Haxhi, vizita e vendeve të shenjta, bindja dhe përgjigjja ndaj thirrjes së Allahut Mëshirues për të qenë atje, është pjesë e pandarë e kornizës së të qenit mysliman, është ndjekje e vazhdimësisë së hapave që hodhi i dashuri i Zotit, profeti Ibrahim a.s. në ato vende, është kulmimi i përkushtimit fizik, material dhe shpirtëror i krijesës ndaj Krijuesit Mëshirëplotë.

Në të njëjtën kohë kur prej Kur’anit Fisnik vjen urdhëresa: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut…”, (Bekare, 196), zemrat dhe lutjet që dalin nga to prej miliona haxhilerësh nga i gjithë rruzulli i bashkohen të parës lutje dhe të pranuar te Pranuesi i Gjithëmëshirshëm se: “…në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (En’am, 162)

“Shpërblimi i haxhit të pranuar është vetëm se xheneti, parajsa e amshuar”, përgëzon Mëshira e Botëve, Muhamedi a.s. Haxhi është momenti kur njerëzit e bindur dhe respektues të të gjitha urdhëresave të Allahut Mëshirëplotë i përgjigjen njëzëri Atij në një kor të përbërë prej gjuhësh mikse dhe në sfondin e një mozaiku racash dhe kombesh, me fjalët: “Vetëm Ti meriton falënderim, Ti je i Vetmi Fuqiplotë dhe vetëm Ty të takon lavdia dhe pushteti”.

Si çdo obligim tjetër edhe haxhi nuk mbetet në kornizën individuale të myslimanit, por është thirrja që i bëhet çdo zemre besimtari dhe besimtareje se ata janë të tillë “…që falin namazet dhe që ndajnë nga ajo që Ne ua kemi dhënë… dhe ushqeni edhe atë që lyp, dhe atë që nuk lyp…” (Haxh, 35-36).

E gjitha kjo e manifestuar përmes ritualit të sakrificës, kurbanit, i cili është shprehja e drejtpërdrejtë e falënderimit për Krijuesin Dhurues i të gjitha mirësive për njerëzimin mbarë. Kurbani, kjo sakrificë që kryhet në kujtim dhe vazhdimësi të përkushtimit të Ibrahimit a.s., plotëson ylberin e begative që burojnë nga dhjetë netët për të cilat nga Krijuesi i Madhërishëm në Kur’anin Famëlartë vjen betimi: “Betohem për dhjetë netët!” (Fexhr, 2).

Lexo  Haxhi dhe lutja

Haxhi dhe Kurbani; i pari dëshmon unisonin e myslimanëve, njerëzve të besimit e të bindjes ndaj Krijuesit, dëshmon pandashmërinë dhe praktikimin e këtij besimi në çdo cep të globit në gjurmët e pahumbura të Krenarisë së Njerëzimit, Muhamedit a.s.; ndërsa i dyti, ky komunitet, kjo bashkësi e përkushtuar në besim, po në unison është e gatshme për sakrificë në shërbim të Zotit, të lirisë, të paqes, të drejtësisë, të qëllimit për të përfituar nga i Madhi Zot mirësitë në të dy jetët.

Ndajeni me miqtë tuaj...