ilmihali

Një anë të dashurisë për të vërtetën e përbën shkenca, kurse anën tjetër, feja. Sigurisht, në njërën anë të lidhjes dhe marrëdhënies mes qenies është zbulimi dhe përcaktimi i të vërtetës me anë të aftësisë njohëse dhe vetëdijes së njeriut, në anën tjetër është qëndrimi që duhet përcaktuar ndaj asaj të vërtete. Specifikën e parë e ndjek shkenca, përfshi edhe burimet informative të fesë. Kurse specifikën e dytë e përcakton feja. Shkenca që nuk ka në themelet e saj analizën dhe shpjegimin e qenies dhe ekzistencës, dëshirën dhe pasionin për zbulimin e të vërtetës, është e verbër; po kështu, edhe përcaktimet e saj nuk janë pa kontradikta. Ashtu siç ndodh që shkenca për përvetësimin e së cilës bëhen përpjekje të nisura nga konsiderata interesash individuale, familjare e shoqërore, është e paracaktuar të përballet çdo kohë me një sërë ngecjesh e bllokimesh, ashtu dhe komplikimi herët a vonë i informacionit apo njohurisë së arritur në mënyrë të kushtëzuar nga një mendësi, një ide, një parti e një doktrinë, është i pashmangshëm. Meqë me burimet informative brenda saj, feja është një basen i gjerë dijeje, është edhe një element jetësor dhe një dinamikë me rëndësi për sa i përket dashurisë dhe pasionit për të vërtetën, si dhe në çështjet që e kapërcejnë horizontin e informacionit dhe njohurisë, një udhëzues me stil tregues të hapur, por me pamje të thellë që s’të gënjen kurrë!

Por ç’e do se ashtu siç është e mundur në çdo kohë që shkenca, duke u flijuar për ide të caktuara, për rryma të caktuara dhe për doktrina të caktuara, duke e miopizuar, të shndërrohet në diçka mëngjarashe apo më keq, në një demon agresiv, grindavec dhe që ia pret rrugën të vërtetës, ashtu dhe është e mundur në çdo kohë që edhe feja e cila është një e vërtetë qiellore, të tregohet në dorën e mendimit fanatik si burim ndjenjash urrejtjeje, neverie, zemërimi dhe shpagimi; si përfytyrimi dhe projektimi i një objekti në mënyrë të përmbysur! Ç’kontradiktë e madhe!

Mendoni, tani, një çerdhe shkencore – që, në të vërtetë, është po aq e shenjtë sa një tempull – të marrë nëpër këmbë, madje të marrë rob në këtë apo atë mënyrë nga një rrymë filozofike. Aty shkenca është një i arrestuar në dorën e një ideje jo të lirë, fanatike dhe po aq të mallkuar sa injoranca më e mallkuar! Dhe mendoni një fe që kërkohet të bëhet mjet për interesat e disa klikave politike apo jopolitike. Tashmë tempulli është bërë banesa e ngushtë e asaj klike, kurse adhurimi aty është shndërruar në një lloj ceremonie protokollare dhe, në këto kushte, nuk ka dyshim se edhe feja, edhe institucioni dhe jeta fetare, edhe karakteri sublim i fesë janë vrarë keqas!

Lexo  Bujaria dhe gjerësia e shpirtit.

Sigurisht, po qe se në një shoqëri disa flasin për shkencë dhe, ndërkaq, i përdorin çerdhet shkencore, siç përdorin vilat e veta, si vitrina të dëshirave, pasioneve dhe ideologjive të veta, ato çerdhe shkencore prej kohësh kanë mbaruar së qeni tempuj, për t’u kthyer në arena ku mprihen dëshirat, pasionet dhe urrejtjet. Gjithashtu, po qe se në një shoqëri disa flasin për besimin, fenë dhe vënien e saj në jetë dhe, ndërkaq, atyre që s’mendojnë si ata vetë, që, për pasojë, nuk ndajnë me ta të njëjtat konsiderata politike, u atribuojnë herezi, materializëm dhe hipokrizi, feja në përfaqësimin e njerëzve të tillë – mëkati i kësaj u takon këtyre përfaqësuesve sharlatanë – kthehet në gjendjen e një fobie krejtësisht kundërshtare të synimit të zbritjes së saj (fesë), si largimi i njerëzve nga Allahu, nxirja e zemrave të tyre dhe mbyllja mu në sy atyre e dyerve të shpresës. Ç’është e drejta, në ç’masë që të jetë armiqësia kundër besimit dhe fesë në gojët që shkumëzojnë me urrejtje, neveri dhe zemërim dhe në penat që nxijnë shpirtrat, një fanatizëm dhe një dhuratë e ofruar djallit që e kënaq atë, grushtet e ngritur në ajër të shtrënguar fort në emër të kritikës ndaj kësaj pikëpamjeje apo asaj ideje ndërsa pretendohet për besim dhe fe, janë në po atë masë një mediokritet dhe fanatizëm, si dhe një model injorance që do t’i mbyste në dëshpërim banorët e qiellit!

Pavarësisht nga pamja, po qe se njeriun që nuk e di se ç’është besimi i vërtetë, se me ç’gjuhë flet ndërgjegjja, që s’ka pjesë nga afërsia dhe dashuria hyjnore, që nuk i pranon për të mëdha gjërat e konsideruara të mëdha dhe për të vogla gjërat e konsideruara të vogla tek Allahu, shihet si fetar i plotë, kjo duhet të jetë mungesa më e madhe e respektit ndaj hyjnitetit dhe universalitetit të fesë. Armiku më i madh edhe i fesë, edhe i shkencës, është paraqitja e një pjese dëshirash dhe pasionesh tona diku si ide shkencore dhe diku si besim fetar. Kjo specifikë është te njerëzit një boshllëk me truall të gjerë dhe burimi i këtij boshllëku janë dobësitë e tyre dhe, në krye të këtyre dobësive, vijnë dobësia për t’u dukur mbi atë se ç’jemi dhe dobësia për t’iu hyrë pritjeve shumë kate mbi kapacitetin tonë. Është pikërisht kjo dobësi e dyfishtë që bëhen përpjekje për ta mbushur me një sërë vlerash shkencore dhe fetare të pranuara si të shenjta nga ndërgjegjja e përgjithshme. Më saktë, prej disave, feja kërkohet të përdoret pikërisht si një lëndë mbushëse për të mbushur boshllëqet e veta. Arma më e fuqishme e lidhur fort pas të vërtetës e ndërgjegjes përballë një dobësie njerëzore të tillë, është pasioni për të vërtetën dhe dashuria për dijen dhe shkencën. Sigurisht, nëse ka një eliksir që të fshijë myshkun e mendjeve të dukura si të ditura dhe ndryshkun e mendimeve të dukura si përkrahëse të fesë, ai është, pa dyshim, dashuria pasionante për Allahun, dashuria për të gjithë qenien si rrjedhojë e dashurisë për Të dhe pasioni për të vërtetën. Kur zemrat të marrin vrull me pasion dhe shpirtrat të ngrihen kas me dashuri, të gjitha boshllëqet dhe dobësitë njerëzore ose bëhen pluhur e hi, ose shndërrohen në eliksir, në pije jetëdhënëse!

Lexo  Profeti i dërguar si mëshire për botët.
Ndajeni me miqtë tuaj...