Si në çdo gjë, edhe te agjërimi janë disa çështje që duhen bërë kujdes. Për të marrë kënaqësinë e këtij adhurimi në kuptimin e vërtetë të fjalës, për të treguar vlerësim për gjërat e duhura gjer në pikat më të imta, u duhet kushtuar kujdes këtyre veçantive.
Ngritja në syfyr qoftë edhe për një kafshatë
Syfyr quhet ushqimi që hahet në kohën mes mesnatës dhe zbardhjes. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka këshilluar ngritjen në syfyr dhe ngrënien qoftë edhe të një kafshate dhe ka thënë se në syfyr ka begati dhe se për ata që ngrihen në syfyr, bëjnë lutje engjëjt. Sipas rrëfimit (rivajetit) të Ebu Said el-Hudriut (r.a.), Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë kështu: “Në syfyr ka bereqet. Kurrsesi të mos rrini pa u ngritur në syfyr qoftë edhe për të pirë një të gëlltitur ujë, sepse Allahu (xh.xh.) i mëshiron dhe engjëjt bëjnë lutje për ata që ngrihen në syfyr!”[1]
Syfyr do të thotë ngritje nga gjumi, do të thotë që besimtarët të jenë të zgjuar pa zbardhur. Kjo është koha më prodhimtare dhe më e begatë. Kjo begati mund të jetë në forma dhe aspekte të ndryshme: të veprosh sipas sunetit të Profetit paqja qoftë mbi të, të fitosh fuqi dhe forcë me anë të syfyrit për agjërimin dhe adhurimet e tjera, të jesh tërë gjallëri, të bëhesh pengesë për sjelljet e ashpra e të pahijshme që mund të shkaktojë uria e fortë (për shkak të mosngritjes në syfyr dhe mosngrënies), të krijosh mundësi për të bërë lutje dhe për ta përmendur Allahun. Gjithashtu, syfyri është koha kur lutjet e bëra, namazet e falura dhe këndimet e Kuranit arrijnë te Zoti.
Vonimi i syfyrit
Njëra nga sjelljet që kërkohet të trajtohet me vëmendje nga personi që agjëron, është ta shtyjë syfyrin gjer në kohën e fundit të tij. Në këtë shtyrje është mëshira dhe dhembshuria e Profetit paqja qoftë mbi të për umetin e tij. Disa trupa, organizma, mund të vuajnë me të tepërt nga të pangrënët për një kohë të gjatë. Prandaj, shtyrja e syfyrit gjer në kohën më të fundit të tij siguron sadopak shkurtimin e periudhës ditore të agjërimit. Në mënyrë të veçantë, ngritja në syfyr në fillim të natës (në mesnatë) ose pak më vonë, por shumë më herët se koha e syfyrit afër zbardhjes, mund të bëhet shkak për kapërcimin e namazit të agimit, kurse ngritja në syfyr në një kohë afër zbardhjes, jo vetëm përmban të mirat e përmendura më sipër, por edhe e zvogëlon në minimum mundësinë e kapërcimit të namazit të agimit, koha e të cilit fillon me zbardhjen. Në lidhje me këtë temë, Profeti ynë paqja qoftë mbi të ka porositur: “Për sa kohë që do ta shpejtojë iftarin dhe do ta shtyjë syfyrin, umeti im do të ketë mbarësi!”[2]
Shpejtimi në iftar
Është sunet që personi që agjëron ta çelë agjërimin dhe të hajë iftar sapo të hyjë koha e akshamit (perëndimit të diellit) që është edhe koha e namazit të akshamit. Megjithëse koha e faljes së namazit të akshamit është shumë e kufizuar dhe se duhet falur sapo t’i hyjë koha, Profeti paqja qoftë mbi të në fillim hante iftar, pastaj falte namazin. Në shpejtimin e çeljes dhe ngrënies së iftarit ka mëshirë dhe dhembshuri për njerëzit. T’i lësh të detyruar njerëzit që kanë ndenjur të uritur nga mëngjesi gjer në mbrëmje, të mos hanë iftar kur t’i vijë koha, por ta shtyjnë edhe më, kjo gjë është vështirë të pajtohet me dhembshurinë e gjerë të Islamit. Prandaj Profeti e ka nxitur umetin të nxitohet në iftar dhe e ka vënë atë para namazit. Gjithashtu, në një hadith Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Për sa kohë që njerëzit të vazhdojnë të nxitohen në iftar, do të kenë mbarësi!”[3]
Hapja e iftarit me ujë ose me hurma
Është sunet që iftari të hapet me ujë apo me hurma. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të, po të kishte hurma, e hapte iftarin me to, përndryshe e hapte me ujë. Pastaj falte namazin e mbrëmjes. Siç na përcjell Hz. Enesi (r.a.), “I Dërguari i Allahut, para se të falte namaz, çelte iftar me disa kokrra hurma të njoma; po të mos kishte të njoma, hapte me hurma të thata dhe, po të mos kishte as hurma të thata, pinte disa të gllënjka ujë.”[4]Kurse sipas rivajetit të Sulejman b. Amrit, i Dërguari i Allahut ka porositur kështu: “Kush nga ju që të jetë i agjëruar, të bëjë iftar me hurma. Po të mos gjejë dot hurma, të bëjë iftar me ujë se uji është shumë pastrues!”[5]
Lutje në kohën e iftarit
Janë disa njerëz, lutjet e të cilëve marrin përgjigje, lutjet u plotësohen, ata nuk kthehen duarbosh. Ja pra, njëri nga këta është personi i agjëruar i cili në kohën e iftarit i hap duart drejt Zotit dhe i lutet. Profeti ynë paqja qoftë mbi të ka thënë: “Janë tre vetë, lutjet e të cilëve nuk kthehen prapë: lutja e agjëruesit në kohën e iftarit, lutja e imamit të drejtë dhe lutja e viktimës!”[6]Lutja që bënte Profeti paqja qoftë mbi të në iftar ishte kështu: “Allahu im, për pëlqimin tënd agjërova, me atë që më dhe Ti, çela. Etja shkoi, damarët u njomën. Inshaallah edhe shpërblimi dhe mirësia m’u caktuan!”[7]
Shmangia nga të këqijat
Personi që agjëron duhet t’ua mbyllë derën gjer në fund të gjitha të këqijave, kurrsesi s’duhet t’u japë “leje kalimi” atyre. Për këtë ai duhet të ruhet e të veprojë si më poshtë.
Ruajtja e syrit
Syri është një nga organet më të çmuar që i ka dhënë Allahu njeriut. Syri ose sytë janë ato që i japin mundësi njeriut të shohë, të mendojë mbi ato që sheh, të krijojë lidhje me botën e jashtme. Nëpërmjet syve kalojnë në tru mbresat, ndijimet dhe ndjenjat që i shoqërojnë ato. Mund të thuhet se porta e parë e tyre janë sytë. Veçanërisht kur është i agjëruar, njeriu duhet t’i ruajë sytë nga gjërat haram që janë si shigjeta të helmatisura, nga gjërat e kota që mund t’ia preokupojnë ndjenjat. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka tërhequr vëmendjen mbi mëkatet që mund të fitohen me anë të shikimit, duke thënë: “Shikimi në haram është një shigjetë e helmatisur e djallit të mallkuar. Kush shmang shikimet nga harami për shkak të frikës ndaj Allahut, Allahu (xh.xh.) i fal atij një besim, ëmbëlsinë e të cilit ta ndjejë në zemër!“[8]
Ruajtja e gjuhës
Gjuha duhet ruajtur nga gënjeshtra, nga përfolja pas shpine, nga përmendja e të metave të të tjerëve; gjuha duhet shtrënguar, duhet mbajtur nën kontroll për t’iu shmangur grindjes dhe zënies. Krahas kësaj, gjuha duhet për t’u marrë me këndim Kurani, me kujtimin e botës shpirtërore, me leximin e veprave që nxisin për meditim. Personi që agjëron, nuk duhet të shkaktojë grindje, zënie e zhurmë, nuk duhet t’i përgjigjet atij që e shan, nuk duhet të mbajë qëndrime ose sjellje prej injorantësh. Po qe se e sulmon dikush, duhet t’i thotë se agjëron, se nuk do t’i përgjigjet e nuk do të ngatërrohet me të. Profeti ynë paqja qoftë mbi të na ka porositur:
“Agjërimi është mburojë për besimtarin. Kur të jeni të agjëruar, të mos thoni fjalë të këqija (të mos përmendni gjëra të këqija), të mos bëni veprime prej injorantësh. Po qe se dikë nga ju e shajnë ose e qëllojnë, të thotë: “Unë jam i agjëruar”![9]
Personi i cili, megjithëse është i agjëruar, zhytet në një sërë thashethemesh, nuk e zotëron dot gjuhën, i cili mjaftohet vetëm duke mos i futur gjë stomakut, mbetet i privuar nga shpërblimi që vjen nga agjërimi. Edhe këtë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të e ka shprehur me këto fjalë: “Allahu nuk ka nevojë për ndenjjen pa ngrënë e pa pirë të dikujt i cili nuk i lë gënjeshtrën dhe veprimin me fjalë të gënjeshtërta!”[10]Kurse në një vend tjetër shprehet kështu: “Sa njerëz ka që agjërojnë, të cilët nuk kanë ndonjë përfitim tjetër nga kjo, veçse të vuajnë të uritur e të etur. Dhe sa njerëz ka që ngrihen natën e bëjnë adhurim nafile, të cilët nuk kanë ndonjë përfitim tjetër nga kjo, veçse të mbeten pa gjumë!”[11]
Ruajtja e veshit
Edhe veshët që Allahu ua ka dhënë njerëzve si një amanet të çmuar, duhen mbajtur mbyllur ndaj gjërave të shëmtuara si gënjeshtra, përfolja pas shpine e thashethemet, duhen shmangur nga vendet ku bëhen biseda të tilla; kështu duhet të veprojë besimtari. Dëgjimi i një gjëje, përmendja e së cilës ose diskutimi mbi të cilën është i shëmtuar, është po aq i shëmtuar. Me këtë shprehje të shenjtë të tij, Kurani e ka parë shumë të shëmtuar dëgjimin e gënjeshtrës, përkushtimin për të dëgjuar fjalë, thënie ose biseda të gënjeshtërta: “Ata vazhdimisht dëgjojnë gënjeshtra dhe hanë haram!”[12]
Ruajtja e organeve të tjera
Njeriu, veçanërisht ai që agjëron, duhet t’i ruajë të gjitha organet nga mëkatet dhe, për t’i ruajtur ato, duhet të lëvizë e të veprojë me aq kujdes e vëmendje sikur të ishte duke ecur mbi një fushë të minuar. Shkurt, njeriu duhet t’i fusë në blind duart, këmbët, kokën, veshët, sytë për t’i mbrojtur nga shigjetat që mund t’i vijnë nga djalli dhe të përpiqet të mos preket prej tyre. Burrat e mëdhenj të Islamit e kanë ndarë agjërimin në tri gradë:
1) Agjërimi i popullit (avam): Ky agjërim është ruajtja e stomakut dhe organeve të riprodhimit nga kërkesa dhe epshi; me fjalë të tjera ruajtja e vetes nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet seksuale.
2) Agjërimi i parësisë (havass): Ky agjërim është ruajtja e organeve si veshët, sytë, gjuha, duart, këmbët, etj., nga mëkatet.
3) Agjërimi i parësisë shpirtërore (ahassul havass): Eshtë pengimi i zemrës nga synimet fetare dhe mendimet tokësore, për rrjedhojë largimi nga zemra i çdo gjëje tjetër veç Allahut. Sipas njerëzve të kësaj grade shpirtërore, agjërimi i tyre prishet po qe se mendojnë tjetërkënd veç Allahut dhe tjetër gjë veç ditës së kiametit. Edhe po qe se mendojnë gjërat e kësaj bote që nuk i kushtohen fesë, agjërimi i tyre prishet.[13]
Këndimi i Kuranit
Kurani, burimi i orientimit dhe i rrugës së drejtë për besimtarët, është një libër që gjithmonë duhet lexuar, duhet menduar dhe medituar mbi të. Besimtarët myslimanë kanë nevojë për Kuranin sa ç’kanë për ajrin, ujin dhe bukën. Profeti ynë paqja qoftë mbi të e ka kaluar gjithë jetën e vet duke ua tërhequr njerëzve vështrimin dhe vëmendjen mbi Kuranin. E ka kënduar dhe përsëritur vetë, herë-herë i ka vënë edhe sahabet, shokët e tij, ta këndojnë dhe i ka dëgjuar. Në kohët kur ka qenë i agjëruar, veçanërisht në ramazan, ka treguar një përkushtim më të madh ndaj Kuranit, e ka kënduar shumë atë. Edhe besimtarët myslimanë, si umeti i profetit Muhamed paqja qoftë mbi të, duhet të jenë të lidhur ngushtë me Kuranin, veçanërisht në ramazan, duhet të ndriçohen nga klima e tij e ndriçuar. Këndimi i Kuranit ka një vend të posaçëm veçanërisht në ramazan. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të në ramazan merrej me Kuranin më shumë se zakonisht, e këndonte dhe meditonte mbi të, sepse në këtë muaj ia kishte zbritur Allahu Kuranin atij! Çdo natë të ramazanit, Profeti paqja qoftë mbi të bashkë me Xhebrail Eminin mësonin së bashku Kuran. Dhe në çdo ramazan e bënin së bashku Kuranin mukabele (e këndonin dhe e dëgjonin me radhë) nga kreu në fund. Edhe atë vit që do të ndërronte jetë Profeti, kjo mukabele pati ndodhur dy herë. Ibni Abasi flet për këtë në një hadith që e përcjell:
“I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ishte më bujari i njerëzve. Kurse koha kur bujaria e tij arrinte kulmin, ishte koha kur takohej me Xhebrailin në ramazan. Gjatë çdo nate të ramazanit, ai takohej me Xhebrailin dhe e mësonin Kuranin së bashku. Në të mirë, Profeti ishte më i fuqishëm se era që fryn me vrull![14]
[1] Ahmed b. Hanbel, 3/12, 32, 44, 99.
[2] Ebu Davud, Savm, 21; Ahmed b. Hanbel, 2/450.
[3] Buhari, Savm, 45; Muslim, Sijam, 48; Tirmidhi, Savm, 13; Ibni Maxhe, Sijam, 24; Darimi, Savm, 11.
[4] Ebu Davud, Savm, 21; Tirmidhi, Savm, 10; Ahmed b. Hanbel, Musned, 3/164.
[5] Ebu Davud, Savm, 21; Tirmidhi, Savm, 10; Ibni Maxhe, Sijam, 25; Darimi, Savm, 12.
[6] Tirmidhi, Daavat, 130.
[7] Ebu Davud, Savm, 22.
[8] Hakim, Mustedrek, 4/314.
[9] Buhari, Savm, 2; Muslim, Sijam, 161; Ebu Davud, Savm, 25; Tirmidhi, Savm, 54.
[10] Buhari, Savm, 8; Ebu Davud, Savm, 25; Tirmidhi, Savm, 16; Ibni Maxhe, Sijam, 21.
[11] Ibni Maxhe, Sijam, 21.
[12] Maide, 5/42.
[13] Gazali, ‹hya, 1/659, përkth. A. Serdaro€lu, ‹stanbul, 1974.
[14] Buhari, Bed’ul vahy, 5, 6; Savm, 7; Menakib, 23; Muslim, Fedail, 48, 50.