KONCEPTI PROFET

Fjala arabisht resul do të thotë prijës, përfaqësues i dërguar. Kurse në terminologjinë fetare, quhet përfaqësuesi i Allahut i zgjedhur prej Tij ndër njerëzit, robtë e Tij, i nderuar me vahjin ose komunikimin hyjnor dhe i ngarkuar me detyrën për t’u përcjellë njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Tij.

Resul ose mursel quhet profeti i dërguar te njerëzit me një libër të ri dhe me një legjislacion të ri. Shumësi i këtyre fjalëve është rusul dhe murselun. Një tjetër fjalë që në Kuran shpreh kuptimin profet, është fjala nebi. Edhe nebiu është përfaqësuesi i Allahut i dërguar te njerëzit për t’u njoftuar atyre urdhrat dhe ndalimet e Allahut, ndërkaq, i papajisur me libër dhe legjislacion të ri, por i ngarkuar me detyrën për të vazhduar kumtimin e librit dhe legjislacionit të dërguar me anë të profetit paraardhës. Shumësi i kësaj fjale është enbija. Fjalët risalet dhe nubuvvet që janë paskajore, kanë kuptimin profetësí ose institucioni profetik.

 

Domosdoshmëria e besimit te Profetët

Besimi te Profetët është një ndër gjashtë bazat e besimit. T’u besosh profetëve do të thotë të besosh se ata janë zgjedhur dhe dërguar nga Allahu dhe se të gjitha njohuritë e marra prej tyre nga Allahu janë të vërteta e të drejta.

Allahu ua ka bërë muslimanëve farz që t’u besojnë të gjithë Profetëve pa dallim:

“I Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga Zoti i tij, edhe besimtarët. Të gjithë u besuan Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij (dhe thanë): “Ne nuk bëjmë dallim mes të dërguarve!..” (Bekare, 2/285)

Kurse në një ajet tjetër, Kurani ka bërë të ditur në mënyrë të hapur se besimi te disa Profetë dhe mosvërtetimi i të tjerëve është mohim (kufr):

“Ata që mohojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe që dëshirojnë të ndajnë Allahun nga të dërguarit e Tij, duke thënë: “Ne disa i besojmë e disa nuk i besojmë”, duke dashur që kështu të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, (mes besimit dhe mohimit), pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur dënim poshtërues për mohuesit. (Nisa, 4/150-151)

 

Nevoja e ndjerë për institucionin e Profetësisë

Për sa u përket vlerave potenciale dhe pajisjes, njeriu qëndron në nivelin më të lartë të hierarkisë së qenieve. Ndërkaq, krahas këtij potenciali, me veçori të tilla si urrejtja, neveria, zilia dhe kundërshtimi, njeriu është një qenie e përshtatshme edhe për të rënë në fund të kësaj hierarkie. Ja, pra, Allahu i Lartë që e di më mirë se kushdo këtë aspekt të njeriut që e ka krijuar vetë, u ka dërguar njerëzve Profetë si rrjedhojë e urtësisë, favorit dhe mëshirës së Tij.

Asnjë qenie në gjithësi nuk është krijuar pa qëllim e pa detyrë dhe asnjë gjallesë nuk është lënë pa prijës ose udhëzues. Allahu (xh.xh.) që nuk i ka lënë milingonat pa sundimtar, bletët pa matkë (mbretëreshë), zogjtë pa prijës, edhe njerëzit s’i ka lënë pa Profetë-udhërrëfyes!

Gjatë gjithë historisë, çdo Profet ka treguar zell të madh dhe ka bërë përpjekje të mëdha si një i ngarkuar me detyrë për t’i zhvilluar aftësitë e vendosura në natyrën e njeriut dhe për t’i orientuar ata sipas qëllimit të krijimit të tyre. Po të mos ishin Profetët, njeriu si fryti më i përsosur i pemës së krijimit do të bëhej një qenie pa kuptim e dënuar me dekompozim (të…).

Po kështu, Profetët i kanë shërbyer njerëzimit si njerëz kompetentë që rregullojnë lidhjet dhe marrëdhëniet mes njerëzve të detyruar të jetojnë në formë shoqërie dhe që i vënë ata mbi themele drejtësie. Prapë, mësuesit e parë të cilët duke ua mësuar njerëzve të fshehtat e materies dhe dukurive, ua kanë shpjeguar atyre marrëdhëniet njeri-gjithësi-Allah, janë Profetët.

Nga ana tjetër, Profetët, jo vetëm kanë qenë udhëzues të pagabuar në fushën moralo-shpirtërore dhe në arritjen e lumturisë së kësaj bote e të përjetësisë, por edhe kanë kryer funksione të rëndësishme si prijës që kanë bërë punën e mjeshtrit në fushat materiale, që kanë hapur brazda të reja që i kanë kapërcyer epokat dhe që, me mrekullitë për të cilat janë bërë pretekst, kanë përgatitur truallin për ngritjen e qytetërimeve dhe për zhvillimin e diturive dhe shkencave.

Shkaqet që njerëzit kanë ndjerë nevojë për Profetë, mund t’i shprehim përmbledhtazi, kështu:

Edhe sikur njerëzit me mendjen e vet ta gjejnë Allahun duke parë dukuritë që ndodhin në ekzistencë, nuk mund t’i dinë pa ndihmën e Profetëve qëllimin final dhe urtësinë e krijimit të tyre, nga kanë ardhur e ku do të shkojnë dhe si duhet t’i drejtohet krijuesit të tyre (adhurimet). Ja, pra, Allahu i Lartë ka dërguar Profetë për të plotësuar këtë nevojë të njerëzve.

Po të mos ishin Profetët, njerëzit, nën presionin e dëshirave dhe kërkesave të tyre kalimtare, do t’i ngatërronin me njëra-tjetrën gjërat e drejta me gjërat e dëmshme që i vijnë të këndshme vetes dhe nuk do të merrnin dot vendime të qëlluara.

Ka nevojë për Profetë edhe për t’i ngarkuar njerëzit me përgjegjësi të caktuara dhe, për rrjedhojë, për t’u dhënë atyre shpërblim dhe ndëshkim. Vetëm në këtë mënyrë është parandaluar që, në jetën pas vdekjes, njerëzit të mos dalin para Allahut me pretendimin se “s’dinin gjë”! Këtë specifikë, Kurani e prek kështu në një ajet të tij:

“Ne dërguam Profetë përgëzues e paralajmërues që, pas kësaj, njerëzit të mos nxjerrin pretekste ndaj Allahut!..” (Nisa, 4/165)

Si përfundim, mund të themi se Profetët janë njerëz të pajisur në mënyrë të jashtëzakonshme, të cilët, në kallëpet materiale të kësaj bote të kufizuar, hapin dritare për në botët e padukshme, të cilët tregojnë për ekzistencën e botëve përtej kufijve dhe të cilët na e bëjnë të ditur kuptimin e botës ku jetojmë sipas urdhrave të vetë Krijuesit të saj. Gjersa drita e vahjit ose zbulesës hyjnore, për arritjen e së cilës tek ne ata janë ndërmjetës, të mos na depërtojë në shpirt, e thënë ndryshe, gjersa shpirti të mos na ndriçohet me atë dritë, i gjithë zelli dhe të gjitha përpjekjet e mendjes sonë që mendon dhe i kërkon të vërtetat, nuk do të kishin ndonjë ndryshim nga loja kukafshehthi!

 

Veçoritë e Përbashkëta e të Pandara të Profetëve

 

a) Profetët Janë Njerëz

E para specifikë që duhet të dihet mbi Profetët, është se ata janë njerëz. Fundja, këtë e bën të domosdoshëm edhe fakti që ata janë përfaqësues të dërguar te njerëzit. Sepse njeriut mund t’i shërbejë si udhëzues e prijës në çdo specifikë vetëm një njeri si ta. Kështu, në Kuran është bërë e ditur se ata janë njerëz me cilësi njerëzore si ne.[1]

 

b) Profetët Janë Zgjedhur Nga Allahu

Profetët janë persona të veçantë të zgjedhur nga Allahu. Asnjë Profet nuk ka arritur në gradën e Profetësisë me përpjekjet e veta. Allahu e ka krijuar personin që do të bëhej Profet në mënyrë të përshtatshme për këtë detyrë për nga struktura shpirtërore e fizike dhe ka vendosur vetë se kë do ta bëjë Profet. Ky parapëlqim e kjo zgjedhje i përkasin plotësisht Krijuesit të Lartë![2]

 

c) Profetët Janë të Drejtë e të Besueshëm

Si në të gjitha punët e tyre të kësaj bote, si në ato të botës tjetër, janë njerëz të drejtë e të besueshëm, të cilët nuk të gënjejnë. E thënë ndryshe, janë njerëz që në asnjë mënyrë s’priren nga gënjeshtra, por që gjithmonë u sugjerojnë njerëzve besueshmëri. Edhe Allahu,[3] edhe historia janë dëshmitarë se Profetët kanë qenë të tillë.

 

d) Zgjuarsia Profetike (Fetanet)

Kjo veçori që do ta quanim logjikë Profetike, është cilësi dhe karakteristikë e pandashme e çdo Profeti. Nuk është e drejtë që kjo veçori e Profetëve të identifikohet me gjenialitetin, i cili pranohet si kulm i njerëzve të zakonshëm. Sepse Profetët janë të pajisur në mënyrë të jashtëzakonshme, ata zotërojnë një zgjuarsi dhe një logjikë që i kapërcen normat njerëzore. Ata i kanë zgjidhur problemet më të vështira me lehtësinë e pirjes së kafesë.

 

e) Profetët Janë të Mbrojtur Nga Mëkati

Të ngarkuar me detyrën për t’u treguar rrugë njerëzve, Profetët janë mbajtur larg gabimeve dhe mëkateve që do ta trondisnin besimin dhe sigurinë në ta. Këta njerëz me pajisje të veçantë që i mbron Allahu, në asnjë periudhë të jetës nuk kanë bërë mëkat.

 

f) Kumtimi Identik i Zbulesës Hyjnore

Urdhrat dhe ndalimet që kanë marrë nga Allahu, Profetët ia kanë përcjellë pa mangësi shoqërisë (bashkësisë) pranë së cilës janë ngarkuar me detyrë. Për ta nuk mund të mendohet e kundërta,[4] sepse këtë s’e lejon as Zoti i tyre, as natyra e tyre e pastër!

 

Numri i Profetëve dhe Profetët e Përmendur në Kuran

Në Kuran nuk është dhënë ndonjë njohuri e prerë mbi numrin e Profetëve të dërguar. Specifika e theksuar në këtë kuadër me përparësi në ajete është se çdo popullate dhe çdo zone i është dërguar një tërheqës vërejtjeje dhe paralajmërues:

“… Nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.” (Fatir, 35/24)

Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi dërguar Profetë, për disa prej të cilëve të kemi treguar ty e për disa të tjerë nuk të kemi treguar…” (Mu’min, 40/78)

Lidhur me numrin e Profetëve, në një hadith është thënë se janë dërguar 124 mijë nebi dhe 313 resulë.[5]

Profetët, emrave të të cilëve u jepet vend në Kuran, janë këta: Adem, Idris, Nuh, Hud, Salih, Lut, Ibrahim, Ismail, Is’hak, Jakub, Jusuf, Shuajb, Harun, Musa, Davud, Sulejman, Ejjub, Dhulkifl, Junus, Iljas, Eljesa, Zekerija, Jahja, Isa (alejhimus selam)[6] dhe Muhamedi (alejhissalatu uesselam).



[1] Shih. Maide, 5/75; Rad, 13/38; Kehf, 18/110; Enbija, 21/7-8; Furkan, 25/7; Zumer, 39/30.

[2] Shih. En’am, 6/121.

[3] Shih. Al-i Imran, 3/161.

[4] Shih. Maide, 5/67.

[5] Ibni Hibban, Sahih, 2/77; Hejsemi, Mevaridu’z-Zem’an, 1/53.

[6] Në Kur’an, përveç këtyre njëzetepesë Profetëve, janë edhe tre emra për të cilët ka mendime kontradiktore nëse janë nebi ose veli (shenjtor): Uzejr, Lukman, Dhulkarnejn (alejhimusselam).

Ndajeni me miqtë tuaj...