Nuk është e drejtë ta shohësh bazën besimore të besimit te kaderi në Islam si në kundërshtim me lirinë e njeriut, sepse të thuash se një musliman beson te kaderi, në parim do të thotë se ai beson se çdo gjë ekziston me dijen, dëshirën, fuqinë dhe aktin krijues të Allahut, se nuk ka krijues tjetër veç Allahut.
Besimi te kaderi s’do të thotë mohim i përgjegjësisë tek njeriu, sepse Islami na kërkon edhe të pranojmë një Qenie të Lartë që zotëron vullnetin e përgjithshëm dhe fuqi dhe që e ka krijuar gjithësinë, edhe se Ai i ka krijuar njerëzit si qenie me vullnet, edhe të pranojmë se mirësia dhe ndëshkimi janë ngritur mbi këtë vullnet. Kështu, besimi te kaderi dhe te parimi i zgjedhjes bëhen bashkë. Pyetjes nëse besimi i muslimanëve te kaderi bie në kundërshtim me mundësinë e tyre për të bërë zgjedhje me vullnetin e tyre të lirë, i ndjeri Ahmed Hamdi Akseki i është përgjigjur kështu në veprën e tij “Mësime morali”:
“Edhe nëse ka që e shohin besimin e muslimanëve te kaderi dhe kadaja në kundërshtim me parimin e zgjedhjes (e lirisë së vullnetit), kjo mendësi është kategorikisht e gabuar. Pasi të kuptohet ashtu siç duhet se ç’është besimi te kaderi në Islam, do të kuptohet lehtësisht sa të gabuara janë mendime të tilla. Sepse të thuash që një musliman i beson kaderit, në fakt do të thotë që pranon se krijuesi i të mirës dhe të keqes është Allahu. Pra, muslimani i beson edhe Krijuesit të gjithësisë, zotërues të madhështisë dhe fuqisë, dhe vullnetit të përgjithshëm që i përket Atij, edhe ekzistencës së vullnetit të pjesshëm të dhënë atij si bazë dhe partner të përgjegjësisë së vet. Feja islame na i mëson që të dyja këto. Nisur nga kjo, pranimi nga njerëzit i një vullneti hyjnor absolut dhe të përgjithshëm në gjithësi, nuk e asgjëson vullnetin e tyre të pjesshëm që është elementi esencial i përgjegjësisë së tyre!”
Shkurt, Zoti, në çdo punë të të cilit ka urtësi dhe drejtësi, i ka dhënë njeriut një vullnet me qëllim që të mos kërkojë pretekste në gabimet dhe të metat e veta dhe që t’i bëhet njeriut burim për mirësi dhe mëkate. Ky vullnet quhet vullnet i pjesshëm ose mundësi zgjedhjeje e pjesshme. Ja, pra, mundësia zgjedhëse e pjesshme që do të thotë të zgjedhësh, të duash të vësh qëllim dhe të tregosh vendosmëri për arritjen e tij, i del përballë njeriut i cili kërkon t’ia ngarkojë gabimin kaderit, dhe i thotë: “Je përgjegjës, sepse ti je që bëre zgjedhjen!”
Çështja nëse njohja paraprake e një gjëje nga Allahu përbën apo jo detyrim
Fakti që çdo akt i mirë apo i keq i kryer apo që do të kryhet nga njeriu, është i njohur dhe i paracaktuar nga Allahu në pafillimshmëri, nuk është diçka në kundërshtim me vullnetin e njeriut ose pavarësisht nga vullneti i njeriut. Sepse në paracaktimin e bërë aty ku është i pranishëm vullneti i njeriut, nga Zoti dihet se në ç’anë do të përdoret vullneti i tij dhe sipas kësaj bëhet vlerësimi dhe caktimi përkatës. Sikur, me këtë paracaktim, Zoti i thotë njeriut kështu: Unë e di se në iks kohë ti do ta përdorësh vullnetin tënd në këtë drejtim. Prandaj dhe këtë akt po e caktoj për ty kështu. Një raport i tillë i dukurive do të thotë jo anullim i vullnetit të njeriut, por mbështetje e tij.
Ashtu siç e ka theksuar me përparësi edhe Ali el-Kaarîu, Allahu e ka shkruar diçka në lidhje me vullnetin e njeriut, “do të bëhet kështu e ashtu” dhe nuk e ka shkruar “të bëhet kështu e ashtu”. Në këto kushte, ne nuk e bëjmë një gjë pse Allahu e di në pafillim dhe pse e ka shënuar këtë që di, pra, pse i tillë është kaderi ynë, përkundrazi, Allahu i shënon ato që kemi bërë dhe kemi për t’i bërë sepse i di që më parë. Po qe se Allahu (xh.xh.) do të kishte shkruar jo për ta karakterizuar gjendjen, por me një vendim me anë të të cilit do të zbatohej ajo që duhej, atëherë vullnetit të njeriut nuk do t’i mbetej vlerë.
Fakti që Allahu e di që më parë një gjë që ne kemi për ta bërë, në asnjë mënyrë s’duhet menduar si detyrim. Le të japim tani dy shembuj që do të ndihmonin për kuptimin e çështjes.
Shembulli i parë. Një mësues, meqë i njeh mirë nxënësit e tij, e di që më parë në masën 80-90 përqind se sa pikë do të marrë secili prej tyre në provimin e fundit të vitit. Tani, ashtu siç kjo njohje që më parë e përfundimeve vjetore nga mësuesi nuk ndikon mbi përfundimet dhe notat që do të marrin nxënësit, edhe njohja që më parë e fundit tonë nga Allahu i cili e di gjithçka dhe nga dija e të cilit s’shmanget asgjë, nuk ndikon mbi aktet tona.
Shembulli i dytë. Dukuritë dhe ngjarjet astronomike si eklipset e diellit dhe hënës përcaktohen që më parë dhe shënohen me ditë, orë dhe minuta në raportet dhe kalendarët shkencorë. Tani, a mos eklipset e diellit dhe hënës realizohen në atë orë dhe minutë pse u njohën e u përcaktuan nga shkencëtarët ose u shënuan në kalendarë, apo shënohen në raportet e shkencëtarëve pse dihet që më parë se do të realizohen në atë orë? E vërteta është se eklipsi i diellit dhe hënës nuk ndodhin pse janë shënuar në kalendarë, përkundrazi, shënohen në kalendarë pse dihet që më parë se do të ndodhin. Ja, pra, edhe ne, njerëzit, nuk i bëjmë veprimet tona pse Allahu i ka shënuar në kaderin tonë, përkundrazi, Allahu i shënon veprimet tona pse e di që më parë se si do ta përdorim ne vullnetin tonë.
A Mund të Paraqitet Kaderi si Justifikim?
Në Islam ka kader por nuk ka fatalitet. Ashtu siç pandehin disa, kaderi nuk kërkon që njeriu ta lëshojë veten në rrjedhën e ngjarjeve dhe t’i shohë si të panevojshëm adhurimin dhe marrjen e masave parandaluese. Besimi te kaderi është një nga kushtet e qenies besimtar, por nuk është e drejtë që, duke e paraqitur atë si justifikim, të lihet pa bërë ajo që duhet bërë. Nisur nga kjo, jo vetëm s’është e drejtë që njeriu të bëjë mëkat dhe pastaj të thotë se ky ka qenë kaderi i tij, por s’është e drejtë as që, duke u mbështetur te ideja e kaderit, të mos vlerësohen shkaqet, sepse njeriu nuk e di se si është kaderi i tij ose, e thënë ndryshe, kaderi i një njeriu është i fshehtë për të.
Është për këtë arsye që njerëzit nuk shpëtojnë dot nga përgjegjësia as duke i mbështetur punët e veta te kaderi para se t’i kryejnë, as pasi t’i kenë kryer.
Në çdo gjë ka një sundim të kaderit dhe kadasë së Allahut, vetëm se duhet ditur edhe kjo se, për realizimin e ecurisë së kaderit dhe kadasë lidhur me aktet e zgjedhura të njerëzve, vetë aktet e tyre janë bërë ndërmjetës. Prandaj, shmangia e vetes nga përgjegjësia duke ia ngarkuar kaderit një punë qe e kemi kryer me kërkesën dhe dëshirën tonë, nuk është mendësi kaderi sipas Islamit dhe një qëndrim dhe trajtim i tillë i çështjes është e pamundur të përputhen me propozimet fetare-juridike të Islamit.
Urtësia e Ndalimit të Polemikave Lidhur me Kaderin
Profeti (sal’lallahu alejhi uesel’lem) u tha kështu disa sahabeve, shokëve të vet, kur i pa që po debatonin mbi çështjen e kaderit: “A mos ju jeni urdhëruar për këtë apo mos unë u dërgova tek ju për këtë? Kur ata që qenë para jush nisën të debatonin mbi këtë çështje, u shkatërruan!” Me këto fjalë ai tregonte se ishte i shqetësuar nga vënia në diskutim e çështjes së kaderit.
Urtësia e ndalimit nga ana e Profetit e trajtimit të çështjeve lidhur me kaderin në formën e debatit dhe polemikës mund të vlerësohet nga këto tre këndvështrime:
I pari, para së gjithash, çështja e kaderit është një çështje besimi, ndërkaq që trajtimi i çështjeve besimore në mënyrë debatuese e polemizuese nuk është i drejtë, sepse besimi është trajtuar në hadithet Profetike si një e tërë bashkë me gjashtë bazat e besimit. Dhe kjo tregon edhe se besimi nuk pranon copëtim, edhe se besimi është një specifikë që kërkon tregimin e nënshtrimit ndaj çdonjërës prej bazave të tij. Kurse nënshtrimi nuk përputhet me debatin dhe polemikën. Ndërkaq, nuk ka ndonjë të keqe nëse çështja diskutohet, pa u tërhequr në debat dhe polemikë, me qëllim për të marrë njohuri e për të mësuar. Kështu, me këtë mendim dhe qëllim, shumë dijetarë islamë i kanë kushtuar kaderit kapituj të tërë në librat e tyre ose kanë shkruar vepra më vete me këtë temë.
I dyti, njeriu ka kaderin e vet të lidhur me vullnetin e vet, si dhe kaderin e vet që vepron jashtë vullnetit të vet. Ndërkaq, shkaqet e kaderit që zhvillohet jashtë vullnetit të njeriut, nuk njihen nga njerëzit. Duke u nisur nga parimi se “mendja/arsyeja është krijesë, prandaj nuk mund ta konceptojë/rrokë Krijuesin”, mendja/arsyeja e njeriut mund të mos i njohë të fshehtat dhe urtësitë e kaderit që zhvillohet jashtë vullnetit të vet. Si shfaqje të këtij kaderi mund të jepen ngjarje të tilla si koha dhe vendi i lindjes së njeriut, prindërit, seksi, raca fatkeqësitë dhe sëmundjet, të cilat përcaktohen tërësisht nga faktorë jashtë vullnetit të njeriut. Të ngrihesh për të bërë debat dhe polemikë për këto gjëra, të sforcohesh për ta kuptuar të fshehtën e kaderit, mund të çojë në përfundime nga të cilat njeriu të mos dalë dot. Nisur nga kjo, mund të thuhet se është pikërisht ky dimension i kaderit që na e ka ndaluar Profeti të merremi me të.
I treti, tentativa e njeriut për ta zgjidhur në mënyrë të prerë çdo specifikë lidhur me kaderin, do të thotë kërkesë për një gjë që e kapërcen kapacitetin e tij. Sepse kaderi nuk është një temë të cilën njerëzit me mendjen të gatuar me konceptet e kohës dhe hapësirës, të mund ta konceptojnë në mënyrë tërësore nga pikëpamja diturore dhe teorike. Prandaj, besimtari duhet të mjaftohet me ato gjëra që mundet të kuptojë lidhur me çështjen e kaderit, specifikat që nuk mundet t’i kuptojë, t’ia lërë Zotit dhe të mos hyjë në debate e polemika të panevojshme.