KERIM BALCI
Krijuesi i këtij universi madhështor kërkon të njihet.
Dhe meqenëse Ai kërkon të njihet, Ai dëshiron ta bëjë veten e Tij të njohur.
Dhe meqenëse Ai dëshiron ta bëjë veten e Tij të njohur, Ai do të flasë.
Dhe meqenëse Ai do të flasë, Ai do të flasë me njerëzimin, i cili është i ndërgjegjshëm dhe inteligjent.
Dhe meqenëse Ai do të flasë me njerëzimin, Ai do të flasë me më të mirin dhe më të spikaturin e njerëzve.
Dhe pas kësaj, Ai do t’i flasë gjithë njerëzimit përmes këtij personi, që do të jetë i Dërguari dhe Profeti i Tij.
Për këtë arsye, ata që duan të njohin Krijuesin e këtij “pallati madhështor të universit” duhet së pari të gjejnë, të dëgjojnë dhe të ndjekin mesazhin e këtij Profeti.
Çfarë vjen më pas, është një udhëtim imagjinar që do të ndërmarrim për të gjetur këtë Udhërrëfyes të Bekuar.
Është një përpjekje për të kuptuar kush është ai që njihet si “Profeti i Fundit”; një person që ka patur miliona ndjekës gjatë pesëmbëdhjetë shekujsh; një person emri i të cilit është Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet qofshin mbi të!
Profeti Muhamed, vërtetësia e të cilit qe dëshmuar nga të gjithë ata që e patën njohur, tregoi shpalljen elokuente të Krijuesit të universit për të vërtetuar Profetësinë e tij. Ata që e lexojnë këtë Kuran, indeksin e librit të krijimit, do të shohin se si ai flet për Dërguarin e mesazhit të tij:
“Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por ai ishte i Dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë Profetëve. Allahu di gjithçka.” (Ahzab, 33:40)
“Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i Dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga besimi)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën aspak dëm Allahut, ndërsa Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.” (Al Imran, 3:144)
“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse patëm frymëzuar Nuhun dhe Profetët pas tij; patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm zbritur Zeburin” (Nisa, 4:163)
Ky Libër i Shenjtë saktëson se Profeti Muhamed u dërgua si Mëshirë për botët (Enbija 21:107); se ai u dërgua si përgëzues dhe këshillues (Furkan 25:56 / Bekare, 2:119); që ai ishte i pari që besoi (En’am, 6:14); që i thërriste njerëzit të besonin në Zot, dhe ta pranonin atë si të Dërguarin e Zotit, librin që iu shpall atij dhe librat që ju qenë shpallur të dërguarve para tij. (Nisa 4:136).
Ky Libër i Mrekullueshëm nuk i mohon shpalljet që erdhën para tij; përkundrazi, ai dëshmon për vërtetësinë e tyre dhe i plotëson ato (Bekare, 2:41). Ai saktëson se Profeti Muhamed i thirri ata që besonin në profetët e që erdhën para tij në besimin tek një Zot (Al Imran, 3:64).
Dhe shprehimisht, “E ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe nuk bënë kurrfarë dallimi në asnjë prej tyre, atyre do t’u jepet shpërblimi i merituar. Allahu është Falës, Mëshirues.” (Nisa 4:152), Profeti Muhamed shpjegoi se të gjithë profetët duhet të konsiderohen të barabartë.
Kjo Fjalë e Përjetshme e Zotit jo vetëm që kërkon besim në të gjithë profetët, por na kujton ne se profetët e mëparshëm premtuan të besonin tek ata që do të vinin pas tyre. Ai u bën thirrje atyre të cilëve u është dhënë Libri dhe Urtësia të besojnë dhe të ndihmojnë Profetin që miraton shkrimet e tyre. Kur çka në qiej e në tokë i përulet vullnetit të Zotit me bindje dhe e dëgjon Atë, a është e mundur që ne të mos ia vëmë veshin thirrjes së Tij në besim? (Al Imran, 3:81-83).
Vërtet, ne nuk duhet të themi tjetër përveç asaj se Ne besojmë në Zot dhe në çfarë ai na ka shpallur neve dhe çfarë ju shpall Ibrahimit (a.s), Ismailit (a.s), Is’hakut (a.s.), Jakubit (a.s), dhe Popujve, dhe në librat që ju dhanë Musait (a.s), Isait (a.s) dhe profetëve nga Zoti i tyre: Ne nuk bëjmë dallim ndërmjet tyre, dhe ia dorëzojmë Zotit vullnetin tonë (në Islam). (Bekare, 2:136).
Ky libër madhështor flet gjithashtu për pozitën e lartë te Profetit Muhamed (a.s.) tek Allahu:
“Dhe me urdhrin e Allahut ai është thirrës për në udhën e Tij dhe pishtar ndriçues.” (Ahzab, 33:46)
“Vërtet që ti zotëron një shkallë të lartë të virtytit.” (Kalem, 68:4)
“Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Profetin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzab, 33:56)
“Thuaj (O Muhamed njerëzimit): Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë e t’ju falë mëkatet. Allahu fal shumë, mëshiron shumë.” (Al Imran, 3:31)
Kështu, ne pamë nga këto vargje Kuranore se ai që njihej si “Muhamedi i Besueshmi” ishte i sinqertë dhe i drejtë kur bënte thirrje se ishte Profet i Zotit. Tani, le të kthehemi e të dëgjojmë çfarë thotë ai. Le të dëgjojmë çfarë ka për të na thënë rreth vetes së tij Profeti që zotëron çelësin e kuptimit të universit.
Ndërsa nga njëra anë tregon pozitën e tij të lartë duke shprehur se Zoti e quan atë të Dashurin e Tij, nga ana tjetër tregon përuljen dhe modestinë e tij duke thënë,
“Mos e teproni me lëvdata për mua. Unë jam vetëm i dërguari dhe robi i Zotit.”
Nga njëra anë thotë: “E para gjë që u krijua ishte drita ime” nga ana tjetër nuk i lejon pasuesit e tij ta konsiderojnë atë më të lartë se Profeti Junus (a.s.).
Kur fliste rreth profetëve para tij thoshte: “Unë jam lutja e stërgjyshit tim Ibrahim (a.s.) dhe sihariqi i Isait (a.s.).”
“Gjendja e ime dhe ajo e profetëve të tjerë është si kjo alegori: Një person ndërton një shtëpi perfekte, por lë një tullë mangët në një qoshe të shtëpisë. Njerëzit vijnë dhe vizitojnë shtëpinë. Kur dallojnë tullën që mungon thonë: ‘A nuk do të vendoset një tullë në këtë qoshe?’ Tani, unë jam ajo tullë dhe Profeti i fundit.”
Ai thotë se detyra e tij e vërtetë është të plotësojë moralin e lartë. Ai deklaron, “Unë nuk jam profeti i një fisi, por profeti i popujve të të gjitha ngjyrave.” Ai thotë se dashuria është lidhja midis tij dhe besimtarëve: “Duajeni Zotin për mirësitë që ju ka dhënë dhe duamëni mua për dashurinë që ka Zoti për mua.”
Ajo çfarë Profeti (a.s.) kërkon nuk është tjetër veçse dashuri dhe përshëndetje kur përmendet emri i tij.
Tani le të dëgjojmë çfarë thonë besimtarët e tij për të:
“Morali i tij ishte ai i Kuranit” thotë Aishja (r.a.) gruaja dhe mikja e tij. Ndjekësit e tij e konsideronin atë si një Kuran folës. Myslimanët e pritën me këngë atë kur erdhi në Medine nga Meka:
Ti je hëna, ti je dielli,
Ti je drita përmbi dritë,
Të gëzuar po të presim,
O i dërguar prej Madhërisë.
Shprehja e dashurisë për Profetin (a.s.) nuk izolohet vetëm në tregimet e Shokëve të tij. Poetët kanë kaluar gjithë jetën duke u përpjekur të shkruajnë vargje të përshtatshme për të përshkruar saktësisht dashurinë e tyre të pafundme për Profetin (a.s.). Hassan b. Thabit shprehet si më poshtë:
Me fjalët e mia Muhamedin (a.s.) nuk lavdërova;
Duke përmendur Atë, fjalëve vlerë u përftova.
Imam Busajriu nga ana tjetër shpreh admirimin e tij duke thënë:
Edhe mrekullitë e tij zbehen para të vërtetës së tij.
Rumi e tregon Atë si burimin e frymëzimit të tij:
Unë jam një grimcë rëre në rrugën ku Ai kalon.
Nëse dikush për mua tjetër udhë tregon
Mua nga fjalët dhe nga ai më privon.
Muhamedi (a.s.) është në vetvete garant i vërtetësisë së tij. Miliona njerëz janë drejtuar nga ai me dashuri dhe respekt dhe do të dëshmojnë se Profeti Muhamed (a.s.) e plotësoi misionin e tij deri në nivelin më të lartë.