Mëshira

Mëshira është majaja e parë e ekzistencës. Pa të çdo gjë është një lëmsh i madh, që mund ta karakterizojë veç kaosi. Çdo gjë ka nisur së ekzistuari me mëshirën, me të vijon së ekzistuari dhe falë saj gjendet e përshirë në një rregull.

Me mesazhet e mëshirës që vijnë nga përtej qiejve, Toka ka një ligjësi të caktuar, me qiejt të sistemuar mbi krye. Çdo gjë, nga makrokozmosi në mikrokozmose, ekziston brenda këtij rendi dhe harmonie të rregulluar sikur përmes ingranazhesh të përsosura, pikërisht në saje të mëshirës.

Në këtë lëvizje dhe funksionim është duke u bërë prova e formave dhe gjendjeve në të cilat do të shndërrohet çdo gjë kur të kalojë prej përkohësisë në përjetësi. Ndaj, të gjitha gjallesat janë në një përpjekje përpëlitëse të pareshtur përgjatë gjithë jetës së vet. Në çdo lëvizje vërehet fare lehtë rendi dhe rregulli që mbizotëron, në çdo gjallim shfaqet shkëlqyeshëm mëshira.

A është e mundur që të mos e dallosh këtë mëshirë epike në delikatesën e ajrit vibrues, në kërcimin harmonik të rrjedhjes gjarpëruese të ujërave, e cila na paraqitet kaq fare pranë, sikur ta kemi përpara syve dhe mu në majat e gishtërinjve?

Retë shëtitin mbi kryet tona me krahë mëshire. Shiu, sikur të ish i përbërë prej zinxhirësh kalorësish, shkëputet prej shtratit krijues dhe lëshohet në ndihmë të jetës. Rrufetë, shkrepëtimat, të cilat lëshohen ashtu, me një shamata rrokopujëse prej qiejve, na sjellin sihariqe prej asaj mëshire të fshehtë. Dhe universi, me çdo gjë të tijën, si një gazelë në këndim e sipër e “Mëshirës së Pasosur”. Toka dhe detet; pemët dhe barërat, ballë për ballë e fare pranë njëra-tjetrës, secila me fjalët dhe meloditë e veta, këndojnë pareshtur këngën e bukur të mëshirës.

Shiheni pak krimbin! Nën këmbët e aq shumë qenieve thuajse gjigante, që ka aq shumë nevojë për mëshirën që ta mbrojë; mirëpo, edhe pse në këtë gjendje, ai është i vendosur që të mëshirojë sa e sa të tjerë, si një udhëtar i jetës që nuk njeh të lodhur. E atillë, e mëshirshme, sillet edhe toka me të duke ia hapur kraharorin, që ai të depërtojë ngado. E ai, në çdo grusht dheu nga kalon, ia shpërblen këtë të mirë tokës, duke lënë farën prej nga do të rilindë jeta edhe kushedi se sa mijëra herë të tjera. Dhe nëna tokë ajroset sajë këtyre depërtimeve, fryhet, e kësisoj piqet e bëhet edhe më pjellore. Toka mëshirë për krimbin, e krimbi mëshirë për tokën; po atyre të ngratëve që e djegin barin dhe rrënjët duke këmbëngulur te plehu, ç’t’u thuash? I gjori njeri! As që është i vetëdijshëm që është duke u treguar i pamëshirshëm, si ndaj tokës, ashtu edhe ndaj krimbit…!

Lëre pastaj, po të shihni bletën që rrëzëllin mbi njëmijë e një lule, apo krimbin e mëndafshit që e izolon vetveten brenda asaj fshikëze gjithë dhëmbëza! Ç’ngarkesë marrin përsipër dhe ç’u duhet që të durojnë për hir të përshtatjes me orkestrën e mëshirës. Si është e mundur që të mos e shohësh e të mos e ndiesh vuajtjen që heqin këta heronj të sakrificës, për t’i dhënë njeriut që të hajë prej mrekullisë së mjaltit, apo për t’u veshur në atë mëndafsh?

Po pula, që është gati të fusë kokën e saj në gojën e qenit, vetëm e vetëm që ai të mos i hajë ndonjërin prej zogjve, ç’heroinë e dhembshurisë që është, apo jo(!); po për kafshët përbindësh që kapërcehen në urinë e tyre dhe gjithë ç’gjejnë e përtypin, për të ushqyer të vegjlit e tyre, duke u futur të gatshme në gojë, a e keni menduar ndonjëherë se sa madhështore janë…?

Në gjithësi, çdo gjë, por çdo gjë, mendon veçse përmes mëshirës, flet me gjuhën e mëshirës dhe premton vetëmse mëshirë. Prandaj, universin mund ta konsiderojmë mjaft mirë edhe si një simfoni të mëshirës. Zëra dhe frymime nga më të ndryshmet; ato melodi të vetme apo në trajtë dueti, rrjedhin asisoj, me një ritëm të atillë që është e pamundur të mos e dëgjosh e kuptosh. Dhe, mandej, pas gjithë kësaj keqardhjeje dhe dhembshurie, të mos ndijosh a ndiesh mëshirën aq të gjerë që ka mbështjellë gjithçka e që kontrollon këtë kor të mistershëm…

Mjerë ata shpirtra fatkëqinj që nuk kuptojnë asgjë syresh…!

Përballë të gjitha këtyre gjërave që ndodhin, njeriu, me vullnetin dhe vetëdijen e tij, me aftësinë e të gjykuarit dhe të të menduarit, është i detyruar dhe përgjegjës që të “përqendrohet” dhe ta konceptojë këtë mëshirë kaq të thellë, madje me frymimet e tij të shtojë edhe melodinë e vetë origjinale në të.

Është detyrë e tij që të mëshirojë edhe ai, si ta kishte një borxh ndaj mbarë shoqërisë në të cilën jeton, madje edhe ndaj mbarë njerëzimit, mbarë gjallesave të gjithësisë. Në këtë rrugëtim ai lartësohet vetëm për aq sa tregon mëshirë; e ulet, poshtërohet, duke u shndërruar në faqen e zezë të njerëzimit për aq sa bie në batakun e egërsisë, padrejtësisë dhe mungesës së keqardhjes.

Ashtu siç e dëgjojmë edhe prej më Fjalëdrejtit, se si një grua e përdalë e mëkatare mund të lartësohet drejt Parajsave duke u treguar e mëshirshme ndaj një qeni që përpëlitet nga etja dhe si një grua tjetër, që bëhet shkaktare për ngordhjen e maces së shtëpisë, sepse ajo e lënë atë të uritur, rrëzohet e rrokulliset në thellësitë e Xhehenemit.

Mëshironi, që të bëheni njerëz nga ata që meritojnë të mëshirohen! Një dore që zgjatet për të mëshiruar të tjerët i vijnë mijëra sihariqe nga botët përtej qiejve.

Të parët tanë, të cilët e patën kuptuar shumë mirë këtë të fshehtë, arritën që të ndërtonin oxhaqe të mëshirës në çdo vend. Madje i kapërcyen të gjithë njerëzit dhe ngritën edhe sa e sa vakëfe për mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj kafshëve. Kjo nuk ishte gjë tjetër, pos kthimit në pjesë të sjelljes dhe të karakterit të tyre të këtij botëkuptimi të thellë të mëshirës.

Kushedi ç’zog me këmbë të thyer, ç’lejlek me krah të plagosur, e goditi mu në zemër ndonjërin prej heronjve të mëshirës, duke i prurë atij frymëzimin në trajtën e mendimit për të ndërtuar enkas fole për zogjtë e plagosur, që e kanë të pamundur të mbërrijnë atje për ku qenë nisur, sikur të ishte duke ngritur një strehë për njerëzit e braktisur e në nevojë.

Ah sikur të mund të ishim edhe ne të mëshirshëm me njerëzit aq sa ç’qenë ata  njerëz të veçantë me kafshët… O Zot! Jo vetëm që nuk u treguam të mëshirshëm me vetveten, por e shkatërruam mbarë brezin e ri, me shpërfilljen dhe mungesën e mëshirës. Po, ne jemi shkaktarët e vërtetë të këtyre njëmijë e një ngjarjeve mbytëse dhe të kësaj atmosfere shoqërore tashmë të padurueshme.

Por, veç kësaj, është edhe përdorimi pa kriter i ndjenjës së mëshirës, apo keqpërdorimi i saj, që është gjithashtu po aq e urryeshme dhe e dëmshme sa ç’edhe mungesa e mëshirës.

Mëshira e përdorur aty ku duhet është eliksir për jetën, por edhe keqpërdorimi i saj është një helm, që të shkatërron jo vetëm jetën e kësaj bote, por edhe amshimin. Dhe përkapja e këtij koncepti është thelbësor. Kur oksigjeni bashkohet me hidrogjenin për të krijuar komponimin e ujit sipas një raporti të caktuar e të pandryshueshëm, ata sjellin në jetë ujin që është aq jetik për qenien njerëzore. Kur ky raport prishet, apo kur ata qëndrojnë ose mbahen të veçuar nga njëri-tjetri, ata u kthehen identitetit fillestar të tyre. Po njësoj edhe doza e mëshirës, apo destinacioni i saj janë shumë të rëndësishme. “Të tregosh mëshirë ndaj një përbindëshi ia shton atij edhe më shumë oreksin, aq sa të vjen e të kërkon shpagim edhe për qiranë e dhëmbëve të tij.” Të tregohesh i mëshirshëm me të harbuarin, e egërson atë edhe më shumë, duke e nxitur që t’u vërsulet edhe të tjerëve. Nuk mund të tregohesh i mëshirshëm ndaj atij që merr kënaqësi prej helmimit të të tjerëve si gjarpërinjtë. Mëshira ndaj të tillëve do të thotë që kontrollin e botës t’ua dorëzosh kobrave…

Duart me gjak, fytyrat me gjak; zemrat me gjak, sytë të përgjakur; të tregosh mëshirë ndaj të çmendurit dhe të përlyerit në gjak, do të thotë të jesh treguar i pamëshirshëm në mënyrë të frikshme ndaj të gjitha viktimave, ndaj të gjithë prekurve prej padrejtësisë. Një qëndrim i këtillë nuk do të thotë tjetër, por keqardhje për ujkun dhe shpërfillje e drejtësisë për qingjat dhe edhe pse kjo sjellje do t’i bëjë ujqërit për të qeshur, gjithë të pafajshmit do t’i mbytë në klithma e vajtime.

Ndajeni me miqtë tuaj...