Argumenti dhe garancia më e madhe mbi realizimin e jetës së ahiretit është premtimi i Zotit për robtë e vet. Duke theksuar në shumë vende se çdo frymë do të vdesë, se nuk do të mundet të iket nga vdekja, se Allahu është ai që e jep vdekjen dhe se, në fund, kthimi do të jetë te Ai, Kurani bën të ditur se ringjallja pas vdekjes është domosdoshmëri e premtimit të Allahut:
“Ajo që po ju premtohet juve është mëse e vërtetë! Nuk ka asnjë dyshim se edhe llogaridhënia, edhe ndëshkimi do të realizohen patjetër!”
Siç dihet, drejtësia e një lajmi është e lidhur (e kushtëzuar) me drejtësinë e njoftuesit të atij lajmi. Kështu, Krijuesi i Lartë që as mund të diskutohet që të dalë kundër premtimit të vet, në të gjitha librat qiellorë si dhe në Kuran thotë se do ta mbyllë këtë gjithësi që e ka krijuar si një libër dhe një ditë tjetër do ta hapë përsëpari. Meqë ai që e thotë këtë është Krijuesi i Lartë dhe se për këtë dëshmojnë Profetët që kanë të drejtën e fjalës, atëherë, ndodhia e jetës së ahiretit duhet parë si e kryer.
Kurani nuk është mjaftuar vetëm me njoftimin se ringjallja pas vdekjes do të ndodhë patjetër. Ai ka sjellë argumente kategorike që e vërtetojnë ringjalljen pas vdekjes dhe grumbullimin (hashr) që janë njëra prej çështjeve me rëndësi që e preokupojnë mendjen e njeriut. Dhe, duke i parashtruar argumentet në fjalë, ka dhënë shembuj të gjallë që përmbajnë kundërshtimet e mohuesve.

b-1 Vërtetimi me metodën e analogjisë krahasuese
Në Kuran, metodën e analogjisë krahasuese e shohim si njërën prej metodave të përdorura nga bashkëbiseduesit për ta gjetur të vërtetën në çështjen e shpjegimit dhe vërtetimit të mundësisë së botës së jetës së pasme. Kjo metodë është bërë në Kuran një metodë e posaçme e tij përsa i përket tregimit të pretendimeve të mohuesve si të shtrembra e të gënjeshtërta.

Ai që ka mundësi ta krijojë një gjë nga e paqena, e ka më të lehtë ta krijojë atë për herë të dytë
Disa herë, kur njeriu përballet me një gjë që e kapërcen fuqinë dhe mendimin e tij, kapet nga pandehma se realizimi i asaj gjëje është e pamundur. Është për këtë gjë që Kurani, kur e merr për epiqendër fuqinë e Krijuesit të Lartë, e thekson në mënyrë të vazhdueshme se as që mund të bëhet fjalë për pamundësinë e ringjalljes së kufomave dhe për grumbullimin dhe llogaridhënien pas ringjalljes.
Po qe se personi që shkruan në një faqe miliona libra pa i ngatërruar me njëri-tjetrin dhe na e hap para syve, premton se librin që e prish duke ia shpërndarë fletët, e mbledh përsëdyti duke e sjellë në gjendjen e mëparshme, a mund të thuhet se “ai s’ka fuqi për ta bërë këtë”? Nga ky këndvështrim, le ta mendojmë këtë ajet përsëpari:
“Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë!” (Enbija, 21/104)
Përsëri në të njëjtin paralel, le ta trajtojmë çështjen me një shembull tjetër. Po qe se artisti që ka shpikur një makineri, më pas e zbërthen atë dhe thotë se do ta montojë edhe një herë tjetër, a mund të kundërshtohet ai duke i thënë “jo, s’mund ta bësh, s’mund ta arrish këtë”? Po qe se kjo është e mundur për fuqitë njerëzore, a mund të bëhet fjalë për pengesë për fuqinë hyjnore që s’njeh kusht e kufi? Si mund të ndodhë që Fuqia e Lartë që e ka nxjerrë materien nga mosqenia në botën e ekzistencës, të mos i mjaftojë mundësia për t’i bashkuar sërish pjesët e shpërndara?
Pse të mos jetë e mundur që njeriu i cili ekziston ndërsa nuk ka ekzistuar, të mos rikthehet në ekzistencë pasi të ketë kaluar në mosekzistencë? Kurani i jep këtë përgjigje lakonike kundërshtimit të kokës mohuese që thotë: “Njeriu thotë: “Vallë, pasi të vdes, a do të ringjallem përsëri?” A nuk e mban mend njeriu se Ne e kemi krijuar atë, kur ende nuk ishte asgjë?!” (Merjem, 19/66-67)
Krijimi i njeriut, ardhja e tij në këtë botë dhe etapat e këtij zhvillimi ndodhin vazhdimisht nga jashtë pa asnjë ndërhyrje dhe kontribut prej tij. Nisur nga kjo, ecuria e krijimit që kalon njeriu është argumenti më i afërt dhe më i efektshëm për të për ta vërtetuar Allahun dhe jetën e pasme.
Duke e vërtetuar ringjalljen me argumente subjektive, Kurani na e tërheq vëmendjen në botën normale ku jetojmë. Si argument të faktit se ringjallja është një dukuri që ndodh brenda kuadrit të mundësisë, parashtron etapat e jetës së vetë njeriut:
“O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift.” (Haxh, 22/5)
Krijimi i një qenieje të përkryer nga një embrion i thjeshtë është jo vetëm argument për ekzistencën e Allahut, por edhe një argument kategorik për ringjalljen dhe grumbullimin e njerëzve pas ringjalljes dhe llogaridhënien. Kështu, në pjesën e fundit të ajetit tërheq vëmendjen mbi këtë specifikë duke thënë: “… Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta e vetme. Ai i ringjall të vdekurit dhe Ai ka mundësi për çdo gjë!” (Haxh, 22/6)
Kundërshtimet dhe qëndrimin armiqësor të njeriut që e mohon jetën e pasme, e lidh me mosnjohjen nga njeriu të procesit të krijimit të vet: “A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, e megjithatë ai bëhet kundërshtar i hapët?!” (Jasin, 36/77)
Kur njeriu e harron veten, e shprehur më qartë, kur e harron atë përkryerje dhe mrekulli të krijimit të vet, kjo gjë bëhet shkak që për të të hapet porta e mohimit. Këtë specifikë e thekson kjo shprehje e Kuranit në vazhdim të ajetit që e përmendëm lidhur me këtë specifikë: “Dhe ai e harroi krijimin e vet!” (Jasin, 36/78)
Nuk mund të mendohet që njeriu i cili e njeh ecurinë e krijimit të vet, të dyshojë për ringjalljen e vet. Sigurisht, Allahu i cili e krijoi prej dheu njeriun si një qenie të gjallë që mendon, flet, dëgjon, kupton, që ka vetëdije dhe aftësi njohjeje, mundet ta ringjallë njeriun pasi të ketë vdekur e të jetë bërë dhé!

Ringjallja është më e lehtë
Kurani përpiqet t’i zgjojë mendjet e njerëzve nga një këndvështrim tjetër përsëri me këtë metodë krahasimi. Duke u kujtuar njerëzve, në lidhje me dyshimet dhe kundërshtimet e atyre që e mohojnë ahiretin duke e përsëritur shpesh se “a do të ringjallen dhe kthehen në jetë pasi të jenë shndërruar në një grumbull eshtrash pa jetë”, se Allahu i Lartë ka krijuar në gjithësi gjëra më të mëdha dhe më të vështira se njeriu, Kurani bën të ditur se, në krahasim me këto gjëra të mëdha, rikthimi i njerëzve në jetë është një punë jo fort e vështirë.
Në këtë pikë, me synimin për t’i bërë mohuesit të mendojnë më seriozisht, Kurani u drejton atyre në fillim këtë pyetje: “Allahu ka më të vështirë t’ju krijojë ju (pas vdekjes) apo qiellin, që e ka ngritur?!”(Naziat, 79/27)
Me këtë ajet u thuhet kështu njerëzve: “Ju vazhdimisht pyesni se “si do të marrin jetë këto kocka të kalbura”! A nuk mendoni se për Allahun që e ka krijuar këtë qiell madhështor, nuk mund të ketë asgjë të vështirë?”
Pasi i përqendron mendjet mbi një pikë me rëndësi me pyetje të formës “a është më i vështirë krijimi i njeriut apo i qiellit me të gjithë elementët”, si hap i parë, kjo, Kurani, si hap të dytë, u përgjigjet vetë këtyre pyetjeve: “Sigurisht që krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë!” (Mumin, 40/57)
Ashtu siç është më e lehtë për një njeri që ndërton një pallat të mrekullueshëm, të ringrejë një kolibe të thjeshtë të shembur, ashtu dhe çështja e krijimit të njeriut si qenie që zë në gjithësi një vend jashtëzakonisht të vogël në krahasim me qiejt dhe tokën, në krahasim me çështjen e krijimit të kësaj gjithësie të madhe, nuk është e ndryshme.
Në një ajet tjetër, faktin që, për sa i përket vështirësisë, rikrijimi i njeriut pas vdekjes përbën një specifikë për të cilën nuk e vlen të flitet në krahasim me krijimin dhe funksionimin harmonik të gjithësisë nga Allahu, Kurani e shpreh kështu:
“Vallë, a nuk ka mundësi Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikrijojë ato? Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!” (Jasin, 36/81)

Ai që mundet ta kthejë një gjë në të kundërtën, mund ta kthejë në të kundërtën edhe një gjë tjetër
Një formë tjetër krahasimi e ofruar njerëzve nga Kurani për ta provuar mundësinë e ringjalljes, është trajtuar me një shembull të veçantë:
“Është Ai që nxjerr për ju zjarr nga druri i gjelbër (i njomë) që ju e përdorni!”
Këtu, me këtë shembull, duke treguar për zjarrin që ndiznin arabët të cilët ishin atë ditë bashkëbiseduesit e parë të tij, duke fërkuar me njëri-tjetrin dy lloj drurësh të njomë, Kurani tërheq vëmendjen mbi faktin që Allahu i Lartë është i aftë për të bërë dhe çuar në vend çdo gjë që dëshiron, që para fuqisë së tij nuk ka asnjë pengesë.
Specifika që kërkon të shprehë ajeti lidhur me çështjen, është kjo: Uji dhe zjarri janë gjëra të kundërta me njëri-tjetrin. Ndërsa dalja e zjarrit nga druri i njomë ku përmbahet ujë me sasi të madhe, është pothuajse e pamundur, Fuqia e Lartë, duke e nxjerrë zjarrin nga druri i njomë, ka treguar se e ka krijuar diçka nga diçka tjetër e kundërt me të.
Me këtë shembull të dhënë për të argumentuar mundësinë e jetës pas vdekjes, Kurani, duke ua kujtuar njerëzve se në këtë gjithësi, prodhimi i diçkaje nga diçka tjetër e kundërta e saj është një dukuri e mundshme që vëzhgohet, ka synuar t’i përgatisë mendjet për ta pranuar nga ky këndvështrim mundësinë e ringjalljes.
Shkurt, Kurani na e parashtron para syve me një shprehje të shquar se Krijuesi i Lartë i cili ka mundësi për të nxjerrë nga një dru i njomë zjarrin që është e kundërta e tij, është i aftë edhe për ta krijuar jetën nga kockat e kalbura që janë në dukje si antagonistë të jetës.

b-2 Vërtetim me Paraqitjen e Shembujve të Krahasueshëm
Disa herë, Kurani na kujton ne shembuj të krahasueshëm e të vëzhgueshëm me vetë ringjalljen. Këta shembuj nuk ndodhen larg; ata ndodhen pranë të gjithë njerëzve, besimtarë e jobesimtarë, e thënë ndryshe, dukuri që i vëzhgon kushdo.
Kështu, duke u mbështetur në argumente të marra nga bota e përvojës, Kurani edhe tregon themelet racionale të dukurisë së ringjalljes, edhe nxjerr në shesh se mohuesit e ringjalljes nuk kanë asnjë argument dhe kundërshtimet e tyre nuk bartin vlerë shkencore. Në këtë kuadër, përballë atyre që e shohin ringjalljen të pamundur, Kurani, gjallërimin me anë të ujit të shiut të tokës zhuritur nga thatësira dhe të vdekur dhe, pastaj, stolisjen e saj me bimë të ndryshme, si dhe shembullin e gjumit që e provon vetë njeriu, i paraqet si prova dhe argumente që vërtetojnë se ringjallja është e mundur.
Këtu, konkluzionet që mund të arrijë mendja/arsyeja me rrugën e mendimit/arsyetimit dhe meditimit, jepen përmes një stili mësimdhënës, ashtu që stilin vërtetues dhe bindës të Kuranit në këtë drejtim mund ta shohim më tepër se si njoftim të një çështjeje njerëzve nga pozita hyjnore, si mësimdhënie të një mësuesi për nxënësin e vet.
Nisur nga këto prova dhe argumente të Kuranit, edhe nëse çështja trajtohet nga këndvështrimi i një filozofi, edhe nëse trajtohet nga këndvështrimi i një çobani, nuk mund të ketë metodë më të lartë se metoda argumentuese dhe bindëse e ndjekur nga Kurani. Edhe hadithet e Profetit (sal’lallahu alejhi uesel’lem) lidhur me këtë çështje janë trajtim në hollësi dhe koment i atyre që tregon Kurani. Dhe tani le t’i trajtojmë shkurt këta shembuj të paraqitur për këtë qëllim nga Kurani vështrimit të vëmendshëm të njerëzve.

Gjallërimi i Tokës pas Vdekjes
Ringjallja në pranverë e faqes së tokës e cila gjatë dimrit duket si e vdekur, është shembulli më domethënës i dhënë në Kuran me qëllim për të treguar se ringjallja pas vdekjes është një dukuri e mundshme dhe e vëzhgueshme. Me një ligj të vendosur nga Allahu që sundon mbi tokë, çdo gjë është në një proces ripërtëritjeje të pandërprerë. Veçanërisht, duke na i dhënë shembuj ujin dhe bimësinë që hedh shtat dhe zhvillohet me anë të ujit, me anë të kësaj Kurani i tërheq vëmendjet në këtë pikë: Po qe se çdo gjë asgjësohet dhe, pastaj, rikthehet në gjendjen e mëparshme nga pikënisja, pse të mos jetë e mundur që edhe njeriu të rikthehet në gjendjen e mëparshme pasi të ketë vdekur?
Funksionimi i jetës ku ndodhemi është argument më vete i mundësisë së një jete pas vdekjes. Përsëritja e vazhdueshme e alternuar e pranverës dhe dimrit na japin mundësi neve ta vëzhgojmë për muaj të tërë dukurinë e vdekjes dhe ringjalljes. A mund të ketë ndonjë kuptim fakti që e shohim shumë dukurinë e ringjalljes në një botë ku rastet e ngjashme të tij i shohim dhe i vëzhgojmë në mënyrë të vazhdueshme? A është diçka e ndryshme nga kjo ringjallja dhe grumbullimi pas vdekjes? Apo mos njeriu e pandeh ringjalljen e vet si diçka të pamundur për fuqinë e Zotit?
Njeriu i cili mundet ta shohë një herë me sy mësimnxjerrës tokën e cila është çdo pranverë skenë e ngjarjeve të pafundme të “ringjalljes pas vdekjes”, nuk do ta ketë të vështirë ta kuptojë se krejt si në këto ngjarje, edhe ai do të ringjallet në pranverën e një botë tjetër. Në Kuran ka shumë ajete që aludojnë për këtë specifikë. Le të përmendim disa prej tyre:
“Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Rum, 30/50).
“Ndër shenjat (argumentet) e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë!” (Fussilet, 41/39)
Përsa i përket parashtrimit të unitetit të krijimit, sjellja nga Kurani e tokës së vdekur si argument të ringjalljes së njeriut, është një specifikë me rëndësi. Sepse Fuqia Absolute do ta ndryshojë trajtën e gjithësisë në ditën e kiametit po me atë ligj që e ndryshon sot për çdo çast trajtën e kësaj bote. Me atë ligj që e ringjall në pranverë të gjithë bimësinë e vdekur, do t’i ringjallë edhe njerëzit pas vdekjes.
Në fund të ajeteve lidhur me këtë çështje, duke thënë “ja, kështu do të nxirreni” dhe “ja, kjo është dalja” , na jep ne njerëzve këtë mesazh: “Ashtu siç gjallërohet toka e vdekur, si u vjen pemëve një jetë e re dhe bimët mbijnë nga toka, edhe ju do të dilni nga varret duke gjetur një jetë të re!”

Zgjimi i njeriut çdo mëngjes sikur të ringjallej nga vdekja
Mes argumenteve të marra nga bota e përvojës, Kurani na kujton edhe këtë: po qe se njeriu arsyeton mbi rikthimin e tij në jetë pas rënies në gjumë që mund të konsiderohet një lloj vdekjeje dhe e studion këtë funksion dhe harmoni, nuk do ta ketë të vështirë për ta kuptuar ringjalljen dhe grumbullimin pas vdekjes.
Në lidhje me çështjen e ringjalljes, mohuesit e quajnë të pamundur këtë, duke thënë kështu: “Le ta pranojmë mundësinë e një jete të re vegjetative pas vdekjes; si do të mund të fillojë jeta jonë njerëzore pasi të na jenë prerë lidhjet e ndjenjave dhe vetëdijes me trupin?” Përballë këtij kundërshtimi të mohuesve, Kurani ka kujtuar gjumin, një përvojë të përditshme. Gjendjet e gjumit dhe zgjimit që ndjekin njëra-tjetrën, përbëjnë për ne një shembull të bukur për çështjen e jetës pas vdekjes. Për vërtetimin e ringjalljes nuk kërkohet një forcë bindëse më tepër se kaq. Në Kuran thuhet kështu:
“Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën, duke e ditur ç’keni bërë ditën, pastaj ju zgjon që të plotësoni kohën tuaj të caktuar për të jetuar. Në fund, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju njoftojë gjithçka që keni bërë.!”
Edhe dijetari Hamdi Jazër bën një vlerësim me mjaft rëndësi për fragmentin “dhe ju ringjall ditën” të ajetit të mësipërm. Ai thotë, shkurtimisht, kështu:
“Allahu jua kompenson dhe rinovon në gjumë, pa e ditur ju, pjesët e trupit që ju janë dëmtuar ose që ju kanë vdekur dhe, duke jua kthyer përsëri në mëngjes vetëdijen dhe aftësinë njohëse që jua pati marrë, ju ringjall dhe ju zgjon me jetën tuaj materiale e shpirtërore të mëparshme. Vetëm atëherë ju i dalloni ditën dhe natën, i njihni veten dhe arritjet tuaja sikur të mos i kishit humbur fare, sikur në mes të mos kishte ndodhur asnjë ndërprerje. Të dyja jetët materiale-shpirtërore që ka njeriu ndodhen çdo ditë e çdo natë, madje, çdo çast në një “ringjallje” të tillë materiale-shpirtërore. Edhe nëse shumë njerëz e pranojnë këtë si një ringjallje me kuptim të figurshëm, po qe se çështja shihet seriozisht me një sy shkencor, del në shesh se kjo është një ringjallje me kuptimin e vërtetë të fjalës!”
Në suren Zumer është një ajet tjetër që e pohon ringjalljen e njerëzve pas vdekjes si të zgjoheshin nga gjumi:
“Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë!” (Zumer, 39/42)
Këto ajete shpjegojnë ngjasimin mes vdekjes dhe ringjalljes, domethënë, ngjasimin mes zgjimit nga gjumi dhe ringjalljes pas vdekjes. Gjumi është një vdekje e lehtë dhe e vogël, kurse vdekja, një gjumë i madh dhe i rëndë. Në të dyja gjendjet ndodh kalimi i shpirtit të njeriut nga një jetë në një jetë tjetër.
Ngjashmëria mes rënies në gjumë-zgjimit dhe vdekjes-ringjalljes është theksuar edhe në hadithet Profetike. Për shembull, në një deklaratë Profetike është dhënë kjo porosi: “Kur të bini për të fjetur, thoni “Allahu im, me emrin tënd vdes dhe ringjallem!” dhe, kur të ngriheni nga gjumi, thoni “Lavdi Allahut që na ringjall pas vdekjes!”
Allahu i Lartë, krijuesi i ngjarjes së gjumit dhe zgjimit, edhe me anë të realitetit të “ëndrrës” e cila ndodh mes këtyre dy gjendjeve, u hap mendimeve tona një horizont të veçantë për shpërndarjen e dyshimeve mbi këtë çështje. Duke na i hequr ndjenjat nga një botë për të na i lidhur me zërat dhe ngjyrat e një bote tjetër e për të na shëtitur në të, i tregon njeriut, duke e bërë t’i jetojë personalisht, ekzistencën edhe të botëve të tjera të ndryshme nga kjo botë e rrethuar me membrana tredimensionale. Njeriu i cili kridhet çdo natë në gjumin që është një lloj vëlla i vogël i vdekjes dhe i cili çdo mëngjes hap sytë në këtë botë sikur të ringjallej, do të thotë se i vëzhgon çdo ditë shenjat e kiametit dhe ringjalljes.
Siç shihet, me anë të rënies në gjumë dhe zgjimit, njeriu e jeton praktikisht të ngjashmen e ringjalljes pas vdekjes. Duke e nxjerrë në rend të ditës këtë ngjashmëri mes vdekjes dhe gjumit dhe mes ringjalljes dhe zgjimit, Kurani jep këtë mesazh: Allahu, siç e vë në gjumë njeriun, ashtu dhe e bën të vdesë, dhe siç e zgjon nga gjumi, ashtu dhe e ringjall!

b-3. Vërtetim me Tregimin e Shembujve të Ringjalljes të Jetuar në të Shkuarën
Një rrugë tjetër e vërtetimit të ringjalljes në Kuran është përmendja e ringjalljeve mrekullore të ndodhura në të kaluarën. Në këto lloj ndodhish të treguara brenda rrëfimeve, duke u mbajtur përgjithësisht fshehur elementët lidhur me personat, ky kuptim kryesisht mësimdhënës është shpjeguar me anë të një shembulli të jetuar. E shprehur ndryshe, është treguar se Allahu ka mundësi për t’u ridhënë jetë të vdekurve duke ia treguar të vërtetën e ringjalljes pas vdekjes bashkëbiseduesit me anë të një ngjarjeje të ndodhur historikisht.
Për këto ngjarje të shënuara nga Kurani si argumente praktike të mundësisë dhe realizimit të ringjalljes, atyre që thonë se “këto ngjarje i kanë parë bashkëkohësit, kurse pasardhësit nuk kanë për t’i parë që t’u vlejnë si shembull”, mjafton t’u kujtojmë këtë pikë:
“Pas vërtetimit të seriozitetit të burimit që i njofton, këto ngjarje nuk kanë ndryshim nga ngjarjet që zhvillohen çdo ditë para syve të njerëzve. Këto ngjarje që ua kujton Kurani njerëzve për t’ua përshtatur mendjeve të vërtetën e ringjalljes dhe për ta vërtetuar atë, jo vetëm u bën dritë bashkëkohësve, por ka vlerën edhe të një mesazhi për njerëzit e të gjitha vendeve dhe kohëve.”
Këta shembuj të parashtruar me qëllim për të mënjanuar dyshimet dhe lëkundjet mbi ringjalljen, ndërsa nga njëra anë bëjnë të ditur se ringjallja është një ngjarje brenda kuadrit të mundësisë, në të njëjtën kohë, njoftojnë se ringjallja do të jetë patjetër materiale e trupore.
Kurani ka paraqitur shembuj nga bota e ndijimeve të jetuar në të kaluarën që e përshtasin të vërtetën e ringjalljes për mendjen e njeriut, me qëllim që të përbëjnë përgjigje për ata që e përcjellin me habi ringjalljen pas vdekjes dhe që kërkojnë të kenë njohuri të sakta mbi këtë çështje.
Disa prej këtyre mund t’i radhisim kështu: ringjallja e Shokëve të Shpellës pasi qenë vënë gjumë dhe patën fjetur treqind e nëntë vjet, ringjallja e një izraeliti të vdekur duke e goditur me një gjymtyrë kau, vdekja kolektive e një grupi izraelitësh në shkretëtirën Sina dhe pastaj ringjallja e tyre, dhënia jetë në mënyrë mrekullore disa njerëzve nga Profeti Isa (alejhis selam) dhe, krahas kësaj, fryrja dhe ringjallja e zogjve prej balte të bëra prej tij me lejen e Allahut, dhe ringjallja me kërkesën e Profetit Ibrahim (alejhis selam) të katër zogjve të copëtuar.

Ndajeni me miqtë tuaj...