ilmihali

Qysh në krye të herës, njerëzimi ka vrarë mendjen vazhdimisht mbi qenien, njeriun, Krijuesin e Lartë dhe marrëdhëniet e këtyre me njëri-tjetrin, është përpjekur të kuptojë marrëdhëniet e fshehta mes tyre. Qenia (gjithësia) është një libër i shkruar nga Zoti me fuqinë dhe vullnetin e vet. Ky është libri i materies dhe i dukurive të vëna në rregull nga Allahu sipas një plani, programi, mase dhe ekuilibri. Krahas kësaj është edhe libri i Kuranit i ardhur nga atributi Fjalë i Allahut. Temat kryesore të Kuranit janë besimi monoteist (tevhid) ku trajtohen ekzistenca dhe uniteti i Allahut, Profetësia (nubuvvet), ringjallja (hashr) dhe adhurimi (ibadet). Me këtë perspektivë themelore, Kurani ua shpjegon njerëzve gjithësinë, u bën dritë materies dhe dukurive në gjithësi. Allahu i Lartë që e ka krijuar gjithësinë brenda një rregullsie dhe harmonie të caktuar, këtë regjim rregullsie dhe harmonie të ngritur prej Tij e deklaron në Kuran. Edhe njeriu është trajta e shkruar ndryshe e këtyre dy librave. Kurani, gjithësia dhe njeriu janë nga një libër më vete ku shfaqen në trajta të ndryshme emrat dhe atributet e Allahut. Të lidhur me njëri-tjetrin me një lidhje të brendshme të mrekullueshme, këta e shpjegojnë dhe e interpretojnë njëri-tjetrin. Mes tyre ka përputhshmëri dhe harmoni.

Duke i shqyrtuar librat gjithësi dhe njeri, shkenca përcakton disa të vërteta në përfundim të provave dhe eksperimenteve. Po qe se njohuritë e arritura në përfundim të vëzhgimeve, provave dhe eksperimenteve të ndryshme, fitojnë vlerë kategorike, kësaj i thonë shkencë. Kurse njohuritë që s’kanë fituar vlerë kategorike, mbeten si teori ose vështrim teorik.

Shkencat e vërteta janë identitet i raporteve të nxjerra nga veprimtaria ekzekutive e Allahut në gjithësi, nga marrëdhënia mes ligjeve hyjnore në gjithësi me materien dhe dukuritë. Dhe, ndërsa e vërteta qëndron kështu, si mund të ndodhë që këto ta eliminojnë njëri-tjetrin dhe si mund të mendohen veç nga njëri-tjetri?

Shkencat e zhvilluara në fusha të ndryshme, janë në mirëkuptim me Islamin. Nuk është me vend që çdo teori t’i adoptohet Kuranit dhe Sunetit që janë burimet kryesore të fesë islame, sepse në këto kushte, një pikëpamje ende e paprovuar pranohet si themelore dhe ajetet dhe hadithet interpretohen sipas saj. E drejtë dhe e saktë është që njohuritë e arritura nga shkenca të trajtohen sipas kriterit se sa përputhen me Kuranin dhe Sunetin autentik. Sepse nuk është e qëlluar dhe e saktë që të bëhen përpjekje për t’ua adoptuar të vërtetat e njoftuara me rrugë qiellore teorive të pavërtetuara duke i pandehur këto si të vërteta shkencore!

Feja me shkencën e vërtetë janë si dy fytyrat e të njëjtës të vërtetë. Feja e shëtit njeriun në rrugë të vërteta dhe i jep mundësi të arrijë në përfundime që do ta bënin të lumtur. Kurse shkenca me qëllim dhe synim të qartë, si një pishtar në këto rrugë, ia ndriçon atij atë çka para.

Detyrën për të dhënë njohuri mbi njeriun, qenien dhe Krijuesin, kompetencën e fjalës mbi këta, Allahu ua ka dhënë Profetëve. Këta njerëz të zgjedhur, të pajisur në mënyrë të veçantë e të jashtëzakonshme, kanë marrëdhënie të posaçme me Fuqinë e Pafundme. Ata kanë bërë shpjegimet dhe interpretimet më të drejta mbi kuptimin dhe natyrën e paraskenës dhe prapaskenës së qenies.

Sa e sa të vërteta të parashtruara sot nga shkencat moderne ka, të cilat Profetët, duke u mbështetur në atë botën e tyre shpirtërore të gjerë të hapur ndaj revelacionit hyjnor dhe thellësive të zgjuarsisë së tyre të pangjashme, me anë të një vështrimi gjithëpërfshirës, i kanë parashtruar shumë më parë qoftë edhe në formën e hipotezave të përgjithshme. Pavarësisht se në ç’pozicion ndaj të vërtetave të parashtruara prej tyre janë qendrat studimore të ditëve të sotme që punojnë me laboratorë modernë dhe teknologji shumë të përparuara, ende sot miliona njerëz e vlerësojnë çdo gjë në kornizën e mesazheve dhe interpretimeve të tyre, posaçërisht në çështjen njeri-gjithësi-Allah, i ndjekin dhe u shkojnë pas atyre pa kusht.

Lexo  Si mund t’ua edukojmë njerëzve tanë shprehinë e të lexuarit?

Me burimet e tij themelore Kuranin dhe Sunetin autentik, Islami u ka hapur horizonte shkencave dhe i ka nxitur besimtarët të vrapojnë e të punojnë në këto horizonte. Profetët e dërguar me një pajisje të veçantë si udhëzues të çdo çështjeje për njerëzit, janë dhe mbeten udhëzues si në lartësimin moralo-shpirtëror, ashtu dhe në përparimin material. Për herë të parë me dorën e tyre ua ka dhuruar Zoti njerëzve mrekullitë e qytetërimit. Si anija, një mrekulli e Profetit Nuh (a.s.) dhe ora, një mrekulli e Profetit Jusuf (a.s.).

Me anë të mrekullive të Profetëve, Kurani ka shënuar kufijtë e fundit ku mund të arrijnë shkencat. Për shembull, siç përshkruhet në suren Bekare, në kohën e Profetit Musa (a.s.), një njeri i vdekur është ngjallur përkohësisht.[1] Kjo do të thotë se shkenca e mjekësisë do të zhvillohet gjer në një pikë të tillë që të jetë në gjendje t’i japë vdekjes ngjyrën e një jete të përkohshme.

Edhe Profeti ynë Muhamed (s.a.s.), në shumë hadithe të tij, ka shënuar pikat ku mund të arrijnë shkencat. I Dërguari i Allahut ka bërë të ditur se ka për t’u jetuar një epokë përshpejtimi.[2] Duke bërë të ditur se intervali kohor mes projektimit dhe aksionit do të ngushtohet shumë, se largësitë do të tkurren dhe se synimi do të arrihet me shpejtësi, ai ka treguar se në shkencat do të kryhet një zhvillim tejet i shpejtë. Veçanërisht në fushën e ndërlidhjes dhe komunikacionit, shekuj më parë është njoftuar se do të ndodhin zhvillime marramendëse.

Le të japim një shembull tjetër. Profeti (s.a.s.) ka paralajmëruar se do të ndodhë që një grup njerëzish të hanë e të ngopen me një kokërr shegë.[3] Kjo do të thotë se në bujqësi do të bëhen përmirësime varietore, si rezultat i të cilave, do të krijohen, për shembull, shegë aq të mëdha që mund t’i mbarojnë së ngrëni njëzet vetë, se lëkura e një shege do të mund t’i bëjë hije një njeriu! Siç shihet, në këtë hadith Profetik është shënuar se sa do të zhvillohet teknologjia e gjeneve, mbi të cilën sot sapo është nisur të punohet. Veç këtyre shembujve të dhënë, në Kuran dhe në shumë hadithe është aluduar mbi degë shkencore të ndryshme dhe kufijtë ku do të mund të arrijnë ato, që ne sot nuk mundemi t’i dimë apo t’i shohim, por që në të ardhmen do të duken patjetër. Jo vetëm janë shënuar apo aluduar këto zhvillime, por është nxitur njerëzimi për t’i arritur këto objektiva. Këto do të duken dhe arrihen dhe, atëherë, duke ia ripohuar Profetit Muhamed se është i Dërguari i Allahut, lidhja pas tij do të rinohet e do të fitojë forcë. Shekujt po e vërtetojnë atë dhe të gjitha thëniet e tij po dalin një e nga një në dritë të ditës!

Shkenca shqyrton dhe studion mënyrën e krijimit dhe ekzistencës së botës materiale, jetës dhe, veçanërisht njeriut. I gjen dhe i nxjerr ligjet hyjnore që veprojnë në këtë gjithësi. Në sajë të këtyre ligjeve, përgatit mundësi që njerëzimi të përparojë edhe më tej në teknikë dhe qytetërim. Kurse feja parashtron se pse janë krijuar gjithësia dhe bota materiale dhe kush është krijuesi i tyre. Veçanërisht, përcakton pozitën speciale të njeriut mes qenieve, qëllimin final të krijimit të tij dhe natyrën e detyrës së tij në këtë botë.

Lexo  Program i madh festiv në përkujtim të Profetit Muhamed a.s.

Në këto kushte, shkenca dhe feja janë dy çelësa që hapin kutitë e fshehtësive të botës ekzistente. Ndërsa shkenca parashtron formën e krijimit të qenieve, natyrën dhe përbërjen materiale të tyre, feja shpjegon shkakun dhe qëllimin final të krijimit të tyre. Nga ky këndvështrim, në këtë mes nuk ka ndonjë situatë kontradiktore në të cilën shkenca dhe feja të konfrontohen, përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën.

Në mënyrë të veçantë, feja, me burimet informative brenda saj, në tema dhe çështje që e kapërcejnë horizontin e informacionit shkencor, si fillimi i krijimit, jeta pas vdekjes, etj., është një udhëzues me stil të hapur që nuk të gënjen.

Ata që kanë pandehur se, me zhvillimin e shkencës, pikëpamjet fetare do të falimentojnë, në këtë pikë janë vetëmashtruar. Çdo hap i hedhur para nga shkenca, çdo zbulim i ri e ka afruar edhe më shumë njerëzimin që mendon dhe arsyeton, ndaj vlerave fetare dhe e ka treguar edhe më nga afër madhështinë e Allahut, Zotit të gjithësisë. Kështu, shkencat që janë identitet i zbulimit të ligjeve ku mbështetet rregullsia dhe harmonia ekzistente në gjithësi dhe i kërkimit dhe studimit të rrugëve për të përfituar nga këto ligje, janë provat dhe dëshmitarët më të fuqishëm të ekzistencës së Allahut që e ka ngritur dhe e bën të funksionojë këtë rregullsi dhe harmoni. Mohimi i ekzistencës së atij Krijuesit të lartë, i fuqisë së pashoqe të Tij, mund të bëhet vetëm duke mohuar rregullsinë dhe harmoninë ekzistente që shihet me sy. Dhe po të mohohet rregullsia dhe harmonia në fjalë, s’mbetet më shkencë në mes. Nga ana tjetër, shkencat, ngaqë merren me shqyrtimin dhe studimin e universit të qenieve të krijuar nga Allahu, parashtrojnë mrekullitë, llogaritë dhe kriteret e imta të krijimit dhe dashje pa dashje, bëjnë fjalë mbi emrat dhe atributet hyjnore që shfaqen mbi qeniet. Nga ky këndvështrim, secila nga shkencat, si pasqyra të emrave të Allahut, mbështeten në një emër të Allahut. Këtë specifikë, Bediuzaman Said Nursi e shpjegon kështu: “Çdo përkryerje, çdo shkencë, çdo përparim, çdo teknologji ka të vërtetën e vet të lartë e cila mbështetet në një emër hyjnor. Duke u mbështetur në atë emër që ka një spektër të gjerë elementësh përbërës dhe shfaqjesh, ajo teknologji, ajo përkryerje, ai art gjen përsosmërinë e vet dhe bëhet një e vërtetë. Ndryshe, gjëja gjysmake është thjesht një hije. Për shembull, gjeometria është një shkencë. E vërteta dhe pika fundore e saj, duke arritur emrat Adl (i drejtë, i saktë) dhe Mukaddir (vlerësues, përcaktues) të Zotit, bën që në pasqyrën e shkencës së gjeometrisë të vëzhgohen në tërë madhështinë e shkëlqyer të tyre shfaqjet sunduese të nuancave të atyre emrave.

Për shembull, mjekësia është një shkencë dhe një art. Edhe fundi dhe e vërteta e saj mbështetet në emrin Shafi (shërues) të Mjekut Absolut dhe me shikimin e variacioneve Mëshiruese në mjetet shëruese të faqes së tokës që është barnatorja e Tij e madhe, mjekësia gjen përsosmërinë e saj dhe bëhet një e vërtetë.

Për shembull, urtësia e materies që bën fjalë mbi të vërtetën e ekzistencës, e sheh shfaqjen madhështore të emrit Hakim (i Urtë) të Zotit në materien me karakter të matur e edukues, në interesat dhe qëllimet e saj dhe duke e arritur dhe u mbështetur në atë emër, kjo e vërtetë bëhet e vërtetë. Ndryshe, ose shndërrohet në supersticiozitete dhe bëhet një gjë e kotë, ose i hap rrugë deviacionit që i ngjet filozofisë së natyrës.

Ja pra, tre shembuj për ty. Krahasoji ti përsosmëritë dhe shkencat e tjera me këta tre shembuj!”



[1] Bakara, 2/73.

[2] Buhari, Fiten, 25; Muslim, 11.

[3] Muslim, Fiten, 110; Tirmidhi, Fiten, 59.

Ndajeni me miqtë tuaj...