Cila është më e përshtatshme të bësh nijetin në gjuhën arabe apo në shqip?

Nijeti për namaz nuk është kusht që të bëhet me gojë. Vendi i nijetit është zemra. Nijet do të thotë qëllimi që ka zemra. Dijetarët e medhhebit hanefi e kanë parë si mustehab që nijetin e bërë me zemër ta transmetojmë dhe me gojë. Ndërsa Imam Rabbani thotë: “Në një kohë ku mbizotëron gabimi, nijeti nuk duhet të bëhet me gojë. Shqiptimi me gojë duhet të braktiset. Sepse kur gjuha e shqipton atë zemra mund të braktisë qëllimin e vërtetë.”

Duke u nisur nga kjo, kur e shqiptojmë nijetin me gojë duhet të bëjmë marrëveshje dhe me zemrën e cila duhet të jetë e vetëdijshme deri në fund të namazit për qëllimin dhe t’i qëndrojë besnik atij. Nuk ka ndonjë ndalesë nëse nijeti bëhet në gjuhën arabe apo shqip.

 

Kur falim namaz dhe qëndrojmë në këmbë, sa duhet të jetë hapësira mes këmbëve?

Hapësira mes këmbëve mund të jetë katër gishtërinj ose sa gjerësia e shpatullave, kjo nuk është as vaxhib, as mubah, as mekruh dhe as haram përsa i përket veprave të të obliguarit. Kjo është një çështje jashtë farzit, sunetit dhe vaxhibit të namazit.

Në disa ilmihale ka të dhëna se hapësira mes këmbëve duhet të jetë katër gishtërinj. Por në asnjë libër të fikhut nuk është e mundur të gjesh diçka të tillë. Përkundrazi, në librat e hadithit në kapitujt e “rregullimit të safeve”, shpjegohet për vendosjen e këpucëve mes të këmbëve gjatë faljes së namazit, për bashkimin e pjesëve të jashtme ose të thembrave kur rreshtohemi për të formuar safet dhe tregohet për formimin e kallos nga bashkimi i thembrave.

Prandaj koncepti i katër gishtërinjve lind nga një burim etik. Njerëzit edhe këtu përdorin matje të cilat i përdorin në marrëdhëniet e përditshme dhe gabohen duke i përdorur ato në lidhjen me Allahun. Profeti (s.a.s) urdhëron: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur.” Qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj lidhjes me Allahun nuk duhet të bazohet tek konceptet e shekullit, por në konceptet e transmetuara nga Profeti (a.s).

Përveç kësaj, nuk ka asnjë kuptim të debatojmë rreth çështjeve që kanë lidhje me hollësirat. Një njeri i cili nuk e zbaton masën e hapësirës mes këmbëve -qoftë edhe sunet- do të thotë që ka lënë një sunet dhe mban përgjegjësi për të. Por njerëzit të cilët flasin gjatë gjithë kohës duke bërë komente rreth kësaj çështjeje, bëjnë thashetheme gjë e cila është e ndaluar.

 

Çfarë duhet të bëjë personi i cili ka namaze të pafalura?

Namazi zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e myslimanit. Në Kuran ka shumë ajete të cilat flasin për namazin. Namazi është pranuar si shtylla e fesë jo vetëm për periudhën e Profetit, por për të gjitha kohërat. Profeti ynë (s.a.s) e ka pranuar atë në ndarjen e rrugëve të besimit dhe kufrit dhe ka thënë: “Ajo gjë që e ndan njeriun me shirkun dhe kufrin është braktisja e namazit.” Namazi për myslimanin është një adhurim i pazëvendësueshëm. Kemi aq shumë ajete dhe hadithe rreth namazit, por meqë pyetja ka lidhje me një çështje tjetër po kalojmë menjëherë aty.

Të vijmë te pyetja, një person nuk ka falur namaz deri në moshën 30vjeçare. Në moshën 30 vjeçare gjen vetveten, përfshihet në një atmosferë të pastër të adhurimit dhe fillon të marrë frymë krejt i qetë. Çfarë do bëhet me namazet që nuk ka falur deri atë ditë? Nëse pranojmë si moshë pjekurie moshën 15 vjeç atëherë ky person ka 15 vjet namaze kaza.

Në shoqërinë tonë ka shumë shembuj të tillë. Kjo na gëzon nga njëra anë sepse njerëzit pas një farë kohe shohin shpëtimin tek feja dhe e ndiejnë të nevojshme të kthehen. Por nga ana tjetër është hidhërimi i qëndrimit larg ndjenjave fetare për një kohë kaq të gjatë.

Sidoqoftë, kthimi në të vërtetën është bërë tashmë dhe nëse ekziston edhe mendimi i kompensimit të adhurimeve të paplotësuara atëherë duhet t’ju kujtojmë diçka: Në fillim duhet të përcaktohet sa namaze kaza ka ai person. Kjo përcaktohet duke filluar nga mosha e pubertetit deri në moshën kur është kthyer në fenë e vërtetë. Ta zëmë se kjo periudhë është njëzet vjet. Në këtë mënyrë personi njëzet vitet e ardhshme duhet të falë çdo ditë nga një namaz plus për çdo kohë namazi, përveç namazeve të ditës. Nuk është e thënë të bëhet medoemos diçka e tillë. Njeriu mund të bëjë kaza më shumë namaze një herë në ditë. E rëndësishme është vazhdimësia e adhurimeve. Duhet të përcaktohet një shifër periodike në mënyrë që të mos mërzitet. Madje njeriu në vend të namazeve evvabin, duha mund të falë namazet e mbetura kaza.

 

A mund të falen namazet kaza në vend të namazeve sunet?

Përsa i përket faljes së namazeve kaza në vend të namazeve sunet ka dy mendime. Imam Shafiu nuk e sheh të drejtë që një person i cili ka namaze kaza për të falur të falë nafile, duke lejuar faljen e namazeve kaza në vend të suneteve. Ndërsa Ebu Hanife thotë që sunetet kanë vendin e tyre dhe duhet të falen të ndara, namazet kaza veç e sunetet veç. Nëse mendojmë pak, nuk është e drejtë që një njeri të sakrifikojë sunetet për namazet kaza. Sepse në botën tjetër kur të hapen librat, ka transmetime për dhënie llogarie në lidhje me faljen e mangët të namazeve (pa sunete, vetëm me farze). Vetëm nëse personi ka 30-40 vjet namaze kaza për të plotësuar, atëherë mund të veprojë sipas mendimit të imam Shafiut.

Nëse një person vdes pa i plotësuar namazet kaza, atëherë shpresohet nga Allahu që ta falë. Nëse kujtojmë rastin e treguar në hadithe të njeriut i cili kishte vrarë njëqind njerëz, Allahu do ta falë njeriun duke parë ndjenjën e sinqertë të besimit dhe veprimin e tij sipas urdhëresave dhe ndalesave të Allahu. Sigurisht që kjo gjë i takon Allahut, askush s’mund të ndërhyjë. Ajo që na takon ne është vlerësimi i rasteve të dhëna për të falur namazet kaza dhe mbarimi i tyre. Nëse nuk arrijmë t’i mbarojmë, atëherë i lutemi Allahut kështu: “O Allah kaq munda të bëj pasi kuptova të vërtetën. Ti e di që nëse do të kisha mundësi, të më jepej dhe pak kohë, do t’i kisha plotësuar të gjitha.” Le të shpresojmë që edhe Allahu të na pranojë me kaq sa kemi bërë në mëshirën e Tij të pafund.

 

A mund të falim namaz hipur në mjete transporti si avioni, treni apo autobusi?

Namazi është një adhurim shumë i rëndësishëm për besimtarin. Prandaj besimtari do ta kryeje atë adhurim në mënyrën e duhur kudo që të jetë. Sepse lënia e tij për kaza është një mëkat i madh.

E dimë që namazi ka dymbëdhjetë farze, gjashtë të jashtme dhe gjashtë të brendshme. Nëse i braktisim këto dymbëdhjetë farze, do të thotë që namazi humb vlefshmërinë. Por nëse ne mund t’i plotësojmë këto farze në mjetet e transportit si avioni, treni apo autobusi atëherë ai namaz pranohet. Por nëse nuk plotësohen disa nga këto farze, duhet shikuar nëse kjo mund të hyjë në kornizën e detyrimit, e në këtë pikë duhet vlerësuar situata.

P.sh., kur jemi në autobus gjatë faljes së namazit nuk zbatohen tre farze të rëndësishme si kibleja, kijami dhe sexhdja. Por këta zbatohen dhe me lëvizje të menduara.. Kjo është një gjendje e lidhur me realizimin e detyrimit në bazë të aludimit. Këtu nuk duam të themi që në autobus nuk mund të falemi. Sepse besimtari duhet ta falë namazin kudo që të jetë. Nëse i ka vlerësuar të gjitha mundësitë dhe përsëri nuk i ka plotësuar kushtet, atëherë duhet ta falë me lëvizje.

Në tren është e mundur të gjesh kiblen, të qëndrosh në këmbë dhe të bësh sexhde. Ndërsa në avion kibleja mund të gjendet me busull. Në anije nuk ka ndonjë pengesë. Këto janë disa aspekte që i përkasin fushës së fikhut në lidhje me çështjen. Duhet të theksojmë dhe një pikë shumë të rëndësishme:

Ata persona që duan të udhëtojnë me autobus le t’i rregullojnë oraret në bazë të kohëve të namazit. P.sh., një njeri i cili fal namazin e akshamit dhe niset për rrugë, namazin e jacisë mund ta falë në çfarëdo ndalese që mund të ketë autobusi. Edhe autobusët vetë ndalën çdo dy-tre orë për të pushuar, prandaj për një person i cili e llogarit kohën e namazit, nuk paraqitet ndonjë problem. Kështu nuk do të përjetojë as shqetësimin e gjetjes së një mjeti transporti tjetër përveç autobusit.

 

A është e drejtë të vonohet namazi?

Bëhet fjalë nëse namazi nuk falet në fillim të kohës por lihet për më vonë në fund. Le t’i përgjigjemi:

1)Në bazë të ajetit kuranor “…namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (nisa, 4/103) kuptojmë që namazi kryhet brenda afateve kohore.

2) Falja e namazit në fillim të kohës është një nga veprat e mira të deklaruara nga Profeti (s.a.s).

3) Nëse namazin e lëmë për në minutat e fundit pa asnjë arsye, atëherë kjo është tahrimen mekruh.

4)Namazi i pafalur në kohën e duhur siç dihet nga të gjithë mbetet kaza. Por falja e namazit kaza edhe sikur të jetë e përkryer nuk ka vlerën e namazit të falur në kohën e vet.

Ka pasur namaze që vetë Profeti (s.a.s.) i ka falur me vonesë për shkak të ndonjë urtësie apo arsyeje. P.sh., falja e namazit pak pas hyrjes së kohës së tij në një ditë me re, shtyrja e namazit të drekës në ditët e nxehta, falja e namazit të sabahut afër kohës së quajtur ‘isfar’. Prandaj në prani të këtyre shkaqeve dhe në rastet kur duam të shohim qëllimin e Profetit, namazi mund të falet ashtu si e ka falur ai. Por parimisht namazi duhet të falet sapo hyn koha e tij.

Ndajeni me miqtë tuaj...