ilmihali

Pas vdekjes së njeriut, shpirti ngjitet gjer te Zoti. Sipas dekla­ratës së Profetit, pas daljes së shpirtit, engjëjt e mbështjellin me një copë atllas dhe e çojnë gjer në kuvendin e engjëjve të lar­të. Në çdo shtresë dhe nivel, pyesin se kush është shpirti që po e çojnë dhe engjëjt e bëjnë të njohur atë me cilësitë më të mira me të cilat është njohur në botë. Më në fund, shpirtin e ngjisin mbi qiejt, në Audiencën e Zotit të Botëve. Zoti e pranon në audiencë dhe pastaj i porosit engjëjt: “Çojeni prapë në varr dhe vendoseni në kokë të kufomës që të jetë gati për t’iu përgjigjur pyetjeve!” Dhe engjëjt ashtu veprojnë. Pastaj ai fillon t’u për­gjigjet pyetjeve: Kush është Zoti yt? Kush është profeti yt? Cila është feja jote?..

Kurse shpirti i njeriut të keq pritet kudo keq. Ai kujtohet në qiell me neveri. Ai hidhet nga Audienca e Lartë me kokë posh­të. Ai nuk është në gjendje t’u përgjigjet engjëjve Munker dhe Nekir, sepse në këtë botë e ka kaluar kohën me gjëra të pane­vojshme. Dhe kështu ai heq vuajtje të ndryshme gjer në kiamet.

Në varr ka marrje në pyetje, ka shtrëngim, por llogaridhënia e vërtetë bëhet në Gjykatën e Madhe. Sipas shprehjes së ha­dithit, varri të zë ngushtë, të shtrëngon, por llogaridhënia e vër­tetë do të bëhet pas ringjalljes dhe grumbullimit. Do të ngrihet Peshorja, do të shpërndahen librat e llogarive, do të kalohet Si­rati dhe pastaj do të bëhet një bartje e gëzueshme dhe e frik­shme për në xhenet dhe xhehenem.

Varri është, në të njëjtën kohë, vendi ku bëhet llogaria dhe pastrimi i disa mëkateve të papastruara në botë. Krahas kri­meve dhe fajeve të mëdha që i lihen Ditës së Llogarisë, një pjesë e mëkateve dhe njollave të konsideruara si të parëndë­s­i­shme, lahen në kohën e varrit.

Analistët, duke u mbështetur në Kuran dhe Sunet, thonë kështu: Një pjesë e të metave dhe gabimeve të njerëzve që kanë edhe mëkate të vogla krahas mëkateve të mëdha, pastrohen qysh në këtë botë me anë të shqetësimeve, sëmundjeve dhe fatkeqësive të vuajtura. Një pjesë tjetër mëkatesh shlyhen në çastin e vdekjes dhe pjesa tjetër, për të mos iu lënë Gjykatës së Madhe, kur është e mundur një gjë e tillë, kalojnë nëpër një proces të tretë pastrimi në varr. Mëkatet e mëdha e të fryra që nuk mund të pastrohen në varr, do të pastrohen në të ardhmen në sheshin e grumbullimit pas ringjalljes, pranë Peshores, në Sirat e, më në fund, në xhehenem.

Lexo  A mund të lexohet kaderi i njeriut nga vijat e duarve ose të fytyrës?

Siç mësojmë nga disa hadithe, me gjithë dëshirën e madhe, Hz. Abasi mundi ta shihte Hz. Omerin në ëndërr vetëm gja­shtë muaj pas vdekjes dhe e pyeti: “Ku ishe, o Omer?” “Mos pyet!” – Iu përgjigj Omeri. “Sapo munda ta mbaroj dhënien e llogarisë!” Ndoshta Zoti e ka trajtuar kështu atë që të mos i mbetej sipër as dhe shenja më e vogël. Shtrëngesa dhe vuajtja e varrit luajnë një rol të madh për pastrimin e gabimeve dhe mëkateve të vogla. Një ilaç i hidhur, por që pasohet nga shërimi i xhenetit.

Shtrëngimin e varrit e shohim edhe te Sad b. Muadh, një sahabi, shok i Profetit, dhe njeri me nivel të lartë shpirtëror. Si­pas burimeve të haditheve autentike, pasi e varrosën Sad b. Muadhin, Profeti tha: “I madhëruar qoftë Allahu, në e shtrë­ngo­ftë varri edhe Sad b. Muadhin!..” Domethënë se nuk ka njeri që të mos e shtrëngojë varri!

Ç’bën shpirti në botën e pritjes?                    

Duke lënë një lidhje me varret ku u ndodhen kufomat, shpir­trat shkojnë në Berzah që është pjesë e botës së varrit dhe një botë e ndërmjetme para ringjalljes dhe gjykimit të fundit, një sa­llon pritjeje. Pas varrimit të kufomës, shpirtrat përballen me një sërë shëmbëllimesh dhe pasazhesh. Punët që kanë bërë në këtë botë u dalin para në formë shëmbëllimesh a pasazhesh. Nama­zet, këndimet e Kuranit, shërbimet në rrugën e Allahut, tesbi­het, etj., i gjejnë atje si shokë të afërt, si miq të gëzuar. Atje u hapen dritare që shohin në xhenet dhe, nëpërmjet tyre, u shpalosen parasysh peizazhet më të bukura e më të hijshme. Kurse shpirtrave që kanë jetuar në këtë botë si njerëz të këqij, që kanë bërë punë të këqija e të shëmtuara, u paraqiten shë­mbëllime dhe pasazhe të këqija e të shëmtuara dhe u tregohet xhehenemi. Ndërsa disa dëshirojnë të shpërthejë kiameti një çast e më parë, disa të tjerë dëshirojnë të mos shpërthejë kurrë. Vetëm Allahu e di se sa do të qëndrojnë shpirtrat në botën e pritjes pas shpërthimit të kiametit.

Lexo  A mund të bëhen xhindet shkak për sëmundje?

Shpirtrat e vendosur në pritje në Berzah, mund të na dëgjoj­në ne, kurse ne s’mund t’i dëgjojmë. Po të mos dojë Allahu, as ata s’mund të na dëgjojnë dhe, po të dojë, edhe ne mund t’i dëgjojmë. Ka njerëz me nivel të lartë shpirtëror që kanë dalluar se ç’ndodh në varre. Pas mbarimit të luftës së Bedrit, Profeti qe afruar në buzë të gropës ku qenë hedhur kufomat e politeistëve dhe pati thënë: “A i patë gjërat që ju pati premtuar Allahu?”

Ka nga ata njerëz të lartë që kanë hyrë në lidhje me shpirtrat e botës së ndërmjetme. Muhjidin Arabiu bën fjalë për faktin se ka hyrë shpesh në lidhje me shpirtrat e lartë. Imam Sujutiu tregon se është takuar 70 herë zgjuar me Profetin, kurse Ahmed Rufai tregon se ka pasur nderin të hyjë në lidhje me shpirtin e Profetit. Tregohet se Imam Buhariu, pasi merrte abdes dhe fal­te namaz, ia parashtronte Profetit me rrugën e meditimit dhe përqendrimit të lartë vërtetësinë apo jo të rivajeteve të haditheve. Takimi nëpërmjet ëndrrave e thamë që është i mundur. Sa për shpirtrat e këqij, njerëzit e mirë të këtushëm s’kanë përse të takohen me ta!

Meqë nga një aspekt, shpirtrat i kanë të lidhura këmbët me një farë lloj zinxhiri shpirtëror, nuk mund të kthehen më në bo­të. Prandaj, në seancat e thirrjes së shpirtrave, nuk vijnë shpir­trat, por xhindet ose djajtë. Ndërkaq, ndërsa shpirtrat e këqij absolutisht nuk mund të vijnë, shpirtrat e mirë mund të shëtisin në çdo kohë nëpër botë, mund të ndjekin zhvillimet fetare dhe mund t’i vazhdojnë lidhjet me varret.

Hadithet profetike i ftojnë myslimanët të tregohen të ndje­shëm e të kujdesshëm ndaj varreve dhe atyre që ndodhen në varre. Veçanërisht sot është edhe opinioni i parapsikologjisë se shpirtrat mbajnë lidhje me atomet e kufomave të tyre, për çka i vizitojnë varret herë pas here. Prandaj, ndërhyrjet në varrin e një shpirti të shquar e të shenjtë që i vazhdon lidhjet me kufo­mën e vet, sidomos ndërtimi mbi varre i ndërtesave të ndry­sh­me dhe kryerjes së mëkateve në to, e shqetësojnë rëndë dhe, në një kuptim, e përdhunojnë atë. Shpesh dhe në vende të ndryshme njerëzit janë bërë dëshmitarë të ngjarjeve që e mbë­shtesin këtë opinion. Për shembull, diku, në mes të një qyteti, gjatë hapjes së një trualli për ndërtim ose diçka tjetër, buldozeri nuk ka mundur ta shkulë një varr. Njerëzit kanë parë me sytë e tyre se si ka ngecur në vend buldozeri pa mundur t’ia arrijë që­llimit.

Ndajeni me miqtë tuaj...