Afrimi i djallit te njeriu nga anë të ndryshme ka kuptimin e paralajmërimit në dimensione të ndryshme të njeriut ndaj të kë­qijave sipas situatave të ndryshme ku ndodhet ai. Njeriu, i cili paraqet një kuptim dhe përmbajtje shumëdimensionale, duke i zhvilluar dimensionet e veta, pavarësisht dhe në kundërshtim me përmbajtjen lëndësore të tij, mund të bëhet i denjë për xhe­netin. Në antagonizëm me këtë, djalli përqendro­het për t’i vënë në punë dhe zhvilluar te njeriu cilësitë lëndësore jo vetëm për ta penguar lartësimin e njeriut, por edhe për ta shmangur dhe kthyer pas. Pa dyshim, po qe se secila prej disa mundësive me të cilat është pajisur njeriu për të siguruar disa dobi dhe urtësi, siç janë epshi, ndjenja e dhunës, agresiviteti, zemërimi, furia, arsyeja, ambicia dhe kryeneçësia, nuk zbuten ose nuk bëhen të rregullueshme e të kontrollueshme me anë të besimit, mund të vihen në punë kundër mekanizmit të ndër­gjegjes dhe këtë vënie në punë e bën djalli.

Për shembull, për sa kohë që njeriu të mbetet nën mekaniz­min e egoizmit frymor (vetjak, sensual), do të thotë se ndërgje­gjja, domethënë mekanizma engjëllore, është dhe vazhdon të jetë e shtypur së bashku me të gjitha vlerat dhe atributet e saj të shquara. Kurse, kur zhvillohet dhe del në pah mekanizma en­gjëllore dhe engjëlloriteti, egoizmi frymor me të gjithë mekaniz­mën e vet hyn nën urdhrin e ndërgjegjes. Megjithëse djalli e gjen esencën e njeriut, përdor kundër tij vetëm mekanizmën e egoizmit frymor. Djalli nuk afrohet ose nuk mundet të afrohet te mekanizma e ndërgjegjes ose, siç mund të shprehemi ndryshe, te pikat e shquara dhe jetike të ndërgjegjes sepse atje ka vullnet, vitalitet hyjnor dhe vetëdije. Po të dijë njeriu ta përdorë vullne­tin, djalli s’i afrohet dot; me flatrat e vetëdijes e të vitalitetit hyj­nor, ngjitet dhe qëndron në qiejt e kulturës shpirtërore pa nge­cur në pengesat djallëzore. Prandaj, njeriu i këtij brezi që e ka zemrën të mbushur me Zotin, ia mbyll gjithmonë dyert djallit dhe duhet t’ia mbyllë. Atëherë, të gjitha zhurmat, bubullimat dhe furtunat që shkakton djalli, mbeten jashtë njeriut, kufizohen duke qarkulluar vetëm në fushën e vetë djallit!

Fushat djallëzore dhe engjëllore ndodhen, në entitetin e nje­riut, aq afër njëra-tjetrës, saqë mund të ndikohen gjithmonë nga njëra-tjetra. Për shembull, efektet radioaktive të një shpërthimi në anën djallëzore e fusin nën ndikimin e tyre edhe anën engjë­llore. Siç e prekëm edhe më lart, djalli përdor epshin dhe e shtyn me forcë njeriun në sensualitet; ia pushton mendjen dhe ia rrokullis në dhelpëri; po kështu, ia provokon ambicien, ze­mërimin, mendjemadhësinë dhe pangopësinë për këtë botë. Ai kërkon t’ua turbullojë botët ndjesore dhe shpirtërore njerëzve që i fut në rrjetë dhe t’i largojë nga vetvetja!

Por djalli nuk na sulmon vetëm duke na bërë që të ndjejmë të këqijat e tij dhe të bëjmë edhe vetë të këqija. Ashtu siç na er­dhi nga e majta, na vjen edhe nga e djathta, nga para e nga pas. Vetë Kurani tregon për armiqësinë e egër të djallit kundër Allahut dhe për pohimet e tij të paturpshme për mënyrën se si ka për t’ua marrë mendjen njerëzve për t’i shmangur nga rruga e drejtë. (A’raf, 17) Djalli i del njeriut para dhe ia thyen shpre­sat për të ardhmen, e bën që ta mohojë ringjalljen. Ai e bën njeriun të mendojë se “feja islame e mbaroi detyrën e saj dhe s’ka për t’u ringjallur më kurrë”! Ai hedh zi mbi zemra duke e treguar të ardhmen të errët e kaotike. Djalli i del njeriut nga pas dhe ia pret lidhjet me të shkuarën, me dritën profetike duke e bërë të mendojë se “kohët ndryshuan, kurse ato gjëra mbetën pas”. Ai i bën njeriun ta shajë të shkuarën e vet dhe t’i mohojë rrënjët e veta, ta mohojë prejardhjen e vet. Në këtë mënyrë, du­ke na i mbyllur të gjitha dritaret dhe kalimet për në të shkuarën e për në të ardhmen dhe pasi na i këput të gjitha lidhjet me të djeshmen e të nesërmen, na ofron neve një mënyrë të mendua­ri me përmbajtje plot helm dhe një filozofi jete me stoli të rre­me: “E kaluara dhe e ardhmja janë përrallë, s’ke për të ardhur më në këtë botë, prandaj mos u merr me atë që iku se s’kthehet më, por shih ta shijosh jetën e jo ta shkatërrosh kot…”

Djalli i vjen njeriut nga e majta dhe e tërheq në rrjedha të njohura e të hapura të mëkatit. Veprimtaritë e kolonës së pestë janë veprimtari që i bëjnë ndihmësit e djallit, të cilët i rekruton ai duke u ardhur nga e majta. Të gjitha rrugët e haramit (akteve dhe veprimtarive jolegjitime, të ndaluara, të pabekuara e të dë­nueshme), të përhapura gjerësisht në ditët e sotme, janë rezultat dhe përfundim i goditjes së njeriut nga djalli nga ana e majtë. Por nuk duam të bëjmë këtu një përshkrim të shëmtuar duke i përmendur këto një e nga një.

Një formë dhe mënyrë tjetër e afrimit dhe e goditjes së djallit është paraqitja e tij me figurën e të drejtës dhe të vërtetës duke ia treguar njeriut gjërat e këqija si të mira dhe kjo është gjëja më e rrezikshme për besimtarin. Duke i shkuar nga e djathta besim­tarit që ua ka mbyllur derën mëkateve e që është dhënë me gji­thë shpirt pas adhurimit, djalli e bën atë t’i pëlqejë vetja, t’ia de­dikojë sukseset vetes, kurse të metat, të këqijat dhe humbjet, të tjerëve. Kështu, djalli arrin ta bëjë atë të shijojë humbjet më të hidhura sikur të ishin suksese. Sigurisht, po qe se me ato që bëj­më dhe tregojmë, synojmë të na lavdërojnë dhe ngrenë në qiell të tjerët, do të thotë se djalli na godet nga e djathta. Një njeri i tillë, pastaj, nuk ka vlerë as kur bën Qaben tavaf, as kur lufton në radhët e para!

Omer bin Abdulazizi i shkruan dikujt një letër monument shprehjeje. Pastaj, duke e dalluar se ka përdorur ca shprehje formale, të zbukuruara e tërheqëse, nga të cilat e kupton se i është përkëdhelur egoja, e gris. Po qe se në ego na vjen një en­tuziazëm e një gëzim si rrjedhojë e punëve, detyrave dhe shër­bimeve që kemi bërë e bëjmë, duhet të mendojmë se në këtë mes mund të jetë përzier djalli dhe, me këtë mendim, t’i drej­tohemi Zotit duke e përtërirë fjalën e dhënë. Ajo që na duhet neve, është të mos tregojmë konsideratë për gjërat që i pëlqejnë egos sonë. Gjërat që bëjmë, t’i bëjmë sepse i ka urdhëruar Zoti, kurse kënaqësitë që i ka të nevojshme akti, t’i lëmë për në jetën tjetër.

Çdo njeri është i detyruar t’i mendojë favoret e Zotit për të dhe, në çfarëdo posti që të ndodhet, të falënderojë për faktin që Zoti e ka bërë të merituar të favoreve të Tij. Ai do të çojë në vend përgjegjësinë ndaj Zotit dhe detyrën për ta falënderuar Atë, kurse Zoti, si rrjedhojë imediate të mëshirës së Tij të gjerë, do t’u japë një thellësi të veçantë favoreve sipas qëllimit dhe sinqeritetit të njeriut.

Veç këtyre, në kuptim të përgjithshëm, mund të mendoni edhe këtë: djalli vjen nga e djathta dhe i tregon çështjet e më­dha, si të vogla, kurse të voglat, si të mëdha. Në çdo komë mund të hasni një njeri të tillë: është mysliman, haxhi dhe një nga ndjekësit e rregullt të xhamisë. Allahu mos e ndaftë nga adhurimi! Mirëpo në shtëpi ka fëmijë që s’falin namaz. Ndër­kaq, nuk i plas zemra për këtë, por për gjëra të vogla, për të cilat grindet vazhdimisht në xhami! Rrugët janë plot me të rinj të mjerë, mes të cilëve janë edhe djali, vajza apo nipi i tij, mirë­po ec e shih se, në vend që t’i mendojë këto e të dëshpërohet, në vend që të kërkojë zgjidhje për këto, ngrihet dhe grindet për të meta ose mangësi të vogla. Njerëz si ky nuk i lënë t’u shpë­tojnë pa ia bërë të vdekurit të shtatat, të dyzetat, gjashtë muajt dhe motmotin dhe ju zënë me top po s’i bëtë edhe ju këto dhe ceremoni si këto. Në shtëpitë e tyre, në vendin më të zgjedhur është një Kuran që askush nga pjesëtarët e asaj familjeje s’e di se ç’thotë! Ja, pra, situata si këto janë “kroshé nga e djathta”, më të rënda se goditjet e djallit nga e djathta!

Ndajeni me miqtë tuaj...