Ky besim, para së gjithash, siguron që njeriu të bëhet një qenie e drejtë dhe e virtytshme. Personi që i beson Allahut, meqë beson se suksesi dhe shpëtimi do të jenë të mundur vetëm me anë të mësimeve të mirësisë dhe bukurisë që ia ka bërë të ditura Ai, kapet pas këtyre si parime dhe përpiqet që jetën ta vazhdojë gjithnjë në këtë vijë. Sa për mohuesit, meqë nuk besojnë në ekzistencën e asnjë qenieje të lartë të cilës t’i drejtohen dhe para të cilës të mbajnë përgjegjësi, veç vetes, i vlerësojnë të mirën e të keqen vetëm sipas nefsit dhe interesit të vet. Kështu, nuk shohin ndonjë pengesë për të plotësuar çdo dëshirë e për të bërë çdolloj teprimi pa bërë dallim mes drejtësisë dhe padrejtësisë, hallallit dhe haramit. Sepse zoti i tyre janë dëshirat dhe kërkesat e tyre!
Duke shtresuar tek njeriu besimin në vetvete, ndjenjat e thjeshtësisë dhe përulësisë, ky besim e mban njeriun larg nga krenaria dhe mendjemadhësia që marrin nëpër këmbë qetësinë dhe bashkëjetesën e njerëzimit. Ai që i ka besuar siç duhet Allahut, kurrë nuk bëhet krenar dhe mendjemadh. Sepse ai e di se çdo gjë që ka, përfshirë edhe aftësitë, i përkasin Allahut, se Allahu ka mundësi ta marrë prapë çdo gjë që e ka dhënë. Kurse mohuesit, ngaqë mendojnë se çdo gjë që e shohin si pronë të vetën, është drejtpërdrejt vepër e forcave dhe aftësive të veta, nuk munden të gjejnë asnjë autoritet për ta falenderuar. Ata shohin vetëm veten, e ngrenë lart vetëm veten, gjë që u vë dinamitin ndjenjave të dashurisë dhe respektit për të cilat ka nevojë njerëzimi për të bashkëjetuar.
Në sajë të këtij besimi njeriu sheh dhe kupton se, pavarësisht nga çdo gjë, jeta është e mbushur plot me bukuri dhe gëzime dhe se nuk humbet asgjë prej vlerave të saj. Njeriu që beson, duke menduar se edhe nën ngjarje të hidhura të jetës, si vdekjet, fatkeqësitë, sëmundjet, dhimbjet e dëshpërimet, funksionon një dorë urtësie dhe dhembshurie, nuk mbytet në dhimbje e vuajtje. Duke kujtuar se tek ato ngjarje ka mësime që duhen marrë, vazhdon në rrugën e vet. Sepse duke menduar se asgjë në gjithësi nuk vepron spontanisht e pa qëllim, u vë gjoksin me durim fatkeqësive që i bien sipër; gjithashtu, duke menduar se Allahu nuk i ngarkon njeriut barrën që s’mund ta mbajë dhe se njeriu vihet në një provë pas së cilës ka një shpërblim moralo-shpirtëror, i pret ngjarjet me durim e qëndresë. Duke menduar se, sado të shqetësuar ta ketë botën e vet, para i ndodhet një jetë ku lulet nuk vyshken, ku diejt nuk perëndojnë, ku nuk ka më dhimbje e vuajtje, njeriu mund t’i harrojë në çast të gjitha dhimbjet. Kurse ai që s’ka besim, vjen një çast që duke mos i bërë dot ballë edhe një fatkeqësie të vogël, mund të tentojë të vrasë veten!
Njeriu që e sheh ekzistencën nga dritarja e besimit, e sheh gjithësinë si një ekspozitë hyjnore ku janë shtruar veprat e Krijuesit të Lartë, kurse veten, si një nëpunës i ngarkuar me detyrën që të shqyrtojë ato vepra arti të përsosura, secila prej të cilave është një mrekulli, dhe nga çdo gjë që sodit, merr një shije moralo-shpirtërore. Me qeniet të cilat, po të shihen nga dritarja e mosbesimit, duken, secila, të huaja dhe armiqësore, ai ngre lidhje si rrjedhojë e Zotit të tyre dhe, kështu, gjen mundësinë për ta shndërruar ndjenjën e të huajit ndaj tyre në një lloj miqësie. E thënë ndryshe, njeriu që beson, ngaqë, si rrjedhojë e Krijuesit, mundet ta shohë çdo krijesë me dashuri dhe miqësi, merr kënaqësi nga jeta e jetuar bashkërisht me ta!
Ndërsa njeriu mosbesimtar, kur i hedh vështrimin gjithësisë dhe sheh se si miliarda yje rrotullohen me një shpejtësi marramendëse, shqetësohet e trembet, ai që beson, e di se ata lëvizin jo rastësisht, spontanisht dhe në vetvete, por nën kontrollin e një Komandanti të lartë me dituri dhe fuqi të pafundme, dhe i sodit me dashuri dhe hare; gjithashtu, në këtë kuadër, ndërsa një zemër pa besim që e sheh botën si një anije pa kapiten dhe pa drejtues e nisur në detin kozmik, e zë frika dhe tmerri, zemra besimtare që e sheh botën si anije turistike që lëviz me një program hyjnor dhe që ka brenda çdo lloj ushqimesh e veshmbathjesh, e falenderon Zotin e vet e qetë dhe e kënaqur!
Kohën e shkuar e cila në sytë e mosbesimtarit i përngjet një varreze të errët e të frikshme, besimtari e sheh ndryshe: banorët e saj nuk janë asgjësuar, vetëm vend kanë ndërruar, kanë shkuar në një botë më të bukur, më të ndriçuar!
Ndërsa dikush që s’ka besuar, përpëlitet mes një egërsie (vetmie), tmerri dhe pesimizmi të madh para tablove që ia vë para mosbesimi i vet, personi besimtar, duke menduar se të gjithë të afërmit dhe miqtë e vdekur jetojnë në një botë më të shkëlqyer, qetësohet dhe ndjen një gëzim të thellë dhe prehje shpirtërore.
Ndërsa njeriu mosbesimtar, ngaqë ka bindjen se të gjitha qeniet asgjësohen me vdekjen, mendon se edhe vetë ai është udhëtari i të njëjtës rrugë dhe bëhet si i çmendur, njeriu besimtar e sheh këtë si një udhëtim të dashur, sepse, në vështrimin e tij, vdekja është udhëtim nga një botë e përkohshme dhe e vdekshme, në një botë të pavdekshme e të përhershme, është shpëtim nga mundimi për të arritur mëshirën, është përfundim i detyrës së robit dhe adhurimit ndaj Zotit dhe vajtje për të marrë pagesën!
Shkurt, besimi te Allahu është pikëmbështetja më e madhe për njeriun, i cili i ka nevojat të pafundme, kurse kapitalin, po aq të pakët, armiqtë, të panumërt, kurse fuqinë tejet të kufizuar, kërkesat, të pafundme, kurse dorën, po aq të shkurtër! Ja, pra, që qenia me emrin njeri, të mund t’i përballojë këto nevoja, të dalë fitues mbi armiq të panumërt dhe të shpëtojë nga frika dhe dyshimet, duhet të lidhet dhe mbështetet patjetër pas një fuqie të lartë me fuqi dhe pasuri të pafundme që është Allahu!