SERMED OGRETIM

“Mësuesi po dëgjonte studentët duke u ankuar për qëndrimin e prindërve karshi tyre. Shumica e studentëve ankoheshin për baballarët për shkak të presionit që ata ushtronin mbi ta. Njëri pas tjetrit me radhë… Sa më shumë rritej numri i atyre që ankoheshin për baballarët, aq më shumë sytë e tij mbusheshin me lot, sepse ai nuk kishte një baba për të cilin të ankohej. Shpërthimi i papërballueshëm dhe i pakrahasueshëm i dhimbjes së shkaktuar nga mungesa e babait në kujtimet e fëmijërisë së tij, e mbushi zbrazëtinë në mendjen dhe zemrën e tij. Për fat të keq, e gjithë kjo dhimbje nuk shërbente për asgjë, sepse ai kishte qenë vazhdimisht i paaftë duke mos pasur një baba gjatë jetës së tij…”

Jetimët janë njerëz të paaftë të cilët asnjëherë nuk kategorizohen si të tillë, por që vuajnë pasojat e kësaj paaftësie “të neglizhuar.” Ajo është paaftësia për të pasur një nënë ose një baba gjatë periudhës së jetës suaj që fillon që nga mosha gjashtë vjeç; një periudhë gjatë së cilës ju jeni duke ndërtuar botën tuaj të brendshme me anë të krahasimeve të pandërgjegjshme me anën e të cilave arrin të prezantosh vetveten përpara të tjerëve. Me fjalë të tjera, ti je duke vendosur lidhjet ndërmjet aspekteve tuaja materiale dhe atyre shpirtërore. Një njeri të cilit i mungon nëna gjatë fëmijërisë është i paaftë në kuptimin e të qenit në gjendje për të kuptuar plotësisht dhe për të përjetuar aspektin shpirtëror; dhe një njeri të cilit i mungon babai në këtë moshë, është i paaftë në ndërveprimet e tij me botën materiale.

Ishte Nëntor i 1979-tës kur unë iu bashkova botës së të paaftëve; qe babai im ai i cili më la. Por unë isha shumë i vogël për ta kuptuar situatën. Mu deshën plot njëzet e gjashtë vjet për të arritur të kuptoj pozitën time prej jetimi dhe më në fund të nis të mendoj për rrugët e kapërcimit të kësaj mangësie. Meqenëse unë kam vështirësi në të kuptuarit dhe në përjetimin e botës së jashtme, unë nuk jam në gjendje të paraqes botën time të brendshme në atë të jashtme ashtu siç do të dëshiroja. Gjithashtu unë nuk jam i aftë të analizoj mesazhet që marr nga njerëzit e tjerë ashtu siç pretendohet. Rezultati i një mungese lidhjeje të tillë midis njerëzve të tjerë dhe meje përbën një dështim në marrëdhëniet shoqërore.

Megjithatë, kjo mangësi më ndihmoi t’i vlerësoja më mirë disa gjëra që të tjerët nuk i vlerësojnë. Për shembull, ka shumë njerëz të shenjtë, baballarët e të cilëve munguan gjatë fëmijërisë së tyre për një arsye apo për një tjetër. Më të shquarit prej tyre qenë Profetët Musa, Isa dhe Muhamed, paqja qoftë mbi ta! Për arsye të mungesës së baballarëve të tyre gjatë fëmijërisë, është e pritshme që ata të kenë qenë njerëz të cilët përjetuan vështirësi në marrëdhëniet me të tjerët apo njerëz të cilët nuk e patën të zhvilluar ndjenjën e vetëpëlqimit, gjë që është thelbësore për të qenë një lider. Në kundërshtim me këto supozime, ata patën një jetë shumë të suksesshme në realizimin e qëllimit të misionit të tyre, që ishte bërja të ditur njerëzve fjalën e Allahut ashtu siç qe shpallur dhe formimi i një komuniteti ekzemplar besimtarësh. Nga ana tjetër, handikapi në dukje i të qenurit jetim, u shndërrua në avantazh dhe veproi si krijues terreni për misionin që ata ishin të destinuar ta merrnin përsipër. Megjithëse u mungonin baballarët, ata u përkrahën nga nënat e tyre, ekzistenca dhe edukimi i të cilave injektoi thellësisht ndjenjën e mëshirës në aspektin shpirtëror tek ata. Ndaj ata natyrisht zotëronin një potencial të madh të zhvillimit të një marrëdhënie të ngushtë me Allahun dhe një ndjenje të thellë mëshire për njerëzit e tyre.

Duke marrë në konsideratë historinë e jetës së Profetit Muhamed, këto fakte mund të vëzhgohen qartë. Babai i tij Abdullah, vdiq përpara se ai të lindte. Kështu Profeti Muhamed kishte veç nënën Emine si prind. Pastaj, në moshën gjashtë vjeçare ai humbi gjithashtu nënën. Kjo do të thoshte se ai nuk do të kishte pranë prindërit për pjesën e mbetur të fëmijërisë së tij. Pasi i vdiq nëna, gjyshi Abdulmuttalibi mori përsipër kujdestarinë e tij. Fatkeqësisht edhe gjyshi nuk mundi t’i qëndronte pranë për një kohë të gjatë sepse vdiq pas dy vjetësh. Mes xhaxhallarëve të tij, më i varfri Ebu Talibi, pavarësisht moshës së tij të thyer dhe numrit të madh të fëmijëve, pranoi ta rrisë Muhamedin, margaritarin e pashoq jetim. Statistikat e sotme tregojnë se një fëmijë me nivel të tillë varfërie nëse nuk i kushtohet kujdesi i duhur është një kriminel i ardhshëm potencial ose një viktimë e vetëvrasjes. Megjithatë ngjarjet e jetës së Profetit të cilat do t’i kujtonin atij statusin e jetimit nuk mbaruan me kaq. Nëntë vjet pasi ai filloi të predikonte Islamin, gruaja Hatixhja dhe xhaxhai Ebu Talibi vdiqën. Këto dy vdekje erdhën në kohën ku Muhamedi kishte tmerrësisht nevojë për mbështetje. Në vitet e mëvonshme të jetës së tij, tre nga katër vajzat i vdiqën gjithashtu. Kjo vijimësi vdekjesh e mbajti atë nën psikozën e të qenit jetim përgjatë gjithë jetës.

Përtej këtyre ngjarjeve tragjike, kur studiohen arritjet e jetës së tij, askush nuk mund të mos e admirojë atë. Ai nisi ta predikonte Islamin i vetëm, por me kalimin e kohës, fitoi zemrat e mijëra vetëve. Ai shërbeu në një shoqëri ku mëkatet më të mëdha kryheshin çdo ditë dhe vlerat morale ishin thuajse inekzistente, por, megjithatë, ai arriti ta transformojë atë shoqëri në një bashkësi njerëzish të drejtë me vlera të larta morale. Ai themeloi një shtet i cili u rrit dhe u bë burim qytetërimi; dhe ai e bëri këtë pavarësisht rezistencës së fisit të tij dhe superfuqive të asaj kohe. Është një mrekulli krahas shumë të tjerave ajo që e bëri të aftë Profetin Muhamed ta kapërcente situatën e tij prej jetimi dhe të arrinte kaq gjëra madhështore. Ky është një fakt që të shpie tek Allahu si mbrojtës dhe edukator i këtij jetimi.1

Kanë kaluar rreth 1400 vjet që nga koha kur linja e Profecisë mbaroi. Sot, në 2006, duke e parë situatën time aktuale, unë e gjej veten në një betejë të ashpër për të kapërcyer paaftësinë time. Ngjashmëritë midis historisë së jetës sime dhe asaj të jetës së Profetit Muhamed i cili është një nga Profetët më të shquar, më ndriçon mua me dritën e shpresës, një dritë e cila mbart në vete ngrohtësinë e mëshirës dhe qetësinë e Mençurisë së Allahut.

Shënim 1.

Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të ka përbuzur/Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë, /Sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur. /A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë?

(Kuran, Duha, 93:3-6)

 

Ndajeni me miqtë tuaj...