Do të ishte e dobishme që, pa filluar nga përgjigja e pyetjes, të qartësonim disa aspekte të veçanta të kësaj çështjeje.

Pikësëpari, mosbesimi është disa llojesh: konsiderata e përgjithshme e personit, sjelljet ndaj besimit, besimi apo mosbesimi i plotë i gjërave që duhen besuar dhe forma të tjera me të cilat ai shfaqet.

Ashtu siç ndryshon ai që s’beson prej mosinteresit ndaj bazave të besimit nga tjetri që nuk i pranon ato baza, ashtu edhe është krejt i ndryshëm ai që e kundërshton në tërësi superstrukturën nga ai që e konsideron atë si të paqenë.

Këtë çështje mund ta sistemojmë në një formë tjetër kështu:

1. Mosbesimi i lindur thjesht nga mosinteresimi apo mospërqendrimi, pa menduar për ekzistencën e gjërave që duhen besuar, karakteristike kjo për mendjet e varfra dhe shpirtrat e ulët, robër të dëshirave e pasioneve. Madje, duke u nisur nga një shumicë, veprimtaria e të papërgjegjshmëve dhe e budallenjve. Të përpiqesh për t’u treguar diçka këtyre në emër të besimit, është mjaft e vështirë, ndoshta e pamundur. Sepse në sjelljet e tyre zotërojnë instinktet. Veprojnë nën presionin e rëndë të “masës”, duke iu përshtatur asaj deri në imtësinë më të vogël..

2. Një tjetër kastë njerëzish, e përbëjnë ata që nuk i pranojnë bazat e besimit. Për çfarëdo motivi që të kenë ardhur deri këtu, ata janë, në fund të fundit, ateistë dhe perversë. Këta përbëjnë thuajse më të shumtën e çdo shoqërie.

3. Mandej janë ata që pranojnë mosekzistencën e gjërave që duhen besuar; në raport me të ngjashmit e periudhave të hershme, në ditët tona numri i tyre është mjaft i madh.

Mosbesimtarët e këtyre dy grupeve të fundit mund t’i ndajmë më dysh kësillojshëm:

a. Ata që çdo gjë ia kushtojnë materies dhe nuk i besojnë asnjë dukurie metafizike.

b. Ata që u besojnë disa ndodhive metafizike e parapsikologjike.

Në ditët tona, mosbesimi është atributi më evident i birit të njeriut të shfrenuar, si dhe një nga shkaqet e marramendjes së rinisë së këtij shekulli.

Mosbesimi është burimi dhe elementi kryesor i një anarkizmi të tërë dhe një fatkeqësie gjithëçkakapluese. Mund të themi se njerëzimi jetoi epokat më të shqetësuara atëherë kur mosbesimi qe më i theksuar. Së bashku me zotërinjtë e lirë të Rilindjes, zuzarët e Revolucionit Francez qenë ata që përfaqësuan mosbesimin e parë në gjithë njerëzimin, sakaq dhe që e përhapën atë. Kurse më vonë, një tip muzhiku i doli për zot atij duke e quajtur fe. Dhe e shndërroi atë në shkrepëse për të ndezur zjarret e intrigave në vatrat e gatshme anekënd botës.

Jemi të opinionit se, më së fundi, është krejt e qartë që ateizmi i sotëm është filozofia e marrëzisë dhe e rrugaçërisë, se më tepër se sociologëve dhe ekonomistëve, kjo është një çështje që u përket psikiatërve. Po, nëse tipat e marrë të librave psikiatrikë ballafaqohen me gjendjen e brezit mosbesimtar të ditëve tona, s’të vjen për mbarë të mos i japësh të drejtë këtij opinioni.

Ç’e do që kjo as nuk është tematika ime, as ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me atë që pyet. Vetëm se, duke theksuar këtë, ndoshta duke i bërë një klasifikim të thjeshtë mosbesimit, u përpoqëm të tregojmë se ashtu si nivelet dhe variantet e besimit, edhe mosbesimi ka nivelet dhe llojet e veta, prandaj ia vlen të tërhiqet vëmendja, se çdo fjalë e thënë nuk përbën derman për secilin mosbesimtar, se është e domosdoshme që mohime të karaktereve të ndryshme të trajtohen në forma të ndryshme, se është e detyrueshme që udhëzimi e orientimi të bëhen në përputhje me gjendjen e çdo mohuesi.

Lidhur me këtë, është e dobishme që, aq sa ndryshimet brenda mosbesimit, edhe në udhëzim e orientim t’u drejtohemi rrugëve pak a shumë të ndryshme midis tyre. Për të bërë një udhëzim dhe orientim të mirë, duhet të përcaktosh që më parë se në ç’kategori nga ato të lartpërmendurat hyn bashkëbiseduesi, duke parandaluar sakaq një pjesë të stonimeve dhe parashtrimeve të papërshtatshme. Pasi të jetë trajtuar ky moment i punës me kujdesin e një mjeku, bëhet e qartë në masën e duhur edhe se ç’duhet t’i thuhet mosbesimtarit, edhe se si duhet t’i thuhet. Duke qenë kështu, ne përsëri dëshirojmë t’i radhisim çështjet e mëposhtme që na u dukën të domosdoshme:

1. Është e nevojshme të përcaktohet lloji i mosbesimit të bashkëbiseduesit: kjo ka të bëjë me të gjitha parimet, apo vetëm me disa, në mënyrë që t’i jepet rëndësia e duhur çështjes mbi të cilën duhet përqendruar. Në këtë mes nuk duhet lodhur kot e s’duhet humbur koha me dikë të mbërthyer qorrazi pas një ideje fikse ose me një bashkëbisedues të papërqendruar e joserioz.

2. Është një element shumë i rëndësishëm njohja e nivelit kulturor të bashkëbiseduesit, e horizontit social të tij dhe biseda me një gjuhë të kuptueshme për të.

Përpjekja e dikujt që zotëron shumë pak informacion, për t’i treguar ca gjëra dikujt tjetër që ka nivel kulturor dukshëm më të lartë, përgjithësisht shkakton kundërveprim. Veçanërisht në ditët tona, nuk është me vend të përpiqesh të bindësh njerëzit me egocentrizëm të theksuar, sidomos nëse ta i njohin disa gjëra. Me këta lloj njerëzish i arrihet qëllimit me anë të personave të nivelit të tyre duke i biseduar gjërat që duhen trajtuar në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë dhe pa u shkaktuar kurrfarë dyshimi.

Lexo  Nata e Kadrit, më e begatë se 1000 muaj

Është shumë e rëndësishme edhe që me bashkëbiseduesin të përdoret një gjuhë që ai të mund ta kuptojë. Në ditët tona, duke ia reflektuar gjuhës mangësitë e mendimit, e shembën atë në atë mënyrë, saqë është pothuajse e pamundur të pretendosh që brezat që jetojnë brenda kufijve të të njëjtit komb, përdorin të njëjtën gjuhë. Me të vërtetë mund të mendohet se me elementet e bashkuara në një gjuhë të vetme e në një stil të vetëm të mediave, do të arrihen gjëra pozitive. Veçse brezat e mjerë që ua kanë kushtuar zemrat ideologjive të shumëllojshme, me grupet e ndryshme që kanë, sipas tyre, librat e tyre, gazetat dhe revistat e tyre, nuk po shpëtojnë dot së jetuari si kasta të mbyllura në vetvete. Terminologjitë dhe metodologjitë e veçanta me karakter përjashtimor ndaj çdo “tjetre” po krijojnë humnera të pakapërcyeshme mes brezave.

Nisur nga kjo, personi që mendon t’i tregojë ca gjëra të riut duhet ta përcaktojë qartë se ç’fjalë do të përdorë, me ç’stil do të flasë dhe se sa i informuar është bashkëbiseduesi. Përndryshe, bisedat e tyre do të ngjasojnë me dialogun plot habi midis dy të huajve që s’e njohin njeri-tjetrin, gjë që nuk besojmë se do të jetë fort e dobishme. Mbi gjithçka duhet të kihet kujdes synimi dhe kthjelltësia e mendimit dhe e terminologjisë që do t’i bënte dritë synimit.

3. Gjërat që do të tregojmë, duhet të dihen shumë mirë që më parë, madje është kusht përgatitja e përgjigjeve bindëse ndaj pyetjeve të mundshme në lidhje me çështjet që do të shtrojmë për diskutim. Në të kundërt, një stonim i vogël, një gabim i parëndësishëm mund ta kthejë përmbys çdo gjë.

Në këtë mes, të vërtetat e larta të shfaqura si të plogështa e ta zbehta, me paditurinë dhe mediokritetin tonë, në sy të bashkëbiseduesit do të përpiqet të mos bjerë edhe një herë tjetër në një pozicion të tillë.

Sado i lartë të jetë qëllimi i një personi që shkaktoi një situatë të tillë, dëmi i tij konsiderohet i madh. Kush e di se sa i madh është në ditët tona numri i të rinjve që, si pasojë e gjysmëpredikuesve të tillë, lidhen pas ateizmit!… Të vjetrit thoshin: Gjysmëhoxha të lë pa fe, gjysmëmjeku pa jetë! Në të vërtetë, dëmi i gjysmëpredikuesit është shumë më i madh se ai i gjysmëmjekut, sepse përballë rrezikimit nga padituria të një jete të shkurtër tokësore, dhe gabimi i këtij të fundit, padituria e një predikuesi gjysmak bëhet shkak për shkatërrimin e një jete shpirtërore të tërë.

4. Në bisedë dhe shpjegim në asnjë mënyrë s’i duhet hyrë udhës së dialektikës dhe mposhtjes së partnerit. Kjo metodë që ngacmon dhe nxit egocentrizmin e individit, është njëkohësisht e pafrytshme. Përhapja dhe fuqizimi i dritave të besimit në ndjesi varet nga hyrja në marrëdhënie të ngushta me Atë që do ta krijonte atë besim. Pa vlerësuar miratimin, vëzhgimin dhe kujdesin e Tij, polemikat pretenduese dhe kundërvëniet spontane, edhe nëse do të vlenin për të mposhtur dhe heshtur kundërshtarin, kategorikisht nuk mund të pretendohet se ata do të kenë ndikim mbi të. Sidomos dihet që në fillin një polemikë dhe antagonizëm i tillë do të hapë hendek midis palëve po qe se do të vihej aty me përgatitje të qëllimshme dhe në mënyrë të tensionuar; për shkak të një kundërvënieje të tillë, dëgjuesit do të ulen me urrejtje si armiq dhe do të ndahen të zemëruar. Dhe ndërsa ngrihen, do të ngrihen me mendimin që të hulumtojnë përgjigjet e gjërave të cilat u përpoqëm t’ua fusim në kokë. Mirëpo, kjo do t’i shtyjë ata edhe një hap tjetër në mosbesim, gjë që do të thotë se predikuesi do të jetë bërë shkaktar për të kundërtën e asaj çka kishte dashur të realizonte.

5. Në rrëfim duhet t’u bëjmë zë ndjesive të bashkëbiseduesit. Çdo fjalë duhet filluar me sinqeritet e dashuri, e po kështu duhet të përfundojë. Çfarëdo armiqësie drejtuar bashkëbiseduesit ose mendimeve të tij, ashtu siç do të thyejë tërësisht ndikimin e të vërtetave që do të tregojmë, ashtu edhe do ta zemërojë mjaftueshëm bashkëbiseduesin.

Predikuesi, si një mjek zemërdhembshur i vendosur ta shërojë të sëmurin e tij me çdo kusht, është një apostull dhe një hero i së vërtetës që e dëgjon të sëmurin dhe që i përjeton në ndërgjegje vuajtjet morale të tij. Po qe se zëri dhe fjala do të fitonin muzikalitet mes këtij mirëkuptimi, dhe porsi uji i ëmbël i zemzemit, do të pikonin në ndjesitë e bashkëbiseduesit, çka do të na siguronte se e kemi fituar atë.

Madje, duke vëzhguar me kujdes mimikën dhe shprehjen e bashkëbiseduesit, me akordimin e shpeshtë të vetvetes, do të mundim të mos përsërisim gjërat që e mërzisin atë.

Në këtë rast nuk duhet hequr nga kujtesa ky moment:

Duke u ndarë prej nesh, bashkëbiseduesi do të bartë sjelljet tona mikluese, shikimet plot buzëqeshje, dlirësinë dhe besimin e reflektuar nga gjithë qenia jonë dhe kurrë s’do t’i harrojë ato. Po t’i shtonim kësaj edhe shprehjen e dëshirës së tij për t’u takuar përsëri, një pjesë të gjërave që do t’i rrëfenim, konsiderohet se i kemi rrëfyer.

Lexo  LINDJA E BEKUAR

6. Mendimet e gabuara të bashkëbiseduesit, parashtrimet e pagoditura nuk duhen kritikuar në atë formë që të ngacmojnë krenarinë e tij. Sidomos në prani të të tjerëve, kurrë nuk duhet të mbështetemi në gjërat që do ta ulnin atë. Po patëm si synim të bëjmë që në ndjesitë e tij të zënë vend dhe të pranohen veç të vërtetat, ajo kërkon që të mposhtim sedrën dhe krenarinë tonë. Me një fjalë, është krejtësisht e pamundur të ndikojmë te personi që kemi përballë duke i shkelur atij në damar. Në të kundërt, çdo goditje do ta largonte edhe ca më tej prej nesh, e ç’është më e keqja, prej mendimeve tona.

7. Ndonjëherë, prezantimi i një mosbesimtari me shokë besimplotë, zemërbardhë e të sjellshëm, ka ndikim më të madh sesa mijëra fjalë. Veçse një rrugë e tillë nuk vlen për çdo mosbesimtar. Nisur nga kjo, predikuesi, duke e njohur pak a shumë nxënësin e vet, duhet të dijë të përcaktojë një metodë të përshtatshme për të.

8. Në kundërshtim me këtë, kurrë nuk duhet prezantuar me njerëz jo seriozë në sjellje, të papërqendruar në mendime, me humor të dobët dhe pa prirje afërsie ndaj Krijuesit të Lartë. Sidomos kur personi është i vendosur në bindjet e tij dhe i informuar rregullisht, duhet të ruhemi gjer në fund nga njohja dhe takimi me njerëz të privuar nga ashku i adhurimit, me ndjenja dhe mendime të turbullta.

9. Bashkëbiseduesi duhet dëgjuar herë-herë, duke iu dhënë rasti për të folur. Duke menduar se edhe ai është njeri, duke vlerësuar gjykimet e tij të cilat duhen pritur me mirëkuptim.

Pedantizmi në besim i një individi, në raport me aq sa i reflektohet vetvetja, e përsos, e lartëson atë. Kurse përballë ambientit të jashtëm dhe atyre që s’dinë diçka në mënyrë të përcaktuar, nuk vlen për gjë veçse për ta humbur atë e për të shkaktuar një ndjenjë urrejtjeje. Për shembull, dëgjimi i gjykimeve të mbrapshta hap plagë në shpirt dhe i turbullon mendjet e kulluara. Veçse, për të fituar një zemër, në u fitoftë, duke iu nënshtruar një mundimi të tillë, duhet të shtrëngojmë dhëmbët e të bëjmë durim! Ndryshe, po s’i njohëm atij të drejtën e gjykimit e të fjalës, po e mbajtëm vetë në dorë vazhdimisht fillin e bisedës, edhe sikur kuvendi të mbushet e të derdhet nga frymëmarrjet tona, asgjë s’do t’i hyjë dëgjuesit në kokë. Ekzistojnë aq shumë njerëz të tillë antipatikë, që puna e tyre ngjan sikur të ishin duke nxjerrë ujë me një kovë me fund të shpuar, përkundër një zelli sa ujërat e gjithë botës, që nuk kanë mundur t’i japin mësime orientimi qoftë edhe një njeriu të vetëm.

Sa keq për ty, o i sëmurë që të mungon mirësia për të dëgjuar të tjerët e që kërkon të flasësh vetëm vetë!

10. Në bisedë, është e dobishme të pohohet nga folësi se ai s’është i vetëm, se që në krye të herës e gjer më sot ka pasur e ka edhe shumë të tjerë që kanë menduar e mendojnë si ai në çështjet konkrete për të cilat bëhet fjalë.

Madje, patjetër duhet treguar se në ditët tona, në vend të një a dy mosbesuesve, ekzistojnë gjithë ata mendimtarë me besim të shëndoshë. Dhe kjo duhet treguar jo me fjalë të pa argumentuara, por me shembuj konkretë.

11. Në këtë kuadër, para së gjithash, ajo që duhet të tregojmë, është padyshim fjala e dëshmisë e përbërë prej dy shtyllash. Vetëm po u kuptua se me njohuritë e përfituara më parë ose me ato të parashtruara në çast është arritur tek dëgjuesi besimi dhe bindja ndjesore, atëherë mund të kalohet në çështjet e tjera.

Pas hyrjes në portën e besimit, u duhet ruajtur trajtimit të çështjeve që nxisin gjithmonë kritikën e mohuesit.

Si përfundim, mund të themi se pas përcaktimit të gjendjes së mosbesimtarit, janë bazat e besimit ato që në kuadër të metodologjisë së trajtuar më sipër, duhet të shpjegohen si kryesore. Pasi të ndihet se këto ia arritën vendosmërisë së zemrës, saora ka lindur rasti dhe mundësia e trajtimit të çështjeve të tjera. Në të kundërt, po të vepronim duke i dhënë kalit mish e qenit bar siç ndodh në ditët tona, ose po të vepronim si kamerieri, i cili meqë s’di si shërbehet, fillon e radhit në sofër hoshafët, do të bëheshin prezantime të gabuara të ngjashme me këto, gjë që sado neve do të na pëlqente, përballë do të shkaktonte një ndikim negativ jashtëzakonisht të madh.

Këtë bisedë ia kushtoj përfaqësuesve të nderuar të arsimit, e cila ka marrë përsipër detyrën e shpëtimit të brezit tonë të pashpresë që është më i etur se kurrë për ndjenjën dhe mendësinë kombëtare, që mes anktheve të mosbesimit, po i afrohet në çdo çast gropës së varrit.

Ndajeni me miqtë tuaj...