Qëllimi esencial i Kuranit është t’ia mësojë njeriut detyrat dhe përgjegjësitë në kuadrin e pozitës së tij si adhurues i Zotit, të rregullojë jetën individuale e shoqërore dhe të bëhet pretekst për fitimin e lumturisë së përjetshme. Me një shprehje më të përmbledhur, detyra më e parë e Kuranit është trajtësimi i jetës së njeriut sipas vullnetit dhe pëlqimit të Krijuesit.
Specifikave jashtë kësaj, Kurani u jep vend sipas përbërjes, rëndësisë dhe vlerës. Po qe se s’do të ndodhte kështu, por, bie fjala, Kurani do të bënte fjalë hapur dhe me detaje mbi një sërë mrekullish të qytetërimeve dhe mbi zhvillimet shkencore, atëherë do ta humbte të drejtën për të bërë fjalë mbi synimet tejet të rëndësishme dhe do të ishte lënë mënjanë njeriu, qenia më e përsosur e botës.
Prandaj, Kurani, shumë temave shkencore dhe teknike u ka dhënë vend në mënyrë të përmbledhur dhe koncize në kuadrin e synimeve të veta kryesore. Nisur nga kjo, në emër të njohjes së fuqisë, madhështisë dhe urtësive të Krijuesit të Lartë,[1] Kurani prek, disa herë hapur e, disa herë, në mënyrë sinjifikative, shumë dukuri që ndodhin në ekzistencë, nga të cilat mund të përmendim disa si më poshtë.
1) “Ne i dërgojmë erërat për pllenim dhe zbresim nga qielli ujë, prej të cilit ju japim të pini e të cilin nuk mund ta depozitoni dot!” (Hixhr, 15/22)
Edhe ky ajet është tregues i faktit se një e vërtetë e kuptuar vetëm në shekullin e njëzetë, është pohuar nga Kurani shekuj më parë. Erërat përplasin me njëra-tjetrën retë e formuara nga avujt e ujit. Nga kjo përplasje, mes reve ndodh një rrjedhje e fuqishme elektronesh në gjendje inkandeshente që e quajmë rrufe ose shkreptimë. Kështu retë mbarështojnë shiun. Pastaj, duke i ngjeshur retë, erërat bëjnë të bjerë shi. Në të njëjtën kohë, duke fryrë mbi lulet, erërat bartin polenin që e shpërndajnë mbi organet femërore të luleve në hapësira të mëdha. Kështu, retë mbarështojnë edhe bimët. Gjithashtu, ky ajet tregon se ujërat e shiut depozitohen nën tokë dhe shërbejnë, pastaj për pirje dhe ujitje.
2) “Çdo gjë Ne e krijuam çift!” (Dharijat, 51/49); “Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë!” (Jasin, 36/36)
Një specifikë të zbuluar nga shkencëtarët para pak kohësh, Kurani e pati lajmëruar shekuj më parë. Sot dihet mirë se ashtu siç janë njerëzit çift, edhe gjallesat e tjera janë çift. Madje edhe atomet, lënda bazë e çdo gjëje, janë çift. Një pjesë e tyre janë të ngarkuar pozitivisht, kurse një pjesë tjetër, negativisht. Veç kësaj, ky dualitet e tregon veten në një formë të ndryshme te çdo gjë në tërheqjen dhe shtytjen brenda vetë gjërave. Kurse në ajetin e dytë tërhiqet vëmendja për ekzistencën edhe të gjërave të tjera të panjohura për njeriun e asaj dite.
3) “Ne e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë pa ndalim!” (Dharijat, 51/47)
Në këtë ajet të Kuranit, një mijë e katërqind e ca vjet më parë, diskutohet për çështjen e “zgjerimit të hapësirës”, e cila vazhdon ta ruajë peshën në katedrat shkencore.
4) “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi!” (Jasin, 36/38)
Shekuj më parë, pavarësisht se ç’thoshte kozmologjia e vjetër, Kurani bënte të ditur se Dielli s’ishte i palëvizshëm, përkundrazi, rrotullohej rreth boshtit të vet.
5) “Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato të lëvizin si retë!” (Neml, 27/88)
Gjithashtu, duke tërhequr vëmendjen mbi malet si pjesë të rruzullit tokësor, Kurani ka treguar se rruzulli tokësor lëviz.
Siç u pa, në Kuran, i cili është një interpretim i librit të gjithësisë, nuk janë nënvleftësuar dhe lënë mënjanë as çështjet dhe të vërtetat shkencore lidhur me njeriun, i cili, si qenia më e përsosur, i përfton gjithësisë vlerën e vërtetë, por kanë zënë vendin e vet sipas përbërjes dhe rëndësisë.
Mbrojtja mrekullore e Kuranit
Nuk ka asnjë dyshim se garancia më e madhe në mbrojtjen e Kuranit është garancia e dhënë nga Allahu i Lartë që e ka dërguar atë: “Pa dyshim, Ne e kemi zbritur (Kuranin) dhe, pa dyshim, Ne jemi garant për të!” (Hixhr, 15/9)
Krijuesi i Lartë e ka mbrojtur Kuranin duke bërë pretekst për këtë në fillim Profetin, pastaj sahabet, shokët e tij, dhe, më tutje, me pasuesit dhe vazhduesit e veprës së tyre. Me këtë, Krijuesi i Lartë ka vendosur që t’i nderojë me një detyrë kaq të lartë ata që e kanë besuar dhe vërtetuar Kuranin!
Kurani është i vetmi libër që është fiksuar siç është zbritur nga qielli, është marrë nën mbrojtje dhe ka arritur gjer në ditët tona pa i ndryshuar as edhe një shkronjë. Ai do të vazhdojë të ekzistojë gjer në kiamet me formën dhe përmbajtjen e tij origjinale!
Kurani ka ruajtur jo vetëm tekstin origjinal, por edhe freskinë dhe transcendentalitetin e mesazheve dhe të vërtetave që i ka paraqitur njerëzimit. Koha që ka rrjedhur me shpejtësi, nuk e ka vjetruar dot atë. Tezat e njëpasnjëshme të zhvilluara kundër tij, nuk e kanë zbehur dhe vjetruar vlerën e tij. Nga dita kur ka zbritur e gjer më sot, ndaj Kuranit janë bërë shumë kundërshtime dhe kritika, por të gjitha “gjyqet” e ngritura mbi këtë çështje kanë përfunduar me “pafajësinë” dhe fitoren e tij!
[1] Kështu, në një ajet me cilësi ndriçuese të kësaj specifike, thuhet: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndjekjen e ditës nga nata e të natës nga dita, ka prova (që tregojnë ekzistencën, fuqinë dhe urtësinë e Tij) për ata që kuptojnë!” (Al-i Imran, 3/190)