ai me universitet, njeriu i popullit dhe mendimtari, çobani dhe shkencëtari? Përgjigje: Jo! Kurani është i vetmi libër që mundet ta lexojë dhe të përfitojë prej tij, ku mundet të gjejë parime për rrugën dhe specialitetin, zgjidhje për çështjen, shërim për shqetësimin e tij poeti dhe muzikanti, ekonomisti dhe juristi, administratori dhe sociologu, edukatori dhe nxënësi, njeriu i mendimit dhe besimit!
3) Ndoshta nuk ka asnjë libër tjetër veç Kuranit që mund të lexohet shumë e shumë herë me radhë pa u mërzitur prej tij. Është vetëm ky Libër që lexohet vazhdimisht me pretekste të ndryshme, që i bëhet lexim i plotë pa dhënë asnjë herë ngopje dhe mërzitje! Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, sa e sa vepra aktuale u qëndrojnë dot disa viteve, madje, disa muajve, e humbin vlerën edhe për nga aspekti i drejtësisë, edhe për nga aspekti i aktualitetit dhe, më në fund, lihen mënjanë. Sa për Kuranin, jo që nuk zbehet e vjetrohet, por, përkundrazi, çdo ditë që shkon, u fryn mendjeve dhe zemrave fllade të ideve dhe ndjenjave të reja dhe e shton dhe ruan freskinë.
4) Është e qartë se Kurani i cili e përfshin jetën e njeriut me të gjitha aspektet materiale-shpirtërore të saj, nuk mund të jetë fjalë njeriu. Kurrë nuk mund të jetë në kapacitetin e një njeriu, pa le të një njeriu të pamësuar, që të parashtrojë parime të përgjithshme që të zgjidhnin në çdo shekull vështirësitë e njeriut të çdo niveli e nën të gjitha kushtet. E thënë ndryshe, parimet e dala nga mendja e një njeriu nuk mund t’u japin qetësi dhe lumturi kontinenteve për shekuj me radhë. Sistemet dhe zgjidhjet njerëzore të pambështetura në zbulesën hyjnore e në librin hyjnor, nuk mund të mbeten as pesëdhjetë vjet në këmbë pa ndryshuar, pa pësuar revizionim. Rregullat, sistemet, idetë, mendimet dhe ideologjitë si produkte njerëzore vjen një ditë që të vjetrohen dhe të mbeten të pamjaftueshme, të shfaqin efekte anësore dhe të bëjnë të ndjehet se kanë nevojë për ndryshim dhe rinovim. Kurse është e pamundur që Kuranit t’i gjenden të meta e defekte të tilla në asnjë temë, në asnjë parim dhe rregull dhe në asnjë çështje.
Është ky Libër që ka vënë si rregull themelor e të pavdekshëm që shteti të mos jetë shtet ku kapitali të qarkullojë vetëm në duart e të pasurve[1], që njeriut të mos i përkasë tjetër gjë veç zellit, përpjekjes dhe punës së vet[2], që dhënia e amanetit dhe detyrës atyre që kanë meritën dhe kompetencën përkatëse si dhe gjykimi me drejtësi të jenë domosdoshmëri[3], që vrasja e një njeriu të konsiderohet si vrasje e gjithë njerëzimit![4]
Është ky Libër që ndalon çdo formë kamate, bixhozi, pijeje dhe prostitucioni dhe çdo lloj gënjeshtre, shpifjeje, luksi dhe shpërdorimi, të cilat janë që të gjitha nga një helm vrasës më vete për familjen dhe shoqërinë!
Prapë, është ky Libër që e urdhëron njeriun për namaz, agjërim, haxh, zekat dhe adhurime të tjera me qëllim që të fitojë cilësi njerëzore, që, në jetën e individit dhe shoqërisë të përjetojë një jetë parajsore duke qenë ende në botë!
Po kështu, është ky Libër i cili, duke i orientuar mendjet dhe shpirtrat kah çdo bukuri dhe virtyt që e bën njeriun njeri, e bën frikën ndaj Allahut vëzhgues për çdo zemër, kurse dashurinë për Allahun, nxitës dhe inkurajues të çdo zemre!
Me se mund të shpjegohet ekzistenca e një libri të tillë përveçse me faktin që është fjalë e një Krijuesi me urtësi dhe mëshirë të pafundme dhe si mund të pranohet një libër i tillë përveç se si fjalë e atij Krijuesi?
5) Një argument tjetër se Kurani është fjala e Allahut, është ky: Një autor cilido, i cili në veprat e tij bën përshkrime natyre e peizazhi, kryesisht me elementë klime, bimësie e formash të relievit dhe natyrës, mbështetet në mjedisin natyror ku ka jetuar ose jeton ose ku ka shëtitur e parë. Kurse në Kuran shohim se, më tepër se përshkrime të shkretëtirës dhe jetës së shkretëtirës, hapen diskutime dhe bëhen përshkrime mbi lumenj që rrjedhin me vrull, mbi pamje të gjelbëruara, mbi re të ngarkuara me shi që i japin jetë tokës, mbi kopshte dhe vreshta, mbi male dhe dete! Bie fjala, fakti që në suren Nur bëhet fjalë për errësirat e deteve të gjerë, për dallgë që vijnë njëra pas tjetrës, për retë që i mbulojnë dhe për atë që njeriu nuk dallon dot as dorën e vet në errësirën e formuar si pasojë e kësaj situate,[5] fakti që të gjitha këto bëhen me përshkrime metaforike dhe interesante, nuk kanë të bëjnë aspak as me gjeografinë arabike të asaj kohe, as me literaturën detare të asaj periudhe. Pastaj, Profeti ynë (s.a.s.) i cili lindi dhe u rrit në shkretëtirë dhe që vetëm dy herë udhëtoi për në Siri duke kaluar po nëpër shkretëtirë, as i pati parë peizazhet dhe mbulesat bimore që i përshkruan Kurani, as pati bërë udhëtime detare!
Po në këtë kuadër, në suren En’am, gjendja e një mohuesi përngjasohet me gjendjen e dikujt që, duke u ngjitur drejt qiellit, pëson shtrëngime të zemrës.[6] Sot, zhvillimet shkencore kanë nxjerrë në shesh se gjatë ngjitjeve në majat e maleve të lartë pa pajisjet përkatëse, njeriut i vështirësohet frymëmarrja dhe ndjen shtrëngime të gjoksit për shkak të pakësimit të oksigjenit. Kjo e vërtetë është kuptuar dhe kuptohet vetëm gjatë ngjitjeve malore ose ngjitjeve në lartësi të mëdha qiellore me anë të balonave. Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, udhëtimi me balon as që përfytyrohej, kurse relievi i Gadishullit Arabik s’kishte pika të larta. Kështu, pra, ky përngjasim dhe kjo shprehje mund t’i përkiste vetëm Allahut (xh.xh.) që di çdo gjë!
6) Në periudhën kur zbriti Kurani, poezia ishte zhvilluar jashtëzakonisht. Në bisedat dhe grindjet, njerëzit pothuajse i flisnin dhe i përgjigjeshin njëri-tjetrit me poezi, çdo vit organizoheshin konkurse letrare dhe poezitë që fitonin, shkruheshin mbi me shkronja të arta mbi një copë që pastaj varej në muret e Qabes. Me fjalët e poetëve, të cilit quheshin secili një hero fisnor më vete, fiset hynin në luftë ose bënin paqe. Dhe, megjithëse Profeti Muhamed (s.a.s.) ishte rritur mes tyre, dihej nga të gjithë se nuk ishte marrë kurrë as me poezi, as me prozë poetike dhe as me prozë. Ndërkaq, shprehjet enigmatike dhe koncize të Kuranit nuk u ngjanin as shprehjeve të tij, as të të tjerëve. Shprehja e Kuranit s’ishte as poezi, as prozë poetike e as prozë, por, me origjinalitetin e vet, i magjepste të gjithë! Prandaj, parësia e mushrikëve, politeistëve mekas, të cilët donin dhe përpiqeshin t’i largonin njerëzit nga Kurani, përpiqeshin sipas tyre t’i kundërviheshin Kuranit: “T’i themi poezi, poezi s’është; t’i themi prozë poetike, prozë poetike s’është; t’i themi fjalë orakulli, as fjalë orakulli s’është; veprës së një të çmenduri s’i ngjan që s’i ngjan; më e mira, të themi është magji, prandaj mbyllini veshët se, pastaj, ju godet!”
Përballë mesazheve të Kuranit që u kanë bërë dritë epokave, edhe mohuesit e sotëm, me gjithë demagogjitë, dialektikën dhe taktikat e tyre të kundërshtimit, krahas frymës së polemizimit të trashëguar nga të vjetrit, nuk kanë arritur të bëjnë dot gjë tjetër veçse të gëlltiten dhe struken mes dobësisë dhe zemërimit të vet! Koha ka ndryshuar paprerë, shekujt janë tjetërsuar, konsideratat janë shndërruar, ndjenja e kundërshtimit dhe e luftës është bërë më e nxehtë, kurse Kurani, përballë shumë e shumë polemistëve dhe rrugëve të polemikës, vazhdon të të marrë mendjen me atë ndikueshmëri të lartë!
7) Faktin që Kurani nuk mund të jetë vepër e Profetit tonë (s.a.s.), le ta shohim edhe nga ky kënd: Një shkrimtar, në rastin më të përgjithshëm, e shkruan veprën në çastet e përqendrimit më të lartë të mendjes dhe ndjenjave dhe nuk rri pa i përmendur ose përshkruar edhe ngjarjet që i kanë shkaktuar më shumë dëshpërim ose gëzim. E thënë ndryshe, nuk është aq e lehtë që shkrimtari të shkruajë ca gjëra duke e izoluar veten nga ngjarjet që i kanë lënë ose i lënë mbresa të thella ndjesore e shpirtërore!
Mes një jete plot luftë, vuajtje e mundime, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërsa nga njëra anë përgatiste bashkësinë e tij të zgjedhur, nga ana tjetër bënte një luftë të ashpër kundër mjedisit të jashtëm. Ndërsa punët qëndronin kështu, në Kuran nuk shohim ndonjë ajet as lidhur me hidhërimet që hoqi ai, as lidhur me jetën dhe vdekjen e gruas dhe fëmijëve të tij. Prandaj ky libër s’është i tij. Profeti Muhamed ishte vetëm një ndërmjetës që e ka kumtuar Kuranin me formën që i ka ardhur!
8) Cili shkrimtar ose, në përgjithësi, autor, vallë, u jep vend në veprën e vet fjalëve që nuk duken të favorshme për të? Për shembull, në Kuran, për shkak të atyre që ndenjën pa marrë pjesë në luftën e Tebukut, Profetit i tërhiqet vëmendja me këto fjalë: “O ti Profet që të faltë Allahu, pse u dhe leje atyre para se të të tregohej ty se kush thoshte të vërtetën dhe se kush ishte gënjeshtar?” (Tevbe, 9/43)
Dhe një shembull tjetër lidhur me këtë specifikë: Përballë ngjarjes së shpifjes e cila ia theu mesin dhe e zvarriti nga vuajtja në vuajtje, i Dërguari i Allahut priti plot një muaj. Po qe se, ta supozojmë, ai e ka shkruar Kuranin, a do të priste një muaj përballë shpifjes së hipokritëve për të shoqen, për ta nxjerrë në shesh të vërtetën dhe për të shpallur se mbi nderin e tij nuk ka asnjë njollë? Pra, në Kuran u jepet vend deklaratave dhe shprehjeve që është e pamundur që njeriu t’i fusë në librin që e shkruan vetë. Kjo do të thotë se Kurani s’është kurrsesi fjalë e Muhamedit, por, absolutisht, fjala e Allahut!
Shkurt, Personi që s’dinte shkrim e këndim, të cilin Kurani e prezanton me fjalët “Ti as që e lexoje dot një libër a as shkruaje” (Ankebut, 29/48), i sfidon të gjithë, nga ata të kohës së vet që dinin të shkruanin e këndonin, gjer në dijetarët dhe letrarët e ditëve të sotme, duke u thënë: “Ejani, bëhuni bashkë e sillni jo të ngjashmen e Kuranit, por vetëm të një sureje të vetme!” A nuk është vetëm fakti që ai bën një sfidë të tillë krejt i sigurt në vetvete, dëshmi dhe argument i mjaftueshëm i faktit se Kurani nuk është fjalë e atij Personi pa shkrim e këndim, por fjalë e Allahut?