ilmihali

a) Duhet të falet në kohën e caktuar

Namazi i xhumasë falet ditën e xhuma në kohën e namazit të drekës. Pasi të dalë koha e këtij namazi, falja e namazit të xhumasë ose kazaja e tij nuk është më e lejueshme. Po qe se s’është falur as namazi i drekës i asaj dite, duhet bërë kaza vetëm ky namaz.

Po qe se ndërsa është duke u falur namazi i xhumasë, del koha përkatëse, duhet falur si kaza namazi i drekës nga e para.

Sipas imam Malikut, namazi i xhumasë mund të falet edhe pasi të ketë dalë koha e namazit të drekës. Edhe sipas një rivajeti nga imam Ahmedi, namazi i xhumasë mund të falet edhe para kohës së drekës (zeval).

b) Duhet të falet me xhemat

Si një namaz që falet vetëm me xhemat, namazi i xhumasë nuk mund të falet individualisht. Numri minimal i xhematit për namazin e xhumasë është tre vetë veç imamit. Sipas imam Ebu Jusufit, është dy vetë veç imamit. Sipas një rivajeti nga imam Maliku, është tridhjetë, kurse sipas medhhebit Shafi dhe Hanbeli është dyzet vetë.

Sipas Ebu Hanifes është kusht që këta tre vetë meshkuj dhe me zhvillim mendor normal të ndodhen të pranishëm gjer në sexhden e parë. Sipas kësaj, namaz xhumaje nuk falet me xhemat të përbërë vetëm prej femrash dhe fëmijësh, si dhe me xhematin e shpërndarë para sexhdes së parë e të mbetur në pakicë.

Sipas Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, është kusht që xhemati të ndodhet i pranishëm gjersa të bëhet tekbiri i fillimit, kurse sipas imam Dhuferit, të paktën gjer pas rekatit të dytë gjersa të rrihet ndenjur aq sa do të duhej për të bërë teshehud. Po qe se personat që e përbëjnë xhematin, shpërndahen më parë, një a dy vetë që mbeten duhet ta falin namazin e mesditës. Nuk është kusht që xhemati të përbëhet prej personash vendas ose të lirë. Edhe myslimani udhëtar ose skllav mund ta drejtojë faljen e namazit të xhumasë.

c) Duhet të falet në qytet

Dijetarët kanë vënë si kusht që vendi ku do të falet namazi i xhumasë të jetë qytet ose një njësi urbanistike e konsideruar administrativisht qytet. Por mes tyre ka ndryshime pikëpamjesh mbi detajet e këtij kushti.

Sipas burimeve të fikhut klasik të medhhebit hanefi, njësia urbanistike ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë ose qytet, ose vendbanim i konsideruar administrativisht qytet, ose të ndodhet në periferi të tij. Ka rivajete të ndryshme mbi çështjen se në ç’kushte një vendbanim ose njësi urbanistike do të konsiderohet qytet. Sipas disa dijetarëve, kriteri është përcaktuar në formën “të ketë aq banorë sa xhamia më e madhe e vendit të mos i marrë dot të gjithë personat e ngarkuar me përgjegjësinë për ta falur namazin e xhumasë”. Sipas disa autorëve, ky kriter është përcaktuar si “vendbanim që ka një nëpunës shtetëror administrativ”. Kurse me fjalën “periferi” nënkuptohet mjedisi përreth qytetit, ku ndodhen varrezat, poligonet e qitjes, fushat e përgatitura për grumbullime për qëllime të ndryshme si dhe vende të tjera në këtë largësi.

Lexo  Urtësitë e kohëve të namazit

Sipas dijetarëve, pranohet se emërtimi “qytet” që përdoret në burimet bibliografike, sot duhet të kuptohet si njësi urbanistike ose vendbanim i madh ose i vogël, prandaj, në të gjitha njësitë e vedbanimit si fshatrat apo qendrat e fshatrave të bashkuara ku ndodhet një xhemat vendas që mund ta kryejë namazin e xhumasë, namazi i xhumasë mund të falet.

Sipas shafive, namazi i xhumasë duhet të falet brenda kufijve të qytetit ose fshatit me banorë të përhershëm.

Sipas malikive, vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë qytet, fshat ose një njësi vendbanimi apo vend në periferi të tyre me banorë të vendosur e të përhershëm.

Kurse sipas hanbelive, është kusht që vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të ketë të paktën dyzet banorë të përhershëm.

d) Duhet të falet në xhami

Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e mundësisë së faljes së namazit të xhumasë në pika të ndryshme të një vendbanimi ose njësie urbanistike. Të gjitha medhhebet kanë qëndruar mbi domosdoshmërinë e faljes së namazit të xhumasë mundësisht vetëm në një xhami të qytetit. Meqë xhumaja përmban kuptime të tilla si mbledhje, grumbullim në një vend, edhe ky kusht ka, në fakt, lidhje me idenë e mbledhjes, grumbullimit në një vend dhe, kështu, formimit të një bashkimi dhe uniteti. Me gjithë domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë gjithmonë të kësaj ideje, po të mbahen parasysh qytetet e sotme ku banojnë një numër shumë i madh njerëzish, duket e pamundur që namazi i xhumasë të falet në një apo disa vende në një xhami që të mundet t’i plotësojë kërkesat.

Sipas njërës nga dy pikëpamjet e njohura të Ebu Hanifes mbi këtë çështje, në një qytet mund të falet namaz xhumaje vetëm në një pikë, kurse sipas pikëpamjes tjetër, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në më shumë se një pikë. Imam Muhamedi ka pranuar pikëpamjen e dytë. Kurse sipas Ebu Jusufit, po qe se qytetin e ndan në dy pjesë një lumë që rrjedh mes tij ose po qe se qyteti është aq i madh sa personat e dobët dhe pleq nuk munden të shkojnë në xhaminë ku do të falet namazi i xhumasë, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në dy pika. Në qoftë se kushtet nuk janë të tilla, namazi i xhumasë falet vetëm në një pikë.

Lexo    Namazi im

Si përfundim, pikëpamja bazë për fetva dhe më e fuqishmja në medhhebin hanefi lejon që nëse në një qytet ka më shumë se një xhami, të falet namaz xhumaje në të gjitha xhamitë.

Sipas shafive, edhe po qe se në një qytet ndodhen më shumë se një xhami, namazi i xhumasë falet vetëm në njërën nga xhamitë në qoftë se nuk ka shkaqe që e bëjnë të detyrueshme faljen në disa xhami. Por po qe se për shkak të madhësisë së qytetit, mbledhja e njerëzve në një vend për namazin e xhumasë bëhet shumë e vështirë, sipas nevojës, në një qytet mund të falet namaz xhumaje në më shumë se një xhami.

Sipas pikëpamjes së parapëlqyer te malikitë, ashtu si tek shafitë, po të mos ketë shkaqe që e bëjnë të detyrueshme faljen e namazit të xhumasë në më shumë se një pikë, në një qytet namazi i xhumasë falet vetëm në një pikë. I tillë është edhe qëndrimi i hanbelive.

e) Duhet të ketë leje për falje

Në fikhun hanefi, kur flitet për lejen për namazin e xhumasë, kuptohen dy gjëra:

* Kryetari i shtetit ose personi i caktuar prej tij, ose një organ kompetent t’i japin leje personit që ka për ta drejtuar faljen e namazit të xhumasë.

* Në mjedisin ku ka për t’u falur namazi i xhumasë t’i jepet leje hyrjeje kujtdo.

Medhhebet e tjera veç hanefive nuk e vënë këtë kusht për vlefshmërinë e namazit të xhumasë. Ndërkaq, edhe hanefië e kanë trajtuar këtë ndër kushtet e kryerjes së namazit të xhumasë.

Përfundimisht, sot, fakti që në një shtet jepet leje për ndërtimin e xhamive, që rrogat e imamëve paguhen nga shteti dhe që ekziston një organizim ligjor-publik fetar i drejtuar dhe një institucion fetar legjitim, e përmban vetvetiu edhe lejen për faljen e namazit të xhumasë.

f) Duhet mbajtur hutbe

Edhe për çështjen se hutbeja është një prej kushteve të vlefshmërisë së namazit të xhumasë, juristët janë të një mendimi.

Hutbe do të thotë t’i flasësh ose t’i thuash dikujt disa gjëra, shkurt, është një lloj ligjërate që mbahet para një auditori të caktuar. Hutbeja është një pretekst dhe rast që një ditë në javë, besimtarët e mbledhur në një mjedis, të sqarohen kryesisht për çështje fetare, por edhe për çështje të tjera që do t’ua lehtësonin jetën dhe do t’ua përmirësonin marrëdhëniet. Në parim, hutbeja është menduar për realizimin e këtij qëllimi, prandaj mbahet me një gjuhë të kuptueshme për xhematin.

Për ekzistencën e hutbes si pjesë përbërëse e namazit të xhumasë, për vlefshmërinë e saj juridike dhe kryerjen sa më të mirë, kërkohet të plotësohen disa kushte. Në gjuhën e ilmihalit, këto quhen shtyllat, kushtet dhe sunetet e hutbes.

Ndajeni me miqtë tuaj...