ENGJËJT DHE DETYRAT PËRKATËSE

0

Xhebraili

Është emri i përveçëm i engjëllit të vahjit (revelacionit hyjnor). Përmendet në tri vende të Kuranit si Xhibril. Veç kësaj, në ajete, Xhebraili përmendet edhe me emra, si “ruh”, “ruhena”, “resulun kerim”, “resulu rabbik”, “ruhul emin”, “ruhul kudus”. Kurse në një hadith, veç këtyre, emërtohet edhe si “en-Namus”.

 

Mikaili

Si njëri prej katër engjëjve të mëdhenj, është caktuar nga ana e Allahut si ndërmjetës për administrimin e ngjarjeve në gjithësi dhe të furnizimit të krijesave me ushqimin jetësor (rizk). Në Kuran i përmendet emri vetëm në një ajet.

 

Israfili

Emri i këtij engjëlli nuk përmendet hapur në Kuran. Në ajete vetëm njoftohet se do t’i fryhet bririt (sur). I përmendet emri në hadithe si njëri nga emrat e katër engjëjve të mëdhenj.

 

Azraili

Detyra e tij është të marrë në dorëzim shpirtrat e atyre që u ka ardhur çasti i fundit. Në Kuran është përmendur si “engjëlli i vdekjes”.

 

Engjëjt Kiramen Katibin (engjëjt shkrues)

Është emërtimi i dy engjëjve që ndodhen në të djathtë e në të majtë të njeriut. Engjëlli në të djathtë ka për detyrë të shënojë aktet dhe sjelljet e mira, kurse engjëlli në të majtë ka për detyrë të shënojë aktet dhe sjelljet e këqija. Këta engjëj që emërtohen edhe engjëj të kujtesës, do të dëshmojnë edhe për punët gjatë llogaridhënies ditën e kiametit.

 

Engjëjt Mukarrebun (engjëjt e afërm)

Këta engjëj të përmendur edhe si il’lijjun dhe kerubijjun, të ngarkuar me detyrën e përmendjes dhe madhërimit të Allahut, ndodhen pranë Tij dhe në një pozitë të nderuar në lartësinë e Tij.

 

Engjëjt Hamele-i Arsh (bartësit e arshit)

Është emri i engjëjve që bartin arshin. Në Kuran flitet kështu për ta:

“Ata (engjëjt) që e bartin arshin (Fronin) dhe që ndodhen rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me lavdërim dhe falënderim dhe i besojnë Atij!”

 

Munker dhe Nekir

Janë dy engjëj të ngarkuar me detyrën e hetimit pas vdekjes, në varr. Munker dhe Nekir që do të thonë “i panjohur, i padalluar, i papëlqyer”, i kanë marrë këta emra për shkak se i shkojnë njeriut në varr në një mënyrë krejt të padallueshme. Këta dy engjëj e pyesin të vdekurin në varr, “kush është Zoti yt?”, “kush është Profeti yt?”, “kush është libri yt?”, dhe pastaj e trajtojnë njeriun sipas përgjigjeve që marrin prej tij.

Në hadithet profetike tërhiqet vëmendja edhe për engjëjt që i frymëzojnë njeriut në zemër të drejtën dhe të vërtetën, për engjëjt që thonë “amin” në fund të Fatihas së bashku me njerëzit që falin namaz, për engjëjt që ndodhen çdo ditë bashkë me njerëzit në namazet e sabahut dhe ikindisë, për engjëjt që zbresin mbi tokë gjatë këndimit të Kuranit, për engjëjt që vizitojnë kuvendet e diturisë dhe dhikrit dhe luten për mëshirë për besimtarët.

 

Mbrojtja e njerëzve nga ana e engjëjve

Allahu e mbron njeriun drejtpërdrejt, por mundet ta mbrojë edhe me anë të engjëjve; para së gjithash, kjo varet nga dëshira e Allahut. Disa herë ndodh që një fëmijë të bjerë nga kati i dhjetë dhe të mos pësojë asgjë. Për njerëzit, besimi i tyre, nënshtrimi ndaj Allahut, pajisja shpirtërore, afërsia ndaj Allahut, konfidenca ndaj botëve metafizike, gjendja ku ndodhet janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë pozitivisht për të qenë në dialog me engjëjt dhe për të marrë ndihmën e tyre.

Siç kuptohet edhe nga shprehjet e haditheve profetike, ngritja e lidhjeve shpirtërore nga engjëjt me njerëzit dhe shërbimi si mbështetës i tyre varet nga sjelljet, qëndrimet dhe punët e mira që do të shfaqnin njerëzit.

 

Ndikimet e besimit te engjëjt në jetën e njeriut

Ashtu si besimi te Allahu dhe te jeta e pasme, edhe besimi te ekzistenca e engjëjve pasohet me reflektime dhe ndikime shumë të rëndësishme në jetën e njeriut.

Këto mund t’i përmbledhim kështu:

Personi që u beson engjëjve asnjëherë nuk e ndjen veten të vetmuar. Edhe në kohët kur është më i vetmuar, ai e di se ka pranë engjëjt dhe, me anë të frymëzimit shpirtëror që ndjen nga prania e tyre, e kthen vetminë në një afërsi të ngrohtë. Duke krijuar një lloj shoqërie shpirtërore me ata miq të padukshëm, njeriu gjen prehje e qetësi.

Me aspektin si frenues i pasioneve sensuale dhe egoistike të njeriut besimtar, për rrjedhojë si lehtësues i marrjes nën kontroll të jetës nga ana e tij, besimi te engjëjt ka një ndikim të rëndësishëm. Besimtari që e di dhe mendon se ndodhet çdo çast nën kontrollin dhe shoqërimin e engjëjve, edhe do të ketë turp, edhe do të druhet të ecë drejt mëkatit.

Si simbol i bukurisë shpirtërore dhe i delikatesës morale, besimi te engjëjt zotëron edhe një ndikim të rëndësishëm nxitës dhe inkurajues në synimin e besimtarit për t’u ngjarë engjëjve. Fakti që, në praktikë, për njerëzit që bëjnë jetë të pastër, që kanë një natyrë të butë e që sillen me butësi ndaj të tjerëve, përdoret shprehja “si engjëll”, tregon ndikimet pozitive të besimit te engjëjt në jetën e njeriut.

Ndajeni me miqtë tuaj...

Leave A Reply