ilmihali

Sa herë që afrohet periudha e Haxhit, ëndrra ime për ta vizituar Qaben zgjohet dhe bëhet më aktive, edhe pse gjatë gjithë vitit ajo zgjuar është dhe pret me padurim që të mos mbetet më ëndërr, por të realizohet e të bëhet realitet. Sa herë që dëgjoj njerëzit teksa flasin për përgatitjet e tyre për në Haxh, filloj e bëhem “xheloz”, pasi dëshira e zjarrtë që kam për ta parë nga afër shtëpinë më të shenjtë në botë, më tundon gjithmonë. Çdo sakrificë që do të bëja, me qëllim që të më mundësohej “Udhëtimi i jetës” – Haxhi, do të ishte e pakët. Me petale trëndafili do ta shtroja të gjithë rrugën, veç të shkoja një herë në Haxh. Me ditë të tëra do të ecja, me diell e me shi, veç ta shihja e ta prekja Shtëpinë rreth së cilës rrotullohen me miliona besimtarë. Me buzë të etur e të shkrumbuar, pa bukë e ujë, e kurrë s’do të isha dorëzuar, si e si që ta shoh me sy Mekën, vendin ku filloi thirrjen për në fenë islame i Dërguari Muhamed a.s. E vetmja dhe më e madhja ëndërr tani është që të jem pranë Qabes, të lutem e të jetoj pranë saj.

haxhi-2Ka vende të cilat nëse i viziton njëherë, nuk të merr më malli për t’i parë sërish, por ka edhe vende, të cilat sa më shumë t’i vizitosh, aq më shumë lidhesh me to, e një prej tyre dhe më i veçanti është Meka, e cila mbart dhe shtëpinë më të shenjtë, Qabenë. Meka, edhe pse është shkretëtirë e tëra, ajo është më e gjallëruara vit për vit, pasi me miliona besimtarë myslimanë marrin rrugën nga të katër anët e botës dhe e lulëzojnë atë me veshjen e tyre të bardhë (ihramin), duke e shndërruar në një lëndinë me lule të bardha.

Sa do të doja të isha pjesë e turmës, e cila brohoret rreth Qabes: “T’u përgjigja, Zoti im, t’u përgjigja”, pasi të kryesh ritualet e haxhillëkut, do të thotë t’i përgjigjesh thirrjes hyjnore të Krijuesit tonë, të cilën ia përcolli profetit Ibrahim (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!), duke i thënë që ta zbukurojë Qaben e më pas t’i thërrasë e t’i ftojë të gjithë njerëzit nga i gjithë globi, madje duke e siguruar atë se do të vijnë nga të gjitha anët, kush më këmbë e kush me kuaj e deve e kush me mënyra të tjera.

Lexo  MËSHIRË PËR NJERËZIMIN

Qabja është shtëpia më bujare. Ajo nuk mirëpret 10, 100 apo 1000 veta, por miliona besimtarë nga vende të ndryshme. Ajo i mirëpret të gjithë, të bardhë e të zinj, të varfër e të pasur, të rinj e të vjetër, udhëheqës shtetesh e punëtorë të thjeshtë. Ajo nuk bën dallim, sepse është vendi i barazisë dhe i devotshmërisë.

Sot, kur flitet për fuqinë magnetike, a keni dëgjuar për fuqinë magnetike që ka Qabja, të cilën mund ta quajmë me plot gojën “Magneti i zemrave të besimtarëve”. Fuqia e saj shkakton tërheqje te çdo njeri që ia di rëndësinë. Fuqia e saj përhapet kudo dhe jo vetëm në një drejtim. Kush nuk do të donte të prekte me dorë diçka të zbritur nga vetë Xheneti (Parajsa)? Këtë dhuratë e mban në “trupin” e saj vetë Qabja e Madhërishme dhe ky është Guri i Zi, i cili në fakt mund të quhet edhe Guri i bardhë, por që u nxi gjatë rrugës nga mëkatet e njerëzimit. Por, sidoqoftë, ai prapë se prapë mbetet gur xheneti.

Janë realizuar shumë dokumentare, reportazhe e filma rreth Qabes e Mekës, por a mundet vallë mendja dhe gjuha e njeriut të rrokë të gjithë vlerën, rëndësinë dhe bukurinë e tyre? Njeriu ende s’mundet ta përcjellë realisht atë çfarë simbolizon kjo shtëpi kubike, kryeqendra e botës, pasi ende nuk i ka zbuluar fjalët që janë të denja për të.

Haxhi është një udhëtim plot oferta tunduese. Cili prej adhurimeve i fshin mëkatet e deritanishme? Asnjë përveç Haxhit. Këtë myzhde na e përcjell vetë Profeti i Mëshirës, Muhamedi a.s. kur thotë: “Kush e kryen Haxhin, duke u larguar nga punët dhe sjelljet e ulëta, kthehet i pastër (nga mëkatet) si ditën që e ka lindur nëna”. Por kjo nuk është e vetmja ofertë e Haxhit. Le të përmendim edhe një tjetër. Një namaz në Qabe ka vlerën e 100 mijë namazeve të falura diku tjetër.

Sa më shpesh ta kryesh Haxhin, aq më shumë të shtohet dëshira dhe ëndrra për ta kryer sërish, sepse ai është një ëndërr, e cila edhe pse mund të realizohet, prapë se prapë mbetet ëndërr. Kur flas me haxhilerë, të cilët e kanë përmbushur këtë obligim, rreth përshtypjeve të tyre, rreth asaj që kanë përjetuar në Mekë dhe Medine (dy qytetet më të shenjta), ata nisin e flasin e nuk mbarojnë së treguari. E teksa flasin, mallëngjehen, sepse kujtojnë momente të cilat ndoshta vetëm një herë në jetë të jepet mundësia t’i shijosh. Pjesë e paketës së Haxhit është edhe vizita e Medinës, qytet në të cilin ndodhet xhamia e profetit Muhamed a.s., aty ku mund të ndjesh aromën dhe gjurmët e shëmbëlltyrës sonë të dashur.

Lexo  HORIZONTI I FESË

Haxhi është tubimi më paqësor, udhëtim që të dhuron kujtimet më të bukura të jetës, të pashlyeshme në kujtesë, të paharruara deri në detaje. Haxhi është eksperienca më mbresëlënëse e çdo haxhiu dhe haxh është udhëtimi drejt Zotit, drejt Xhenetit, drejt së mirës. Është një udhëtim që të ndryshon 360 gradë, të bën ta shikosh jetën me një tjetër këndvështrim, të bën më realist, më të devotshëm, më human e më njerëzor. Ai më shumë sesa një udhëtim trupor, është udhëtim shpirtëror, ku zemra shpërthen e tëra dhe dëshiron që të shkëputet prej trupit një çast e më parë që të mbërrijë shumë përpara tij në Mekë. Haxhi është një trajnim disa ditor për shpirtin, pasi e edukon dhe i jep më shumë rëndësi atij sesa trupit. Gjatë kryerjes se ritualeve të Haxhit harron se kush je dhe të duket vetja sikur je larguar tërësisht nga kjo botë e ke shkuar në një tjetër botë, ku mëkati nuk ekziston dhe ku bindja ndaj urdhrave të Zotit është ajo që mbretëron.

Lus Allahun që t’ua lehtësojë kryerjen e Haxhit të gjithë haxhilerëve të këtij viti, t’ua pastrojë qëllimet e tyre, t’i pastrojë nga mëkatet dhe t’i kthejë faqebardhë. Qofshin duatë dhe lutjet e vizitorëve të Shtëpisë së Allahut, për më shumë paqe në botë, për një botë pa luftë, pa gjakderdhje, pa trazira dhe për më shumë vëllazëri e unitet.

Zoti im! Mos më largo nga kjo dynja pa ma mundësuar Haxhin! Mos m’i mbyll sytë pa e parë Qaben dhe pa e përshëndetur nga afër Profetin Muhamed a.s. te varri i tij në Medinë. Mos më ringjall dhe mos më tubo në fushën e Mahsherit, pa më dhënë mundësinë të ngjitem në malin e Arafatit! Ti je Pranuesi i lutjes, pranoje lutjen time dhe të gjithë atyre që i bashkohen asaj!

Qani Sulku

/Revista Drita Islame – Shtator 2015/

Ndajeni me miqtë tuaj...