Dobitë që i sjell Agjërimi trupit të njeriut

0

Njeriu është një qenie e krijuar si sintezë e shpirtit me kurmin38. Ashtu siç kurmi pa shpirtin nuk shpreh ndonjë gjë, nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore, ashtu dhe shpirti pa kurmin nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore për propozimet ose mocionet e kësaj bote. Me ato që ha e pi, me qëndrimet dhe veprimet, me adhurimet, përgjithësisht me detyrat dhe ritet fetare që përpiqet t’i kryejë, njeriu ushtron një sërë ndikimesh edhe mbi trupin39, edhe mbi shpirtin e vet. Edhe pse kafshata që fut në gojë njeriu, shkon në stomak (vepron në stomak ose mbi stomakun), në të vërtetë, ushtron një sërë ndikimesh edhe mbi shpirtin. Lëvizjet ose veprimet trupore që bën njeriu, ashtu siç formojnë disa rrjedhoja materiale mbi trupin, formojnë edhe disa rrjedhoja jomateriale mbi shpirtin. Kufizimet, privimet dhe përkorësitë zënë një vend shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe maturimin e jetës individuale të njeriut. Dhe kjo mund të bëhet vetëm me agjërim. Një kuptim i agjërimit është edhe privimi i shpirtit dhe përkorësia dhe kufizimi i trupit. Kur agjërimi të përdoret shpesh, atëherë do të vëzhgohen hapur vlerat dhe virtytet që do të formohen në botën e brendshme, në ndërgjegje. Nuk mund të konsiderohet e mundur që tek njeriu që ia ka kushtuar veten stomakut, që e ka kthyer veten në kufomë, që në çdo vend e në çdo kohë mendon stomakun, të ketë një shpirt të pastër dhe një zemër të kulluar. Puna e vetme që mund të bëjë një person i tillë, është të hajë, të pijë, të kryejë jashtëqitje, të marrë të mira të ndryshme dhe të konsumojë si një mosmirënjohës, pa falenderuar. Ja pra, agjërimi u kujton individëve se s’duhet të ndodhë kështu!

I jep pushim trupit
Eshtë një e vërtetë e pranuar dhe e mbrojtur nga mjediset mjekësore se sistemi i tretjes që fillon të funksionojë sapo të vijë në botë, ka nevojë të pushojë herë pas here. Dobia e agjërimit i cili është pushim i trupit një muaj në vit, me këtë aspekt të tij për trupin e njeriut, nuk mund të mohohet. Stomaku ka shumë “punëtorë”, veç këtyre janë edhe shumë ndjenja njerëzore që kanë lidhje me të. Po qe se stomaku nuk bën pushime ditore një muaj në vit, sjell si rrjedhojë që “punëtorët” dhe ndjenjat njerëzore të harrojnë adhurimet e tyre të posaçme, të merren vetëm me të, t’i marrë ata nën urdhrin e vet, ta tërheqë vazhdimisht nga vetja vëmendjen e tyre, t’i bëjë ata t’i harrojnë detyrat e tyre të larta. Me anë të agjërimit të ramazanit, “punëtorët” e stomakut e kuptojnë se s’janë krijuar vetëm për të. Edhe aparatet dhe organet e tjera, në vend të dëfrimeve të ulta të stomakut, në ramazan kënaqen me dëfrime engjëllore e shpirtërore dhe i ngulin shikimet në ato kënaqësi shpirtërore. Prandaj ndodh që në muajin e ramazanit, besimtarët meritojnë, sipas gradës shpirtërore të secilit, veç e veç bukuri, begati, kënaqësi moralo-shpirtërore. Në atë muaj të bekuar, me anë të agjërimit zhvillohen shumë cilësi delikate të njeriut si shpirti, arsyeja dhe fshehtësia dhe, ndërsa stomaku qan, ato qeshin pafajësisht.40
Çdo makinë, pas një kohe të caktuar funksionimi, ndalohet për t’iu bërë mirëmbajtja e nevojshme. Po nuk u bë kjo, ose makina shkatërrohet plotësisht, ose i shkurtohet jetëgjatësia. Pas një periudhe mësimi, nxënësit i jepet pushim. Një punëtor punon nga mëngjesi në mbrëmje, por në mbrëmje tërhiqet në pushim. Pa këto pushime dhe rimbledhje forcash, është e pamundur të punohet me të njëjtin ritëm e të jepet prodhim. Trupi i njeriut është si një fabrikë, kurse gjymtyrët e tij si makineritë e asaj fabrike. Agjërimi është pretekst që trupi ynë-fabrikë të pushojë, të mos vjetërohet, por të punojë në mënyrë të përsosur. Me anë të agjërimit hidhen jashtë yndyrërat e dëmshme të grumbulluara në trup, treten mishërat e tepërta që bëhen shkak për ngjallje, trupi lehtësohet. Sot janë një tufë njerëzish që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga ngjallja (obeziteti). Dhe është një e vërtetë e pranuar nga shkenca e mjekësisë se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e ngadalshëm të trupit. Kurse agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, edhe pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim.

Rinovon trupin
Shkencëtari me famë botërore që ka fituar çmimin Nobel në vitin 1940, Alexis Carrel, në librin e tij “Njeriu, Ky i Panjohur” (L’Hamme, Cet Inconnu), thotë: “Gjatë agjërimit ushqimet e depozituara në organizëm harxhohen, më pas zëvendësohen me të reja dhe në këtë mënyrë në të gjithë trupin ndodh një rinovim, gjë e cila vërteton se agjërimi është i dobishëm për trupin.
Gjatë agjërimit sistemi nervor është në një qetësi absolute. Kënaqësia që na jep kryerja e një adhurimi, i shuan të gjitha tensionet dhe pakënaqësitë tona. Në këtë mënyrë, shmangen streset, të cilat janë ndër problemet më të mëdha të ditëve të sotme.”41

E mbron trupin nga sëmundjet
Shumë fjalë janë thënë gjer këtë çast mbi dobinë e agjërimit për shëndetin e shpirtit dhe trupit, janë shkruar një numër i madh artikujsh dhe librash me këtë temë. Krahas shumë botimeve që tregojnë se agjërimi nuk është i dëmshëm, agjërimi ka shumë dobi shëndetësore. Profesori gjerman Cehardet, në librin e tij mbi çështjen e mbështetjes dhe të forcimit të vullnetit, duke e këshilluar agjërimin, tregon se agjërimi është rruga më e efektshme për të siguruar sundimin e shpirtit mbi trupin me qëllim që njeriu të mos bëhet robi i prirjeve materiale, që të bëjë një jetë ku t’i ketë në duar frerët e nefsit (frymës, egos).42
Kurse Dr. Rowy thotë kështu rreth kësaj çështjeje: “Agjërimi e rrit rezistencën e trupit ndaj sëmundjeve. Këtë të vërtetë mjekësore të rëndësishme, ‹slami e ka zbatuar duke e bërë agjërimin të detyrueshëm, kurse mjekësia e sotme moderne e përdor agjërimin si mbrojtës dhe ilaç kundër sëmundjeve.”43 Sikur të donin të mbështetnin në praktikë fjalët e Dr. Rowy-t, në spitalin e Dr. Henri Lahman-it në Dresden të Saksonisë, veçanërisht në shtëpitë e shëndetit të Dr. Bersherbenr dhe Dr. Moliere bëhet mjekim me anë të agjërimit.44
Muhamed b. el-Yeman e tregon kështu rëndësinë e agjërimit: “I pyeta gjashtë lloj vetë për gjashtë gjëra të ndryshme dhe mora të njëjtën pyetje. I pyeta mjekët për ilaçin më të mirë për shërim dhe më thanë se “ilaçi më i mirë për shërim është uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta filozofët se ç’ishte gjëja më e vlefshme për ta kërkuar urtësinë dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta adhuruesit se ç’ishte gjëja më e dobishme për adhurimin e Allahut dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta dijetarët se ç’ishte gjëja më e dobishme për ta ruajtur në kujtesë diturinë dhe më thanë, “uria dhe gjumi i pakët”. I pyeta mbretërit se cilat ishin gjellët më të mira dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta të dashuruarit se cila ishte gjëja që e afronte njeriun te i dashuri dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”.
Edhe Ebu Talib-i Mekki thotë kështu: “Besimtari është si flauti; vetëm nëse është bosh brenda, i del zëri i bukur!”

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply