a) Kuptimi leksikor
Kuptimi leksikor i fjalës kader është “matje, vlerësim, përcaktim, formësim, trajtësim”, etj. Folja arabisht (kadera) ka-de-ra do të thotë “caktoi, ndau në pjesë dhe secilit i caktoi pjesën e vet, pati fuqi”. Në trajtën (kaddera) kad-de-ra do të thotë “vendosi, e imponoi vendimin dhe e ekzekutoi”. Një fjalë tjetër që ka lidhje me kaderin, është fjala kada. Fjala kada do të thotë “urdhër, vendim dhe ekzekutim”.
Maturiditë dhe esh’aritë, si dy degë të rëndësishme të drejtimit suni, i kanë kuptuar konceptet kader dhe kada përsa i përket kuptimit, në mënyrë të kundërt. Atë që esh’aritë e kanë konsideruar kada, maturiditë e kanë trajtuar si kader dhe anasjelltas. Kontradikta mes tyre është një mosmarrëveshje leksikore.
b) Kuptimi terminologjik
Sipas maturidive, kaderi është vendimi i Allahut, kurse kadaja, ekzekutimi i këtij vendimi nga ana e Tij, pra, kryerja e gjësë për të cilin ka marrë vendim dhe zbatimi i vendimit. Sipas esh’arive, kadaja është vendimi eternal i Allahut, vendimi i Tij i marrë në pafillimshmëri. Kurse kaderi është realizimi i vendimit pasi të jenë formuar/krijuar kushtet përkatëse.
Kaderin dhe kadanë me këndvështrimin e maturidive mund ta parashtrojmë kështu:
Kaderi është planizimi dhe programimi nga Krijuesi i Lartë që zotëron dijen e pasosur, që i sheh dhe din të shkuarën, të tashmen dhe të ardhshmen si një pikë të vetme dhe për të Cilin nuk ka të shkuar, të tashme e të ardhshme, i tërë gjithësisë, nga mikrobota në makrobotë e gjer te njeriu me strukturën e tyre informative dhe vlerësimi dhe shënimi i çdo gjëje që ka për të ndodhur, para se të ndodhë, përfshi edhe procesin e marrjes së këtyre nga plani informativ për t’i ekspozuar në botën e ekzistencës me anë të vullnetit dhe fuqisë së Tij, në një Libër me cilësi të panjohur për ne. Kurse kadaja është zbatimi nga Zoti i gjërave të caktuara dhe vendosura prej Tij në pafillimshmëri, kur t’u vijë koha, me anë të vullnetit dhe fuqisë së Tij dhe në përputhje me dijen e tij eternale.
Tema e Kaderit si Një Parim Besimi
Mund të themi se domosdoshmëria e besimit te kaderi në Islam buron nga dy argumente. I pari, fakti që në shumë ajete flitet për kaderin dhe prania e haditheve që bëjnë të ditur në mënyrë mjaft të qartë domosdoshmërinë e besimit te kaderi. I dyti, domosdoshmëria e besimit te atributet absolute, të pakushtëzuara e të pakufizuara të dijes, vullnetit dhe fuqisë të Zotit.
Në Kuran ka shumë ajete që na bëjnë të ditur ne ekzistencën e kaderit lidhur me njeriun. Le t’i marrim dhe analizojnë këtu disa prej tyre.
“Nuk ka as në tokë e as në veten tuaj ndonjë gjë që të dalë në shesh (duke ju bërë të dëshpëroheni ose të gëzoheni) e të mos jetë në një libër para se ta krijojmë Ne. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun. Kjo (ndodh kështu) me qëllim që të mos dëshpëroheni për atë gjë që ju del dore dhe të mos përkëdheleni për të mirat që ju jep Allahu…” (Hadid, 57/22-23)
“Thuaju: “Ne s’na vjen gjë tjetër veç asaj që ka shkruar Allahu për ne!” (Tevbe, 9/51; En’am, 6/38; Jasin, 36/12)
“Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët që lënë ata. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë!” (Jasin, 36/12)
Ajeti i parë flet në një mënyrë mjaft të qartë se të gjitha qeniet, dukuritë dhe ngjarjet, përfshi edhe njeriun dhe çdo situatë lidhur me të, para se të dalin në sheshin e ekzistencës, ndodhen të shkruara në një libër. Po kështu, ajeti i dytë tërheq vëmendjen mjaft qartë mbi këtë të vërtetë për sa i përket njeriut, dhe ajeti i tretë, mbi të cilin sapo u përqendruam, na e bën të ditur neve çdo shkrim/shënim lidhur me njeriun.
Me këto ajete, Kurani na tregon në një mënyrë që të mos ketë nevojë për asnjë koment ose interpretim se çdo gjë ekziston në dijen hyjnore para se të dalë në sheshin e ekzistencës. Le të ndalemi tani këtu dhe le t’i drejtojmë vetes këtë pyetje: A nuk nënkupton, në fund të fundit, thënia e Allahut për diçka, “kjo është kështu”, “besojeni se kjo është kështu”? E shprehur më qartë, a nuk nënkupton thënia e Allahut, “çdo gjë që ka për t’ju ndodhur dihet nga Allahu që më parë”, “besojeni se çdo gjë që ka për t’ju ndodhur dihet nga Allahu që më parë”?
Sipas opinionit tonë, meqë besimi te Allahu dhe te atributet e Tij të lartë, si dija, vullneti, fuqia, etj., përfshin edhe besimin te kaderi dhe kadaja, në ajetet që i bëjnë të ditura bazat e besimit së bashku, kjo shtyllë e besimit nuk është theksuar veç. E thënë ndryshe, meqë besimi te kaderi, në themel, përfshihet në bazën e besimit te Allahu, nuk është përmendur në Kuran shprehimisht në mënyrë të veçantë. Sepse, “ata që besojnë se Allahu është krijuesi i gjithësisë dhe se dija dhe vullneti i Tij përfshijnë pjesët dhe të tërën, kanë besuar edhe te kaderi dhe kadaja. Duke u mbështetur mbi rëndësinë e posaçme të çështjes, domosdoshmëria e besimit te kaderi dhe kadaja është sqaruar në mënyrë të veçantë në hadithet Profetike.”
Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka shpjeguar duke e shqyrtuar në hollësi çështjen e kaderit që trajtohet në ajete. Si një bazë besimi, besimi te kaderi zë vend në hadithe me shprehje mjaft të hapura. Veçanërisht hadithi Profetik i cituar nga Muslimi në fillim të veprës së tij “Sahih”, bart një rëndësi të madhe përsa i përket formulimit të besimit islam. Nga ky hadith i gjatë që ka për rrëfyes Hz. Omerin (r.a.), do të mjaftohemi këtu me përcjelljen vetëm të pjesës lidhur me temën tonë:
“… besim do të thotë t’u besosh Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij, ditës së ahiretit dhe kaderit, të mirës dhe të keqes…”
Në këtë hadith thuhet “… edhe në të keqen prej Tij…”; besimi se ashtu si e mira, edhe e keqja e kanë prejardhjen nga Allahu, do të thotë besim se dalja edhe e të mirës, edhe e të keqes dhe fatkeqësisë në sheshin e ekzistencës (krijimi i tyre) bëhet me vullnetin dhe fuqinë e Allahut dhe jo se Allahu dëshiron të keqen për njeriun kundër tij, sepse Allahu nuk është kurrë pro as ndaj mohimit, as ndaj ndonjë akti mohues të robve të Tij.
Shkurt, po ta marrim e ta trajtojmë çështjen e kaderit nga një perspektivë e gjerë pa e shtrënguar brenda kallëpeve të ngushtë, vëmë re se bazat e besimit janë të rrethuar me besimin/parimin e kaderit dhe kadasë. Sepse, Krijuesi i Lartë, duke nisur me njohjen e ekzistencës së vet, e ka vlerësuar dhe përcaktuar që më parë kuptimin dhe qëllimin përfundimtar të jetës që do të krijonte dhe të botës përtej saj, cilëve Profetë do t’u zbriste mësime (libra) për këtë dhe me anë të cilëve engjëj. Të mendosh të kundërtën, do të thotë të pretendosh se Ai vepron spontanisht, si të vijnë ngjarjet, gjë që me të vërtetë është e pamundur.
Pozicioni i Vullnetit të Njeriut Përballë Vullnetit Hyjnor
Në Kuran, koncepti kader ka të bëjë jo vetëm me njeriun, por me tërë gjithësinë, nga grimcat e mikrobotës, gjer te makrobota. Pra, çdo qenie, për daljen e së cilës në fushën e ekzistencës brenda linjës shkak-pasojë bëhemi dëshmitarë, formohet brenda një programi hyjnor, kaderit. Po të shqyrtohen me vëmendje ajetet përkatëse, kjo specifikë shihet fare qartë.
Duke e marrë në dorë çështjen e kaderit lidhur me njeriun, Kurani, e trajton kaderin herë në aspektin e vullnetit të Allahut dhe herë në aspektin e vullnetit të njeriut. Ndërkaq, po qe se kjo nuk shihet si një e tërë, mund të pandehet se këto ajete të paraqitur vëmendjes nga dy kënde të ndryshme, bien në kontradiktë. Por gjendja nuk është aspak kështu. Le t’i marrim me radhë këto ajete.
a) Ajetet që tregojnë se njeriu është i lirë në aktet dhe veprimet e tij
“Pa dyshim, Ne i treguam atij rrugën e drejtë. Po të dojë, le të jetë falenderues, po të dojë, mosmirënjohës!” (Insan, 76/3)
“Thuaju se e vërteta është prej Zotit tuaj. Tashmë kush të dëshirojë le të besojë, kush të dëshirojë le të mohojë!” (Kehf, 18/29)
“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij!” (Fussilet, 41/46)
“Çdo njeri është peng i bëmave të veta!” (Muddeththir, 74/38)
“Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta (Kurani) nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet…!”(Junus, 10/108)
Këto ajete, disa prej të cilave i morëm si shembull këtu, tregojnë se njeriu është i lirë në punët dhe veprimet e veta dhe prandaj është përgjegjës për punët dhe veprimet e veta.
b) Ajetet që tregojnë se vullneti hyjnor është bazë
“Po s’dëshiroi Allahu, ju s’mund të dëshironi!” (Insan, 76/30)
“Po të donte Allahu, nuk do ta bënin dot atë gjë!” (En’am, 6/37)
“Po të mos donte Allahu, nuk do të besonin!” (En’am, 6/111)
Siç shihet, në ajetet e grupit të parë (a) theksohet se njeriu është një qenie e lirë, kurse në ajetet e grupit të dytë (b) theksohet se bazë dhe përcaktues është vullneti hyjnor. Mes këtyre dy grupe ajetesh nuk ka ndonjë vështirësi konceptuale të pakapërcyeshme. Në ajetet e grupit të parë, çështja është trajtuar në aspektin e saj që ka të bëjë me vullnetin e njeriut, kurse në ajetet e grupit të dytë, çështja është trajtuar në aspektin e saj që ka të bëjë me vullnetin e Krijuesit të Lartë.
Atëherë, këto ajete mund t’i vlerësojmë me këtë shprehje: Duke marrë për bazë vullnetin hyjnor, njeriu është një qenie që mund të bëjë ç’të dëshirojë. Kuptimi i kësaj është ky: Zoti e ka bërë vullnetin tonë kusht elementar për vullnetin e vet të përgjithshëm. Realizimi ose dalja në skenën e ekzistencës e një gjëje çfarëdo materiale apo jomateriale (moralo-shpirtërore) që e dëshiron njeriu në mënyrë të vullnetshme, nëse mund të shprehemi kështu, varet nga viza e vullnetit hyjnor.
Si domosdoshmëri e zakonit hyjnor, njeriu është i lirë të dëshirojë, vetëm se realizimi i gjësë së dëshiruar prej tij varet nga vullneti dhe fuqia hyjnore; dëshirimi i njeriut nuk ka asnjë vlerë po qe se Allahu nuk e dëshiron po atë gjë dhe nuk jep leje për realizimin e saj. E thënë ndryshe, po qe se dëshira volitive e njeriut nuk merr miratimin dhe lejen e vullnetit hyjnor, nuk realizohet gjë. Çdo gjë që bëhet (realizohet), bëhet brenda lejes dhe vullnetit të Zotit. Asgjë nuk mund të realizohet pavarësisht nga vullneti i Tij. Kështu, në një hadith Profetik thuhet kështu:
“Ajo që dëshiron Allahu bëhet. Kurse ajo që s’e dëshiron Ai, kurrë s’mund të bëhet!”
Kurse në një ajet ku Allahu na e parashtron çështjen në të dy aspektet, domethënë, edhe në aspektin e vullnetit hyjnor, edhe në aspektin e vullnetit njerëzor, thotë kështu:
“Ai (Kurani) s’është tjetër veçse një këshillë për botët, për ata nga ju që dëshirojnë të orientohen. (Por) Po të mos dëshirojë Allahu, Zoti i botëve, ju s’mund të dëshironi!” (Tekvir, 81/27-29)
Në emër të kuptimit të pozicionit të vullnetit të njeriut përballë vullnetit hyjnor, dëshirojmë të përcjellim këtu interpretimin shumë konciz dhe elegant të F.Gylenit: “Allahu e ka pranuar aktin tonë që është një realitet konvencional, si ftues të dëshirës dhe vullnetit të Tij, i ka dhënë rëndësi atij, ka premtuar se do t’i bëjë realitet projektet më të mëdha duke u mbështetur mbi të dhe e ka krijuar këtë element konvencional si një pretekst për mirësinë dhe mëkatin, e ka bërë bazë atë për shpërblimin dhe ndëshkimin, e ka pranuar si subjekt të cilit i dedikohet e mira dhe e keqja dhe këtij akti relativ i cili nuk shpreh asnjë vlerë në vetvete dhe, sipas rezultateve që kanë lidhje me të, i ka ngarkuar vlera mbi vlera që, po të mos qe kështu, jeta do të ndalonte me të tëra, njeriu do të binte në nivelin e sendeve pa jetë, propozimi do ta humbte kuptimin dhe çdo gjë do të kthehej në kotësi… Prandaj, gjithsesi, do t’u jepte jashtëzakonisht rëndësi atij si dhe kërkesave dhe dëshirave të tij dhe, duke e sjellë atë në gjendjen e një kushti elementar, e një preteksti të respektuar për rregullimin e kësaj bote dhe përjetësisë si dhe në gjendjen e një butoni magjik të një mekanizmi elektrik që do t’i ndriçonte botët, do ta tregonte edhe një dimension tjetër enigmatik të fuqisë së Tij duke krijuar në një pikë uji, detin, në një molekulë, diellin, në një gjë që s’ekziston, botët!”