Me anë të ajetit kuranor ‘dhe vizita e kësaj faltoreje (Qabes) është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën’ (Al Imran 3/97), Zoti i madhëruar e ka bërë të detyrueshëm udhëtimin në vendet e shenjta për besimtarët me mundësi financiare.
Në ditët e sotme janë shtuar më shumë lehtësitë që mundësojnë udhëtimet, kështu kushti i haxhit mund të realizohet më lehtë se më pare. Një e vërtetë tjetër është se njerëzit tani kanë më shumë mundësi për ta përmbushur këtë kusht. Por ajo që ka më shumë rëndësi është përmendja e botës islame, e cila ka qëndruar e fjetur për shekuj me radhë. Krahas kësaj, pranë katër ose pesë milion haxhinjve që vizitojnë Qaben, tani nuk është i pakët as numri i atyre myslimanëve të cilët nuk kanë mundur të shkojnë më parë.
Ndryshimi ka të bëjë me njerëzit, madje dhe fara e hedhur në tokë nuk rritet për një çast. Duhen vite të tëra për të parë investimin e bërë tek njeriu. Ndoshta ky është një proces më vete, por ne besojmë se me ndihmën e Zotit ky proces rilindjeje do të zgjerohet edhe më shumë. Ndoshta vitin e ardhshëm numri I personave që do t’i luten Zotit në Arafat do t’i kalojë 10 milionët, ndoshta do të jenë të panumërta mirësitë e dhuruara nga Zoti i madhëruar dhe kështu shpirtrat besimtarë do të qëndrojnë në këmbët e tyre duke frymëmarrë thellë ajrin e besimit, kënaqësisë, qetësisë dhe sigurisë.
Ngjeshja e viteve në disa sekonda
Haxhi është një adhurim, kështuqë duhet të zbatohet si një urdhër i Zotit (xh.sh). Parë nga ky kënd, një besimtar duhet të përpiqet ta zbatojë sa më parë këtë urdhër, ta vërë përpara çdo gjëje tjetër dhe me anë të qëllimit të pastër t’i mbështetet Zotit e t’i vlerësojë siç duhet vendet e shenjta.
Për këtë, pikësëpari, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm për vendin ku do të shkojë. Po, haxhiu duhet të dijë se po udhëton drejt një bote të shenjtë, drejt mihrabit ku njerëzimi tregon Allahun, të jetë i mbushur me ndjenja të pastra. Në të njëjtën kohë haxhiu duhet të përpiqet të mos lërë pa përmbushur farzin, vaxhibin, sunetin dhe mustehabin dhe t’i mbështetet vazhdimisht Zotit. Thënë ndryshe njeriu gjatë adhurimit të haxhit duhet të niset për Zotin, të punojë për Zotin, të çohet për Zotin, të ecë drejt Qabes për Zotin, të bëjë tavafin dhe të puthë gurin e zi për Zotin, të shkojë në Mina, të gjendet në Arafat dhe të zbresë në Muzdelife përsëri për hir të Zotit të tij. Pra çdo gjë duhet bërë për Të dhe kështu vitet do të ngjeshen brenda disa sekondave me ndihmën e Zotit të madhëruar.
Krahas kësaj, gjatë këtij udhëtimi të shenjtë, njeriu duhet të qëndrojë larg vendeve të papëlqyeshme. Për këtë arsye haxhiu duhet të qëndrojë larg punëve boshe apo njerëzve që e nxisin për punë të tilla. Njeriu duhet të zbusë shpirtin dhe njomë sytë në vend të bisedave të panevojshme.
Me zemër të përkushtuar në Arafat
Këtyrë vendeve të shenjta iu duhet dhënë vlera e duhur përsa i përket mënyrës se si i shprehim lutjet tona. Zemra duhet të jetë e emocionuar si zemra e një pjesëtari të bashkësisë së Muhamedit. Sjellim ndërmend çastin e pare kur shohim Qaben, i cili është një moment I panjohur dhe I magjishëm ku pranohen të gjitha lutjet. Për këtë arsye nuk duhet lënë të ikë një çast I këtillë për t’u lutur. Po ashtu, kur njeriu shkon në Mina duhet ta shohë atë si një shkallë për të dale në Arafat dhe duhet t’i japë vlerë edhe sekondit më të vogël për t’iu lutur Zotit dhe për t’i hapur zemrën Atij.
Në Arafat, ashtu siç e kanë thënë dhe të parët tanë, mund të themi se 99 % e lutjeve pranohen.
Po, Qabeja, Mina, Arafati dhe Muzdelife janë si një vrimë e hapur në emër të përgjërimit dhe drejtimit nga Zoti i madhëruar. Ata të cilët i drejtohen Zotit në këto vende, nuk mbeten asnjëherë vetëm. Si fillim kjo duhet besuar me gjithë zemër. Pastaj a nuk është profeti ynë i nderuar ai i cili na këshillon të bëjmë lutje në këto vende ku lutjet janë të pranuara? Prandaj njeriu nuk duhet të drejtohet me mendimin ‘unë po them dy tri lutje, pastaj të bëhet ç’të dojë’ por me mendimin ‘Zoti im, tu drejtova Ty, mbështetem tek madhështia Jote , fshihem nën pafundësinë e mëshirës Tënde, të lutem mos më lër të vetëm me prapësitë e mia! Zoti im, këtu erdha për t’u pastruar, të lutem më pastro dhe më mbro!‘. Njeriu duhet t’i lutet, t’i përgjërohet Zotit me gjithë zemër dhe të mos lodhet asnjë çast nga lutja.
Shpirtrat që luten për bashkësinë e Muhamedit (a.s)
Gjatë qëndrimit në këto vende të shenjta njeriu mund të lutet për veten e tij, fëmijët, njerëzit e dashur e të tjerë. Por lutja për gjendjen e botës islame, për bashkësinë e Muhamedit (a.s), ka një rëndësi shumë të madhe. Sepse të gjithë e njohim gjeografinë e Islamit në botë. Historia islame nuk ka qenë ndonjëherë në një gjendje kaq të mjerë. Nuk arrijmë të qëndrojmë mbi këmbët tona, përpiqemi të qëndrojmë drejt duke u mbështetur në gjërat që na vendosin të tjerët pa e ditur se cili është qëllimi kryesor i vendosjes së tyre. Por në shumicën e rasteve këto mbështetje na hiqen dhe ne mbesim pa shpresë, si personi i varur në litar. Për këtë arsye myslimanët të cilët kanë mundësinë të shohin Qaben, duhet t’i drejtohen Zotit me këtë lutje ‘O Zoti im, dërgoji selame umetit të Muhamedit! Mëshiroji ata, fale bashkësinë tone! Zoti im, ndihmoji myslimanët të ngrihen në këmbë! Tregoji umetit të Muhamedit rrugët e rilindjes!‘.
Edhe duke ecur drejt Minas apo kur kalojmë natën, duhet të përsëriten të njëjta lutje. Sepse Mina është emri i një vendi të shenjtë me cilësi të veçanta. Po të kujtohemi pak edhe Profeti Muhamed (a.s) në këtë vend ka gjetur përkrahjen dhe përgjigjen e pamarrë nga kontaktuesit e pare të Islamit. Pra ky vend ka cilësitë dhe vlerën e tij. Edhe ne, në një vend të tillë duhet t’i lutemi Zotit për umetin tonë, umetin e Muhamedit (a.s) për ringritjen e rimëkëmbjen e tij.
Kur ecim drejt Arafatit duhet ta kuptojmë se po ecim drejt një vendi shumë të rëndësishëm. Kushedi, ndoshta ai është vendi më i afërt me Zotin (xh.sh). Allahu i madhëruar u dhuron mirësi të panumërta robërve të Tij në këtë vend. Kështu, besimtari në këtë vend duhet t’i drejtohet Zotit me përgjërim për vete dhe umetin mysliman. Aty nuk duhet kaluar koha me nginjen a grykësinë, të merret diçka sa për të thyer urinë dhe më pas t’i drejtohen e t’i luten Zotit deri në perëndim të diellit. Çdo sekondë e kaluar në Arafat duhet të ketë pranë lutje, sinqeritet dhe pastërti shpirtërore.