Kuptimi dhe rëndësia themelore e secilës normë islame, është fisnikërimi, humanizmi dhe përsosmëria e njeriut. Prandaj, myslimanët, duke kryer disa nga ceremonitë fetare, kanë për detyrë që, para së gjithash, t’i afrohen sa më shumë që është e mundur parimit universal islam, i cili në Kur’an dhe në Sunet shpesh është i shprehur si “mut-tekun”, shprehje e cila ka të bëjë me “takva”, që do të thotë devotshmëri, besim dhe religjiozitet.
Secilin mysliman/myslimane Kur’ani e detyron që të sillet si i ka hije dhe si i përgjigjet një qenie të arsyeshme. Besimtarët e kanë për detyrë që të përpiqen vazhdimisht të rendin kah arritja dhe realizimi i të vërtetave. Edhe kurbani është në funksion të një rendje të tillë. Kuptimin dhe rëndësinë e detyrës së kurbanit, më së miri e shpjegon ajeti 37 i sures Haxh, ku thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…”, që Allahu e vë në pah shumë qartë se tek Ai nuk arrin asgjë nga ajo që jepet për Të dhe në emër të Tij, po qe se nuk është rezultat i besimit dhe bindjes ndaj Tij.
Në suren En-am vërtetohet se kurbani, secila lutje, secila sakrificë, jeta dhe vepra i takojnë Një të Vetmit. Në këtë frymë jetuan e vepruan Ibrahimi dhe Muhamedi a.s., si dhe të gjithë profetët e tjerë.
Për kurbanin në Kur’an nuk flitet shumë dhe shpesh. Nga Kur’ani shihet se kurbani ishte urdhëruar qysh Ademit, njeriut dhe pejgamberit të parë si dhe familjes së tij: “Lexoju (o Muhamed) atyre ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbane, nga të cilët njërit iu pranua, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “Allahu pranon vetëm prej të sinqertëve” (Maide, 27). Ky ajet tregon se institucioni i kurbanit daton që nga koha e Ademit, por vë në pah se, përveç kurbanit, duhet të jetë sinqeriteti dhe kërkon që kurbani të bëhet vetëm në emër të Allahut.
Në ngjarjen e njohur për Ibrahimin dhe Ismailin a.s. në Kur’an flitet më bindshëm për dimensionin shpirtëror (të brendshëm) të kurbanit, ku thuhet: “Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të ther ty. Shiko pra, çka mendon ti? Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të duruarve! E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe (ai) e përmbysi atë në fytyrë (në ballë), Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim! Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë një kujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm. Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi. Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë besimtarë!” (Safat, 101-111)
Sprova e Ibrahimit qe e madhe dhe e pashembullt në histori, por ai pa kurrfarë kundërshtimi iu përgjigj thirrjes së Allahut. Për këtë u shpërblye me afërsinë e tij tek Allahu; u quajt “miku i Allahut”, si dhe kujtimin dhe veprën e tij do ta ruajnë të gjitha gjeneratat.
Pejgamberi a.s. në fjalën dhe veprën e vet ka treguar kohën, mënyrën dhe lëndën e kurbanit, si dhe ka folur për rëndësinë dhe seriozitetin e plotë që ka ai.
Ibn Abasi tregon se Pejgamberi në ditën e Kurban Bajramit iu drejtua besimtarëve me fjalët: “Në këtë ditë njeriu nuk mund të bëjë ndonjë punë më të mirë sesa të therë kurban, përveç që të vizitojë farefisin dhe miqtë.”
Seid bin Musejeb përcjell se Muhamedi a.s. ka thënë: “Allahu krenohet para engjëjve me tri melodi: me melodinë e ezanit, me melodinë e tekbirit dhe me melodinë e telbijes.”
Sipas komentuesve islamë tekbiri ka zënë fill në momentet kritike të sprovës së Ibrahimit, kur vendosi që ta flijojë të birin në emër të Allahut, dhe kur engjëlli Xhibril, me dëshirën e Krijuesit të madhëruar, ia bie dashin si zëvendësim për viktimizimin e Ismailit. Atëherë Ibrahimi thirri: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”. Kur dëgjoi këto fjalë Ismaili u përgjigj: “La ilahe il-lallah ue llahu ekber”, ndërsa Ibrahimi shtoi: “Allahu ekber ue lil-lahil-hamd” (Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Allahu është më i madhi dhe Atij i takon gjithë falënderimi.)
Subjekti i flijimit (kurbani) dhe sistemi i flijimit ndryshojnë te popujt e ndryshëm. Por, te të gjithë është i rëndësishëm segmenti i përbashkët: “Ne i kemi caktuar secilit popull vend-therjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e Allahut për arsye se i furnizon ata me kafshët. Zoti juaj është vetëm Një, andaj vetëm Atij dorëzojuni, dhe përgëzoji të dëgjueshmit, të cilët kur përmendet Allahu, u dridhen zemrat e tyre, të cilët janë të durueshëm ndaj asaj që i godet, të cilët rregullisht e falin namazin dhe të cilët për qëllime të dobishme japin nga ajo me të cilën i furnizuam Ne!” (Haxh, 34-35). Për Zotin është me rëndësi akti i zemrës, qëllimi i flijimit, ndërsa vetë sakrificën e vë në plan të dytë.
Islami me Kur’anin plotësohet dhe e merr formën e vet të fundit dhe të përhershme. Muhamedi a.s. është i fundit nga mësuesit e mëdhenj të besimit në një Zot, dhe vazhdues i traditës e cila shpie gjer te Ibrahimi dhe Ismaili a.s., si dhe trashëgimtari i tyre shpirtëror. Është plotësisht e kuptueshme që disa urdhra dhe institucione të vendosura nga Ibrahimi a.s., si p.sh. haxhi, të bërit synet dhe kurbani, gjejnë zbatim të plotë nga Islami. Prandaj praktika islame e flijimit daton nga Ibrahimi a.s., nga ai moment madhështor kur ky hero i vërtetë i historisë njerëzore, vendosi të flijojë djalin e tij, duke iu nënshtruar urdhrit të Allahut, i cili iu transmetua në ëndërr.
Shembulli i Ibrahimit paraqet rastin e ngritjes më të lartë shpirtërore dhe vullnetit të pathyeshëm, i cili të çliron nga çdo gjë që paraqet pengesë në rrugën e përgjegjësisë dhe të njeriut të ndërgjegjshëm.
Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç komponencës shpirtërore të kurbanit, është e rëndësishme dhe komponenca sociale e tij, ndihma për tjetrin që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.
/Revista Drita Islame, Shtator 2014/