ilmihali

Në të vërtetë, gjuha është një organ, që ka një vlerë të madhe e të paçmueshme. Sidoqoftë, kur një gjymtyrë e tillë e bekuar keqpërdoret, ajo kthehet në një mjet të dëmshëm që e çon njeriun në rrënim e fatkeqësi dhe që i shkatërron atij jetën. Gjuha është ajo, me të cilën njeriu përkujton e madhëron Zotin e Gjithëfuqishëm. Të urdhëruarit për mirë dhe të ndalurit prej së keqes realizohet nëpërmjet gjuhës. Njeriu, me gjuhën e tij, këndon librin dhe interpretimin e gjithësisë, të ardhur prej përjetësisë, Kuranin; lexon kuptimet e vargjeve dhe ua shpjegon ato të tjerëve. Nganjëherë, një njeri që nuk beson, përmes të shprehurit dhe të ligjëruarit, kthehet në besim… Në këtë mënyrë, njeriu kryen punë më të mira se gjithçka mbi të cilën lind e perëndon dielli dhe nëpërmjet gjuhës mbërrin në më të lartat kopshte të Parajsës dhe ngre fronin e vet në majën e besnikërisë hyjnore. Por po ajo gjuhë mund t’i përgatisë njeriut edhe rrënimin. Gjuha është mjet për të gjithë mohimin e fyerjen. Ata që, me gjuhë shajnë e fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e tij famëlartë, pikërisht me gjuhë po kryejnë një mëkat të fëlliqur. Gënjeshtra, përgojimi, shpifja gjithmonë shprehen prej gjuhës dhe njeriu për shkak të gjuhës bie në honin e mashtrimit të Musejlemes.

E pra, i Dërguari i Allahut thotë vetëm një fjalë dhe tërheq vëmendjen vetëm te një organ… E pra, tek kjo fjalë e vetme gjenden të ruajtura qindra e qindra të vërteta të pashprehura dhe çështje ndaj të cilave ne tregojmë fare pak vëmendje. “Përdoreni gojën brenda kufijve të së lejueshmes, që unë t’ju premtoj Parajsën”, thotë Profeti. Kjo nuk do të thotë: “Mbylleni gojën dhe tërhiquni e uluni në një qoshe”, por ka kuptimin që ta përdorim siç duhet.

Lexo  A mund të përkufizohet Zoti?

I Dërguari i Allahut nuk e shqipton emrin e organit intim… në vend të tij, shprehet duke thënë “atë që ka mes këmbëve”. Kjo është shprehje e letrarësisë së të folurit të Tij. Ai edhe duke shprehur gjëra që për ne janë krejt të natyrshme e të zakonshme, flet me një etikë aq të thellë e aq të veçantë, saqë edhe atë çka për shumë prej nesh mund të duket e padenjë, ia del ta kthejë në një tablo të këndshme për sytë e shumë njerëzve njëkohësisht. Ai ishte një njeri i pajisur me bukuritë e moralit, të karakterit e të natyrës së mirë.

Duke dashur të përmendë një organ, përmendja e të cilit mes njerëzve shihet si e turpshme, i Dërguari i Allahut përdor shprehjen nënkuptuese “atë që ka mes këmbëve”. Ajo çka kemi mes këmbëve është një organ shumë i rëndësishëm. Vijueshmëria e gjinisë njerëzore sigurohet në atë rrugë, por edhe zinaja e tradhtia bashkëshortore, shthurja e gjinisë njerëzore, ndodhin po në atë rrugë. Me keqpërdorimin e organit në fjalë, brezat trazohen me njëri-tjetrin dhe vlerat që çdo sistem ligjor duhet t’i mbrojë, për këtë arsye, rrënohen e zhduken.

Si do të njihen atësia? Kujt do t’i lihen trashëgima? Kush do të ketë të drejtë të kërkojë diçka prej dikujt? Si do të mbrohet familja? Si do të mbahet në këmbë kombi? Këto çështje dhe të tjera si këto janë të lidhura vetëm me ndershmërinë dhe dëlirësinë. Njerëzit e ndershëm dhe shoqëritë që lindin prej këtyre njerëzve i vazhdojnë strukturat e brendshme gjer në Ditën e Gjykimit; ndërsa individët dhe kombet që zhyten në llumin e imoralitetit nuk shkojnë dot qoftë edhe përtej një brezi.

Lexo  Turpi

Në thelb, sikurse në çdo çështje, edhe në këtë çështje hapësira e së lejuarës është e gjerë dhe plotësisht e mjaftueshme. Nuk ka aspak nevojë të hyhet në të palejuarën. Dëshirat njerëzore mund të gjejnë fare mirë përmbushje brenda sferës së të lejuarës. Kërkimi prej njeriut i rrugës së hallallit në këtë drejtim e bën atë që të fitojë një sevap në shkallën e vaxhibit. Kur i Dërguari i Allahut ua sqaroi këtë çështje sahabëve të tij, ata pyetën me habi se si ishte e mundur kjo. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) u dha këtë përgjigje: “Nëse nuk do të ishte në rrugë të hallallit, a nuk do të ishte e ndaluar?”[1] E pra, shmangia e së ndaluarës është vaxhib. Kështu që angazhimi në rrugën e hallallit i siguron njeriut sevap në shkallën e vaxhibit.



[1] Muslim, Zekat, 53; Musned, V, 167, 168.

Ndajeni me miqtë tuaj...