DINAMIKAT THEMELORE TË VEPRIMIT
Fjala “aksion” rrjedh nga frëngjishtja. Në vend të saj mund të përdoren termat, “veprim”, ose “lëvizje.” Për sa i përket shërbimit ndaj fesë, fjala “aksion” do të thotë të mos mjaftohesh me aktualen, ta mbash qëllimin gjithnjë të lartë, të mos ndalesh, të mos dorëzohesh apo të mos bezdisesh në përpjekjen për ta shndërruar botën në parajsë, dhe ta shpiesh këtë punë deri në fund. Fundi i kësaj pune, pra sekreti që përmendet në pyetje, është arritja e horizontit të përshkruar në ajetin: “Adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë vdekja.”[1] Pra vazhdoje robërinë dhe adhurimin tënd plot sinqeritet dhe gjallëri, deri sa të të vijë vdekja. Po, veprim dhe aksion i vërtetë do të thotë pikërisht ta shpiesh këtë gjendje deri në atë ditë. Nëse njeriu i mendon me gjithë shpirt dhe zemër tërë detyrat dhe përgjegjësitë e tij, qoftë në planin individual, qoftë në planin shoqëror, dhe nëse përpiqet që t’i përmbushë ato, atëherë ai e ka përvetësuar kuptimin e drejtë të veprimit dhe aksionit dhe ka jetuar në përputhje me të. Në të kundërt, nëse trajtojnë vetëm njërin dimension të çështjes, dhe nëse me shërbimet e tyre materiale arrijnë ”ta shndërrojnë Turqinë në shtetin më të ndritshëm të botës”, dhe nëse ”i varin shpatat në minaret e xhamisë së Sulltanahmetit”, siç thuhet në disa thënie, kjo punë sërish do të shkasë dhe do të mbetet mbrapa. Madje, edhe sikur ta shpëtojnë tërë botën me një lëvizje të vetme dhe paskëtaj do të ngërthehen në rrjetën e vetëbesimit në veprat e veta, atëherë mund të them lehtësisht, se veprat e tyre as nuk do të kenë vlerë, apo rëndësi, në shikimin Hyjnor.
Në pjesën e dytë të pyetjes thuhet: “Cilat janë rrugët që mundësojnë vazhdimësinë e kësaj fryme dhe domethënieje?” – Para së gjithash, vazhdimësia e kësaj fryme dhe kuptimi lidhet me parimet e mëposhtme:
1. Operacion i mendimeve. Po, besoj se mangësia jonë më e madhe është jetesa jonë e përhumbur, larg çdo mendimi, meditimi apo hulumtimi. Për më tepër, duke varrosur zemrat tona, jetojmë një jetë të brendshme larg vetëkontrollit.
2. Mendimi për vdekjen. Duke menduar vazhdimisht rreth vdekjes, forcohet lidhja me të. Duhet menduar çdo ditë dhe vërtet çdo ditë, rreth vdekjes, sikur të ishim duke u përgatitur për të takuar Azrailin. Për të arritur këtë, duhen vizituar shpesh spitalet… Duhet të jemi shpesh pranë njerëzve të shtruar aty për sëmundje nga më të ndryshmet. Duke shkuar në varreza dhe duke e imagjinuar veten si një grumbull kockash të thara, duhet të kujtojmë faktin që bota është e fundme. Për më tepër, bazuar në mendimin, “njeriu vdes dhe shkon, nga pas mbeten veç veprat e tij,” – duhet të përpiqemi vazhdimisht të lëmë diçka pas dhe ta jetojmë këtë jetë të mbushur plot. Shikoni Profetin Muhamed, Krenarinë e Njerëzimit. Edhe në fund të jetës së Tij, teksa i afrohej çastit të Takimit të Madh, Ai përgatiti një ushtri kundër Bizantit[2] dhe në krye të saj vendosi Usame bin Zejdin (radijallahu anh), të cilin e donte si nipin e vet[3] dhe babai i të cilit kishte rënë dëshmor në Mute.[4] Në çastet e fundit, kur i rëndohej sëmundja dhe humbiste shpesh ndjenjat, sa herë përmendej, pyeste nëse kishte shkuar ushtria apo jo. Ju lutem, a mund t’i shkojë në mend një gjë e tillë dikujt që është në çastet e fundit të jetës dhe po përjeton emocionin dhe drithërimat e vdekjes? Për një njeri të kauzës kjo shkon edhe më tej. Ja edhe një nxënës i denjë për atë Sulltan: Murad Hudavendigarin (Mbretin e Shtatë Botëve), një tjetër mendje e rrallë që ka lindur nga ky popull. Edhe ai ia vendosi jetës së tij pikën duke ndjekur vazhdën e Krenarisë së Njerëzimit, me të cilin ishte aq i lidhur. Para se t’ia dorëzonte shpirtin Krijuesit, në fushëbetejë, Gazi Mihali dhe Gazi Evrenozi e pyesnin për dëshirën e tij të fundit, duke i thënë: “Sulltani ynë, prijësi ynë, çfarë na urdhëroni?” Ai prijës i madh thotë këto fjalë, të cilat meritojnë të shkruhen me ar në faqet e historisë: “Të mos zbrisni nga kuajt, të mos i vendosni shpatat në mill!” Ai nuk thoshte “më varrosni në Bursa dhe më merrni hakun”, apo gjëra të ngjashme, por përkundrazi, me fjalët e tij ai frymonte aksion në emër të kauzës për të cilën po binte dëshmor. Ja pra, njëra nga rrugët e arritjes së këtij horizonti është të priturit e vdekjes duke buzëqeshur dhe pranimii saj si të ishte një rrugë drejt dasmës apo bajramit.
3. Të mosqëndruarit i veçuar nga përfitimet e vetëdijes kolektive. Ndonjëherë, bota jonë e brendshme mund të jetë e shkatërruar. Këtë rrënim duhet ta ndreqim duke u gjendur në atmosferën e begatë të të tjerëve. Ndonjëherë, mes atmosferës negative në të cilën gjendemi, syri ynë, veshi ynë, dora jonë, apo këmba jonë, mund të jenë të pamjaftueshme. Pikërisht atëherë, duke u mbajtur me duart e shokëve, duke parë me sytë e tyre, duke dëgjuar me veshët e tyre, do të arrijmë përtej forcës dhe fuqisë individuale.
4. Leximi i librave që mundësojnë kurdoherë gjallëri dhe tension metafizik. Po, horizontet mendore të jetëve të lavdishme të të parëve dhe shumë shembujve të tjerë në këtë rrugë, mund të arrihen vetëm duke lexuar dhe kuptuar jetët marramendëse të tyre. Kështu mund të shpëtojmë nga atmosfera mbytëse e veseve, apo nga bukuritë tërheqëse të kësaj bote.
5. Për të qëndruar të gjallë dhe aktivë në qëllimin tonë të shërbimit ndaj njerëzve, duhetpatjetër të marrim përsipër një detyrë bazuar në shpirtin e përgjegjësisë. Po, falë kësaj, njeriu takohet shpesh me individë që ndajnë qëllimin e shërbimit ndaj popullit, merret me rezultatet e punëve të kryera, merret me konsultimin dhe shqyrtimin e përbashkët të punëve që duhen kryer, dhe kështu, gjatë një jave, ulet dhe ngrihet duke menduar për ato punë. Nuk qëndron më kot për asnjë çast dhe frymon vetëm shërbim. Kur njeriu sillet në këtë mënyrë, Zoti i Madhëruar ia begaton dashurinë, zellin, ose me fjalë të tjera, veprimin dhe aksionin e tij. Shprehje e kësaj të vërtete është edhe hadithi kudsi: “Atij që më afrohet një pëllëmbë, Unë i afrohem një pash… atij që më vjen duke ecur, Unë i shkoj duke vrapuar.”[5]
Për ta përmbledhur, në këtë periudhë, kur veglat e punës janë braktisur e janë lënë përdhe, trimat që kanë marrë mbi shpatulla këtë punë kaq të bukur, nëpërmjet meditimit do të arrijnë të dallojnë fillimisht vlerat që zotërojnë… nëpërmjet të menduarit për vdekjen do të kapërcejnë asgjësimin dhe vdekshmërinë e kësaj bote… madje, brenda shkatërrimit dhe vdekshmërisë do t’u tregojnë të tjerëve rrugën e të ekzistuarit… do t’u tregojnë të tjerëve rrugët e ekzistencës së vërtetë, duke qëndruar krah për krah me shokët e tyre në rrugën e shërbimit ndaj popullit… do të jenë gjithnjë bashkë, në të keq, në vështirësi, në gëzime, kurdo dhe kudo… dhe kështu, çdonjëri do të shndërrohet në mijëra. Këta heronj të trimërisë dhe shembuj të besnikërisë së vërtetë, do të vrapojnë me zell dhe hare drejt shërbimit, si të ishin duke shkuar për të takuar të mëdhenjtë që i marrin për shembull, që i pranojnë si udhëzues dhe prijës. Për të realizuar botët që janë lajmëruar me sihariqe shekuj më parë, ata do të shfaqin heroizmin e tyre lëvizje pas lëvizjeje.
Zoti i nderoftë brezat e rinj me mirësinë, bujarinë dhe ndihmën e Tij! Të na mbështesë me forcën dhe fuqinë e Tij në këtë përpjekje dhe rrugë që kemi ndërmarrë, e cila e tejkalon forcën dhe aftësinë tonë! Zoti e vazhdoftë këtë punë me ne dhe me brezat që do vijnë! Zoti t’i gëzojë, lumturojë dhe kënaqë të gjithë ata që janë mbi dhe nën tokë duke e bërë jetëgjatë fenë e Tij!
[1] Hixhr, 15/99.
[2] Buhari, megazi 87; Muslim, Fedail-us Sahabe 63.
[3] Buhari, edeb 22, Ahmed ibn Hanbel, el-Musned 5/205.
[4] Buhari, megazi 44; Muslim, xhenaiz 30.
[5] Shih: Buhari, tevhid 15, 50; Muslim, tevbe 1, dhikr 1, 20-22.