Transmetohet nga Abdullah bin Omer (r.a) se i dërguari i Zotit ka thënë: “Mysliman i vërtetë është ai nga dora dhe gjuha e të cilit janë të sigurt të gjithë myslimanët e tjerë. Ndërsa migrues i vërtetë është ai i cili qëndron larg çdo gjëje të ndaluar nga Allahu.”

Fjala islam rrjedh nga rrënja silm, e cila do të thotë paqe dhe qetësi. Parë nga ky aspekt, kjo fjalë tregon burimin e qetësisë dhe të paqes për të gjithë njerëzimin. Edhe myslimani i përket kësaj feje, është përulur para urdhrit të Zotit dhe në këtë mënyrë ka arritur qetësinë dhe ka nxitur njerëzit e tjerë për këtë. Kur përdorim fjalën mysliman kuptojmë një person i cili i beson të gjitha kushteve të besimit dhe zbatuesin e përpiktë të kushteve të Islamit. Krahas kësaj, në ajetet kuranore dhe hadithe të Profetit (s.a.s.) gjenden shprehje të qarta rreth mënyrës sesi duhet të jetë besimtari dhe myslimani i vërtetë.

Sipas një përkufizimi tjetër, mysliman i vërtetë është personi i cili zbaton të gjithë urdhrat e fesë dhe tregohet i kujdesshëm e i ndjeshëm ndaj tyre. Mund ta quajmë njeri të përsosur, të lartësuar, të ndriçuar. Një pikë tjetër e rëndësishme e karakterit të myslimanit është dhe pasqyrimi i besimit të tij. Kjo arrihet me anë të mbrojtjes së gjuhës dhe dorës, respektit ndaj njerëzve dhe qëndrimit larg mëkateve. Në një hadith tjetër të Profetit (s.a.s.) thuhet se e kundërta e këtyre sjelljeve është hipokrizi ose dyfytyrësi. Me këtë nënkuptohet një person i cili gënjen kur flet, nuk mban fjalën e dhënë dhe shqetëson të tjerët me gjuhën dhe duart e tij.

Në hadithin profetik më parë është përmendur gjuha, sepse ajo zë një fushë më të gjerë veprimi. Gjuha përkthen mendimet që qarkullojnë në mendje dhe zemër, është një organ pasqyrues i tyre. Për nga madhësia është e vogël, por dobia dhe dëmi që shkakton në emër të së mirës apo së keqes është i madh. Gjuha cilësohet si një mirësi në suren Beled. Krahas kësaj gjuha mund të bëhet shkak i rrokullisjes të njeriut në zjarr si dhe shkak i hyrjes së tij në parajsë duke përkthyer mirësitë e bëra nga ai.

Pikë së pari gjuha luan një rol të rëndësishëm në pranimin dhe hyrjen në Islam të një personi. Shprehja e dëshmisë, shehadeti, pranohet me zemër dhe shqiptohet me gjuhë. Sigurisht që edhe në detyrën e transmetimit të fesë tek të tjerët ajo zë një vend të pazëvendësueshëm. Përkthimi i të drejtës dhe të vërtetës përbën anën e saj të mirë. Imam Gazaliu e cilëson atë si organin më të prirur për mohim. Sepse gjuha është një organ i përdorur në mënyrë të papërgjegjshme nga e keqja e së cilës njerëzit nuk ruhen. Krahas kësaj është dhe mjeti më i përdorur nga shejtani.

Lexo  Ëmbëlsia e magjishme e tre muajve të mirë

Gjuha ose do të bëhet përkthyese e të drejtës dhe të mirës ose do të mëkatojë duke u bërë vegël e gjërave të ndaluara ose do të heshtë. Këtë e shohim të reflektuar edhe në një hadith profetik ku thuhet “ Ai i cili i beson Allahut dhe ditës së fundit le të flasë mirë ose të heshtë. “ Heshtja është mburoja më e mirë e gjuhës .

Kjo e vërtetë shpaloset edhe në ajetet kuranore në suren Junus: “ Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni o njerëz, Ne jemi dëshmitarë, kur ju thelloheni në të. (10/61) “Atë ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë.” (Nur /24)

Njeriu duhet të mendohet mirë para se të flasë dhe të parashikojë mirë rezultatin e prodhuar. Siç e transmeton dhe Ebu Hurejre Profeti (s.a.s.) ka thënë: “Njeriu mund të flasë një fjalë të atillë, e cila bëhet shkak për dërgimin e tij në cepin më të largët të zjarrit. Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka për të cilën nuk kishit dijeni. Këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut ishte një shkelje e madhe.” Fjala mund të duket e parëndësishme por mund të shkatërrojë jetën e pasme të personit. Në një hadith tjetër profeti (s.a.s.) thotë: “Gjuha e besimtarit është pas zemrës. Kur dëshiron të thotë diçka, e mendon mirë dhe e gjykon me zemrën e tij. Ndërsa gjuha e hipokritit vjen para zemrës. Kur dëshiron të thotë diçka, nuk mendon fare. Nuk sheh fare se kujt, si dhe çfarë thotë, dhe menjëherë e shfaq me gjuhën e tij.”

Faktori tjetër i përmendur në hadith është dora. Nga ana figurative kuptohet fuqia, forca e përdorur nga dora për të ndaluar apo lejuar diçka. Këtu mund të përfshihet dhe dhuna. Ebu Dheri (r.a.) transmeton se Profeti (s.a.s.) ka thënë: “Mbaje të keqen larg njerëzve, qëndro larg situatave që mund t’i dëmtojnë ata, pasi kjo është një lëmoshë për shpirtin tënd. I Dërguari i Zotit ka pyetur njëherë shokët e tij: “Kush është i falimentuar?” Shokët e profetit (a.s.) u përgjigjën kështu: “Është person i cili ka humbur gjithë pasurinë e ti.” I dërguari i Zotit më pas iu drejtua: “Ditën e kiametit sillet një njeri për të dhënë llogari Ky njeri është një njeri besimtar i cili ka kryer të gjitha adhurimet. Kur fillohet dhënia e llogarisë sillen personat të cilët u janë cenuar të drejtat nga ai. Duke i thënë se këtë e ke rrahur, këtë e ke dëmtuar me duart e tua, këtij ia ke ngrënë pasurinë, mallin…”, i merren të gjitha sevapet dhe i kalojnë të dhunuarve. Më pas ai njeri mbetet pa asnjë vepër të mirë. Ja pra, ky është i falimentuari i vërtetë.”

Lexo  Kirjuesi - Dashuria ime e vetme

Në pjesën e dytë të hadithit flitet për migrimin. Hixhret do të thotë të largohesh, të braktisësh një vend për të shkuar në një vend tjetër. Hixhret gjithashtu është quajtur dhe migrimi i Profetit (s.a.s.) nga Meka në Medinë. Profeti (s.a.s.) ka kërkuar besën e hixhretit nga të gjithë besimtarët myslimanë.

Me çlirimin e Mekës migrimi mori fund dhe nuk u konsiderua një kusht i fesë islame. Sipas shprehjeve të përdora në hadithet e Profetit (s.a.s.) migrimi pas çlirimit të Mekës është migrimi i bërë në vendet e tjera të botës nga myslimanët për të përhapur fenë islame. Por Profeti (s.a.s.) nuk ka mbetur vetëm me kaq, por e ka cilësuar migrues të vërtetë njeriun i cili qëndron larg mëkateve.

Parë nga ky aspekt,  i Dërguari i Zotit ka dashur ta mbartë hixhretin në një dimension të brendshëm dhe t’i nxitë shokët e tij në këtë drejtim. Ndërsa nga një këndvështrim tjetër mund të themi se personat e bërë myslimanë pas çlirimit të Mekës mërziteshin ngaqë nuk kishin marrë mirësinë e hixhretit. Duke i pasqyruar anën tjetër të hixhretit, Profeti (s.a.s.) i ka treguar se çdo mysliman i cili qëndron larg mëkateve mund të fitojë shpërblimin e hixhretit.

Ndajeni me miqtë tuaj...