Kafshët që janë haram për t’u ngrënë

Allahu në punët e të Cilit ka shumë urtësi edhe nëse një pjesë të tyre i kuptojmë apo jo, e ka bërë haram ngrënien e mishit të disa kafshëve. Gjërat që janë bërë haram, janë bërë të tilla në këndvështrimin e besimit, shpirtit, moralit, etikës dhe pastërtisë. Për këtë arsye nuk është gjithmonë i saktë vlerësimi vetëm nga ana mjekësore i këtij problemi. Pika e përbashkët e çështjeve të ushqimeve që kanë të bëjnë me haramin janë “Habaith” (mosngrënia e gjërave që janë të pista dhe të pështira), apo të mira të quajtura ndryshe “Tajjibat”. Gjithashtu mosngrënia e lëndëve të dëmshme për shëndetin e njeriut, është parim në përgjithësi i Islamit. Në Kuran urdhërohet kështu në lidhje me mishin e kafshëve që janë bërë haram: “Thuaj unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua asgjë të ndaluar rreptësisht për ndonjërin prej jush që ushqehet, me përjashtim të ngordhësirave, gjakut të derdhur, mishit të derrit, se këto janë të ndyta, e mishit që është therur në emër të tjetërkujt e jo në emër të Allahut. Por për atë që detyrohet nga uria e madhe, nuk është gjynah të hajë ato që i përmendëm por pa u ngopur vetëm sa të zhduket uria. Se Allahu me të vërtetë është falës i madh e Mëshirëplotë. (En’am 6/145).

“U është ndaluar juve ngrënia e ngordhësirës, gjakut, mishit të derrit dhe mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat, përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën janë gjynah. Sot dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur ç’do shpresë që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre por keni frikë prej meje. Sot jua përsosa fenë tuaj e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha që islami të jetë feja juaj. Por kushdo që është shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar) pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. (Maide 5/3).

Tani dëshirojmë të trajtojmë katër nga gjërat e bëra haram në ajetet e sipërpërmendura:

1. Ngordhësirat

Ngordhësirat janë të parat në listën e gjërave të bëra haram. Ngordhësirat nuk janë vetëm ato kafshë që ngordhin vetvetiu apo që janë të kundërta me të gjallat, por bashkë me të lartpërmendurat janë edhe kafshët e prera në kundërshtim me metodat e fesë. Një kafshë e tillë nuk quhet e pastër dhe nuk hahet.

– Prerja e kafshës sipas rregullave të Islamit

 Është në interes të sqarojmë një çështje të që ka të bëjë më këtë temë. Mishi i kafshës që hahet duhet të pritet sipas rregullave të fesë, domethënë prerja e rrugës së frymëmarrjes, prerja e kanalit të ushqimit dhe arteriet e qafës, që janë dy damarët e gjakut në qafë. Në këtë mënyrë mundësohet rrjedhja e gjakut të kafshës. Po qe se i këputet qafa e tëra, i shtrëngohet fyti qafës apo mbytet në forma të tjera, kjo nuk quhet therje e përshtatshme. Sepse në këtë mënyrë gjaku ngelet në trup dhe mpikset. Në damarët e kafshës lëvizin në formë të lëngshme një numër i madh mikrobesh dhe parazitësh. Rrjedhja e gjakut gjatë prerjes së kafshës mundëson nxjerrjen jashtë të gjërave të dëmshme si mikrobet, parazitet etj. Si pasojë e ngordhjes vetvetiu të kafshës dhe jo si pasojë e prerjes së saj; nga mosrrjedhja e gjakut, mikrobet, parazitët etj, ngelen në trup, shtohen me shpejtësi dhe mishi kthehet në një vatër mikrobesh, pra për këtë arsye quhet ngordhësirë. Kafshët që japin shpirt pa ndonjë ndërhyrje, në përgjithësi ngordhin si pasojë e dobësisë së tepërt, nga helmimi apo nga sëmundjet mikrobike, ngrënia e tyre mund të sjell rreziqe nga ana shëndetësore. Nga ana tjetër kur njerëzit nuk ushqehen me to, zogjtë dhe kafshët e tjera kanë mundësi të gjejnë ushqim për të jetuar. Në të vërtetë ngordhësirat janë ushqime të natyrshme për kafshët e tjera. Ashtu siç citohet edhe në Kuran (Maide 5/3), edhe këto kafshë bëjnë pjesë në grupin e ngordhësirave, të mbyturat pa u prerë, të mbyturat si pasojë e goditjes së tyre me shkop apo diçka tjetër në ndonjë vend të caktuar, kafshët që bien nga një vend i lartë dhe që ngordhin si pasojë e saj, kafshët që ngordhin si pasojë e goditjes nga një kafshë tjetër me brirë, kokë apo shkelm, kafshët që ngordhin si pasojë e sulmit dhe copëtimit të tyre nga kafshët grabitqare. Megjithatë, në rastet e sipërpërmendura, po qe se arrihet në momentin kur kafsha është ende e gjallë dhe pritet me bismil’lah, nuk është më i pistë, mishi i tij është i pastër dhe mund të hahet. Në rastet kur kafshët ngordhin vetvetiu si ato që jetojnë në tokë, po ashtu edhe ato që ngordhin në ujë konsiderohen ngordhësirë. Qëllimi i të bërit haram të të ngordhurave, është mosngrënia e tyre. Por mund të përfitohet prej brirëve, kockave dhe leshit të tyre. Ndërsa për të përfituar prej lëkurës së ngordhësirave duhet qe ajo të përpunohet, sepse Profeti paqja qoftë mbi të ynë thotë: “Lëkura bëhet e pastër në sajë të përpunimit”[1]

Në këto raste përjashtohet lëkura e derrit. Lëkura e derrit nuk pastrohet me anë të përpunimit, organi apo pjesa e këputur nga trupi i një kafshe të gjallë dhe që i hahet mishi, pranohet për ngordhësirë. Ndërsa organi apo pjesa e këputur nga trupi i kafshës që i hahet mishi pasi ajo të jetë prerë sipas rregullave nuk numërohet ngordhësirë por të hash një pjesë të tillë është mekruh.

2. Gjaku i rrjedhur

Gjaku që rrjedh është bërë haram (En’am 6/145). Kur kafshët priten shumica e gjakut të tyre rrjedh jashtë, ndërsa një pjesë e vogël mbetet në damarët e hollë. Njëri nga urtësitë e të bërit haram ngrënies së gjakut, ashtu siç theksuam dhe më sipër, bashkë me gjakun që rrjedh, janë edhe mikrobet dhe parazitët që dalin jashtë. Ky gjak që del jashtë është haram të hahet apo të pihet. Atëherë meqë një gjë e tillë është e pistë, për një njeri që nuk e ka humbur natyrshmërinë e tij është e neveritshme për të, ngrënia apo pirja e gjakut. Gjaku i mbetur në damarët e hollë, në shpretkë dhe mushkëri ngaqë nuk pranohet se ka rrjedhur jashtë mishit, është mubah të hahet me mish dhe kokën apo këmbët e kafshës së therur.

3. Mishi i Derrit

Ngrënia e mishit të derrit në Kuran është bërë haram në mënyrë kategorike dhe të qartë. (Bakare2/173, Maide 5/3, Enam 6/145) Përsëri siç shprehet edhe në këtë ajet, mishi i derrit është padyshim i pistë. (Enam 6/145). Në të vërtetë, mishi i derrit është bërë haram për t’u ngrënë në të gjithë librat hyjnorë të feve. Në Tevrat (Dhiata e Vjetër) thuhet që mishi i derrit është i ndotur dhe është ndaluar ngrënia e tij si dhe prekja e derrit të ngordhur: ”Derri është dythundrak, por nuk ripërtypet. Për ju është i pisët. Mishin e saj nuk do e hani, ngordhësirën e tij nuk do e prekni. (Ligji i Përtërirë, 14/8). Në Ungjill nuk ka ndonjë shprehje që e ndalon në mënyrë kategorike ngrënien e mishit të derrit. Megjithatë në shumë vende derri është poshtëruar shih (Mateu, 7/6; Marku 5/11/14). Derri, për nga vetë natyra e tij është një kafshë që ushqehet me lëndë të prishura dhe të qelbura dhe që jeton në papastërti të madhe, për këtë arsye duke filluar nga tenja (mola) dhe trishini (lloj virusesh, shumë lloje mikrobesh) gjejnë fole në mishin e tij.

Trishini i cili kalon nga mishi i derrit tek njeriu, tek njerëzit përbën një sëmundje shumë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse, ndërsa tek derrat nuk shkakton ndonjë sëmundje të rëndë. Krimbat e vegjël të trishinit që merren nëpërmjet mishit të derrit, me anë të stomakut dhe zorrëve kalojnë në gjak. Në këtë mënyrë përhapen në të gjithë trupin. Krimbat e trishinit në veçanti vendosen në nofull, gjuhë, gurmaz dhe pjesët muskulore të gjoksit. Shkakton paralizim të muskujve në të folur, përtypje dhe gëlltitje – gjithashtu shkaktojnë bllokim të damarëve të gjakut, meningjit dhe inflamacion të trurit. Disa raste të rënda përfundojnë me vdekje. Pjesa më e keqe e kësaj sëmundjeje është pamundësia e mjekimit të plotë të saj. Lëndë të dëmshme si trishini në instalime moderne mund të pastrohet me transformim. Por kjo gjë nuk e bën atë hallall. Para se gjithash Allahu mishin e derrit e ka bërë haram; tek ai ka shumë dëme që i dimë dhe që nuk i dimë. Njëkohësisht mishi i derrit është me shumë yndyrë po qe se ushqehemi me të, kjo yndyrë kalon në gjak, e në këtë mënyrë gjaku mbushet me grimca yndyre e kjo sasi e tepërt yndyre shkakton forcimin e arterieve kryesore, rrit tensionin dhe bëhet shkak për krizat e zemrës.

Njëkohësisht, në yndyrën e derrit gjinden edhe lëndë helmuese si: “sutoksina” Për t’i nxjerrë nga trupi këto lëndë helmuese duhet që gjëndrat e limfës të punojnë më tepër seç duhet. Kjo gjendje sidomos tek fëmijët shfaqet në formën e bllokimit të limfës dhe fryerjes së saj. Pjesa e fytit të fëmijës fryhet në mënyrë anormale duke i përngjasuar derrit. Për këtë shkak kjo sëmundje quhet sëmundja e derrit (skrufuloz). Në rastet kur sëmundja është zhvilluar shumë, gjëndrat e limfës fryhen si pasojë e zënies qelb. Temperatura ngrihet, fillojnë dhimbjet dhe shfaqet një situatë e rrezikshme. Njeriu dhe kafshët pak apo shumë ndikohen nga ushqimet që kanë ngrënë, p.sh. dihet se qeni, luani dhe kafshë të tjera mishngrënëse janë më gjakatarë; ndërsa delja, dhia, deveja, etj, që ushqehen me bar janë më të buta dhe të urta. Kjo gjë vlen edhe për njerëzit. Është vërtetuar se ata që ushqehen me ushqime bimore janë më të butë – të parrezikshëm, ndërsa njerëzit që ushqehen me mish apo prodhimet e mishit janë me temperament më të ashpër.

Derri është një kafshë që nuk bëhet xheloz për femrën. Tek njerëzit që ushqehen me mish derri është vënë re dobësim i ndjenjës së xhelozisë.

Filozofi Frances Savorini duke vlerësuar ndikimin e të ushqyerit në temperamentin e njeriut ka thënë: “Më thuaj me ç’farë ushqehesh, të të them se ç’farë je”.

Peshqit në det apo në pishinë që ushqehen me ushqim të përzier me dhjamë derri nuk përbën pengesë të hahet. Sepse ky ushqim, në trupin e peshkut transformohet në trajtë tjetër. Megjithatë, ashtu si kafshët që lihen të lira nëpër rrugë dhe që ekziston mundësia që ato të ushqehen me ndyrësirë, para se të theren për disa ditë me radhë mbahen të mbyllura dhe nën kontroll, në të njëjtën mënyrë duhet të mbahen dhe mbikëqyren nën kontroll edhe peshqit duke i lënë të presin për disa ditë.

4. Të therurat në emër të dikujt përveç Allahut

Allahu është Ai që e jep dhe e merr jetën. Njerëzit i therin kafshët me lejen dhe vullnetin e Allahut. Për këtë arsye gjatë therjes së kafshës duhet të përmendet emri i Allahut; për të rikujtuar se vdekja vjen vetëm si pasojë e forcës dhe vullnetit të Tij. Ashtu siç thuhet edhe në ajetin Kuranor mishi i kafshës së therur në emër të dikujt tjetër përveç Allahut është haram të hahet. (Bekare 2/173). Gjatë therjes së kafshës, kur përmendet emri i dikujt tjetër përveç Allahut, anulohet leja dhe miratimi i Tij; në këtë mënyrë tregon një mosmirënjohje e cila nuk të lejon përfitim nga kafsha e therur. Ndalimi i therjes së kafshëve në emër të dikujt tjetër përveç Allahut, përmban në vetvete urtësinë e zhdukjes së idhujtarisë dhe forcimin e besimit të teuhidit. Për të qenë hallall mishi i një kafshe, para se të theret apo të hapet zjarr ndaj saj, duhet të thuhet “Bismil’lah ose Bimil’lahi Allahu Ekber”. Për shkak se Allahu nuk do ta ngarkojë me përgjegjësi njeriun për gabimet që bën në rastet kur harron, edhe mishi i therur kur harrohet të thuhet Bismil’lah është i lejuar të hahet. Por në qoftë se Bismil’lah braktiset qëllimisht, mishi i kësaj kafshe është haram të hahet. Veçanërisht ky ajet shpreh qartë të qenurit hallall në bazë të kompetencës dhe legjislacionit të Profetit paqja qoftë mbi të. Profeti që i urdhëron ata për ç’do të mirë dhe i ndalon nga ç’do e keqe u lejon atyre ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshme (Araf 7/157). Edhe suneti i Profetit paqja qoftë mbi të përforcon këto të ndaluara të Kuranit Famëlartë duke sqaruar me detaje veçoritë e ushqimeve “të pista dhe të pështira”. Veçanërisht për kafshët grabitqare që kanë dhëmballë, kafshët që kanë dhëmbë të mprehtë në të katër anët dhe zogjtë grabitqarë (zogjtë që copëtojnë gjahun me kthetra), Profeti thekson se mishi i tyre nuk mund të hahet.[2]

Në transmetimin e ibn Abasit vazhdimi i këtij hadithi është kështu: Ç’do zog që e gjuan gjahun e tij me kthetra është haram (580 Muslim, Sajd, 12/16).

Hadithet që sqarojnë dhe ndriçojnë kafshët e tjera të bëra haram në ajetet Kuranore janë këto:

 Të gjitha kafshët e përmendura në ajetet Kuranore dhe që mund të cilësohen “të pistë”.

Kafshët e cilësuara të pista përfshijnë të gjitha ato kafshë që ushqehen me gjëra dhe ushqime të dëmshme dhe që për pasojë janë të rrezikshme edhe për njeriun, si dhe kafshët të cilat për nga vetë natyra e tyre shkaktojnë neveri tek njerëzit, kafshët si: Gjarpri, miu, breshka, urithi, iriqi, miza, krimbi, etj, hyjnë në këtë grup kafshësh.

Insektet që nuk kanë gjak të rrjedhshëm

Insektet përveç karkalecit.

Kafshët dhe zogjtë grabitqarë që gjuajnë me kthetrat e tyre

Sipas hanefive, fjala “Siba (kafshë grabitqare)” quhen kafshët që ushqehen me mish dhe të gjitha kafshët mishngrënëse janë pranuar si mish haram për t’u ngrënë (Luani, tigri, ujku, ariu, dhelpra, çakalli, elefanti, nuselala, shqadhi, (kunadhja), ketri, majmuni, qeni, macja, etj). Shafitë të cilët kësaj fjale i japin kuptimin “kafshë që sulmojnë dhe copëtojnë njerëzit“, çakallin dhe dhelprën e ndajnë nga ky grup kafshësh duke e pranuar hallall mishin e tyre. Ndërsa sipas Malikive ngrënia e mishit të këtyre kafshëve nuk është haram, por mekruh. Ndërsa përsa i përket mendimit në lidhje me shpendët grabitqarë, tek hanefitë skifteri dhe korbi janë mekruh ndërsa tek malikitë të gjithë janë mekruh. Shafitë si njësi matëse përdorin dëmin e shkaktuar nga ngrënia e mishit të tyre dhe të tillët i pranojnë mekruh.

Kali, gomari dhe mushka

Gomari dhe mushka janë haram në mënyrë unanime nga të gjitha medhhebet. Në lidhje me këtë temë Hz. Xhabiri transmeton: I Dërguari i Zotit (s.a.s.) në luftën e Hajberit ndaloi mishin e gomarit, mishin e kalit e lejoi të hahet.[3] Imamët Hanefi si Ebu Jusufi e Imam Muhamedi, juristë islam si Ahmed bin Hanbeli dhe shumica e tyre, në bazë të këtij hadithi mishin e kalit e kanë quajtur hallall; Ebu Hanifja e ka quajtur Tenzihen Mekruh (afër hallallit). Ndërsa imam Maliku duke u bazuar në thënien e Profetit e ka ndaluar mishin e kalit, mushkës, gomarit dhe kafshëve grabitqare që kanë dhëmballa[4] . Mishin e kalit e quan haram një argument tjetër i Ebu Hanifes dhe imam Malikut për të mos pranuar si hallall mishin e kalit edhe ky ajet Kuranor “Allahu xh.sh. i krijoi kalin, mushkën dhe gomarin për t’u hipur dhe për stoli” (Nahl 16/8). Nuk kundërshtohet pirja e qumështit të kalit.


[1] Muslim ,hajëz,105 Ebu davud ,libas ,38

[2] Muslim Sajd, 15/16 Ebu Daut, Etine 32

[3] Buhariu, Dhebaih, 28, Muslim, Nikah 30, Sajd 23

[4] Ahmed bin Hanbel I, 147