Dyshimi është ndjenja e lëkundjes dhe pasigurisë së plotë që shkakton djalli në zemrën e besimtarit duke ia çoroditur imagjinatën me një sërë kujtimesh, portretesh dhe pamjesh. Dyshimi është loja e fundit dhe arma e fundit që luan djalli kundër një njeriu, veçanërisht kundër besimtarit. Duke ia lëkundur bindjet, besimin, qëllimet dhe synimet e shëndosha, duke ia çoroditur imagjinatën me pamje iluzive që e largojnë nga realiteti, djalli ia lëkund njeriut besimin dhe sigurinë në vetvete.
Ç’është shenja e djallit?
Shenja e djallit është një pikë e rëndësishme në zemrën e njeriut, veçanërisht besimtarit, ku djalli drejton topin, pushkën, shigjetën, ajo pikë e zemrës të cilën e merr në shenjë djalli. Në zemrën e njeriut, veçanërisht, të besimtarit, është pika ku vijnë e mblidhen frymëzimet engjëllore, si dhe pika e djallit. Krejt si polet minus (-) dhe plus (+) të një baterie elektrike!
Cilët njerëz dyshojnë më shumë?
Te myslimanët fillestarë, te ata që e fillojnë punën së pari nuk ndodh dyshim. Dyshimi shfaqet më shumë te disa myslimanë që ia kanë dhënë zemrën fesë, që ia kanë shkëputur djallit nga dora të gjitha lidhjet dhe frerët me të cilat ai kërkon t’i pengojë ose t’i shmangë nga feja për t’i drejtuar atje ku do vetë, që i kryejnë pak a shumë detyrat dhe adhurimet ndaj Zotit dhe që bëjnë përparime në besim. Besimtarët që janë në rrugën e përparimit me aftësitë e zemrës në botën e tyre të brendshme, që janë në ngjitje të vazhdueshme drejt nivelit të njeriut të përkryer, përballen në pikat e vështira të rrugës së tyre me dyshimin si armë e djallit. Po, ndërsa njeriu është duke u lartësuar në qiejt e shpirtit, djalli i ngre nga një kurth në çdo etapë dhe pret. Kur e sheh të përshtatshme, e hedh shigjetën e dyshimit duke marrë shenjë atë pikën e ndjeshme të zemrës së besimtarit, dhe pret rezultatin. Kjo do të thotë se thellësia në besim shkakton smirë dhe reaksion te djalli.
Dyshimi shfaqet disa herë te shpirtrat e ndjeshëm dhe nervozë, kurse, disa herë, te ata që hanë shumë ose janë të dhënë pas trupit. Dyshimi te besimtari nuk ka format e turbullirave dhe depresioneve, por të shqetësimeve të zakonshme. Sado i përparuar të jetë besimtari në besim, mund t’i shfaqet dyshim. Madje, ka ndodhur që edhe personaliteti më i madh pas sahabëve, shokëve të Profetit, Imam Rabaniu, ka pësuar dyshim. Ashtu siç nuk është kusht që njeriu i prekur nga dyshimi ose i vënë në shenjë për këtë gjë, të jetë një besimtar i shquar në besim, nuk është kusht që njeriu i paprekur nga dyshimi ose që nuk vihet në shenjë, të jetë i qetë.
Te qafiri, mohuesi nuk shfaqet dyshim. Mohimi i mohuesit është, mbase, një mohim i llogaritur, i planifikuar, kryeneç, kundërvënës, armiqësor. Te mohuesi mund të shfaqen turbullira dhe kriza shpirtërore, pakënaqësi e shqetësime të cilat e bëjnë atë agresiv dhe përdhunues. Djalli i fryn atij filozofi të reja e origjinale, i jep ide të reja mohuese dhe, më në fund, e bën mohuesin ta mohojë edhe atë vetë, djallin!
Sigurisht, djalli nuk u jep dyshim atyre që janë regjistruar te ai, që ia kanë lënë frerët e vetes atij dhe që i shkojnë pas si qengj atij. Djalli nuk merret me ata që rrinë urtë e butë brenda atmosferës, brenda fushën magnetike të tij, me symbyllurit që numërojnë në vend, me ata që i kanë trutë te sytë, kurse zemrën, te stomaku! Ata janë viktima gjahu të tij të lidhur këmbë e duar në kafazin e tij, të urtë aq sa kurrë s’u shkon ndërmend të zgjidhen, të ikin e të shpëtojnë. Kështu bashkëjetojnë të dy palët: ata të kënaqur nga djalli dhe djalli, prej tyre, gjer ku mund ta çojnë…
Cili është qëllimi i djallit për të shkaktuar dyshim?
Djalli nuk mund të hyjë në zemrën e besimtarit të përgatitur në besim e që i plotëson detyrat adhurimore, nuk mund ta shtyjë atë në mohim. Dhe kurrë nuk e zë dot në zemrën e tij vendin e afërsisë dhe dashurisë për Allahun, e mendimit për sunetin, traditën e Profetit, kurrë nuk arrin dot ta bëjë besimtarin t’i braktisë adhurimet. Sepse, pavarësisht nga çdo gjë, besimtari përparon vazhdimisht, fiton afërsi ndaj Allahut dhe, me shpirtin, ndjenjat dhe trupin, ngjitet lart në një spirale drite. Në këto kushte, djalli mendon kështu: “Të paktën, t’i hedh një gur të fundit, t’ia turbulloj zemrën me shigjetat e dyshimit dhe të përpiqem t’ia prish qetësinë dhe kënaqësinë që ndjen në adhurimet. Ndoshta arrij ta preokupoj, ta mërzis dhe ta bëj të mendojë se kjo apo ajo gjë s’është ashtu siç e ka ditur ai. Atëherë, ai fillon të dyshojë!..” Dhe besimtarit dyshues të qëlluar nga këto shigjeta, fillojnë t’i vijnë në namaz mendime që s’i kanë ardhur ndonjëherë më parë. Pasi merr abdes, mendon se këtë apo atë gjymtyrë s’e ka larë mirë ose e ka harruar pa larë, etj. Dhe merr abdes përsëdyti. Gjëra të tilla vazhdojnë gjersa adhurimet t’i duken të rënda dhe, na ruajttë Allahu, t’i braktisë! Më në fund, ai bëhet lodër e djallit që ia ka arritur qëllimit!
Dyshimet mund të jenë të lidhura si me adhurimet, ashtu dhe me vetë besimin. Përtej kësaj, djalli mund t’i stolisë mëkatet duke e turbulluar imagjinatën, mund t’i provokojë ndjenjat dhe mund ta sjellë njeriun në gjendjen e një fantazisti që nuk do t’ia dijë për arsye, logjikë, gjykim!
A ka dyshimi anë të dobishme?
Në fakt, siç e prekëm edhe më lart, në esencën e shumë vetëve, veçanërisht të natyrave të ndjeshme, dyshimi është një zemberek që do t’u shërbente përjetësisht si shtytje në zhvillimin e tyre. Krejt si zembereku i orës, edhe zemra e tyre punon pa pushim nëse është e kurdisur me dyshim dhe i çon përpara, sepse në sajë të tij, prova dhe lufta vazhdojnë gjer në vdekje. Në një besimtar me besim të shëndoshë dhe punë me vend që e ka shtënë në dorë egon e vet, burimi që e detyron të zhvillojë të ashtuquajturën “luftë të madhe” dhe i përfton shpërblimin e fitimtarit, është dyshimi.
Me një tjetër aspekt të tij, dyshimi e mban njeriun vazhdimisht të zgjuar e syçelë. I qetë dhe i kënaqur si rrjedhojë e suksesit në detyrë dhe zotërimit të situatës, myslimani duhet të rrijë vazhdimisht i zgjuar si ushtari me gishtin në këmbëz për të mos rënë në ndonjërën prej gropave të armikut djall që s’di ç’është gjumi. Ashtu si i sëmuri që i lutet e i përgjërohet Zotit se është i sëmurë, edhe njeriu i lëkundur, para çdo shenje dyshimi thotë “aman, o Zot!”, e tendos veten para rrezikut, mbyllet brenda një kalaje ku s’mund të hyjnë mëkatet, dhe shpëton. Mjafton që, siç do ta theksojmë, të mos e zmadhojë dyshimin duke e bërë të rrezikshme.