ilmihali

Realizimin e jetës së ahiretit, Kurani e lidh edhe me një sërë shkaqesh të rëndësishme. Le t’i marrim me radhë për t’i shqyrtuar shkurt këto.

Shpërblimi i Adhurimit
Krijimi i njeriut ka qëllime të rëndësishme dhe është një e vërtetë e hapur se në këtë krijim janë shumë urtësi të Krijuesit të Lartë. Ne jetojmë në një botë që ndryshon pandërprerë dhe që rinohet çdo çast. Shohim se çdo gjë lëviz drejt një pike, drejt një fundi dhe që kjo pikë e fundit ku do të arrihet s’është tjetër gjë veç jetës së ahiretit ku do të fitojnë kuptim qëllimi i krijimit si dhe përpjekjet në këtë drejtim.
Duke u nisur nga kjo, mund të themi se nuk mund të mendohet që Allahu t’i lërë pa shpërblyer aktet e robve të Tij të mirë, sepse kjo do të thotë shfaqje e një situate që s’përputhet me urtësinë e Tij. Sepse në një situatë të tillë do të eliminohej dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes mbarësisë dhe prapësisë, përpjekja e njeriut që lufton mes të mirës dhe të keqes nuk do të kishte kuptim. Prandaj duhet të ekzistojë një jetë tjetër përtej kësaj jete, pas vdekjes, në mënyrë që njerëzit të mund të marrin përgjegjësen e akteve dhe punëve të mira të tyre. Është për këtë arsye që Kurani na e kujton se shpërblimi i atyre që shpalosin mirësi dhe bukuri, do të jetë, në të njëjtën mënyrë, mirësi dhe bukuri: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Rrahman, 55/60)
A është e mundur që Allahu i Lartë të mos japë shpërblim për sakrificat e një personi i cili në këtë botë e ruan veten nga haramet për hir të Allahut, i cili jeton me vetëdijen e hallallit dhe që pranon të përballojë çdo lloj barre për të drejtën dhe të vërtetën? Kurani e bën të ditur kështu përgjigjen e Allahut për robtë e Tij të cilët, duke iu drejtuar Zotit të tyre, i luten “t’ua japë shpërblimet që ua ka premtuar” (Al-i Imran, 3/194):
“Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.” (Al-i Imran, 3/195)
Gjithashtu, me këtë rast, në suren Murselat, Allahu i Lartë e ka deklaruar kështu faktin se atyre që e kanë kryer detyrën e robit ndaj Zotit sipas qëllimit dhe orientimit të krijimit, do t’u jepet xheneti me të gjitha të mirat dhe bukuritë e tij si shpërblim për sjelljen e tyre: “Kështu i shpërblejmë Ne ata që bëjnë vepra të mira…” (Murselat, 77/44)
Si përfundim, mund të themi se jeta e ahiretit do të ndodhë patjetër si shpërblim i adhurimit të kryer nga njeriu dhe marrje prej tij e vlerës së vërtetë të akteve dhe veprimeve të tij, ashtu dhe si realizim i qëllimeve dhe synimeve të krijimit: “Atë Ditë, njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre!” (Zilzal, 99/6).

Lexo  Rëndësia dhe vlera praktike e besimit mbi ahiretin për njeriun

Realizimi i Drejtësisë Absolute
Te çdo njeri i vjetër a i ri, i qytetëruar a i paqytetëruar, i ditur a i paditur, mbi çështjen e realizimit të drejtësisë të paarritur në këtë botë, ekziston një vetëdijshmëri, e ngjashme me frymëzimin mbi ekzistencën e një jete tjetër përtej kësaj bote.
Autoriteti i kësaj ndjenje të fuqishme e cila është e pamundur të shkulet e të hidhet nga natyra krijuese e njeriut, është, në analizë të fundit, Allahu i Lartë, origjinave e origjinave. Prandaj, si domosdoshmëri e kësaj ndjenje të shtresuar në natyrën e krijimit të njeriut, Zoti do ta ekzekutojë plotësisht një ditë vendimin e drejtësisë hyjnore dhe do të krijojë një fushë jete më të përsosur se kjo e sotmja.
Nisur nga kjo, na duhet të qëndrojmë mbi inkosekuencën e një qëndrimi të sjellë në rend të ditës në formën “vuajtja e ndërgjegjes dhe kënaqja e ndërgjegjes janë të mjaftueshëm për njeriun si ndëshkim dhe shpërblim, prandaj nuk ka nevojë për idenë e jetës së pasme”! Pretendimi i një qëndrimi të tillë “për të eliminuar nevojën e ndjerë për jetën e ahiretit” nuk ka asnjë themel të arsyeshëm. Bie fjala, po qe se një person vret një njeri të pafajshëm dhe, menjëherë pas krimit, vdes në një aksident automobilistik, nuk ka kohë (ose kur do të ketë kohë) për të vuajtur në ndërgjegje për krimin që kreu. Ose po qe se një person lufton për drejtësinë dhe të vërtetën dhe vritet, kur do të realizohet shpërblimi i kënaqësisë që duhet të ndjejë ai në ndërgjegje?
Shihet se në këtë botë nuk i jepet ndëshkim i plotë çdo faji dhe shpërblim i plotë çdo mirësie. Është për këtë arsye që pika e fundit ku e çon mendja njeriun, është domosdoshmëria e ekzistencës së ahiretit.
Kurani e trajton çështjen e jetës së pasme dhe llogaridhënien që do të ndodhë në të, në kuadrin e shpërblimit me drejtësi: “E kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë!” (Zilzal, 99/7-8)
“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne mjaftojmë si marrës në llogari!” (Enbija, 21/47).
Jeta e ahiretit ka një pozitë themelore dhe qendrore përsa i përket shfaqjes në kuptim absolut të drejtësisë hyjnore. Kurani e thekson në mënyrë të prerë se do të jetë e pamundur që njerëzit të cilët kanë ndjekur gjer në fund të jetës rrugë të ndryshme, të përballen pas vdekjes me të njëjtën pasojë si shpërblim ose ndëshkim dhe se nuk duhet ta presin këtë nga Allahu: “A mos pandehin ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i trajtojmë njëlloj me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Ç’gjykim i keq!” (Xhathije, 45/21)
“A mos tani Ne do t’i vlerësojmë muslimanët si mohuesit (qafirët)? Ç’po ndodh me ju? Si po gjykoni kështu?!” (Kalem, 68/35-36)
Allahu i Lartë do ta krijojë patjetër atë ditë që e ka premtuar. Sepse po qe se Ai nuk i miraton besimtarët që e kalojnë jetën në përputhje me qëllimin e krijimit dhe nuk i poshtëron mohuesit dhe mëkatarët që i ngrenë kurth jetës dhe prishin rregullin, kjo do të thotë se ka hequr dorë prej drejtësisë dhe urtësisë së Tij.
Shkurt, meqë si shumica e besimtarëve, ashtu dhe e mohuesve nuk e marrin përkatësisht shpërblimin dhe ndëshkimin në këtë botë, do të thotë se përfundimi i është lënë një gjykate të madhe!

Lexo  Dobitë e besimit mbi jetën e pasme

Dhënia Fund e Kontradiktave
Është një specifikë e njohur se, qyshprej krijimit të njeriut mbi tokë, e vërteta kuptohet në forma të ndryshme që bëhen shkak për mosmarrëveshje mes individëve dhe shoqërive. Këto kuptime të ndryshme janë bërë shkak për lindjen e shumë shoqërive, kulturave dhe bindjeve mbështetur mbi teori të ndryshme. Në çdo periudhë historike, përkrahësit e këtyre bindjeve kanë bërë përpjekje të mëdha për t’i përhapur idetë e pranuara dhe përvetësuara prej tyre!
Në këto kushte, çdo njeri me mend në kokë do të arrijë në përfundimin se këto kontradikta duhet të zgjidhen patjetër një ditë dhe se është e domosdoshme që të dalë në shesh se ç’është e drejtë e ç’është e padrejtë. Por ç’e do se duket sheshit që perdet që i mbulojnë të vërtetat nuk kanë për t’u hapur në këtë botë dhe që çdo gjë nuk do të shpaloset sheshit. Sepse struktura e ngritur mbi këtë botë nuk e lejon këtë. Atëherë, duhet një botë dhe jetë tjetër që do ta plotësonte këtë nevojë.
Qoftë paragjykimet si kryeneçësia dhe urrejtja, qoftë kontradiktat e prodhuara prej qëndrimeve mendore të gabuara është e pamundur të zgjidhen as në kuvendet e fjalës, as dhe në sheshet e luftës. Atëherë, duhet një ditë kur çdo gjë të vendoset me një konkluzion të prerë dhe përfundimtar në mënyrë që njerëzit të mundin ta mësojnë fytyrën e brendshme të së drejtës dhe të shtrembrës që qëndrojnë nën debatet ku kanë qenë zhytur gjatë gjithë jetës, gjë që mund të realizohet vetëm para Allahut që e di dhe e vëzhgon çdo gjë më mirë se kushdo.
Kjo specifikë që përbën domosdoshmërinë e jetës së ahiretit, shpjegohet kështu në suren Nahl:
“Idhujtarët betohen solemnisht për Allahun, se Ai kurrë nuk do t’i ngjallë të vdekurit. Nuk është kështu! Premtimi i Tij është i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Ai do t’i ringjallë) që t’u tregojë atë, për të cilën nuk pajtohen dhe që mohuesit ta kuptojnë se kanë qenë gënjeshtarë.!” (Nahl, 16/38-39)
Në këtë ajet, Allahu i Madh, pasi e bën të ditur ringjalljen pas vdekjes si një premtim të marrë përsipër prej Tij, tregon edhe se për ç’shkak e ka marrë përsipër. E para, për t’ua bërë të ditur atyre të vërtetën mbi të cilën kanë rënë në kontradiktë, e dyta, për t’ua treguar mohuesve se me të vërtetë janë gënjeshtarë.
Kurani e cilëson atë ditë si ditën kur do të trajtohen dhe vlerësohen jo vetëm fjalët dhe aktet, por edhe qëllimet dhe synimet e fshehta të njeriut:
“Atë ditë të gjitha të fshehtat do të dalin sheshit!” (Tarik, 86/9)

Ndajeni me miqtë tuaj...