Ihlasi është interpretuar si qëndrim i drejtë, i sinqertë, i pastër, i pakompromis në parime, i mbyllur kundrejt dëshirës për t’u dukur dhe kundrejt sjelljeve e dukurive që mund të përlyejnë zemrën, në një jetë të pasur me përkushtim e dëlirësi shpirtërore, si një orientim i të menduarit në marrëdhënie të afërta me Allahun, larg synimeve tokësore, si një përkushtim i plotë e i sinqertë. Një pjesë e madhe e fjalëve që dijetarët e nderuar kanë shprehur në vazhdimësi në përshkrimin e ihlasit kanë rrjedhur pikërisht përreth përkufizimit të paraqitur më sipër.

Ihlasi shihet si mbyllje e individit kundrejt gjithçkaje përveç adhurimit ndaj Allahut, si dhe përveç urdhrave, dëshirave dhe mirësive të Zotit të Madhëruar; si mbartje në zemër e misterit në marrëdhënien mes adhuruesit dhe të Adhuruarit, si paraqitje e çdo vepre e veprimi për kontroll e vlerësim sipas standardit të së Vërtetës Hyjnore. E thënë ndryshe, ihlas do të thotë që të vësh në vend detyrimet dhe përgjegjësitë vetëm për arsyen se ato janë urdhëruar prej Atij, që gjatë zbatimit të këtyre detyrimeve të synosh arritjen e admirimit e të kënaqësisë së Atij dhe të drejtohesh në orientimin e Tij shpirtëror. Ihlasi, i përshkruar në këtë mënyrë, përbën një ndër cilësitë më të rëndësishme të besnikëve ndër radhët e adhuruesve të përkushtuar të Allahut.

Besnikëria është cilësia më e parë e botës së profetësisë, ndërsa ihlasi është përmasa më e shndritshme e saj. Atë ihlas që të tjerët mundohen e përpiqen aq shumë për ta shtënë në dorë, Profetët e gëzojnë që nga lindja. Kurani Fisnik, në lumturinë e të rrëfyerit të ihlasit të një Profeti, na sjell ndërmend këtë dhuratë të rëndësishme përmes pohimit hyjnor: “Pa dyshim, atij i qe dhënë ihlasi.” (Merjem, 51).

Lexo  Nata e bekuar Beraet

Ihlasi është një vepër e zemrës dhe Allahu i jep vlerë njeriut sipas prirjeve të zemrës: “Ai nuk vështron fytyrat, trajtat dhe pamjet tuaja të jashtme, por zemrat dhe prirjet e zemrave tuaja.”[1]

Ihlasi është porsi një kredi e magjishme që u është falur zemrave të dëlira, që të paktat i bën të shumta, të cekëtat të thella dhe që e kthen në të pakufishëm adhurimin; aq sa njeriu i pajisur me të, si në tregjet e botës, ashtu edhe në ato të Parajsës, mund të kërkojë e të zotërojë më të shtrenjtat sende; që në ato vende të botës që janë të begata në përkushtim, shkon dorë më dorë.

Pikërisht në sajë të kësaj fuqie të magjishme të këtij virtyti, i Dërguari i Allahut na sjell ndërmend se veprat duhet të shkojnë në orbitën e ihlasit, teksa thotë: “Nëse në jetën fetare gëzoni ihlas, edhe veprat e pakta janë të mjaftueshme,”[2] si dhe: “Shikoni kurdoherë ihlasin në veprat tuaja, sepse Allahu pranon vetëm veprën e kryer me ihlas.”[3]

Nëse vepra është një trup, ihlasi është shpirti në të; nëse vepra është një krah në fluturim, ihlasi është krahu tjetër. As trupi nuk mund të jetojë pa shpirtin, as me një krah të vetëm nuk mund të fluturohet e të mbërrihet gjëkundi.

Sipas disave, të shmangesh prej vështrimeve e vëmendjes së njerëzve përbën ihlas… ndërsa disa të tjerë pohojnë se ihlasi është shmangie e plotë e të menduarit për njerëzit… të tjerë akoma thonë se edhe ihlasi vetë nuk duhet kujtuar… po, sipas këtyre, ihlasi është shmangie dhe qëndrim larg prej çdo mendimi gjatë veprës, si dhe lënie në harresë, përmes vetëkontrollit, e të gjitha ëndjeve materiale e shpirtërore.

Lexo  Misteri i Qabesë trondit NASA-n

Më saktë, ihlasi është një e fshehtë mes adhuruesit dhe të Adhuruarit; dhe këtë të fshehtë, Allahu e ka vendosur në zemrat e njerëzve të tij të dashur. Në vështrimin e një njeriu, zemra e të cilit është zgjuar prej ihlasit, nuk bëhet fjalë kurrsesi që të ekzistojë ndonjë mendim për të pritur lajka e lëvdata, për të marrë vesh nëse dinë apo s’dinë të tjerët për veprat e tij të mira. Madje ai s’arrin të mendojë as për sevapin dhe për shpërblimin hyjnor. Tek të tillë besimtarë të përkushtuar, çdo gjendje e sjellje, qoftë e hapur, qoftë e fshehtë, është në të njëjtën linjë.

Atëherë mund të themi se “Në këtë botë, sidomos në çështjet e në veprat që i shërbejnë arritjes së Parajsës, ihlasi është një bazë ndër më të rëndësishmet, një fuqi ndër më të mëdhatë, një ndërmjetës ndër më të pranueshmit, një ndër më të qëndrueshmet pika të mbështetjes, një ndër më të shkurtrat rrugë drejt së Vërtetës, një ndër lutjet shpirtërore më të pranueshme, një ndër mjetet më të mrekullishme për të arritur qëllimin, një ndër virtytet më të larta, një ndër më të dëlirat forma të adhurimit.”



[1] Muslim, Birr, 33; Ibn Maxhe, Zuhd, 9; Musned, 2/285,539

[2] Munâvî, Fejzu’l-Kadîr, 1/216.

[3] Munâvî, Fejzu’l-Kadîr, 1/217.

Ndajeni me miqtë tuaj...