Dobitë shpirtërore të Agjërimit

0

Nnjeriu ka një strukturë të përbërë prej shpirtit dhe kurmit. Që të dyja këto përpiqen ta bëjnë njeriun satelit të tyre. Njëra lëndë janë dëshirat epshore dhe shtazore, aspekti i tij i kurmit që Kur’ani na e bën të njohur me këto fjali: “Me të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një baltë e thatë, nga një argjilë e trajtësuar.”47 “Pyeti ata: “Ata janë më të fuqishëm në krijim, apo gjërat që krijojmë Ne?” Me të vërtetë, ne i krijuam ata nga argjila.”48 “Ai e krijoi njeriun nga një argjilë e thatë (që tingëllon) si bardak.”49
Kurse aspekti tjetër i njeriut është ai shpirtëror që ia kujton njeriut qëllimin e krijimit, që e shtyn njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, që i bëhet njeriut shkak për të soditur botërat shpirtërore, që edhe kur të mbetet i uritur e i etur, i jep mundësi njeriut të shijojë kënaqësi të papërshkrueshme, që ia sugjeron njeriut të mos i shohë të këqijat si të mira, që të mos i pëlqejnë të këqijat dhe që të largohet prej tyre!
Po qe se zotërimi i shpirtit mbi njeriun dobësohet ose kurmi kthehet në gjendje sunduesi, atëherë njeriu zhytet në kënaqësi dhe epshe; kufirin e arsyes, kufijtë e përcaktuara nga feja i vlerëson me zero; fuqinë e mendjes e shpenzon pothuaj për të shtënë në dorë lloje të ndryshme të ngrënash e të pirash. I gjithë shqetësimi i tij përqëndrohet në gjetjen e gjërave duke i fshikulluar dëshirat epshore, në mësimin e rrugëve dhimbëse, shtytëse, orekshapëse. Kështu, megjithëse është ngjitur në kulmin e shkencës, kulturës dhe qytetërimit, s’ka ndryshim me gomarin që rrotullon gurin e mullirit, me kaun që tërheq parmendën dhe s’bën gjë tjetër veçse shkon e vjen mes dhomës së gjumit dhe banjos. S’merr vesh, veç kësaj, as për ndonjë parim, as për ndonjë jetë tjetër. Tek ai vdes e shkon çdo gjë tjetër veç dëshirës për të ngrënë e për të pirë, veç ndjenjës së kënaqësisë e dëfrimit, veç shqetësimit për të fituar për ushqim. Meqë nuk ka mundësi për të bërë një përshkrim më të drejtë e më të hollë se të Kur’anit, po ia lëmë fjalën përsëri atij:50 “Sa për mohuesit, ata në këtë botë vetëm dëfrehen e kënaqen dhe hanë si bagëtitë. Vendi i tyre është zjarri!”51

1. Agjërimi i kujton njeriut takimin me Zotin
Çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë e atij që agjëron është e çmuar sepse ia kujton atij të mirat dhe dhuntitë e Allahut dhe të mirën më të madhe për nga përfundimi, bashkimin me Allahun. Këtë funksion të tij, agjërimi e kryen në dy mënyra. Këtë mund ta përmbledhim kështu: me perëndimin e kënaqësive (tokësore), dëshirë për kënaqësi që s’do të kenë të perënduar dhe kënaqësi tjetër që vjen me perëndimin e dhimbjeve. Edhe nëse njeriu që rri nga mëngjesi në mbrëmje i uritur e i etur, vuan në dukje, frytet shpirtërore që ka për t’i sjellë adhurimi i agjërimit e bëjnë t’i harrojë dhimbjet dhe vuajtjet në dukje. Gjatë gjithë ditës, agjëruesi mendon bashkimin me Zotin e vet për hir të të cilit ka braktisur epshet, ngrënien e pirjen. Falë të këtij mendimi, të gjitha fakultetet jetësore zhvillohen në kuadrin e orientimit në rrugën e drejtë. Edhe Profeti ynë ka thënë: “Për atë që agjëron, ka dy kohë qetësuese: e para, koha e iftarit kur çel agjërimin dhe e dyta, koha kur do të takohet me Zotin e vet!”52

2. Agjërimi e lartëson njeriun në nivel engjëllor
Te njeriu ka dy aspekte: aspekti engjëllor dhe aspekti shtazor. Kur njeriu ecën në kahje të kundërt me ndjenjat shtazore, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se aspekti engjëllor i zhvillohet, kurse aspekti shtazor i dobësohet. Njeriu është krijuar nën engjëjt dhe mbi gjallesat e tjera. Ndërkaq, Allahu e ka pajisur njeriun me mundësinë dhe aftësinë për t’iu përshtatur cilësdo pike të një vije që shtrihet nga pozita më e lartë gjer poshtë e më poshtë. Për rrjedhojë, njeriu herë-herë e kapërcen botën e engjëjve duke i lënë pas ata si gradë, kurse herë-herë struket në një vend nën djajtë. “Ne njeriun e krijuam në formën më të bukur. Pastaj e hodhëm atë poshtë e më poshtë. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. për ta ka një shpërblim të pasosur!”53
Njëra nga veçoritë që e dallon njeriun nga engjëjt është se njeriu ka ego. Te engjëjt s’ka gjëra të tilla, si ngrënie-pirje, martesë, kundërshtim të Allahut, etj. Si domosdoshmëri e krijimit të tyre, engjëjt janë qenie të pafajshme, janë qenie që merren vazhdimisht me madhërimin dhe adhurimin e Allahut. “Ata nuk flasin para Tij, ata lëvizin e veprojnë me urdhër të Tij. Allahu e di se ç’kanë ata para e ç’kanë lënë pas. Ata nuk ndërhyjnë për faljen e dikujt tjetër veç atyre për të cilët dëshiron Allahu dhe dridhen nga frika prej Tij!”54 Kurse njeriu mund ta vazhdojë jetën vetëm me të ngrënë e me të pirë. Mundësia që njeriu të kundërshtojë (Zotin), që të bëjë gabim, ekziston gjithmonë. Por sa për njeriun që agjëron, ai, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke e zotëruar epshin, duke u shmangur nga përfolja dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, fiton pothuajse një cilësi engjëllore. Madje, me këto sjellje e qëndrime, ai i lë pas engjëjt. Zoti krenohet para engjëjve me rob të tillë të Tij, ua tregon engjëjve si shembull!55

3. Agjërimi ia mëson njeriut vlerën e të mirave
Zoti e ka pajisur globin tokësor me një mijë e një lloje të mirash dhe e ka vënë atë nën urdhrin e njeriut që është zëvendësi i Tij mbi tokë. Çdo ditë para nesh pothuajse zbret nga qielli një sofër e tjetra ngrihet; dhe sapo ngrihet njëra, zbritet tjetra. Pemët japin fruta pa pushim, pranverë e verë, vjeshtë e dimër. Qielli na dërgon margaritarë me prehrin plot, nga toka shpërthejnë të mira. “Në qiell është ushqimi juaj dhe ka gjëra që ju janë premtuar!”56
Toka dhe qielli i janë ofruar urdhrit të njeriut. Duke notuar brenda të mirave kaq të shumta sa të mos numërohen dot, shpesh njeriu nuk u bie dot në të këtyre të mirave. “Ata plangprishësit që notojnë në det po s’e dinë se ç’është deti! Janë brenda në det, por s’dinë gjë për ujin që e lehtëson notimin. Njeriu që noton mes të mirave, me anë të agjërimit e kupton vlerën dhe rëndësinë e tyre dhe përpiqet të falenderojë për to.

4. Agjërimi e mëson njeriun të bëjë ekonomi
Adhurimi i agjërimit në Islam ia mëson njeriut parimin e ekonomisë që është një virtyt i bukur. Agjërimi është si një mësues që ua mëson njerëzve ç’është ekonomia dhe sesi duhet të bëjnë ekonomi. Personi që është mësuar të bëjë pa asnjë kufizim çdo gjë që i vjen ndërmend, kur të jetë i agjëruar, s’do të veprojë dot kështu. Për shembull, personi që ha sa herë që i bie ndërmend, që u nënshtrohet dëshirave materiale të trupit, kur të jetë i agjëruar, detyrimisht do të presë mbrëmjen, për rrjedhojë, me këtë pritje ai do të mësojë të bëjë ekonomi dhe do të heqë dorë nga jetesa pa përgjegjësi.

5. Agjërimi e maturon shpirtin
Njeriu është një qenie e përbërë nga dyshja trup-shpirt. Ashtu siç ka trupi një sërë nevoja dhe kërkesa, edhe shpirti ka kërkesat e veta. Për nga ana trupore-materiale, njeriu është një qenie e vogël, por për nga aspekti i aftësive shpirtërore, ai është në garën e bashkimit me përjetësinë. Me prirjet, dëshirat, kërkesat, fantazitë, mendimet dhe idetë e pakufishme që ka, njeriu është si një indeks i vogël i gjithësisë.
Akti më i lartë që i zgjeron dhe i zhvillon aspektin shpirtëror dhe të gjitha aftësitë e një njeriu të tillë, që bëhet shkak për plotësimin e dëshirave të tij, që ia zgjeron idetë dhe ia vë në rregull, që ia vë nën fre fuqitë e epshit dhe zemërimit, që e çon njeriun në përsosmërinë e paracaktuar dhe e vë në lidhje me Zotin e vet, është vetëm e vetëm adhurimi.57 Për rrjedhojë, të gjitha këto specifika janë të pranishme te agjërimi që është një lloj adhurimi. Në një hadith të tij, Profeti ynë ka thënë: “Çdo gjë ka zekatin e vet, kurse zekati i trupit është agjërimi. Agjërimi është gjysma e durimit!”58 Namazi është shtylla e fesë, agjërimi është shtylla dhe ushqimi i shpirtit, kurse zekati është shtylla e shoqërisë. Pra, është e vështirë që feja të qëndrojë në këmbë pa namazin, shpirti pa agjërimin, shoqëria pa dhënien e zekatit. Ashtu siç e ushqen ngrënia trupin, agjërimi e ushqen shpirtin. Ashtu siç është i vështirë vazhdimi i jetës pa ngrënë, po aq është i vështirë vazhdimi i jetës shpirtërore pa agjëruar.
Ky është shkaku që në të gjitha fetë që kanë për synim ta ngrenë lart shpirtërisht njeriun, agjërimi, pavarësisht nga dallimet formale, është bërë parim i rëndësishëm i tyre. Për më tepër, të gjithë profetët që kanë vepruar si udhëzues për formimin dhe maturimin e njeriut, periudhën e tyre përgatitore për ta marrë përsipër një mision të tillë e kanë kaluar krejt me agjërim. Dhe kjo është një provë e veçantë që tregon ndikimin e agjërimit në formimin dhe maturimin e njeriut.
Po, te njerëzit shpirti zhvillohet në emër të trupit, kurse trupi, në emër të shpirtit. Ata që kërkojnë të zhvillohen në aspektin shpirtëror, duhet patjetër të mnbajnë agjërim. Ose le të themi ndryshe: ata që s’mbajnë agjërim, mbeten nën kufomën e vet dhe nuk afrohen dot në pjekurinë shpirtërore të kërkuar.

6. Agjërimi i vë fre egos
Njerëzit e kanë për nevojë të pamënjanueshme t’i mbajnë në duar frerët e vetes, egos, sepse kërkesat dhe veset e egos janë për njeriun si helme vrasëse dhe si pesha të rënda që e tërheqin atë poshtë. Vetja, egoja e urdhëron njeriun përherë për të keq. Profeti Jusuf thoshte: “Me të vërtetë, unë duhet ta nxjerr veten të pafajshëm, sepse veç rasteve kur Zoti ka mëshirë për mua dhe më mbron, vetja më kërkon përherë të keqen, më shtyn për të keq. Me të vërtetë, Zoti im është falës dhe shpërblyes!” Me këto fjalë ai është përpjekur ta përkufizojë sa më mirë veten (nefsin, egon).
Nefsi ose vetja, egoja e njeriut është i tillë që sa më shumë t’i japësh, aq më shumë fryhet dhe sa më shumë që të fryhet, aq më shumë kërkon. Në një nga lutjet e tij, Profeti (s.a.s.) thotë: “Allahu im, mbështetem tek Ti nga dobësia dhe përtacia, nga frikacakëria dhe koprracia, nga pleqëria dhe vuajtja e varrit! Allahu im, fali nefsit tim përkushtimin dhe bëje atë krejt të pastër, sepse Ti je nga më të dobishmit e atyre që i nxjerrin të tjerët të pastër. Ti je Zoti dhe Zotëria i nefsit tim! Allahu im, mbështetem tek Ti nga dituria që s’jep dobi, nga zemra që s’ka frikë, nga nefsi që s’ngopet, nga lutja që s’pranohet!”59 Kurse në një lutje tjetër, Profeti është mbështetur te Allahu nga e keqja e nefsit, nga të këqijat që mund t’i sjellë në kokë.60
Në këtë kuptim, agjërimi është si një mburojë kundër ndodhive të zinasë (adulterit ose marrëdhënieve seksuale jolegjitime dhe prostitucionit) që e zvarrisin njeriun në rreziqe shumë të mëdha. Ata që s’kanë mundësi të martohen, sipas porosisë së Profetit (s.a.s.), duhet të agjërojnë sepse agjërimi është mburojë kundër mëkateve.
Agjërimi është simboli i zbatuar i mbajtjes së nefsit nën kontroll. Prandaj, agjërimi, i cili është detyrim (farz), është bërë një nga shtyllat themelore të besimit dhe është konsideruar si një nga rrugët që e çojnë me të vërtetë njeriun në devocion (takva) që është shprehja praktike e zbatimit të Islamit në veten e njeriut. Allahu i Lartë urdhëron kështu: “O njerëz, ashtu siç qe bërë agjërimi detyrim (farz) për paraardhësit tuaj, u bë detyrim edhe për ju që të ruheni (nga mëkatet)!”61
Agjërimi është një fre, një mëgojëz për nefsin (egon). Agjërimi e thyen egoizmin faraonik të nefsit (egos). Në një hadith ku bëhet fjalë për këtë specifikë, thuhet kështu: “Për ta edukuar nefsin, Zoti i dha ndëshkime të ndryshme. Në fillim e dogji me zjarr. Dhe e pyeti: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je ti e unë jam unë!” Pastaj Zoti e edukoi me agjërim. Dhe e pyeti përsëri: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je Zoti i botëve, kurse unë, një rob i yt i përvuajtur!”
Shkurt, me anë të agjërimit, njeriu e mbron veten nga paturpësia ndaj Zotit dhe e kthen në një rob që i bindet dhe e adhuron Atë. Çdokush që mban agjërim, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se fiton më shumë cilësi engjëllore ose bëhet më shumë engjëll se gjatë kohës kur nuk është i agjëruar. Gjithashtu çdo njeri e kupton se, po të mos i jepet leje, nuk bën dot as gjënë më të vogël, nuk e zgjat dot as dorën për ta marrë gotën e ujit dhe, prandaj, nuk është sundimtar, por i sunduar, nuk është i lirë, por rob dhe skllav. Si përfundim, e dallon dobësinë, varfërinë dhe mangësinë e vet dhe përgatitet të trokasë në portën e mëshirës me dorën e falenderimit shpirtëror. Mjafton që ta mbajë atë në përmasat e dhëna nga feja…

7. Agjërimi e mbron njeriun nga mëkatet
Mëkati është një shembje, një prapësi dhe kundërvënie ndaj krijimit dhe natyrës njerëzore. Personi që hyn në mëkat është një fatkeq që ia lë veten vuajtjeve të ndërgjegjes dhe shqetësimeve të zemrës, një viktimë që ia ka dorëzuar djallit të gjitha aftësitë dhe mundësitë shpirtërore. Dhe, nëse vazhdon ta kryejë atë mëkat, e lëshon krejtësisht fillin prej dore dhe s’i mbetet më as vullnet, as qëndresë, as fuqi për ta ripërtëritur veten.
Në rrugët ku ecën njeriu gjallojnë mëkate me grumbuj. Në këto rrugë, mëkatet e vëzhgojnë njeriun si kobra. Edhe sikur të mundet të shpëtojë prej njërës, e ka mjaft të vështirë ta vazhdojë rrugën pa u kapur prej të tjerave. Duhet një vullnet tejet i fortë që njeriu të mund të shpëtojë nga dalja nga rruga ose nga rënia në ndonjë gropë siç ndodh me makinën në kthesat e forta ose në rrugën plot gropa!
Ja pra, përballë këtij rreziku, agjërimi ka vlerën e një dorëzanësi ose garantuesi. Për disa njerëz është një ledh mbrojtës nga shkarja. Eshtë një “përqëndrim trupash” kundër mëkateve. Agjërimi është si një mburojë që e mbron të zotin, si një portë e fshehtë në muret e xhenetit, parajsës, që e ndihmon agjëruesin të hyjë në xhenet, si një shok i bekuar që me gotën në dorë i ofron ilaç nga lumenjtë e parajsës.
I Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë: “O të rinj! Kush nga ju të ketë mundësi për t’u martuar, të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtës për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara), është ruajtës i vetes nga prishja e nderit. Dhe kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, të agjërojë, sepse agjërimi është për të një mburojë!”62
Agjërimi është një stërvitje, zhvillon tek personi aftësinë për t’iu kundërvënë dëshirave trupore. Ashtu siç kur është i agjëruar, njeriu gjen forca për t’u bërë pengesë ndaj çdo lloj dëshire dhe prirjeje negative, ashtu dhe kur s’është i agjëruar, me këtë qëndresë të fituar, mund të gjejë forca për t’iu bërë pengesë dëshirave dhe prirjeve në fjalë. Sepse agjërim s’do të thotë vetëm ta lësh stomakun të uritur, përkundrazi, do të thotë që edhe sytë, veshët, zemrën, imagjinatën, etj., t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre t’i shtysh drejt përjetësisë sipas veçorive të secilës. Personi që agjëron në këtë mënyrë, bën një jetë me indeks hallallin, gjërat e lejuara e të bekuara. Brenda kësaj ideje duhet interpretuar hadithi në vijim i Profetit: “Kush më jep garanci se do ta ruajë gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj xhenetin!”63
Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur fenë nën kontroll. Kur stomaku mbahet vazhdimisht plot, të gjitha organet e trupit arrijnë kapacitetin më të lartë të energjisë dhe kjo bën që dëshirat dhe kërkesat e nefsit (frymës, egos) të arrijnë gradën më të lartë të përqëndrimit. Atëherë, njeriut i zgjidhet gjuha dhe i bëhet e pakontrollueshme. Ndërkaq, gjuha e pakontrolluar është njëra nga rreziqet më të mëdha për njeriun për jetën e pasme (ahiret). Mënyra e vetme për ta vënë nën kontroll gjuhën është shkurtimi dhe prerja e dëshirave dhe kërkesave të nefsit. Dhe agjërimi është receta më e mirë për t’u këshilluar si kryerëse e këtij funksioni. Këtë e mbështesin edhe këto hadithe të Profetit: “Në ditët kur dikush nga ju është i agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtasë. Po qe se dikush e shan ose e godet me dorë, t’i thotë, “unë jam i agjëruar”.64 “Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë i agjëruar, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për ndenjjen e tij pa ngrënë e pa pirë!”65
Shkurt, forma më e përsosur e agjërimit është edhe “agjërimi”, domethënë, kufizimi i syve, veshëve, zemrës, imagjinatës, mendimit, etj. Me fjalë të tjera, pengimi dhe largimi i tyre nga haramet dhe mëkatet duke i shtyrë në adhurimin e Zotit në mënyrën që është e posaçme për secilën. Dhe rruga e kësaj është kufizimi i stomakut. Po qe se stomaku mund të vihet nën kontroll me anë të agjërimit, edhe të tjerat mund të vihen lehtësisht në ndjekje të tij.66

8. Agjërimi ia mëson njeriut respektin ndaj amanetit
Agjërimi e mëson njeriun ta respektojë gjthmonë amanetin, fshehur, apo hapur, sepse s’ka vëzhgues tjetër veç Allahut që të sigurojë shmangien prej ngrënies e pirjes së gjërave të bëra hallall prej Tij. Personi që agjëron respekton kufijtë e Allahut nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Megjithëse i ka gati të gjitha mundësitë, megjithëse s’e sheh askush, personi e vazhdon agjërimin. Ai është gjer në mbrëmje i mbushur plot me ndjenjat e ruajtjes së amanetit. Ky qëndrim ndaj agjërimit reflektohet në tërë jetën e muslimanit. Prandaj, njeriu që mban agjërim, gjatë gjithë jetës sillet tejet i vëmendshëm ndaj gjërave që i lihen amanet.

9. Agjërimi ia mëson njeriut besnikërinë ndaj fjalës së dhënë
Agjërimi është adhurimi më i bukur te i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë, sepse agjërimi është një besëlidhje mes Allahut dhe robit. Duke hequr dorë në fragmente kohore të caktuara nga gjëra të caktuara, njeriu tregon se i rri besnik fjalës së dhënë, se e respekton besëlidhjen. Ndërkaq, me agjërimet e mbajtura, njeriu e zhvillon më tej ndjenjën e besnikërisë, besnikëria bëhet pjesë e pandarë e karakterit të tij. Njeriu që arrin një cilësi të tij të karakterit, kthehet në “përmendore” besnikërie në jetën e vet shoqërore, familjare dhe individuale.

10. Agjërimi ia mëson njeriut të jetë i ngopur e i kënaqur
Me anë të agjërimit, njeriu vë një pritë para trazimeve djallëzore që nefsi (fryma, egoja) përpiqet t’ia pëshpërisë, i merr në dorë frerët e nefsit duke u përpjekur ta drejtojë atë, sepse njeriu i agjëruar është i privuar nga ngrënia dhe pirja, nga femra dhe nga dëfrimet. Në këtë mënyrë, i çliruar nga presionet e nefsit dhe ndjenjave njerëzore, ai bën një mënyrë jetese të virtytshme dhe arrin të zotërojë ndjenjën e virtytit, të cilën Zoti e ka bërë të njohur si atribut të besimtarëve. “Virtyti (epërsia) është i posaçëm vetëm për Allahun, të Dërguarin dhe besimtarët!”67

11. Agjërimi ia mëson njeriut durimin
Njëra nga dobitë e agjërimit është, pa dyshim, ta mësojë dhe ta stërvisë njeriun për të duruar. Me anë të agjërimit, njeriu merr mësime durimi, sepse po të uritet, nuk ha, po të etet nuk pi ujë, përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron duke thënë, “unë jam me agjërim”! Po qe se njeriut që rreh flatrat drejt Zotit të vet me duart, këmbët, gjuhën, buzët dhe veshët të lidhura, durimi i bëhet kalë fluturues, ai arrin të ketë nderin e fitimit të pëlqimit të Zotit.

12. Agjërimi ia mëson njeriut të përballojë shqetësimet
Gjendja e njeriut që bën një jetë të qetë mes gjithë të mirave, mund të mos vazhdojë e tillë gjithmonë. Mund të ndodhë që në një kohë krejt befasuese, nga një drejtim krejt i papritur, t’i bjerë mbi krye varfëria. Përballë një gjendjeje të tillë të papritur, duhet qenë i qëndrueshëm, duhet qenë qysh më parë i përgatitur për të mos u lëkundur, duhet përgatitur qysh më parë trupi për kohë të tilla. Ndërsa është i pasur, njeriu mund të falimentojë dhe të varfërohet, gjatë një fatkeqësie, mund ta humbë çdo gjë, gjatë një lufte, mund të përballet me shqetësime të ndryshme.
Ja pra, për të mos rënë në gjendje të vështirë përballë shqetësimeve të tilla të ngjashme, për të mos rënë në pesimizëm, agjërimi pothuaj kryen një edukim qëndrese, e bën njeriun të durojë fizikisht mungesën e plotësimit të nevojave të detyrueshme si ushqimi, e përgatit për të përballuar një sërë shqetësimesh që mund t’i bien në kokë papritmas, e aftëson njeriun për të përballuar më lehtë mundimet dhe vuajtjet. Në të njëjtën kohë, agjërimi formon njerëz të përkryer dhe idealë që nuk përkulen para shqetësimeve dhe vuajtjeve, që e zotërojnë veten, që përballë premtimeve që mund t’i bëhen, kurrë nuk heq dorë nga parimet që i njeh për të drejta e të vërteta.

13. Agjërimi ia mëson njeriut rregullin dhe rregullsinë
Besimtari që agjëron, kryen një vetedukim rregulli dhe rregullsie. Ngrënia-pirja në kohë të caktuara dhe respektimi i ndalimit të ngrënie-pirjes në kohë të tjera të caktuara, kryerja më me vëmendje e namazeve duke qenë i agjëruar në krahasim me kohët e tjera jashtë agjërimit, ngritja në syfyr në të njëjtën kohë bashkë me besimtarët e tjerë, falja e namazit të teravive, etj. të gjitha këto janë shkaqe më vete që e mësojnë dhe e stërvisin njeriun me rregullin dhe rregullsinë. Kështu, duke e vlerësuar dhe përdorur kohën në mënyrën më të mirë, besimtari e disiplinon jetën dhe përfiton prej saj në kuptim të plotë të fjalës.

—————————-

47 Hixhr, 15/26.
48 Saffat, 37/11.
49 Rahman, 55/14.
50 en-Nedvi, Dört Rükün, f. 194, 195.
51 Muhammed, 47/12.
52 Buhari, Tevhid, 35; Muslim, Sijam, 164; Tirmidhi, Sijam, 55; Nesai, Sijam, 41; Ibni Maxhe, Sijam, 1; Ahmed b. Hanbel, 1/446; Darimi, Savm, 50.
53 Tin, 95/4-6
54 Enbija, 21/27-28.
55 Tergib, 2/99.
56 Ibrahim, 14/34.
57 Bediuzzaman Said Nursi, isaratü’l-icaz, f. 94.
58 Tirmidhi, Davaat, 86; Ibni Maxhe, Sijam, 44.
59 Muslim, Dhikr, 73.
60 Tirmidhi, Davaat, 14.
61 Bakara, 2/183.
62 Buhari, Savm, 10; Ebu Davud, Nikah, 1; Nesai, Sijam, 43; Ibni Maxhe, Nikah, 1.
63 Buhari, Rikak, 23.
64 Buhari, Savm, 9; Nesai, Sijam, 42; Ahmed b. Hanbel, 2/273.
65 Buhari, Savm, 8.
66 Said Nursi, Mektubat, 29. Mektub, 7. Nükte (f. 423).
67  Munafikun, 63/8.

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply