POEMA MË E RECITUAR NË BOTË
Ali Fuat Bilkan
Cila mendoni se është poema më e recituar në botë? A ka ndonjë poemë që recitohet përpara një audience të madhe pothuajse çdo ditë?
Një kryevepër e letërsisë Turke shkruar në 1409, Mevludi është një poemë e gjatë e cila është përgjigjja e saktë e pyetjes së mësipërme. Bashkë me të qenit një poemë e gjallë që reflekton dashurinë e popullit për Profetin (s.a.s.), kjo vepër 800 vargëshe është kthyer në një lutje me vlerë të shenjtë. Kjo është aq e vërtetë, saqë mund të themi se pothuajse në të gjitha vaktet e faljeve mund të bëhemi dëshmitar të mbajtjes së një ceremonie Mevludi dhe dëgjojmë recitimin e kësaj poeme plot ndjenja dashurie për Profetin (s.a.s.). Është një praktikë e zakonshme e njerëzve të mbajnë Mevlud në raste lindjesh, diplomimesh, vdekjesh, përvjetorësh dhe shumë të tjera. Në këtë kontekst, Mevludi ka një vlerë që nuk mund të krahasohet kurrë me asnjë poemë tjetër në botë. Greku Homer, Francezët La Fonten, Bodelar apo Rimbaud, Anglezët Shekspir dhe Milton, Gjermani Gëte, Rusi Pushkin, apo Edgar Alen Po ose Emily Dikinson i Amerikanëve; asnjë nga veprat e këtyre poetëve nuk është recituar kaq shumë sa ajo e Sulejman Çelebiut. Imagjinoni sikur veprat e këtyre poetëve të mëdhenj të recitoheshin rregullisht dhe të dëgjoheshin nga grupe të mëdha njerëzish në kohë të caktuara të ditës; kjo është ajo çka në mënyrë të natyrshme ndodh me Mevludin e Sulejman Çelebiut.
Duke filluar që nga shekulli i dhjetë janë shkruar me qindra poema në gjuhë të ndryshme dedikuar kujtimit të bekuar të Profetit (a.s.), mesazhit dhe mrekullive të tij. Fakti që të gjitha këto poema patën të njëjtat tema çuan drejt një stili. Padyshim Mevludi i Sulejman Çelebiut fillimisht vjen në këtë perspektivë. Ky punim influencoi në vepra të ndryshme të të njëjtit lloj në Arabisht dhe në gjuhë të tjera, gjithashtu ekziston edhe një përkthim i drejtpërdrejtë në Arabisht.
Ekzistojnë përkthime të mevludeve në shumë gjuhë, si p.sh., në Arabisht, Persisht, Boshnjakisht, Jordanisht, Shqip etj.
Mevludet e para në gjuhën shqipe gjejnë fill me Mevludin e parë të Hasan Zyko Kamberit e vazhdojnë deri në ditët tona. Mevludet e para në gjuhën shqipe kanë qenë të shkruara me alfabetin turko-arab e më vonë në alfabetin shqip. Këto mevlude kanë qenë përkthime, përshtatje dhe origjinale, dhe kanë përfshirë të gjitha zonat e Shqipërisë, trojet shqiptare dhe diasporën. Në gjuhën shqipe sot mund të numërojmë më shumë se njëzet Mevlude të botuara në kohë të ndryshme.
Mevludet në gjuhën shqipe kanë pasur përhapjen e tyre në zona të ndryshme, disa prej tyre janë ribotuar disa herë dhe kanë patur një shtrirje më të gjerë.
Nga Mevludet më të njohura të autorëve shqiptarë mund të veçojmë Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Farudin Osmanit, Hafiz Zemblakut dhe Tahir Popovës.
Mevludi është një vepër e cila i prezantoi botës poemën më të recituar në botë, është e rëndësishme sepse pasqyron në mënyrë objektive ndjenjat fetare të shoqërisë. Shpresojmë që vepra të tilla të rrënjosura në kulturën e popullit do të ndihmojnë ata që duan të dinë rreth Islamit, të kuptojnë botën e brendshme të myslimanëve, dashurinë që ata ushqejnë për Profetin dhe lidhjet shpirtërorë midis tyre dhe atij në mënyrë korrekte.
Disa vargje nga vepra:
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Për nder të Muhamedit mos kurse rahmetin
Na dhuro neve o Zot bukurinë e xhenetit.
Sado faje të kemi, shpresën nuk e presim
Zot i madh prej Teje shumë mëshirë presim.
Madhështia Jote na jep shumë shpresë
Mëshira që ke, nuk na lë pa pjesë.
Nëse na i fal gabimet tregona bukurinë
Nëse na përzë, prapë tek Ti ne vijmë.
Me zemër të djegur Allah të thërresim
Me Allah në gojë Zot! edhe kur të vdesim!
(nga Mevludi i H. Ali Korçës)
Referencat
Mevludet në gjuhën shqipe, Faik Luli-Islam Dizdari, Sh.B. Camaj-Pipa, Shkodër 2002