Ngjarja e Miraxhit është takimi i Profetit (s.a.s.) me Allahun dhe të foluri e tij me Allahun (xh.sh.). Një gjë e tillë, e përjetuar në këtë botë vetëm nga Profeti ynë, u realizua me hipjen e tij në Burak, që fluturonte me shpejtësinë e rrufesë drejt qiellit. Pjesa e parë e udhëtimit të miraxhit ka ndodhur në këtë botë, nga Mekka në Kudus, Jerusalem dhe nga aty me lejen e Allahut, Profeti (s.a.s.) është ngjitur në drejtim të qiejve. Një udhëtim i tillë, me mjetet më moderne të kësaj kohe mund të zgjasë me mijëra vjet, kurse Profeti (s.a.s.), me lejen e Allahut është ngjitur për një moment të vetëm. Profeti (s.a.s.) në çdo qiell është takuar me Profetët e mëparshëm, ka folur me engjëjt, ka parë xhenetin dhe xhehenemin, ku do të grumbullohen njerëzit pas vdekjes dhe së fundi ka pasur nderin të flasë me Allahun (xh.sh.) dhe pastaj të kthehet përsëri në vendin e mëparshëm

Miraxhi i Profetit (s.a.s.) është për të gjithë njerëzit një lajm shumë i gëzueshëm. Sepse Profeti (s.a.s.) gjatë këtij udhëtimi, na lajmëroi se botët të cilat i kishte shëtitur nuk ishin imagjinare, por ishin të vërteta, duke parë me sytë e tij bukuritë e xhenetit dhe duke i treguar umetit mysliman, se vdekja nuk është një ngjarje e frikshme, por është një udhëtim për në parajsën e pafund të xhenetit, duke gëzuar dhe lumturuar në këtë mënyrë të gjithë zemrat e besimtarëve të sinqertë. Ngjarja e miraxhit na tregon se ajo është çelësi i thesarit të pafund të lumturisë dhe jo vdekje, mërzitje, brengosje apo frikë. Dhe për njeriun është lajmi më i mirë. Ashtu siç një njeri që kthehet nga një rrugë e gjatë sjell dhurata, po ashtu, edhe Profeti (s.a.s.), pas kthimit nga udhëtimi i miraxhit, umetit të tij i solli dhuratë namazin, me anë të të cilit, të gjithë myslimanët, brenda një momenti, dalin shpirtërisht përpara Allahut, flasin me Allahun duke përmendur fjalët e Kuranit në namaz dhe përsëri me anë të namazit do të fluturojnë drejt xhenetit të pafund.

Ndajeni me miqtë tuaj...