Haxhi ka kuptimin e të synuarit, të orientuarit. Sidoqoftë, nuk është e saktë që kjo të merret në kuptimin e synimit absolut apo të drejtimit abstrakt. Haxh quhet të vizituarit e një numri vendesh të caktuara brenda një hapësire kohore të caktuar sipas disa rregullave të caktuara; çka pohohet se përkon, në ditë të caktuara të vitit, pasi është hyrë në ihram me nijetin e kryerjes së haxhit, me të ndalurit në Arafat dhe me të kryerit e tavafit në Qabe. Ihrami është kusht i haxhit, ndërsa të ndalurit dhe tavafi janë ruknet e tij.

Çdo vit, nga të katër anët e botës, me qindra mijëra njerëz i drejtohen Shtëpisë së Allahut në një hapësirë të bekuar kohe dhe.. mbështetur në ca rregullsi të veçanta.. vizitojnë disa vende të caktuara prej Zotit të Ligjësive të Shenjta.. çojnë në vend detyrën e tyre dhe pastrohen prej mëkatesh; një detyrë që me urdhrin e lartë “Vizita e Shtëpisë së Allahut, për këdo që ka mundësi, është e drejtë e Allahut ndaj tij”, si njëra ndër pesë shtyllat themelore të Islamit, është caktuar si domosdoshmëri për këdo që i ka mundësitë.

Haxhi, si një simbol i Islamit që larton e shpërfaq bashkimin shoqëror mes myslimanëve, është aq madhështor e gjithëpërfshirës, saqë gjerësia dhe hapësira e tij nuk është e mundur të vërehet në asnjë tjetër vend a bashkësi në faqe të dheut. Qabeja, me atë domethënie e shenjtëri të thellë, e shtrirë që në kohërat përpara Hz. Ademit dhe krijimit të tij.. e më pas e rishfaqur dhe e rindërtuar me Hz. Ibrahimin kush e di për të satën herë, e lidhur me kombin ibrahimik, si bashkëshoqëruese e lartësisë së të vërtetës ahmediane në zemra, si mitër e dritës së Muhamedit paqja qoftë mbi të dhe kible e të gjitha feve qiellore, është një vatër e pashoqe monoteizmi, e tillë që, prej veçantive që mbart, nuk mund të gjendet një ndërtesë e dytë që, barabar me të, të mund t’i thuhet shtëpi e Allahut.

Çdo vit, qindra mijëra njerëz, me qëllim që të çojnë në vend detyrimin e tyre të nënshtrimit ndaj Allahut, në një copëz kohe në të cilën do të jenë më pranë se kurrë Zotit të Vërtetë, në një vend kulmor, nga dritaret e ibadeteve që do të kryejnë këndellen në aromën e ndjenjave, të mendimeve.. ripërtërijnë besën e tyre.. pastrohen prej mëkateve.. sjellin ndërmend dhe i kujtojnë njëri-tjetrit përgjegjësitë ndaj shoku-shokut.. rishikojnë dhe përmirësojnë më tej punët e tyre shoqërore, ekonomike, administrative e politike mbi një bazë adhurimi që shpërfaq në të gjitha anët robërimin ndaj Zotit të Vërtetë, butësinë e zemrave, gjerësinë e ndjenjave dhe vetëdijen islame në kohën e agullimit të vet. E pastaj, me një energji të re, me një zell të ri e me një ndezulli të re, kthehen në vendet e tyre.

Të gjithë shkojmë në haxh edhe me mendimin se shpirti dhe ndjenjat tona janë ndotur disi dhe nga një portë e ndryshme që gjer atë ditë nuk e kemi njohur, sikur të na hapej përpara një botë e re ëndërrimesh, nisemi në udhëtim dhe në rrugët nga kalojmë shohim njërën pas tjetrës të radhitura simbolet e Islamit, i ndiejmë ato dhe zbresim në thellësi të tyre.. dhe në brendi të madhështisë së maleve të larta, ballas simboleve të tilla të Islamit që mbushin syrin dhe zemrën tonë, ende pa mbërritur e në rrugëtim e sipër nisim të ndiejmë njëra pas tjetrës puhizat e ngrohta e të thella të Qabesë dhe të shpirtit të haxhit. E më pas, teksa mbërrijmë gjer në pikën më të fundme, në ulëset e autobusit, në kompartimentet e trenit, në dhomat e tragetit, në ndenjëset e avionit, në dhomat e hotelit, në sallonet e miqve, madje edhe në çarshi e në tregje, e ndiejmë kudo praninë e atyre erërave të ngrohta. Me të tilla mjete, në të tilla rrugë edhe në qofshim fort mirë të udhëhequr, prej këtij udhëtimi të kaltër, shpirtëror, harmonik, përmallues, që, në varësi të mjetit, mund të zgjasë me orë, me ditë, me javë, në një kurbet, në një mbërritje të mezipritur, në një bukuri, në një poezi, madje në një dush romantizmi të madhërishëm në shpirtrat tanë të lartësuar e të kthyer në të vluar të një bote të veçantë, na duket sikur jemi përpara një porte të mistershme që fsheh pas vetes të gjitha këto bukuri të magjishme. Ky rrugëtim i shenjtë e meditim në udhë e sipër i dhuron kurdoherë botës sonë të brendshme një ndjesi të përtejarsyeshme e intuitë të tillë që, në një gjendje shpirtërore që herë lartohet në ngazëllim e herë trazohet në ndjesi vetëkontrollimi e përllogaritjeje, na bën ta ndiejmë veten sikur të ishim duke ecur me kujdes e vetëpërmbatje pikërisht nëpër korridoret e ahiretit.

Qabeja, sipas atyre që e kanë të mprehtë këndin e vështrimit, zgjon një ndjesi të të ngriturit të kokës nëpër lartësi; që vështron herë në drejtimin tonë, herë në drejtim të pafundësisë; që herë gëzon e herë hidhërohet së brendshmi e në fshehtësi. Kur e shohim atë si mbartëse të përvojës, të peshës dhe të rëndësisë së mijëra e mijëra viteve, ballas faqes së saj, që më së shumti mund ta përngjasojmë me fytyrën e një njeriu, na duket sikur, me stilin dhe me kurmin e saj dhe duke na çelur pëlhurën e saj, ajo na thotë:

“Eja, o i dashuruar, që më je i afërt

Këtu është vend i të afërtit

Të pashë se je i besës”

Qabeja, për nga vendndodhja, ka pamjen e një nëne në këndin më të zgjedhur të shtëpisë sonë, e ulur në krye të qoshes duke rrezatuar respekt, që ndan gëzimet me fëmijët e me nipat dhe që dhembjet e brengat e tyre i përjeton në thellësi të shpirtit të vet. Prej këndit ku ndodhet, vështron me ëndje mjedisin përreth; vende-vende lëndohet e kruspulloset prej dhembjesh, ndërsa herë-herë me gaz shpërndan përreth stërkala shiu buzëqeshjesh.

Njeriu, kur nis të vijë rrotull mjedisit të kësaj nëne të ndërtesave, të ngritur e të mbështetur në nënën e qyteteve, ndien sikur po përqafohet me butësi, sikur po dihatet me dashuri. Në tavaf, gjithsecili e ndien veten si një fëmijë i dobët që, i kapur fort për dore me të ëmën, rend në siguri e me plot ngazëllim. Po, po! Njeriu, ndër ata mijëra e qindra mijëra që galdojnë në mendime parajsore përqark tij, ndizet në gaz sikur të jetë duke ecur vërtet drejt Allahut dhe nuk vetëkontrollohet më. Me trupat gjysmë të zhveshur, me rrobën në supe, përjetojnë emocionin e të rendurit e të të kërcyerit duke bërë kurdoherë përpara në një rrugë sa të lodhshme e të trazuar, po aq edhe shpresëdhënëse e të sigurt. Në llogarinë e botës, kjo kalamendje, kjo qetësi e ky romantizëm u shkakton njerëzve përreth shtëpisë së bekuar një thellësi të magjishme e të pamundur të përshkruhet, një ëndërr e një pafuqi. Përballë pamjes në përmasë qiellore të asaj turme parajsore, njeriut, ende pa hyrë në tavaf, i duket sikur dëgjon heshtjen asketike dhe poezinë e asaj pëlhure hyjnore. Sa herë që shpirtrat e thellë pushtohen prej magjepsjes së këtij rrotullimi përreth Qabesë, teksa vijnë përqark, kush e di se në ç’porta të fshehta kalojnë.. në ç’trokitëse të panjohura trokasin e ç’perde magjiplote u çelen! Kështu, duke ecur me ndjesi krejt të reja në çdo çast përreth kësaj ndërtese të vjetër por të paplakshme, ne mahnitemi prej dritareve që u hapen ëndrrave tona, prej përmallimeve që rrjedhin në kraharorët tanë, prej dritave që dalin prej zemrave tona dhe prej të fshehtës që ngre në fluturim shpirtrat tanë. Në çdo hap që hedhim, zhvendosemi me një ndjenjë të tillë sikur do të na hapet një portë e mistershme që do të na ftojë në brendësi, na duket sikur po shkasim drejt një ëndjeje, natyrën e së cilës nuk e njohim, dhe ndiejmë zemrën të na rrahë me emocion. Në atë çast, në vendin që ndodhemi ndiejmë se si e gjithë madhështia, thellësia, magjepsja e Qabesë, e mbledhur në shpirtrat tanë, gjallohet e gufon në gjithë qenien tonë dhe kjo na bën të drithërohemi.

Edhe në qoftë e mundur që të tilla meditime nganjëherë të shpjegohen duke u mbështetur në disa arsye objektive, shpesh përballë kujtimeve dhe mbresave që na lindin në zemër mbetemi pa fjalë, sepse edhe nëse për nga kushtet fizike dhe dekori i jashtëm Qabeja dhe mjedisi përreth saj shprehin diçka, brendia e tyre është e mbyllur, kuptimi i tyre i turbullt dhe stili i tyre i përtejbotshëm, ndaj edhe shumëkush mund të mos i kuptojë. Sidoqoftë, amatori e specialisti, i padituri e dijetari, i vogli e i madhi, gjithsecili, pa dyshim, ka shumë e shumë për të kuptuar prej saj, megjithëse shpesh nuk është në gjendje t’i shprehë ato që kupton.

Qabeja, krahas ngjasimit me një zambak uji që lulëzon më fort mes majash e malesh të frikshme që na ngjallin drithërima, është si një llambë e qelqtë misteresh që ruan brenda vetes të fshehtën e qenies, si një kristal i lindur prej projektimit të Sidretulmuntehasë ose prej nektarit të botëve përtejqiellore. Kur njeriu rrotullohet me vetëdije rreth asaj llambe misteresh, siç ndien plot të fshehta që rrjedhin jashtë saj e bëhen të dukshme, herë-herë këndellet duke shikuar prej këtij prizmi të kyçur kah Sidretulmuntehaja edhe botët përtejqiellore.

Po, thuajse të gjithëve, sapo gjejnë strehë në rrobën e saj, duke u thelluar edhe më tutje në gjerësinë e ndjenjave e të mendimeve që i kanë pasur që më parë në shpirtra, duke medituar për Qabenë, për qenien e vet dhe për lidhjen mes këtyre dy përbërësve në shikimin e përmalluar të Zotit të Madhëruar, duke kaluar përmes disa portash të mistershme që çelen brenda tyre, u hapen para syve botët më intime që gjer atëherë nuk i kanë njohur. Pa dyshim që kjo ndjesi e kjo njohje, ky kuptim i thellë e ky shpirt do të shfaqet vetëm në bashkimin e një jete të përsosur islame e të një pastërtie të plotë të fesë me besimin e padyshimtë. Përndryshe, pjesa e formave abstrakte do të mbetet e lidhur brenda kornizës së formave.

Falë kësaj thellësie e pasurie në Qabe, thuajse gjithçka atje, shumë më tepër sesa në kohët e tjera, kur ngjyroset me ndjenjën e haxhit, mbulohet me tisin e një tjetër madhështie.. mbulohet, por njeriu, i pushtuar prej magjepsjes së saj, thuajse në një spirale drite, sikur të ishte duke u ngjitur me thonj për të arritur të dashurën e zemrës, duke u rrotulluar e rrotulluar, lartësohet dhe me një forcë tërheqëse prej brendisë së vet shkon e mbërrin tek i Adhuruari i vet. Namazi i tavafit të kryer prej shpirtit që mbërrin në këtë pikë kthehet në sexhde falënderimi, ndërsa uji i Zemzemit që ai pi është si gurrë parajse a si verë e bashkimit me të dashurën e zemrës.

Tavafin përreth Qabesë, nëse do ta përqasnim me një shprehje mistike, më së shumti si një ndjenjë të bekuar, me “sejr fil’lah” si shprehje të një udhëtimi rreth një mendimi dhe me pikësynim thellimin brenda vetes sonë, vajtje-ardhjet në hapësirën mes Safasë dhe Mervës besoj se do të ishte e përshtatshme të interpretoheshin me kuptimet “sejr ilallah”, “sejr minallah”, që janë shprehje të ngjitjes e të zbritjes nga krijimi tek Krijuesi, nga Krijuesi tek krijimi. Po, po! Në ecejaket mes Safasë dhe Mervës, përjetohet pikërisht një meditim i tillë dhe një rrebesh ndjenje e dëshire që buron prej këtij meditimi.

Njeriu në këtë vajtje-ardhje përjeton kurdoherë kulturën, poezinë, melodinë, bashkimin dhe përmallimin e të rendurit e të të kërkuarit, të të lypurit ndihmë e përkrahje. Aty, sikur të kemi rënë pas diçkaje të rëndësishme, ndjekjet vazhdojnë paprerë. Gjersa në çastin kur ajo çka kërkohet të shfaqet, vajtje-ardhjet vijojnë pa ndalim. Çdo gjurmë e shenjë që rastiset në atë rrugë ia shumëfishon njeriut emocionin.. dhe zemrat thonë:

“Qaje hallin e këtij të mjeri / Varg i është bërë fijes së cullufes / Gishti në mjaltin e dashurisë / Kur t’i zhytet jepmë ujë.” Gedaiu

Dhe siç ndodh rreth Qabesë, ai edhe rend, edhe, duke u lëkundur në spiralet brenda vetes në thellimin vetjak rrotull Shtëpisë së Allahut, i duhet të shkojë e të vijë në një vijë të drejtë, me ndjesi e emocione profetike, të tendoset me zellin për të jetuar për të tjerët, për të qeshur e qarë për të tjerët, madje edhe për të vdekur në të mirë të të tjerëve.. I brengosur, por i përmbajtur, i shqetësuar, por plot shpresë, nën dritat e florinjta të qiellit, në orët kaltëruese të stinës së haxhit, me emocionin e bashkimit të ri me të dashurën, por edhe me përmallimin e atij që ende nuk e ka gjetur plotësisht atë çka kërkon, shkon e vjen, rend e ecën ngadalë, i ngjitet majës, zbret që andej dhe përpëlitet në gjithë pavendosmërinë e të gjendurit në udhë e sipër. Nganjëherë rendja e gjindjes mes Safasë dhe Mervës trazohet me thirrjet që i ngjajnë më së shumti gurgullimës së rrjedhës së një lumi, duke shprehur ndjenjat në të kënduarit e një kori.. e nganjëherë, me një gjendje shpirtërore të tillë që nuk sheh asgjë e askënd, sikur të ishte duke ecur krejt i vetmuar, në sy me siluetën e Hz. Haxherit, në duar me kupën e zemrës e në buzë me fjalët:

Kërko në kraharor të ndezur prej heshtës, fashitma ndezullinë,

I etur jam, një herë në këtë shkreti jepmë pak ujë!

……………

Frikë e ferrit brenga zjarri më lëshon mbi gjuhën e tharë.

Shpresë kam në atë gurgullimë që mbërrin nga re e mirësisë.

Fuzuliu

pret të zbresë prej qiellit një mëshirë hyjnore që do të shuajë flakët.. dhe bashkë me zjarrin e vet që i djeg shpirtin, përvëlohet me mallin e pashuar të pritjes. Edhe nëse nganjëherë gjatë vajtje-ardhjes ndihet freskia e një flladi që mbërrin nga largësitë, në përgjithësi aty përjetohet një hidhërim i trazuar kurdoherë më këndellje, një vuajtje dashurie e mbushur më shpresë, dëshirë dhe pavendosmëri.

Në këtë vajtje-ardhje, të vërtetat trazohen me ëndrrën dhe njerëzit përreth nganjëherë me thellësinë e heshtjes e nganjëherë me të qara plot dënesë, diku sikur po shtyhen për në drejtësinë e Ditës së Gjykimit, diku sikur po rendin drejt lumenjsh parajsorë, në dyzimin mes ëndjes dhe shqetësimit, vende vende gëlltiten të përlotur, herë herë marrin frymë lirisht.. dhe vazhdojnë vajtjet e ardhjet, ngjitjet e zbritjet. Aty orët e minutat kanë aq shumë naze, saqë kërkojnë medoemos lajkatime e përkushtim të përhershëm. Përndryshe, treten e ikin sikur të mos kishin qenë kurrë.

E ndërsa ditët shkasin drejt Bajramit, vendi i tavafit, Zemzemi dhe vajtje-ardhja mes Safasë e Mervës kaltërohen me ndjenjën e një kurbeti e përmallimi.. Qabeja nis të na i mbyllë dalëngadalë perdet e dritareve që na kishte çelë.. dhe njeriu që në çdo ngjarje sheh përkohshmërinë, siç kupton se po fron koha që i duhet të largohet prej këndej, mendon se një ditë do të ndahet edhe nga bota dhe duke u tërhequr brenda vetes, brenda botës së tij të veçantë, kruspulloset në një asketizëm shpirtëror.

Por ende nuk ka mbaruar gjithçka. Këta njerëz, që ecin drejt Zotit të Vërtetë, ende i pret një udhëtim fort i gjatë. Minaja, me hijeshinë e pabesueshme dhe magjepsjen marramendëse, u ka dalë përpara për t’u prerë udhën.. Mali i Arafatit, ku ndihen kërcitjet e portave të qiellit, rri e i vështron.. Muzdelifeja, pa i bërë të përjetojnë një mbrëmje të vogël dasme, duket se s’ka ndërmend t’i lëshojë.. pak më tutje do të vijnë vendet ku do të mbushen me frymëmarrjen e thellë të nënshtrimit e do të godasin me gurë mendësitë e të dhënit pas kësaj bote dhe pasi t’i paraqesin Allahut dëmshpërblimin e egos së tyre, do të përjetojnë në botën e ndjenjave festën e çlirimit të tyre; e më pas, në Qabe, duke iu drejtuar qabesë së zemrës së tyre, nga Zoti sërish për te Zoti, duke u dhënë fund ngjitjeve e zbritjeve të tyre, me frymëzimin e kujtimeve të mbetura nga “fenâ fil’lâh” dhe “beka bil’lâh”, do të zbresin shi buzëqeshjesh mbi fatet e veta.

Minaja, që e ka shtrirë qilimin e saj në klimën e vetëflijimit, me ato feksje drite magjepsëse, e bën poezinë e vet të dëgjohet gjer në majat e Muzdelifesë.. dëshiron të hyjë brenda saj.. madje duke e kapërcyer edhe atë, përshëndet Arafatin tutje.. përshëndet dhe u jep referencë mysafirëve të saj njëzetekatërorësh.. dhe këta miq ditorë ia lë pastaj amanet Arafatit.

Në tokën ku sakrifica mbulohet me dhembshurinë, ku të kuptuarit e imtësisë së bindjes ndaj urdhrit mbulohet me dashurinë, Minaja është një ylber qiellor e një prehër i ngrohtë. Minaja është vërtet si një koshere nënshtrimi e si një çerdhe përkushtimi të pakushtëzuar. Në gjendjen e shkuar plotësisht dhe në gjendjen e tashme pjesërisht, thuajse për të gjithë ata njerëz që, pa shtëpi e pa katandi, pa tokë e pa dhè, pa shtet e pa çerdhe, kalojnë ndonjë ditë në Mina, ky vend është aq i mistershëm, saqë çdo shpirt që nuk është krejtësisht i mbyllur ndaj botës së amshuar ç’nuk ndien në atë vendpushim mes atyre maleve e luginave..! Minaja, me të gjitha anët e saj, na duket aq e përzier dhe e njësuar në shpirtin tonë, saqë na bëhet sikur e ndiejmë se si ajo rreh në zemrën tonë, rrjedh në venat tona, gjallon në nervat tona. Kështu, na ndodh që sapo hedhim hapin e fusim këmbën në të, ndiejmë se si ajo ngryket me shpirtin tonë – mund të ndalemi në faktin se ajo është vendi i parë që hapi krahët për të Dërguarin e Allahut – na tregon udhët që na hapen më tutje dhe na plotëson, madje vjen e trazohet me botën tonë të ndjenjave dhe ne të gjithë, në njëfarë mase, “Mina”-izohemi.

Ndërsa ne bëjmë përgatitjet tona në Mina duke i dhënë krahë shpirtit tonë, mali i Arafatit nga njëri krye në tjetrin stoliset si dhomë nuseje dhe mysafirëve që do të vijnë për t’u vendosur aty e më tej u hap kraharorin porsi një liman, si një shesh e si një tatëpjetë.. dhe mysafirët e Zotit, që rendin drejt tij me pasionin e mallit për dhenë e dashur, vihen në pritje.. mysafirë të Zotit me dëshirën për një mundësi e fillim të ri, për një epokë të re.

Arafati ka një përndritje të tillë dhe koha që kalohet atje ka një thellësi të tillë, saqë një shpirt që e ka arritur një herë fatbardhësinë e të gjendurit në atë kopsht, asnjëherë nuk i rrënohet krejtësisht qëndrueshmëria dhe kurrsesi nuk vdes në gjendjen e atyre që jetojnë të dhënë krejtësisht pas kësaj bote. Ata që kanë kaluar pak orë të jetës së tyre në Arafat, gjithë jetën çilen si trëndafilat dhe kurrë nuk thahen. Minutat e tij të dhembshura, plot dashuri e poezi, gjithmonë rrezatojnë në sytë tanë si dielli i mëngjesit.. dhe thirrjet e gjithë atyre njerëzve që pranë tij janë të prekur e të përlotur prej dashurisë, që lartojnë cicërima si bilbili, që së kënduari zemra u rreh fort prej besimit, prej përkushtimit, prej dashurisë e prej joshjes që në këndet më intime të saj kanë ngritur zgjua, që cicërojnë e cicërojnë, galdojnë shpirtrat tanë të përmalluar. Galdojnë aq sa cekin ëndjet më të pabesueshme, më të paarritshme.. lartësojnë ndjenjat tona me përkujtimet më të pjekura e më të përsosura.. dhe siluetat e qenieve që kemi parë e kemi kaluar në mënyrë të ngjashme i përvidhen shikimit tonë si një magjepsje dhe na rrëmbejnë duke na bërë të shëtisim nëpër pasuritë e brendisë sonë.

Në Arafat, agimet dhe perëndimet kurdoherë fryjnë një puhizë thellësie dhe në zemrat tona zbrazin fjalë të hijshme që me shumë gjasa as poetët më të mëdhenj nuk do të mund t’i këndonin, e ç’nuk na pëshpërisin për hir të qëllimeve të ekzistencës sonë. Për mendimin tim, në mënyrë që shpirti t’i amshohet, njeriu së paku njëherë duhet të prekë Arafatin, të jetojë Arafatin dhe si oksigjen të frymëmarrë në mushkëritë e veta agun dhe perëndimin e Arafatit.

Në Arafat, njeriu bëhet dëshmitar i lutjes, i përgjërimit, i tërheqjes së brendshme dhe i shprehjes së jashtme më drithëruese të mundshme. Veçanërisht drejt fundit të pasdites, lutjet e kryera në një atmosferë të ngarkuar me ndjesinë e lamtumirës vishen, marrin zë e marrin frymë më thellësisht dhe mbërrijnë një gjerësi e një lartësi prej përtej qiejsh që sjellin ndërmend thirrje engjëllore. Njeriu, kur dëgjon ngashërimat e vajit që ngrihen në lartësinë e Arafatit, i duket sikur amshimi në zëra, butësia që lind prej shpresës së lumturisë së përjetshme, rigjallërohen e përjetësohen plot dhembshuri e dëshirë dhe pësojnë një çelje e zgjerim madhështor. Veçanërisht pasi dielli ka perënduar dhe në horizontet e errësuara muzgu bën të na lindin ndjenja lamtumire, na duket sikur vetëdija jonë ndriçohet me përkujtimin e Arafatit dhe pikërisht si në botën e ëndrrave, sikur u ikim modeleve dhe na çelen përballë disa paqartësi shpirtërore.. sikur vajtojmë si vetë Arafati në ngashërime.. sikur shkrihemi e ikim bashkë me diellin që perëndon.. sikur kthehemi në një ngashërim porsi dënesja e vaji që përplasen në veshët tanë.. sikur lehtësohemi dhe, si zogjtë, në njëfarë mënyre marrim krahë.. dhe sikur, duke ndryshuar thelbin tonë, kthehemi në një qenie shpirtërore dhe, krejt të habitur, mbetemi të palëvizur në vend si të ngurosur.

Arafati është një rrëpirë mëshire e një shesh mahsheri i mbushur me shqetësimin e llogaridhënies, në të cilin njerëzit një ditë të tërë shëtisin mes turmash engjëjsh, ku në çdo ulje e ngritje ata frymëmarrin vazhdimisht qielloren, ku mëshira e Zotit zbrazet plot bujari në shpirtrat tanë dhe ku ngjarjet rrjedhin kurdoherë në shpresa shumëngjyrëshe. Të zhveshur e të larguar prej gjithçkaje të kësaj bote, me shqetësimin e peshores e të llogarisë dhe me shpresën e mëshirës, njerëzit enden si mirazhe në rrafshësitë e tij. Ata shpresojnë të gëzojnë falje, jetojnë ëndrrat e arritjes së shpëtimit dhe këtë ditë të vetme e vlerësojnë sikur të duan të nxjerrin prej saj fitimin e viteve të tëra.. e vlerësojnë, por nuk u hiqet nga mendja se sërish do të duhet të luten e të shkojnë në një tjetër vend.

E nuk ka nevojë të mundohen shumë për të mos e hequr nga mendja, sepse vetëm pak hapa më tutje ata i pret me kraharorin çelë Muzdelifeja. Sapo marrim mesazhin se Muzdelifeja po na pret, ndahemi prej dritave e prej Arafatit që na dhuron buzëqeshje shpresëplota dhe ecim drejt Muzdelifesë, që mbart namin e të qenit më afër Allahut në nivelin që sexhdja është kundrejt rukusë.. siç ecim drejt të pafundmes, drejt të pavendshmes, drejt përjetësisë dhe drejt Allahut, ecim drejt Muzdelifesë. Drita e hënës që ka nisur të bëhet e plotë, zë e ndriçon çdo mal e rrjedhë, çdo luginë e çdo tatëpjetë, çdo anë e kënd në një vend që vezullon prej dritëzash e në të cilin qiejt zbresin në tokë dhe toka trazohet në ndjenja qiellore, e gjejmë veten si në një liman, në një skelë e në një mol të veçantë që na çon te Zoti i Vërtetë. Me gjendjen e pandryshueshme shpirtërore që prej Qabesë, duke parë e ndier fytyrën e kthjellët dhe të çelët të qiellit të pasqyruar në mimikën e haxhinjve, në jehonën e zërave të këtyre shërbëtorëve besnikë që i drejtohen me lutje Zotit të tyre, në trupat tanë, në shpirtrat tanë, në sytë e në zemrat tona rendim përtej dhe përtejësohemi, njëjtësohemi në substancë e në përmasë me engjëjt e me botën engjëllore dhe e çlirojmë veten në krejt gjerësitë e mëshirës hyjnore.

Ibn Abasi thotë se Tabloja e Krenarisë Njerëzore, Profeti i dashur, arriti në Muzdelife, për umetin e vet, të merrte një recetë ndihme e çlirimi që nuk e mori dot në Arafat. Sa do ta dëshironte zemra ime që ky pohim të ishte njëqind për qind i vërtetë..! Në qoftë siç thotë Ibn Abasi fisnik, Muzdelifeja, që i afron njerëzit tek Allahu gjer në masën e mbërritjes së kokës në sexhde, kërkon një tjetër ngashërimë, një tjetër vajtim e dënesje..

Thuajse nga çdo anë e Muzdelifesë, bashkë me dritat që vezullojnë prej llambave, fytyrat e ndritshme të haxhinjve, shikimet e tyre të përqara dhe zemrat që u rrahin fort prej emocionesh, i dhurojnë asaj fushe të bekuar, që e njohim veç prej netëve, një bukuri të veçantë e magjepsëse. Sidomos pasi nata thellohet, çdo anë e mbulojnë mistere edhe më të fshehta. Ndërsa disa çlodhen për detyrat e vështira që i presin ditën e nesërme, ka njerëz që gjer në mëngjes mbeten të ulur me duar të hapura. Këta shpirtra të gjerë e tërheqin zërin e tyre në zemër dhe kushedi se ç’mendojnë, ç’këndojnë e ç’u shkon ndër mend teksa, porsi një pendëz, prej kraharorit nxjerrin melodi veç për të Zotin e kraharorëve..! Zërat e zemrës kurdoherë rrjedhin në një nivel që i kapërcen ata vetë dhe lartohen në frymëmarrjen e engjëjve. Njerëzit e kësaj kohe mbi kohën, që dëgjojnë me zemër e flasin po me zemër, krahas këtyre melodive të shpirtit që luajnë tani e që kanë luajtur më parë, madje edhe shumë më parë, me pendën e ndjenjave e mbi telat e shpirtit, mundohen që sado tinguj që të ketë, t’i ndiejnë të gjithë së bashku porsi një kor dhe të kaluarën bashkë me të sotmen, porsi një ëndje prej burimi Zemzemi, t’i pinë gllënjkë pas gllënjke.

Kur në horizonte nisin të zbardhin shenjat e agimit, e gjithë ajo frymëmarrje zëri, ato ndjenja dhe emocione që një ditë më parë përjetoheshin në Arafat, tani rrjedhin të shtuara e të shumëfishuara në Muzeldife.. rrjedhin dhe vendi i agullimit zbardh i trazuar me plot e plot ndjenja, me plot e plot ngashërime. Lutje drejtuar Zotit jashtë namazit, dashuri e përkushtim shprehur brenda namazit.. dhe çdo lutje që rrjedh e gjen shprehje të heshtur brenda namazit, si një përmasë e veçantë e afrisë ndaj Zotit, kryhet me një thellësi përmbi thelbin e brendinë.

Nganjëherë, si një rrobë e mëndafshtë që na mbështjell nga të gjitha anët e që përkëdhel të gjitha ndjesitë tona.. nganjëherë si duar qiellore që bashkësisë sonë i dhurojnë dritë e dhembjeve tona ngushëllim e shërim.. nganjëherë si një gurrë që mbi vatrën e ndezur të shpirtrave tanë lëshon spërkla uji.. nganjëherë si ezan që në shpirtrat tanë bën të dëgjohen të vërtetat më të larta e të ndihen drithërima të fuqishme.. nganjëherë, duke bashkuar copërat e botës sonë të vjetër, të rrënuar e të shpërndarë, prej brendisë e amshimit tonë, prej botës e përjetësisë sonë ndihen të tilla kuptime të thella, saqë arrijmë ta rizbulojmë vetveten, ta njohim më mirë brendinë tonë, të zgjohemi duke e parë botën prej një tjetër këndvështrimi, me një afri më të veçantë ndaj jetës së amshuar, ndiejmë se shohim me një pastërti e kthjelltësi të veçantë.

Këto lutje e përgjërime vazhdojnë gjersa rrezet e diellit të shfaqen në horizont me sihariqin e mbërritjes së një dite të re. Ndërsa dielli lind, kokat që thuajse gjer në atë çast kanë qenë në sexhde, për të mbërritur një tjetër afri, bëhen sërish gati të “tërheqin frerët” dhe vihen në udhë. Tani vjen sërish Minaja, në të cilën ishim edhe më parë dhe që e kaluam duke na përshëndetur me selame luginë pas lugine. Minaja, në të cilën zemrat që kanë arritur dëlirësinë, duke u çliruar prej të arsyetuarit të rrafshët, do të dorëzojnë shpirtin e tyre.. Minaja, ku kraharorët që kanë mbërritur shkallën e nënshtrimit do të shfaqin përuljen e tyre të plotë.. Minaja, vendi ku qysh prej Ademit e deri tek Ibrahimi, njerëz në mijëra porsi yjet në qiell, në qindramijëra duke ndalur mendjen dhe arsyetimin, krijojnë lidhjen me zemrën.. së fundi, pas të gjitha këtyre, teksa edhe shpirtrat tanë marrin atë çka u takon duke goditur me gurë shejtanin, Minaja, në të cilën nënshtrimi si thelbi i adhurimit përfaqësohet prej shpirtit të mahsherit.. Dhe krahas goditjes me gurë të shejtanit, e ç’nuk bëhet tjetër atje.. kurbani, qethja, zhveshja prej rrobës së haxhit.. dhe pas përqendrimit që thellohet gjithnjë e më shumë gjatë rrugës, tavafi i detyrueshëm që kryhet me një tendosje të plotë metafizike, përbëjnë vetëm diçka prej gjithçkasë..

Udhëtari i haxhit, që nga çasti që largohet nga shtëpia, gjatë rrugës, çlirohet hap pas hapi e fije për fije prej egos dhe prej unit; në drejtim të jetës së zemrës e të shpirtit, thuajse si një dantellë, thuret fije për fije me mëndafsh. Po, njeriu në këtë udhëtim prej drite të tij njihet e bëhet pjesë e të vërtetave të vjetra, por që nuk vjetrohen, të përjetshme e pa fillim, por që mbeten kurdoherë të freskëta.. dhe mbërrin në përmbushje që s’do t’i harrojë kurrë. Sidomos për ata që janë në vetëdijen e veprës që kryejnë, ky udhëtim në dukje tokësor, por në fakt qiellor, me kujtimet e ndjesitë që mbart, thellohet edhe më tej gjersa nis të shtrihet në pafundësi.. fillon dhe duket sikur ngjyrat e qiellit, zërat e haxhinjve vijnë rrotull në ëndrrat tona, pushtojnë shpirtin tonë dhe shpërfaqen për gjithë jetën në sytë e shpirtit tonë.

Edhe në qoftë disi e trishtë, Qabeja dhe rrethinat e saj përbëjnë një vend plot magjepsje e joshje që nuk gjendet kurrkund tjetër në botë. Njeriu, pranë pëlhurës së saj, kurdoherë është dëshmitar i një kohe përrallore. Gjithçka prej saj e rrëmben dhe ai ushqehet prej saj si të kishte këputur frutën më të pjekur e më të ëmbël. Shpirtrat që kanë fatin e përbashkët të këndellin sytë në atë vend, çlirohen në përjetësi prej mundimit të të kërkuarit të një tjetër vendi adhurimi.. dhe forcën tërheqëse me përmasa të përtejbotshme të atij vendi nuk e harrojnë kurrë, gjer në perëndim të jetës së tyre.

Ndajeni me miqtë tuaj...