ilmihali

Ndërkohë që engjëlli përmbush misionin e tij njeriu duhet të shpejtojë në arritjen e sferave të larta engjëllore në mënyrë që të arrihet një plotësim mes tyre.

Pikë së pari njeriu duhet të përgatisë sfondin ku mund të zbresë engjëlli dhe më pas ta ruajë atë sfond në të cilin të pasqyrohet një rrëshqitje, përthyerje, dëshirë dhe përmallim nga bota engjëllore në botën ku ndodhemi ne. Përsa kohë njeriu do të përmbushë detyrën e tij edhe engjëlli do ta plotësojë atë ashtu siç duhet. Por njeriu e mbyll rrugën nga mund të vijnë engjëjt me anë të gabimit, mëkatit. Nëse ai mbyll dyert nga mund të hyjnë dhe dalin engjëjt atëherë banorët e botës engjëllore nuk trokasin më aty. Begatia dhe mëshirimi i vendit dhe kohës ku jetojmë lidhet me përmbushjen e detyrave, obligimeve të njeriut.

Në këtë botë ekzistenciale njeriu duhet të mbajë hapur syrin e zemrës ndërkohë që sodit mrekullitë e Zotit të Madhëruar, të fluturojë si një bletë, të marrë më të mirën e luleve dhe me nektarin e mbledhur të thurë hojet e diturisë. Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë ai mund të përgatisë sfondin e lumturisë së botës tjetër që në këtë botë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Abdullah b. Revaha i drejtohej njërit prej miqve më të afërt me këta fjalë: “Eja të besojmë pak!” Edhe ti bëj të njëjtën gjë, kape dorën e besimtarit, zemra e të cilit është larguar nga Allahu, ku lotët janë tharë, me zemrën e zbrazur dhe thuaji: “Eja vëlla, le të shkojmë në xhami, të besojmë pak! Të fitojmë kënaqësinë e Zotit! T’i japim pak gjallëri shpirtit dhe të ringjallim ndjenjat e fikura, të etura. Le të bëhemi bregu ku përplasen dallgët e dashurisë me erërat e lehta të frymës hyjnore. Ti duhet të jesh gati në mënyrë që të vijnë dhe të priten me një përqafim të ngrohtë. Nëse ti nuk ke një shpirt mikpritës të përfaqësuesve të Zotit të Madhëruar, nëse shpirti yt qëndron larg Zotit në një çast të papritur mbërrin mëshira hyjnore dhe kthehet përsëri mbrapsht. Ti mendon se besimi që ke tek Zoti është i plotë por ç’e do, shpirti yt ka vdekur por ti akoma nuk e di. Duhet të tregohesh vigjilent. Ashtu si një roje i cili bën detyrën e tij do të presësh pa mbyllur sy dhe të kërkosh ngushëllim.

Lexo  Profeti ynë, mbreti i përulësisë

I Dërguari i Zotit (s.a.s.) ka kaluar jetën e tij në një vigjilencë të papërshkruar duke përfaqësuar shpirtrat, ndjenjat e zgjuara, mendjet që nxirrnin mësim nga çdo gjë që shihnin, dëgjonin, ndjenin. Ditën ishte i tillë por edhe natën për të cilën Zoti i lartësuar thotë se “e kemi bërë pushim për ju” (Nebe’ 78/9), para se ta zinte gjumi i lutej Zotit kështu: “Zoti im! Tani jam në dorën Tënde, kjo zemra ime nuk mund të durojë një çast pa të përmendur Ty, por u munda nga gjumi.” Lexonte lutjet para gjumit dhe më pas flinte. Edhe ti mund ta sistemosh jetën tënde sipas rregullit të jetës së të dërguarit të Zotit dhe duke iu dorëzuar Atij mund të begatosh minutat e jetës tënde. Për këtë arsye nuk duhet të mbyllesh sytë as për një çast në mënyrë që kur të vijnë mysafirët e çmuar të të gjejnë zgjuar me derën hapur.

Ti je imami ndërsa unë xhemati

Tregohu i kujdesshëm! Mëshira e Allahut mund të zbresë në çdo çast në zemrën tënde, dhe është përsëri Allahu, Ai i cili pyet nëse kjo zemër është gati apo jo për të. Ai nuk mund të hyjë mysafir në një zemër të papërgatitur. Nëse ti je syhapur krijesat më të ndritura do të sillen rreth teje ashtu siç sillen rreth Qabes. Këtë të vërtetë Profeti (a.s) e pasqyron në një hadith të tij ku thotë: “Nëse një njeri i cili gjendet në një vend të shkretë merr abdes apo tejemum (në mungesë të ujit) dhe fillon namazin nga qielli zbresin aq shumë engjëj sa të mbushin gjithë zonën ku ai falet dhe një pjesë tjetër qëndron e falet pas tij.”

Lexo  Drejtohu edhe një herë Atij

Pra kjo do të thotë se në disa raste ti mund të dalësh edhe para engjëjve, mund të kalosh përpara dhe ato të kenë nderin të falin namaz pas teje. Si është e mundur që një krijesë si njeriu, mbartëse e shumë ndjenjave djallëzore si urrejtja, epshi, smira, zilia të cilat sigurisht i janë dhënë për një arsye të caktuar, të tejkalojë kufijtë e njerëzores dhe të arrijë në kufirin më të lartë engjëllor? Ja pra, engjëlli habitet nga ky fakt dhe radhitet pas tij në namaz dhe thotë : ti je imam, ndërsa unë xhemat. Pranimi ose shprehja e diçkaje të tillë është nder për të. Ashtu siç rrinë gati engjëjt të falin namaz pas njeriut i cili falej në shkretëtirë, ato qëndrojnë pranë dhe shoqërojnë në namaz çdo njeri tjetër që mund të falet kudo. P.sh., në uljen e parë ne lexojmë “paqja dhe shpëtimi qoftë për ne dhe për robërit e mire të Zotit”, kur japim selam në anën e djathtë dhe të majtë engjëjt e marrin këtë selam dhe i përgjigjen atij. Por këtu detyra kryesore e njeriut është misioni i thirrjes së engjëjve në këtë sfond. Në fillim njeriu duhet të falë namaz, selamin e fundit t’ua dërgojë engjëjve, engjëjt të gjenden pranë dhe të gatshëm ta marrin atë dhe në fund të duartrokasin bashkërisht punët e tij të mira…

Ndajeni me miqtë tuaj...