ilmihali

a) Dyshimi rrjedh nga fuqia e besimit.

Në fillim le ta bëjmë të qartë se dyshimi nuk është ndonjë gjë shumë e frikshme, sepse është besimi pra shfaqet dyshimi. Kur një nga shokët i pati shkuar Profetit dhe i qe ankuar se e kishte zënë dyshimi, ai i qe përgjigjur: “S’ka gjë për t’u shqetësuar, ai është vetë besimi, rrjedh nga fuqia e besimit!” Djalli zhvillon pi­ratëri ndaj jush dhe ju sulmon pikërisht pse jeni të pasur, pse keni margaritarin e besimit, thesarin e adhurimit, pasuritë e na­mazit dhe shërbimit ndaj fesë. Piratëria ndoshta ka kaluar dhe është mbyllur në faqet e historisë me formën e saj të grabitjes në det, por, me aspektin e saj djallëzor, ka filluar me njeriun dhe profetin e parë, Ademin, dhe do të vazhdojë gjer në kia­met.

Ashtu si piratët e detit që i grabisnin me dhunë anijet tregta­re të pasura ose me mallra të çmuara si dhe sulmonin ishujt ku ndodheshin thesare, ashtu dhe djalli e sulmon zemrën e besim­tarit që bart me vete margaritarin e besimit. Fundja, djalli nuk merret me zemrat e thara, boshe e të pandjeshme, nuk u hedh shigjeta dyshimi. Edhe vjedhësit e zakonshëm, nuk hyjnë në shtëpitë e varfra, por në të pasurat. E ç’kanë për të vjedhur në shtëpitë e varfra, pa gjë? A s’është kështu si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim?

Besimtari që bie në dyshim, duhet të mendojë kështu: “Djalli u mund në të gjitha frontet, prandaj tani kërkon të më pre­oku­pojë mua me dyshime mbi besimin dhe Islamin, të vërë dorë mbi thesarin tim, por nuk ka për të shkëputur dot gjë prej meje. Këto janë përpjekjet dhe përpëlitjet e tij të fundit. Do të vijë një ditë që, kur ta kuptojë se s’ka për të shkëputur dot gjë prej me­je, do të largohet, ashtu siç largohet lypsari që vjen disa herë te dera, por, kur sheh se nuk i del gjë, ikën për të mos u kthyer më kurrë. Edhe në qoftë se këmbëngul për të mos ikur, duhet t’i mbyllen dyert. Kalanë unë e kam të shëndoshë, prandaj, me lejen e Allahut, s’më bën dot asgjë!”

b) Dyshimi nuk është pjesë përbërëse e zemrës.

Nuk i duhet ngarkuar dyshimi zemrës vetëm pse zemra është e shqetësuar. Dyshimi nuk është pjesë përbërëse e zemrës, ndryshe, zemra nuk do të ndjehej e shqetësuar dhe e acaruar prej tij; nga ana tjetër, edhe djalli nuk do të merrej me një ze­mër të tillë!

Shqetësimi dhe acarimi i zemrës ka këtë shkak: zemrës nuk i pëlqen dyshimi dhe dyshimi nuk është i zemrës. Meqë mes dy­shimit dhe zemrës nuk ka ndonjë lidhje kuptimore, përmbajtë­sore e cilësore, zemra ndjehet e shqetësuar dhe e acaruar prej dyshimit. Reaksionin që tregon dikush ndaj dikujt, diçkaje ose ndonjë situate, e kuptojmë nga ndryshimet që ndodhin tek ai: i hipën temperatura dhe skuqet, vetullat i ngrihen përpjetë, koka i dhemb, i hiqet oreksi, nuk i shijojnë gjërat, etj., ashtu siç i ngri­het temperatura dikujt si rezultat i reaksionit fiziologjik të trupit ndaj mikrobeve. Edhe zemra kundërvepron ndaj iluzioneve, mendimeve të huaja dhe dyshimeve të dërguara nga djalli; stru­ktura jonë moralo-shpirtërore, potenciali ynë besimor prodho­jnë “antikorpe” kundër “mikrobeve” që na kanë hyrë në zemër dhe atëherë temperatura na ngrihet, zemra na shqetësohet dhe na rreh me forcë. Por po qe se trupi nuk tregon ndonjë qëndru­eshmëri dhe dorëzohet menjëherë si demi që, kur sheh gjar­prin, bëhet si kec i urtë, atëherë, ashtu si antikorpet që dorë­zojnë armët para virusit të AIDS-it, edhe puna jonë ka marrë fund. Po qe se zemra dhe besimi ynë nuk tregojnë qëndresë ndaj dyshimit që na ka hyrë, atëherë s’ka shqetësim dhe acarim dhe me këtë i thuhet djallit “eja e bëj ç’të duash”! Dhe djalli kë­të do!

c) Zemra e goditur nga dyshimi i përngjet pusit të pa­stër ku dikush ka hedhur papastërti.

Çështjen mund ta mendojmë edhe kështu: Kemi një pus me ujë të pastër e të kulluar. Ka edhe veti shëruese, aq i mirë që është! Nami i këtij pusi ka marrë dhenë. Mirëpo, një ditë, një njeri i keq hedh në pus papastërti, gjëra të huaja e të ndyra. Ju e shihni dhe thoni: “Bobo, m’u fëlliq pusi, uji i tij s’pihet më!…” Por s’është e vërtetë. Uji i pusit vjen nga një burim i rrjedh­shëm. Ai nuk është ujë i ndenjur, prandaj dhe është aq i mirë. Rrjedha e ujit ka për t’i marrë me vete papastërtitë dhe lëndët e huaja dhe pusi do të bëhet përsëri i pijshëm e shërues. Tur­bullira që pësoi pusi nuk ishte e tij. Kështu është edhe me zem­rën që e turbullon dyshimi…

ç) Po qe se dyshimi nuk është i vullnetshëm dhe nuk reflektohet në praktikë, njeriun s’e bën përgjegjës.

Siç e dini, që njeriu të quhet përgjegjës dhe i përgjegjshëm, duhet të ketë vetëdije dhe vullnet. Veç kafshëve, edhe njerëzve me të meta mendore dhe vetëdije të çrregulluar ose të sëmurë mendorë dhe të pavetëdijshëm nuk u bëhet propozim; ata nuk ngarkohen me përgjegjësi dhe nuk janë të përgjegjshëm për ve­primet që bëjnë. Nisur nga kjo, po qe se dyshimi ynë nuk është i vullnetshëm dhe po s’ia hapëm vetë dyert dyshimit, nuk quhe­mi përgjegjës. Mjafton që dyshimin të mos e reflektojmë, të mos e vëmë në praktikë. Vullneti e gjen veten përballë dyshimit që vjen kështu, vetvetiu, dhe nuk i bën dot qëndresë se ka ardhur i paftuar. Veçanërisht, njeriu, me anë të bashkëshoqërimit të ide­ve, duke u nisur nga gjërat që dëgjon e lexon, mund të bjerë në mënyrë të pavullnetshme nën ndikimin e një sërë kujtimesh, ilu­zionesh dhe mendimesh. Në të vërtetë, shpesh është e pa­mu­n­dur për të shpëtuar nga ky fenomen, sepse kjo është në natyrën e njeriut.

Lexo  SHKAQET, NATYRA DHE VETËKZISTENCA

d) Dyshimi është si një rrjetë merimange që nuk e pengon dot njeriun të shkojë më tutje.

Me paqëndrueshmërinë e vet karakteristike, dyshimi nuk është i dëmshëm kur njihet. Kurani konkludon: “Pa dyshim, dredhia e shejtanit është e dobët!” (Nisa, 76) Pra, djalli ka dredhi, por të dobët, sikur të mos e kishte. Për shembull, ju duhet të kaloni përmes një korridori të ngushtë mes dy muresh, mirëpo, mu në mes të korridorit, një merimangë ka thurur një rrjetë nga muri në mur duke e zënë rrugën. Por a mund të jetë ajo pengesë që ju të shkoni më tej? Pa dyshim që jo. Ju s’e shihni si pengesë rrjetën e merimangës dhe kaloni duke e pri­shur atë.

Profeti na thotë se nuk është djalli që i detyron njerëzit për të mohuar, për të bërë të këqija dhe mëkate. Ai nuk e kap dot nje­riun për dore për ta çuar ose detyruar në mëkat. Puna që bën djalli është vetëm stolisja dhe zbukurimi i të këqijave, kamuflimi i tyre si të mira e tërheqëse. Është Allahu që i krijon edhe të mi­rën, edhe të keqen, që edhe orienton, edhe çorienton. Dyshi­met e djallit janë si pallate ngjyra-ngjyra prej flluske sapuni. Ato duken të bukura nga jashtë, por brenda janë bosh, janë një gro­pë e rrezikshme!

Dyshimi nuk shkakton dëm kur dihet se është kalimtar, i për­kohshëm. Dyshimi është i dobët si një pupël që e merr me vete edhe flladi më i lehtë. Dyshimi u përngjet reve që mblidhen për një çast, por pastaj menjëherë shpërndahen pa lënë pas as shi, as fllad. Dyshimi është si gropa ajrore ku bie për një çast avioni; as duhet bërtitur, as duhet vajtuar!

dh) Dyshimi nuk shkakton asnjë dëm po qe se nuk qëndrohet shumë mbi të dhe nuk bëhet çështje serioze.

Dyshimi nuk bëhet i dëmshëm kur e dini se s’ka për t’iu ngji­tur mendimit tuaj për ta fëlliqur atë. Dyshimi është, në pasqyrën e imagjinatës, një gjurmë e përkohshme dhe e dobët që shuhet shpejt, një pamje që s’ka për të lënë njollë dhe një reflektim shumë i lehtë. Po qe se gjërat që vijnë në mendje dhe ima­gjinatë janë me burim të dobishëm, u japin një farë drite me­ndjes dhe mendimit, kurse po qenë një dyshim me burim të ke­qeje dhe intrige, prapëseprapë nuk ndikojnë mbi mendjen, me­ndimin dhe zemrën, nuk lënë papastërti dhe nuk shkaktojnë dëm. Ju mbani në dorë një pasqyrë dhe ja tek reflektohet në të një gjarpër. A mund t’ju dëmtojë ju gjarpri i reflektuar mbi pas­qyrë? Gjithashtu, a mund t’jua ndyjë duart një papastërti që ref­lektohet në pasqyrë? A mund t’jua djegë duart flaka që reflekto­het në pasqyrë? Po si kjo, produktet e katabolizmit që bartim përkohësisht në trup, nuk na e prishin namazin, pluhuri përreth një cope diamanti, nuk ndikon mbi të ose mbi vlerën e tij. Po si kjo, edhe sikur djalli të ketë një prani esenciale dhe individuale të brendshme ose të jashtme tek ne, shigjetat që hedh, pamjet që dërgon nuk janë të qëna dhe nuk shkaktojnë asnjë dëm.

Dyshimi nuk shkakton asnjë dëm nëse nuk përqendrohemi mbi të, nëse nuk e mendojmë me kërshëri e shqetësim, nëse nuk e pranojmë e nuk i dalim për zot, nëse, duke e nënvlef­tësuar, nuk i japim mundësi të fryhet dhe nëse nuk e bëjmë çë­shtje shqetësuese. Atë do ta shihni gjithmonë nga maja dhe do të thoni me vete: “Me lejen e Allahut, do të godas nga poshtë e do ta mund!”

e) Dyshimi bëhet i dëmshëm kur përfytyrohet si i dë­mshëm.

Po të veprohet në kundërshtim me ato që treguam gjer këtu, dyshimi mund të shkaktojë dëm. Nëse nuk dihet se dyshimi është i padëmshëm, për pasojë, përfytyrohet si i dëmshëm, bë­het i dëmshëm. Dyshimi është i dëmshëm kur përqëndrohet mbi të dhe trazohet me kërshëri e shqetësim. Sa më shumë të vlerësohet, sa më shumë të zmadhohet, aq më shumë fryhet ai dhe, duke u kthyer në një ballon, na thith përbrenda. Në rrugën tuaj ndodhet një koshere bletësh. Brenda saj ka me qindra bletë që, po i ngacmove e të sulmuan, të shkaktojnë vdekjen. Pran­daj ti kalon i qetë pranë kosheres dhe s’të ndodh asgjë. Kështu duhet vepruar edhe me dyshimin.

Djalli na hedh në imagjinatë kuadrin e një pamjeje të dobët dhe kalimtare. Po qe se na duket tërheqëse dhe e zhvillojmë më tej, ajo pamje e dobët e përbërë prej vetëm një kuadri, shndë­rrohet në një shirit filmik disaorësh, madje pa i rënë ne më të! Sidomos kur njeriu mbetet vetëm dhe kur ky njeriu është një i ri dhe pamjet kanë karakter sensual… Ai e merr kuadrin dhe e kthen në një film aventuresk. Ndërkaq, i djallit është vetëm ai kuadri i dobët. Prandaj, i duhet shmangur atij grepi, nuk duhet t’ia lejojmë vetes të biem në atë grep, në mënyrë që djalli, pas­taj, të mos ketë mundësi të na vërë në punë për të na i kthyer përfytyrimet në realitet duke na bërë të biem viktimë e asaj pa­mjeje prej një kuadri…

ë) Shpirtrat e ndjeshëm e nervozë nuk duhet t’i japin rëndësi dyshimi të djallit për të mos u kapur pas ilu­zi­o­neve.

Më shumë në shpirtrat e ndjeshëm dhe nervozë, dyshimi mund të kthehet në një sëmundje të dëmshme dhe në një shqi­së të brendshme më vete. Kur i vjen dyshimi, një njeri i tillë, du­ke patur frikë se mos dyshimi do t’i shkaktojë dëm, shqetësohet, e zë paniku dhe e lëshon veten pas iluzioneve. Pastaj, në vijim, duke e zmadhuar këtë me mendje, me zemër dhe duke e parë nga këndvështrimi i besimit, ia ngarkon vetes dhe, me kohë, e kthen në shprehi dhe njësohet me të, gjë që do të thotë të biesh në pesimizëm para djallit dhe të dëmtohesh plotësisht. Dikush që ka rënë në këtë gjendje, thotë shpresëhumbur: “Unë mora fund!” Ai e pranon humbjen. Përfytyroni një komandant që sheh larg në të djathtë disa vezullime metalike, jepet pas iluzio­nit se armiku do të sulmojë nga e djathta dhe e zhvendos për në atë anë krahun e djathtë të ushtrisë së tij duke i lënë pozi­cionet mbrojtëse bosh. Pastaj sheh nga ana e majtë ku ka mal dhe pyll, dhe, ngaqë asnjë gjethe s’lëviz, i bëhet sikur armiku është fshehur aty dhe prej andej do ta sulmojë. Kështu, koma­ndanti i jep mundësi armikut t’ia sulmojë qendrën e dobësuar dhe ta asgjësojë. Kjo do të thotë të mos dish se ç’është taktika dhe të mos e njohësh armikun. E shihni se, ndërsa dyshimi i fu­tur nga djalli s’ka vlerë as sa një kuti shkrepseje, njeriu e stër­madhon, e bën të rrezikshëm dhe ia lëshon kokës së vet! Të ke­mi kujdes, të mos e zmadhojmë dyshimin në imagjinatën dhe mendimin tonë!

Lexo  EKZISTENCA E SHPIRTRAVE, ENGJËJVE, DJAJVE DHE XHINDËVE

f) Të largohemi nga fusha magnetike e dyshimit me anë të adhurimeve dhe të dalim nga ndikimi i tij psiko­logjik.

Silluni ndaj dyshimit në mënyrë që të largoheni nga fusha e tij magnetike. Ashtu siç është thënë në hadithet, porositë profe­tike, kur të ndodhë një gjë e tillë, bie fjala, kur të zemëroheni, nëse jeni në këmbë, uluni, nëse jeni ulur, shtrihuni ose ngrihuni në këmbë, merrni abdes dhe falni dy rekate namaz dhe bëni një ndryshim në botën tuaj të brendshme, në veçanti, bëni një sërë sjelljesh e veprimesh të lejueshme që do t’jua shpërndante mjegullën. Duke futur në veprim vullnetin, kërkoni një pretekst qoftë edhe të vogël që do të ndikonte në psikikën tuaj, që do t’ju nxirrte nga boshllëku ajror ku mund të keni rënë pa e pasur në dorë ose t’ju shkëpuste dhe largonte nga rryma elektrike ku mund të jeni kapur. Kur një radhë, duke u kthyer nga një fusha­të, diku, pas një pushimi, Profeti nuk qe ngritur dot për në na­mazin e mëngjesit – gjë që s’i pati ndodhur më kurrë – u pati thënë shokëve: “Largohuni menjëherë prej këtu se djalli këtu ka ngritur sundimin dhe mbretërimin e tij!” Po, gjithmonë duhet bërë kujdes ndaj fushës magnetike të djallit dhe, në se është hy­rë aty pa dashje, duhet larguar shpejt e shpejt. Po qe se indife­rentizmi, mosinteresimi dhe pakujdesia janë për djallin dhe gjë­rat djallëzore, nga një perspektivë e bukur më vete, virdet dhe dhikret, shpallja e Allahut dhe hyrja në lidhje me Të janë, ku­ndër të gjitha forcave të së keqes një mbrojtje, një apologji, ma­dje, një sulm. Për shembull, diku, Profeti tregon se djalli ikën nga zëri i ezanit. Kjo do të thotë se djalli nuk i duron dot ezanin dhe kuptimet që përmban ezani. Prandaj, sapo që djalli të ka­lojë në sulm me anë të dyshimeve, edhe ne duhet ta forcojmë lidhjen me Allahun dhe Profetin dhe të kridhemi vetëm në kuj­time të larta. Mund të thuhet se kujtimi i miraxhit të Profetit i pret si me thikë dyshimin, veçanërisht kujtimet gjatë namazit, madje edhe hapjen e gojës. Shtrëngimi i grushtit dhe kërcënimi ndaj dyshimeve me qëllim nxitjeje për gjëra haram, të ndaluara, ose edhe nënvleftësimi duke i anashkaluar dyshimet me një bu­zëqeshje, janë shprehje të vigjilencës ndaj fushës magnetike të djallit.

Më kujtohet se një shokut tonë të ri i pata thënë kështu: “Kur djalli të del para e të kërkon të shohësh drejt diçkaje haram, të ndaluar, mendo kështu: Ç’do të arrij me të parë? Do të shoh, do të shoh, rezultati, zero! Edhe sikur ta çoj më tej këtë punë, prapë asgjë!.. Jo vetëm kaq. Janë edhe pendimi dhe vuajtja që do të të shkaktojë besimi. E ç’kuptim do të kishte një shikim i tillë i kotë, i errët dhe shqetësues?!” Në fakt, ndërsa njeriu për­piqet ta bindë veten kështu, ajo pamje e ndaluar me kohë ka kaluar!..

Çdo dyshim që vjen në mendje, çdo pamje e stolisur mund të fshihet duke menduar më të mirën, më të përsosurën që do të arrihet në të ardhmen. Në shumë vende të Kuranit thuhet se jeta e kësaj bote është një lojë e dëfrim dhe se jeta e vërtetë është jeta e pasosur pas ringjalljes, vendbanimi i vërtetë është atje. (Al Imran, 185; Ankebut, 64) Nëse dyshimi të pro­pozon spinaq dhe kungull, Allahu të thotë se atje ka fruta të gatshme për t’u këputur njëra pas tjetrës… (Hakka, 23) Dhe pa u shqetësuar nga mostretja, dhimbja e barkut apo jashtëqit­ja. Në këtë mënyrë mund t’u japim ne përgjigje dyshimeve në lidhje me gjërat e ndaluara e të pabekuara. Kurse për gjërat e mira e të bukura të kësaj bote, do të themi, siç shprehej poeti Junus Emre, jepi atij që të kërkon ç’të duash Ti, mua më du­hesh Ti, më duhesh Ti! A mos kërkon djalli t’ju tërheqë në breg të detit apo në vende të freskëta duke bërë si pretekst vapën përvëluese të verës, për t’iu shmangur nga shërbimi? Ia kujtoni atij se zjarri i xhehenemit është më përvëlues dhe pandeh se dyshimi dhe lëkundja që ka kërkuar t’ju shtjerë në zemër, do t’i mbetet në fyt atij!

Gjithashtu, më duket se, duke menduar se nuk është aspak me vend që, ndërsa na presin Profeti dhe ndjekësit e tij besnikë, ne të përsillemi andej-këtej më kot dhe në një gjendje të pahij­shme, mund ta eliminojmë dyshimin dhe lëkundjen që kërkon të na shtjerë djalli duke na sugjeruar indiferentizmin dhe rehati­në.

g) Nuk duhet t’u jepen rëndësi as dyshimeve dhe lë­kundjeve të formës “a mos e lashë mangët” në abdes dhe namaz.

Nuk duhet t’ua vëmë mendjen as dyshimeve dhe lëkundjeve që na vijnë në abdes dhe namaz lidhur me përpikmërinë e ve­primeve. Po t’ju ndodhë një gjë e tillë për herë të parë, mund ta përsërisni abdesin ose namazin. Por po u përsërit, për shem­bull, po qe se dyshoni vazhdimisht nëse e keni larë një organ ose gjymtyrë, duhet ta hidhni poshtë dyshimin, duhet ta quani se e keni larë dhe të shkoni në namaz. Edhe në namaz, nëse përsëritet dyshimi ose lëkundja mbi faljen apo jo të të gjitha re­kateve, duhet vepruar me mendimin se namazi është falur në rregull.

Nuk duhet përqendruar në mënyrë të përsëritur mbi gjërat mbi të cilat bie dyshimi. Jo të qëndrohet mbi dyshimin, por të veprohet krejt në të kundërtën. Duhet shkuar me mendimin se edhe sikur të jetë bërë ndonjë gabim, qëllimi është i mirë. Sy­nimi është të goditet djalli dhe të largohet dyshimi.

Ndajeni me miqtë tuaj...