* Sipas rrëfimit të Xhabir b. Abdullahit që pati marrë pjesë në ekspeditën Dhatu Rika, në kthim, Profeti pati dhënë pushim diku rreth një oazi, pati zbritur nga kali dhe, si të tjerët që ishin shpërndarë nën hijet e pemëve, qe shtrirë nën një pemë për të pushuar pasi e kishte varur shpatën në një degë të saj. Xhabiri thotë se kishin pak që i kishte zënë gjumi kur kishin dëgjuar zërin e Profetit që po i thërriste. Ata ishin ngritur dhe kishin shkuar pranë Profetit. Pranë tij kishin gjetur një arab beduin. Profeti u kishte treguar se ç’i kishte ngjarë me beduinin.
“Kur unë po flija, ky beduin arab kishte ardhur, kishte rrëmbyer shpatën time prej dege dhe, sapo e nxirrte nga milli, mua më doli gjumi. Në dorë mbante shpatën time të zhveshur! Ky më tha:
“A po ke frikë nga unë tani?”
“Jo, nuk kam!”, iu përgjigja.
“Po kush do të të mbrojë tani nga goditja ime?”, më pyeti.
“Allahu do të më mbrojë!” – i thashë unë. Atëherë, Xhebraili e goditi me një grusht në gjoks këtë, kështu që i ra shpata nga dora. Unë e rrëmbeva shpatën dhe i thashë:
“Po ty, kush do të të shpëtojë tani prej meje?”
“Askush s’më shpëton dot!”, më tha beduini.”[1]
* Ebu Hurejre tregon: Duke e pasur fjalën për sexhden, Ebu Xhehli na tha:
“Akoma Muhamedi i juaj e fërkon fytyrën për dheu?”
“Po!”, iu përgjigjëm ne.
“Betohem në Latin dhe Uzën se, po ta shoh duke vepruar kështu, do ta shkel mu në zverk! Ose do t’ia ngul fytyrën në tokë!”, tha ai.
Më pas, Ebu Xhehli i shkoi pranë të Dërguarit të Allahut tek po falte namaz. Sapo do ta ngrinte këmbën për ta shkelur, siç e kishte qëllimin për të cilin i kishte shkuar aty, befas e la dhe u zbraps me ngut duke mbrojtur fytyrën me pëllëmbë. Ata që ndodheshin aty pranë, e pyetën:
“Ç’të ndodhi”?
“Me të vërtetë, mes atij dhe meje u shfaq një hendek i zjarrtë, një gjë e frikshme dhe ca flatra…”, tha Ebu Xhehli.
Kurse i Dërguari i Allahut tha:
“Po të më afrohej, engjëjt do t’ia kishin këputur gjymtyrët një e nga një!”[2]
* Hz. Aishja tregon: Gjersa zbriti ajeti që thoshte, “pa dyshim, Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit”, i Dërguari i Allahut mbrohej nga sahabet, shokët e tij. Pas zbritjes së këtij ajeti, ai u tha shokëve: “O njerëz, shpërndahuni, se tani mua më mbron Zoti im!”[3]
[1] Buhari, Megazi, 31, 33; Muslim, Fedail, 13; Texhridi Sarih (përkth.), X, 235
[2] Muslim, Sifatul Munafikin, 38.
[3] Mustedrek, II, 313.