Lotët janë derdhja pikë-pikë e mëshirës hyjnore përmes syve të njeriut.
Lotët janë vesa e lulëzimit të grimëçastit kur ndjenjat dhe zemra kapen dorë për dore, fytyrat e tyre vijnë përballë, për të hyrë te njëra-tjetra…
Vathët në veshët e hurive të Xhenetit janë të pavlera dhe të ulëta sa dheu përballë pikëlotëve që rrjedhin prej syve..!
Lotët janë shprehja e grimëcastit kur ndjenjat e larta mbështjellin shpirtin e njeriut në çdo anë dhe kur frika, ndrojtja, respekti dhe dashuria, që e prekin njeriun, e djegin enën ku qëndron zemra dhe i largojnë tutje nga zemra të gjitha dëshirat e ulëta…
Lotët janë brilantet e destinit të përjetësisë së kësaj bote kalimtare, të cilat ngrihen nga njëra re në tjetrën, e që vizitojnë shumë buzë pranë mëshirës së më të Drejtit…
E cilit kalimtar i është dhënë privilegji për t’i rënë portës së botës së panjohur gjithë naze e delikatesë, duke u ngjitur në lartësi marramendëse në një grimëçast të vetëm prej këtij vendi plot kurth..?
Të vështrosh fshehtësirat që fshihen pas veprës; të duash edhe më shumë sa më shumë që të zbulosh dhe, e shprehur me fjalët e Junus Emresë, “të klithësh dhe ta përmendësh Atë ‘së bashku me peshkun në det, së bashku me gazelën në shkretëtirë’”… Ngado të pyesësh vetëm për Të dhe të shkrish si akujt përballë çdo nyjeje që zgjidhet njëra pas tjetrës… Të bëhesh përmbytje dhe të gurgullosh e të qash duke e goditur veten nga guri në gur… njësoj si Junusi, si Xhelaled’din Rumiu, duke u djegur sii “i Përvuajturi i Madh” i shekullit, të përcëllohesh… E cili gëzim është më i ëmbël, e cila kënaqësi mund të jetë më e sinqertë se kaq?
E qara e nënës është vetë sinqeriteti; e kulluar, e qashtër dhe pa as grimcën më të vogël të dyfytyrësisë. Në çdo vajtim të saj është e fshehur klithma e mijëra fyejve. Edhe fëmija qan. Madje një të ardhur në këtë botë… ndoshta se një ditë më e mirë do të vijë, e ai do të bëhet i lumtur, apo për ato që e presin t’i ndodhin, apo për lënien pas dore a për verbërinë e njerëzve përreth, apo për mëkatet e paraardhësve të tij…
Dhurata më e bukur e nënës për nusen me ballin e vellon njëra më e bardhë se tjetra janë lotët e ndarjes. Nusja elegante nuk i harron kurrë deri në fund të jetës ata lot si gurë perle, më të pastër se pastërtie. Ditën që do t’i harrojë harron edhe nënën edhe familjen prej nga ka ardhur…
Pa mendojeni njëherë, sikur nëna me sytë e saj të mbushur si një re të mos qajë për ne, në ç’gjendje do të ishim? Po sikur të ishte edhe ajo dorështrënguar si deti; sikur ata lot të mos avullonin prej rrezeve të diellit e të mos fluturonin kah lartësitë! Pse, kështu është nëna? Ajo nuk do të dijë, nëse është verë, apo dimër; nuk e njeh ajo, as pranverën, as vjeshtën, veç qan…
Sipas fjalës së të Dërguarit të Zotit, më i Drejti i sheh si të barabartë syrin që ruan dhe mbron nderin e atdheut me syrin që qan.[1] Zaten a nuk ishte Ai që pati thënë: “Te Ti kërkoj mbrojtje prej syrit që nuk qan.”[2] Njësoj siç kërkonte mbrojtje edhe prej mashtrimeve të djallit, apo që ndjenjat e liga të mos e shtypnin…
Për sytë e atij që është pjekur në rrugën e drejtë, lotët janë më të vyer edhe se burimet e Parajsës. Sepse secila nga ato pikla janë si një eliksir prej lartësive të Mëshirës së Pafundme që do të fiknin edhe flakët e zjarrit të Xhehenemit…
Profeti i qashtër i Zotit, Ademi (alejhis’selam), a nuk e pati mbushur enën e lumturisë me lotët e vet dhe e pati pirë?..
Profeti i përvuajtur, Profeti i tufanit (alejhis’selam) a nuk e përmbyti të gjithë botën me ato pikla? A nuk ishin lotët e “’Mikut të Zotit”, që i zbuloi i pari fshehtësirat e krijimit, e që e bëri zjarrin “të ishte i freskët dhe i sigurt”, duke qarë e duke u lutur: “Për hir të Zotit!”?
A nuk ishte të qarët gjendja normale e Shpirtit të Zotit, lajmëtarit të Faraklitit, atij njeriu që ishte më delikat se delikatesa, në të cilin fshihej e qendërzuar çdo fshehtësi e më të Drejtit?
A nuk ishte vaji me të qara i profetit të pafajshëm, Daudit (alejhis’selam), që kur lexonte Dheburin, i cili ishte emërtimi i kësaj të qare dhe i ekuilibrit të thellë që ekziston brenda njeriut, ku dëgjohej vaji i plagëve të qindra heshtave të ngulura mbi fijet më të holla të zemrës…
Dhe, në stacionin e fundit, a nuk i zgjidhi me lotët e tij këto fshehtësira, njësoj sikur të ishte duke zgjidhur një nyje të lehtë, ai Shpirt me natyrë të shenjtë i krijimit, Zbulimtari i enigmës së madhe, i cili qëndronte në krye të rrugës së drejtë? Që kur u lut me mijëra herë që kur rrinte në prehërin e nënës, “Umeti im, umeti im…”[3] dhe a nuk vajtoi saherë vetëmse për “jetën pas vdekjes” dhe gjithçka që do të na presë përtej saj?
Poet Ikbali, i gjendur përpara një grupi shumë të madh, në praninë e shpirtrave i qe drejtuar Mbretit të profetëve me këto fjalë: “Kjo është dhurata më e vyer”, një gotë e mbushur me gjak dëshmorësh. Sikur të isha thirrur unë në atë mexhlis të lartë që i takon hapësirave përtejqiejsh, do të merrja e do të çoja lotët e atyre që qajnë për mëkatet e tyre.
“Qani, o sytë e mi, se më nuk qesh dot,
po u takova me Mikun, më nuk do të vij dot.”
Të qash për t’u takuar dhe të qash pikërisht sepse je takuar…
Dhe kjo nuk është e qara e një jetimi, apo e një njeriu të mbetur pa shpresë…
Kjo është një e qarë që vjen prej diçkaje sikur të kuptuar, pasi nuk mund ta kuptosh plotësisht, sepse nuk mund të arrish dot te thelbi i vërtetë, apo prej galdimit të ritakimit dhe madhështisë së pranisë së Tij. E, duke qenë se fill pas saj vjen buzëqeshja e mëshirës, gjithçka është aq e ëmbël. Dhe prapë kjo e qarë nuk ka të humbur, se ata janë lot të derdhur në rrugën e të treguarit edhe të tjerëve, që ta gjejnë edhe ata atë që ke gjetur ti.
“Sikur ujërat të buçasësh, e si Ejjubi të qash,
kraharori të të çahet, Ai, si je(?) ty nuk do të të pyesë?”
(Anonim)
Kësisoj, kjo ka qenë edhe arsye dhe domethënia e të gjithë lotëve që ka derdhur njeriu i Anadollit. Me këta lot e ka gatuar ai baltën e perandorive që ka ngritur.
Lotët janë dëshmitarët më të mirë të delikatesës në një shpirt. Njeriu i hollë është ai njeri që e lan me lot fytyrën e tij. Ata që nuk u djeg shpirti, e që qerpikët nuk u lagen asnjëherë, nuk janë veçse disa njerëz vulgarë dhe fatkëqinj. Dhe kjo nuk është delikatesë si ajo e apostujve. Aty ku është për të treguar maturinë dhe trimërinë ai forcohet menjëherë, si të ishte një copë masive tunxhi, e fiton një forcë më të madhe se ajo e çelikut; bëhet asisoj që nuk ka asgjë që ta përkulë apo kapërcejë. Ja, ai burrë shteti aq i madh sa ç’ishte Omeri, burrështetasi më i madh në rrethin e të Dërguarit të Allahut… megjithëse ishte ashtu, i ashpër, nevrik dhe urryes kur ishte nevoja, përpara një njeriu me zemër të thyer, apo përpara një “fytyre të ulur gjer përdhe” qante me ngashërimin e një fëmije, aq sa i bënte për të qarë edhe të tjerët që mund të ishin të pranishëm.
Në atë bashkësi të bekuar mund të gjesh sa e sa njerëz të atillë, që kur ata ulërinin trembeshin edhe luanët dhe pyllit i hynte frika gjer në palcë; në sheshin e luftës, me një të ulëritur, arrinin të rrëzonin njëmijë taborre. Mirëpo, përpara Zotit, në ato çaste kur uleshin për t’i kërkuar llogari vetes, ata përfshiheshin në një përzierje ndjesish aq të holla e delikate, saqë vetëm huritë e Xhenetit mund ta kenë njohur atë lloj delikatese.
Sa mall kemi për ata lot prej vitesh të stërgjata..! Jemi bërë të pyesim gurët, dheun, shtëpinë dhe faltoret e këtij atdheu… Duhet të pyesim krejt të shkuarën, se sa pika lot janë derdhur mbi prehrin e saj. Mandej të shkojmë t’u drejtohemi shtyllave që mbajnë në këmbë kupolat e faltoreve, atyre kupolave të gjera dhe plot me motive gjithkah, ç’prej sa kohësh i ka marrë malli për ato ngashërime. Duhen pyetur edhe sixhadetë, sa herë janë lagur nga ato pika lot. A mund të gjejmë dot një epokë të dytë, e cila të jetë larguar kaq shumë prej botës së brendshme, e të jetë kaq e përmalluar për zemrën…?
Tani, ju, ju që e keni harruar të qarit përgjatë gjithë historisë! Ju që qeshni, megjithëse jeni në një gjendje të mjeruar e për t’u qarë, ashtu pa asnjë vuajtje, pa shqetësime siç shfaqeni! Ejani, ejani të bëhemi bashkë aty në fund të këtij qorrsokaku, të qajmë e t’i japim fund kësaj gjendjeje, në të cilën nuk na shoqëron asnjë grimë shqetësimi, që na ka kapluar prej shekujsh! Të qajmë për injorancën tonë! Të qajmë për gjendjen tonë, që nuk jemi në dijeni të aq shumë gjërave që kemi humbur! Të qajmë për formën prej statuje që kemi marrë prej mangësive tona, të qajmë që ndjenjat i kemi çuar kështu dëm dhe për zemrën që na është bërë gur! Të qajmë se do të vdesim në këtë gjendje, se ashtu siç do të vdesim edhe do të ringjallemi, në këtë provim me kular në qafë e pranga në duar e këmbë, nuk do të gjejmë vend në mesin e atyre njerëzve të lavdishëm të së shkuarës, të cilët do të parakalojnë në atë ceremoni solemne, grupe-grupe! Njësoj si në frut i shkëputur nga dega e një peme, të qajmë për rënien tonë në vetmi, për shkeljen që të gjithë na kanë bërë, e kemi mbetur kësisoj, kaq shumë të privuar nga mëshira…!
T’i rrahim flatrat si pëllumba drejt lartësish dhe të lëshojmë psherëtimat e një vajtimi aq të fortë, sa zhurma t’i vërë në lëvizje retë e krijuara prej lotëve. Aty, ato pikla që do të bien si shiu mbi trupat tanë, të na e fikin zjarrin që digjet brenda nesh! Ta shuajnë zjarrin e mllefit dhe urrejtjes… zjarrin e mbarë botës dhe amshimit të përtejmë…
O Zot! Vetëm prej Teje kërkojmë dhe të përgjërohemi: “Jepu lot syve tanë dhe na bëj që të qajmë! Na bëj që të qajmë, duke na mëshiruar, e të mos e ndiejmë më këtë mall që na është mbledhur pse jemi larguar prej Teje! Na bëj të qajmë asisoj, që zemrat e copëtuar dhe e djegur prej zjarrit për të tjera gjëra të na piqen; të dalë syresh një klithmë e atillë, që t’i tronditë, si engjëjt, ashtu edhe mbarë qiejt.
Bëmë edhe mua të qaj; tregohu i dhembshur me shpirtin tim të errët sa nata dhe bëmë të qaj! Bëmë të qaj, që ta kuptoj se duhet të qaj edhe për çdo lot të derdhur që më ke falur e mundësuar! Mëshiroma këtë trup të përkulur, këtë ngjyrë të zbehur gati në vdekje, këtë qafë të rrudhosur dhe zemrën time të thyer! Edhe në këtë çast më të qetin, në këto minuta kur Ti u përgjigjesh të gjitha përgjërimeve, po të drejtohem, jo me zemrën time të errët pus, por me kokën që nuk pranon t’i ulet në sexhde askujt tjetër, pos Teje, dhe, me buzët që më dridhen, të lutem që të më bësh të qaj.
Sa keq, në atë moment që do të të përgjërohem, “mëshirë, mëshirë”, përpara m’ia behin të gjithë mëkatet që kam bërë dhe ma përthyejnë shpirtin në mijëra ndrydhje. O Zot! Fali dhembshuri zemrës sime, jo për hir të largësisë sime prej Teje, por për hir të afërsisë Tënde me mua, dhe më bëj të qaj aq shumë, sa që të humb i tëri, e të mos më mbetet më turp e ndershmëri, e të gjithë të thonë: “Ky është i çmendur.”…
“T’i hedh një zinxhir qafës, të shkoj atje, në Ravzanë e Kulluar, e të qaj aq shumë, sa që kush të më shohë t’më pandehë për të çmendur.” Mbase ndodh që ndonjëra nga pikat e rëna të rrjedhë e sinqertë e për hir të dashurisë për Të; ja, kaq, një pikël e tillë për mua vlen sa mbarë oqeanet. Tregoma dhe mua fshehtësinë e ekzistencës, teksa fryma më merret mes lotësh të shenjtë sa gjaku i dëshmorëve! Ngope këtë zemër të pavendosur! E unë, prej turpit, të përpiqem ta mbuloj fytyrën. Të mos dua të më shohë Ai, që më i Dashuri Yt. T’i shmangem Atij, Pishtarit Tim, Udhërrëfyesit Sublim. Mandej të ngrihet një këshill i lartësuar, ku nuk pranohen të pacipët, të thirrem edhe unë, me farfurite të shpurpuritura dhe me ngashërimet të lidhura nyje në grykë, e të paraqitem i dorëzuar me mburojën e “La tuahidhna”-s[4] në dorë. Të pranishmit t’i mbyllin sytë dhe të thonë: “Edhe ky ka qenë i yni.”; t’i falin edhe këtij lypësi prej atyre pasurive! Ta gëzojnë udhëtarin e shkretëtirës, duke i dërguar, për t’i ardhur në ndihmë, ndonjë re a ndonjë fllad të ëmbël freskie! Të rrëzohem në vend nga gëzimi! Të mbytem në lotët e mi…!
[1] Shih: Tirmidhi, xhihad 7.
[2] Shih: Ibnu’l-Xhezui, Keshfu’l-mushkil 2/434; ibni Haxher, Fethu’l-bari 11/139.
[3] Shih: es-Sujuti, el-Hasatsu’l-kubra 1/80, 85, 91.
[4] “Mos na mbaj ne përgjegjës për ato që i kemi bërë padashje, apo nga harresa.” – Bakara, 2/286.