Dëshmia e besimit përbën aktin e parë të hyrjes në Islam, sepse katër shtyllat e tjera, janë në një farë mënyre “deklarimet e zbatuara” apo “besim i zbatuar në praktikë.” Shehadeti është shprehja bazë e Islamit, e cila përmbledh pohimin se “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.” Kushti i të qenit mysliman, përcaktohet thjesht nga një shqiptim i sinqertë i kësaj dëshmie, me anë të së cilës, një person “bëhet dëshmitar” i ekzistencës së Allahut dhe i faktit se nuk ekziston asnjë Zot tjetër përveç Tij që duhet adhuruar dhe i profetësisë së Muhamedit, duke përqafuar në këtë mënyrë Islamin si fe të vërtetë dhe mënyrë jetese. Pavarësisht shkurtësisë dhe thjeshtësisë së saj, kjo dëshmi bën thirrje për ndryshim në mënyrën se si një person e koncepton kozmosin dhe vetveten. Në vend që gjithçka t’ia atribuojë natyrës, fatit apo vetes së tij, kur bëhet mysliman, një person i nënshtrohet Vullnetit të Allahut me ndërgjegje të plotë, vullnet të lirë dhe me të drejtën e zgjedhjes, kështu që ai është i ndërgjegjshëm për nënshtrimin vullnetar të tij ndaj Allahut.

Një person konsiderohet mysliman sapo shqipton këtë frazë. Megjithatë, “qenia dëshmitar” në thelb nuk përbën vetëm një pohim verbal që bëhet vetëm një herë. Të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe myslimanët, nxiten për të mbajtur besimin e tyre të freskët duke rikujtuar vazhdimisht këtë pohim gjatë rrjedhës së jetës së tyre. Kurani u bën thirrje myslimanëve që e kanë deklaruar besimin e tyre dhe e praktikojnë, të mos pushojnë së përpjekuri në rrugën e besimit.

O ju që besuat! Besoni Allahun, të Dërguarit të Tij, Librit që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librit që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librave e Tij, të Dërguarit e Tij dhe botën tjetër, ai me të vërtetë ka humbur larg prej udhës së drejtë. (Nisa 4:136)

Në të vërtetë, feja nuk konsiston thjesht në një pohim, pranim apo dëshmi. Ashtu sikurse ekzistojnë nivele të panumërta dhe gradë të ndryshme në shfaqjen e diellit, që nga shfaqjet e dritës dhe nxehtësisë së tij në të gjitha sendet në tokë, nën efektin e pasqyrimit të rrezeve në hënë dhe pastaj tek vetvetja, në të njëjtën mënyrë edhe besimi mbart në vetvete nivele dhe shkallë të panumërta, duke filluar që nga perceptimi i thjeshtë i bazuar mbi arsyen dhe pohimin në zemër, e deri tek gradët e depërtimit në të gjitha pjesët dhe degët e trupit që ai kontrollon, si dhe shkallët që drejtojnë gjithë jetën e një personi – duke filluar që nga besimi i një njeriu të zakonshëm e deri tek besimi maksimal, karakteristikë e profetëve. Grada apo niveli i parë i fesë, është thjesht besimi në themelet e përmendura në ajetin e mësipërm; pastaj, vjen zgjerimi gradual i besimit dhe qëndrimi i palëkundur në të. Kjo është arsyeja përse Kur’ani zakonisht urdhëron apo ndalon diçka pas adresimit me fjalët: “O ju që besuat!” Një dëshmi e plotë besimi kërkon bindje ndaj këtyre urdhrave, gjë që i bën ata të jenë më të fortë dhe më në brendësi të besimit.

Besimi në thelb është bindja e zemrës; megjithatë, për integrimin e dëshiruar brenda shoqërisë muslimane, është e këshillueshme të deklarohet besimi përpara syve të dëshmitarëve. Kështu, një musliman i ri përfiton mbështetje dhe ndihmë nga bashkësia, në mënyrë që besimi i tij të rritet dhe të stabilizohet.

I Dërguari i Allahut ka thënë: Cilido që dëshmon se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është Robi dhe i Dërguari i Tij dhe se Isai (a.s.) është robi i Allahut dhe i biri i një gruaje e cila ishte shërbëtorja e Tij dhe se ishte fjala e Tij ajo që e ngjizi atë tek Merjemja dhe Ai i dha shpirt, dhe se xheneti është i vërtetë dhe xhehenemi është i vërtetë, Allahu do ta fusë atë në xhenet nga cilado prej dyerve që ai dëshiron (në përputhje me veprat e tij).” 35

Në një rast, Profeti ishte ulur dhe po rrinte në një kopsht. Ai i tha njërit prej sahabëve të tij: “Kur të takosh ndokënd jashtë këtij kopshti që të dëshmojë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut duke qenë i bindur me zemër për atë që thotë, jepi atij sihariqin e parajsës”36

Në një rast tjetër, i Dërguari i Allahut tha: “Allahu ia ka ndaluar zjarrin e xhehenemit cilitdo që thotë ‘Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut’ (La ilahe i’lallah), duke kërkuar në këtë mënyrë kënaqësinë e Allahut.”37

Ndajeni me miqtë tuaj...