I Dërguari i Zotit, ishte më besimtari i besimtarëve. Frika që ndjente Ai, po ta themi më thjeshtë, largimi nga gjërat e dyshuara, nuk ekzistonte te ndonjë njeri tjetër në të njëjtin nivel. E gjithë sjellja dhe lëvizjet e tij kontrolloheshin nga ato principe. Aq shumë kishte frikë nga Zoti, saqë zemra dukej se do t’i pushonte së rrahuri. Ishte aq i brishtë e aq i ndjeshëm, saqë ishin të pakta çastet kur nuk derdhte lot dhe nuk frikësohej. Kur entuziazmohej, ishte si një oqean, dhe kur ishte i qetë, si një det.
070-489

I Dërguari i Zotit, që kur hodhi hapin në klimën e ndritur të profetësisë, deri në çastin kur e gjithë bota me madhështinë e saj u përul para këmbëve të tij, nuk e ndryshoi asnjëherë sjelljen. Madje, kur ndërroi jetë, nuk kishte atë pasuri që pati kur kishte lindur. Pasi kishte shpërndarë dhe dhënë gjithçka kishte pasur. Pa shikoni trashëgiminë e lënë, vetëm ca dhen dhe dhomat e vogla në të cilat banonin gratë e tij. Dhe ato ishin të popullit. Kur bashkëshortet e Profetit, nënat e besimtarëve vdiqën, dhomat u përshinë në xhami. Ashtu siç e di çdokush që ka shkuar atje, ato dhoma mund të përbënin vetëm një qoshe të ngushtë të xhamisë.

 

MËNYRA E ECJES SË PROFETIT

Transmetimin e parë në lidhje me ecjen e Profetit e ka bërë Ebu Hurejre (r.a.). Ai shprehet kështu: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Profetin tonë. Dukej sikur dielli shkëlqente në fytyrën e tij. Ecja e tij ishte e shpejtë dhe nuk kam parë njeri tjetër të ecë kaq shpejt. Kjo shpejtësi nuk vinte nga e ecura shpejt, por dukej sikur toka palosej e mbështillej nën këmbët e tij. Ai asnjëherë nuk bënte asgjë që t’i sillte vështirësi.”

Aliu (r.a.) kur përshkruan ecjen e tij, shprehet: “Kur hidhte hapat, e ngrinte këmbën rëndë dhe e mbështeste rëndë në tokë. Dukej sikur ulej nga një tatëpjetë.”

 

MËNYRA E ULJES SË PROFETIT

Çdo gjendje e Profetit ishte e natyrshme. Kajle binti Mahreme (r.a.) transmeton: “Një ditë kisha hyrë në xhaminë e Profetit. E pashë të ulur me gjunjë të ngritur, kofshët i kishte ngjeshur tek barku dhe duart i kishte lidhur tek kockat e këmbëve.” Ndërsa në një transmetim tjetër: “Njërën këmbë e kishte vendosur mbi tjetrën dhe ishte mbështetur mbrapa.”

Këto transmetime duhet të kenë lidhje me ndonjë gjendje specifike të Profetit. Sepse dimë se në disa hadithe të tjera, Profeti i ka ndaluar këto mënyra të uluri. Prandaj sahabët i kanë transmetuar këto hadithe ngaqë nuk kanë qenë të informuar më parë rreth kësaj mënyre të uluri.

Ndonjëherë, kur Profeti qëndronte i ulur, mbështetej mbi diçka. Nëse do të ulej nga ana e djathtë, vendosnin një mbështetëse nën dorën e djathtë. Ai e ka ndaluar mbështetjen tek diçka gjatë të ngrënit për arsye se praktikohej shumë para Islamit. Ai ka thënë: “Unë asnjëherë nuk ha duke u mbështetur.” “Nuk do të ha duke u mbështetur diku. Nuk do të ha duke u mbështetur.” Arsyeja e thënies së këtyre këshillave është kjo:

Një ditë, pranë Profetit të nderuar, erdhi një sahabe i quajtur Abdullah ibn Jusr. Me vete kishte sjellë një dash të pjekur si dhuratë për të. Profeti ynë u ul mbi dy gjunjët dhe filluan të hanin bashkë me sahaben që kishte pranë. Ndërkohë, vjen një bedevi nga jashtë:

“O i Dërguari i Zotit! Ç’je ulur kështu?” – e pyet, që nënkuptonte: pse një njeri si ju të ulet si të varfrit?

“Zoti më bëri një rob të nderuar, nuk jam një tiran”, – i përgjigjet ai.

 

MËNYRA E FJETJES SË PROFETIT

Profeti paqja qoftë mbi të! falte namazin e jacisë me sahabet dhe nëse nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme për të bërë, pa folur me askënd, shkonte të pushonte.  Gjithashtu lutej para se të flinte.

Profeti ynë e ka cilësuar gjumin si vëllai i vogël i vdekjes. Me fjalët “syri im fle, por zemra jo”, i Dërguari i Zotit ka shfaqur sjellje të cilat janë shembull për umetin e tij rreth mënyrës së fjetjes.

Kur përgatitej për të fjetur, Profeti ynë sillej në krahun e djathtë, shputën e dorës së djathtë e vendoste nën faqen e djathtë dhe lutej kështu: “O Zoti im! Më largo nga dënimi yt ditën kur do të ringjallësh dhe mbledhësh robërit e tu!”

Kur zgjohej lutej kështu: “Lavdi Zotit i cili na vuri në gjumë, vëllain e vogël të vdekjes dhe na ktheu përsëri në jetë. Padyshim kthimi ynë tek Ai do të jetë.”

I Dërguari i Zotit këndonte këto sure para se të shtrihej në shtrat:

Pjesën e parë të sures Bekare dhe dy ajetet e fundit (Amene resulu),

Ajetul Kursi, Suren Jasin, Suren Sexhde, dhe suren Mulk.

Pas tyre lexonte nga tri herë suret Ihlas dhe Muavidhetejn (Felek-Nas) dhe një herë suren Kafirun, duke i bashkuar duart i frynte shputave dhe pastaj prekte çdo pjesë të trupit deri ku arrinin duart.

Pasi shtrihej në shtrat lexonte 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil’lah” dhe 33 herë (sipas një transmetimi 34) “Allahu Ekber” dhe pastaj lexonte shumë lutje.

Sipas Abdullah b.Abasit Profeti gërhiste kur flinte. Kur vinte Bilali për ta zgjuar për namaz ngrihej dhe falej.

Aishja (r.a.) na ka transmetuar se lënda e shtratit që përdorte Profeti përbëhej nga një lëkurë e mbushur me fije hurmash.

Kur e pyetën Hafsën si ishte shtrati që kishte përdorur Profeti, ajo u përgjigj: “Vendi ku flinte Profeti ishte një qilim i palosur më dysh nga ne. Një natë menduam ta palosnim katër herë në mënyrë që të ishte më e butë dhe më e rehatshme për Profetin dhe ashtu bëmë. Në mëngjes Profeti na pyeti: “Ç’ishte ai dyshek që më kishit përgatitur mbrëmë?” Ne i thamë se ishte e njëjta gjë, vetëm se kësaj here e kishim palosur katër herë. Pas kësaj Profeti na tha: “Tani e mbrapa përgatiteni siç e keni përgatitur gjithmonë. Sepse mbrëmë, për shkak të butësisë së shtratit, nuk munda të ngrihem për namazin e natës.”

 

FJETJA E PROFETIT MBI RROGOZ

Një ditë, Omeri (r.a.) shkoi tek i Dërguari i Zotit. Profeti po qëndronte mbi rrogozin mbi të cilin kishte fjetur dhe në një anë të fytyrës kishte ende shenjat e rrogozit. Në një anë të dhomës kishte një lëkurë të punuar, ndërsa në një qoshe tjetër, një torbë me ca grushte grurë. Ja, këto ishin gjërat që gjendeshin në dhomën e të Dërguarit të Zotit. Omeri (r.a.) u prek dhe qau. Kur i Dërguari i Zotit e pyeti përse po qante, Omeri (r.a.) iu përgjigj: O, i Dërguari i Zotit! Ndërkohë që mbretërit flenë në shtretër me pupla, Ti (gjithësia u krijua për hir të tij) fle vetëm mbi një rrogoz që të lë shenjë në fytyrë. U preka nga çka pashë. Pas kësaj, i Dërguari i Zotit iu drejtua Omerit (r.a.): “A nuk dëshiron, o Omer, që ahireti të jetë i yni dhe kjo botë të jetë e tyre.”

Në një transmetim tjetër, Profeti ynë ka thënë: “Ç’lidhje kam unë me jetën e kësaj bote. Unë jam si një udhëtar. Një udhëtar që prehet nën hijen e një peme, pastaj largohet prej aty dhe vazhdon udhëtimin.”

Ai kishte ardhur me një mision në jetë. U kishte sjellë njerëzve frymën ringjallëse në ndjenja dhe në mendime. Kur të kryente misionin, do të largohej nga kjo botë. Të hamendësosh në ndryshimin e disa gjërave, në emër të botës nga një njeri kaq i painteresuar ndaj botës, duket se është pak absurde. Ai kurrë nuk u përkul përpara botës dhe Ai asnjëherë nuk hapi velat për të ndryshuar kahe.070-687

Ndajeni me miqtë tuaj...